Mësimi 14
1 Nefi 12–13
Hyrje
Pasi pa në vegim shërbesën në vdekshmëri të Shpëtimtarit dhe Shlyerjen, Nefi pa se pas katër brezash drejtësie, pasardhësit e tij do të bëheshin kryelartë dhe se do t’u dorëzoheshin tundimeve të djallit e do të shkatërroheshin. Atij iu tregua edhe ligësia e atyre që ndjekin Satanin në kishën e madhe dhe të neveritshme. Ai pa se ata do të hiqnin të vërteta të qarta e të çmueshme nga Bibla, duke bërë që shumë të mos përparonin shpirtërisht. Pavarësisht këtyre pamjeve shqetësuese, vegimi i Nefit i dha atij edhe arsye për shpresë të madhe. Ai pa se Perëndia do të përgatiste një udhë për Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme. Ai dëshmoi edhe se anali i popullit të tij (Libri i Mormonit) do të dilte në ditët e mëvonshme për të rivendosur të vërteta të qarta e të çmueshme që i kishin humbur botës.
Shënim: Mund të mos keni kohë të mjaftueshme për ta mbuluar të gjithë materialin e këtij mësimi. Gjatë përgatitjes suaj, kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë që të dini se cilat pjesë të mësimit janë më të rëndësishmet dhe më të zbatueshmet për studentët tuaj. Mund t’ju duhet të përmblidhni disa pjesë të mësimit që të lini kohë të mjaftueshme për t’i dhënë mësim në mënyrë të efektshme doktrinat dhe parimet më të rëndësishme.
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Nefi 12
Nefi sheh të ardhmen e kombeve nefitë dhe lamanitë
Përmblidhni 1 Nefin 12 duke shpjeguar që ky kapitull është vazhdim i vegimit të Nefit. Në të, engjëlli i tregoi Nefit se si simbolet në vegimin e pemës së jetës do të gjenin zbatim për pasardhësit e tij. Atij iu tregua se disa prej pasardhësve të tij do t’i merrnin të gjitha bekimet e Shlyerjes. Gjithsesi, Nefi pa edhe se pasardhësit e tij në fund to të shkatërroheshin prej pasardhësve të vëllezërve të tij (lamanitëve). Ftoni studentë të lexojnë 1 Nefin 12:16–19. Vërini të kërkojnë arsyet përse nefitët do të shkatërroheshin (shih 1 Nefin 12:19). Kujtojuni studentëve se kur ushtrojnë besim në Jezu Krisht, ata mund ta mposhtin krenarinë dhe tundimin.
1 Nefi 13:1–9
Nefi sheh kishën e madhe dhe të neveritshme
Kërkojuni studentëve që të ngrenë duart nëse luajnë në ndonjë sport. Kërkojuni disave prej tyre që të tregojnë se çfarë sporti luajnë. Shpjegoni se në sporte, skuadrat shpesh përgatiten për ndeshjet duke studiuar ndeshjet dhe strategjitë e shkuara të kundërshtarëve.
-
Përse do të ishte e dobishme që një skuadër të studionte strategjitë e një kundërshtari para se të garonin?
Shpjegoni se Nefi i pa në vegim dëshirat dhe strategjitë e atyre që do t’i kundërviheshin Kishës së Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme. Nxitini studentët që t’i kërkojnë ato strategji ndërsa studiojnë këtë kapitull, në mënyrë që të mund të përgatiten për t’i dalluar ato dhe për të mos u mashtruar prej tyre.
Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë 1 Nefin 13:1–4, 6. Kërkojini një studenti të përcaktojë grupin që Nefi pa të formohej mes johebrenjve të ditëve të mëvonshme.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përmbajtjen e këtyre vargjeve, thoni komentin në vijim nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve që të dëgjojnë me kujdes e të gjejnë një përkufizim për kishën e madhe dhe të neveritshme.
“Emrat e kishës së djallit dhe kishës së madhe dhe të neveritshme përdoren për të identifikuar të gjitha … organizatat me çfarëdolloj emri e natyre – qoftë politike, filozofike, arsimore, ekonomike, shoqërore, vëllazërore, qytetare ose fetare – të cilat janë krijuar për t’i çuar njerëzit në një udhë që i largon nga Perëndia e ligjet e Tij dhe si rrjedhim nga shpëtimi në mbretërinë e Perëndisë” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 137–138).
Jini të qartë se fraza “kishë [e] madhe dhe [e] neveritshme” nuk i drejtohet një feje ose kishe të caktuar. Ajo i drejtohet çdo organizate ose të gjitha atyre që janë krijuar për t’i larguar njerëzit nga Perëndia e ligjet e Tij.
Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që në anë të fletës pranë 1 Nefit 13:6, të shkruajnë frazën: ‘të gjitha [organizatat] që janë krijuar për t’i larguar njerëzit nga Perëndia dhe ligjet e Tij’.
-
Përse mendoni se është e rëndësishme të dimë që Satani i organizon forcat e tij për të na larguar nga Perëndia dhe ligjet e Tij?
Shpjegoni që Nefi dha një përshkrim të kishës së madhe dhe të neveritshme. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 13:5–9.
-
Çfarë gjërash dëshirojnë ata të kishës së madhe dhe të neveritshme? (Shih 1 Nefin 13:7–8.)
-
Sipas 1 Nefit 13:5, 9, çfarë synojnë të arrijnë ata të kishës së madhe dhe të neveritshme? Përse? (Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë të vërtetën në vijim: Satani dhe pasuesit e tij dëshirojnë t’i shkatërrojnë Shenjtorët e Perëndisë dhe t’i robërojnë ata.)
-
Si mund të na ndihmojë dijenia mbi dëshirat e qëllimet e Satanit dhe të pasuesve të tij, që t’i luftojmë ata?
Njoftojini studentët se më vonë në këtë kapitull, do të mësojnë rreth njërës prej mënyrave se si kisha e madhe dhe e neveritshme është përpjekur t’i shkatërrojë ata që kërkojnë Perëndinë.
1 Nefi 13:10–19
Nefi sheh dorën e Perëndisë në themelimin e një vendi të lirë ku do të rivendosej ungjilli
Dëshmoni se Zoti është siguruar që puna e Tij të ecë përpara pavarësisht përpjekjeve të kishës së madhe dhe të neveritshme për t’i bërë njerëzit që të mos përparojnë shpirtërisht. Ai e bëri këtë duke përgatitur udhën për Rivendosjen e ungjillit të Tij.
Thëniet e radhitura më poshtë përmbledhin ngjarjet e rëndësishme që pa Nefi në vegimin e tij. Vërini studentët të lexojnë 1 Nefin 13:10–19 dhe lidheni secilën referencë të shkrimeve të shenjta të radhitur më poshtë me ngjarjen që përshkruan ajo referencë. (Mund të dëshironi t’i paraqitni në tabelë këto referenca shkrimesh të shenjta dhe thënie përpara se të fillojë ora mësimore. Ose mund të krijoni një fletushkë për shpërndarje që përmban referencat e shkrimeve të shenjta dhe thëniet. Më poshtë, referencat e shkrimeve të shenjta janë kombinuar saktësisht me thëniet. Që kjo veprimtari të jetë e suksesshme, do t’ju duhet të ndërroni radhën e thënieve kur t’i paraqitni në tabelë ose kur t’i shtoni te fletushka.)
-
1 Nefi 13:12Kolombi lundron drejt kontinentit amerikan
-
1 Nefi 13:13Pelegrinët lundrojnë drejt kontinentit amerikan, në kërkim të lirisë fetare
-
1 Nefi 13:14Amerikanët vendas dëbohen nga tokat e tyre
-
1 Nefi 13:15Johebrenjtë përparojnë në kontinentin amerikan
-
1 Nefi 13:16–19Megjithëse tepër të paktë në numër, ushtritë revolucionare amerikane dalin fitimtare
Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, mund të dëshironi t’i nxitni që pranë secilit fragment të shkruajnë një fjalë ose frazë kyçe në shkrimet e tyre të shenjta. Për shembull, mund të shkruajnë Kolombi anash 1 Nefit 13:12.
-
Sipas 1 Nefit 13:12, përse lundroi Kolombi drejt kontinentit amerikan?
-
Sipas 1 Nefit 13:13, përse emigruan pelegrinët drejt kontinentit amerikan?
-
Sipas 1 Nefit 13:15–19, përse johebrenjtë lulëzuan dhe fituan pavarësi mbi “të gjitha kombe[t] [e] tjera”?
Ftojeni një student që ta lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Presidenti Jozef F. Smith:
“Këtë komb të madh amerikan e ka ngritur i Plotfuqishmi me anë të fuqisë së dorës së Tij të gjithëfuqishme, që në ditët e mëvonshme të ishte e mundur që mbretëria e Perëndisë të vendosej në tokë. Nëse Zoti nuk do të kishte përgatitur një udhë me anë të hedhjes së themeleve të këtij kombi të lavdishëm, do të kishte qenë e pamundur që (nën ligjet e rrepta dhe fanatizmin e qeverive monarkike të botës) të hidheshin hapat për ardhjen e mbretërisë së Tij të mrekullueshme. Zoti e ka bërë këtë” (Gospel Doctrine, bot. i 5-të [1939], f. 409).
Dëshmoni se Zoti e përgatiti udhën për Rivendosjen duke ngritur një vend me liri fetare ku mund ta rivendoste Kishën e Tij. Dëshmoni se Zoti ka përgatitur dhe do të vazhdojë të përgatitë një udhë, që ungjilli i Tij i rivendosur të përshkojë çdo komb.
Nëse po e jepni këtë mësim në një vend jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pyetni:
-
Si e përgatiti Zoti udhën për predikimin e ungjillit të rivendosur në vendin tonë?
1 Nefi 13:20–42
Nefi sheh johebrenjtë e të ardhmes me Biblën, Librin e Mormonit dhe shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme
Ftojeni një student të lexojë 1 Nefin 13:20–24. Kërkojini atij apo asaj të përcaktojë objektin që pa Nefi që kolonizatorët e hershëm amerikanë e “[kishin] sjellë mes tyre”. Ngrini lart një kopje të Biblës dhe shpjegoni se është libri në vegimin e Nefit. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët që në anë të fletës, pranë 1 Nefit 13:20 të shkruajnë Bibla.
Shpjegoni se engjëlli i mësoi Nefit se Bibla është anal “[me] një vler[ë] të madhe” (1 Nefi 13:23). Kur u shkruan në fillim zbulesat në Bibël, ato “përmban[in] plotësinë e ungjillit të Zotit” (1 Nefi 13:24). Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 13:26–27.
-
Çfarë hoqi prej Biblës kisha e madhe dhe e neveritshme? Përse u hoqën këto gjëra?
Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 13:29.
-
Çfarë ndodhi si pasojë e heqjes nga Bibla të shumë gjërave të qarta e të çmueshme dhe shumë besëlidhjeve të Zotit?
Ftoni katër studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefin 13:34–36, 39. Kërkojini klasës të gjejë atë që do të bënte Zoti për t’i ndihmuar njerëzit që t’i mposhtnin përpjekjet e kishës së madhe dhe të neveritshme.
-
Sipas 1 Nefit 13:34, çfarë do të sillte Zoti për shkak të mëshirës së Tij?
-
Sipas 1 Nefit 13:35–36, çfarë do të “fshihe[j]” për t’u ardhur johebrenjve? (Mund të dëshironi t’i këshilloni që anash 1 Nefit 13:35, studentët të shkruajnë se fraza “këto gjëra” i referohet Librit të Mormonit.)
-
Sipas 1 Nefit 13:39, çfarë tjetër do të sillte Zoti në ditët e mëvonshme, përveç Librit të Mormonit? Çfarë “libra[sh] të tjerë” ka sjellë Zoti si pjesë e Rivendosjes? (Doktrinën e Besëlidhjet, Perlën me Vlerë të Madhe dhe Përkthimin e Biblës prej Joseph Smith-it.)
Ftojini studentët të lexojnë 1 Nefin 13:40–41. Vërini të kërkojnë të gjejnë një përshkrim të asaj që shkrimet e shenjta të Rivendosjes do t’ua bëjnë të ditur të gjithë njerëzve. Pasi studentët të tregojnë atë që kanë gjetur, ngrini lart një kopje të Biblës dhe jepni dëshminë tuaj mbi vërtetësinë e saj. Ngrini lart një kopje të Librit të Mormonit dhe vendoseni me Biblën. Dëshmoni se Libri i Mormonit dhe shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme rivendosin të vërteta të qarta e të çmueshme që na ndihmojnë të dimë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe na ndihmojnë të dimë se si mund të vijmë tek Ai.
Kërkojuni studentëve të gjejnë një frazë në fund të 1 Nefit 13:41 që përshkruan atë që do të bëjë Zoti me analin e hebrenjve (Biblën) dhe analet e pasardhësve të Nefit (Librin e Mormonit). Dëshmoni që këto anale janë “vendos[ur] në një” (1 Nefi 13:41) dhe janë “rrit[ur] së bashku” (2 Nefi 3:12) që të na ndihmojnë ta dimë qartazi se si të arrijmë te Shpëtimtari.
Që t’i ndihmoni studentët të çmojnë mënyrën se si ka ndikuar rivendosja e të vërtetave të qarta e të çmueshme në jetën e tyre, ftojini të përsiaten mbi pyetjen në vijim:
-
Si ka ndikuar Libri i Mormonit te dëshmia juaj për Jezu Krishtin dhe si ju ka ndihmuar t’i afroheni Atij?
Pasi t’u lini kohë studentëve të përsiatin, ftojini disa prej tyre që të japin përgjigjet e veta. Gjithashtu, mund të dëshironi të jepni vetë dëshminë tuaj për Librin e Mormonit dhe se si e ka forcuar dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe si ju ka ndihmuar të dini se si të vini tek Ai. Kur të mbyllni orën mësimore, nxitini studentët që ta studiojnë me kujdes Librin e Mormonit për gjatë gjithë vitit, duke kërkuar të gjejnë mësime e rrëfime që forcojnë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe u mësojnë se si të vijnë tek Ai.