Biblioteka
Mësimi 100: Alma 43–44


Mësimi 100

Alma 43–44

Hyrje

Ndërkohë që Alma dhe bijtë e tij vazhduan të predikonin ungjillin, zoramitët u bashkuan me ushtritë lamanite për t’i sulmuar nefitët. Kapiten Moroni tregoi besim dhe urtësi në drejtimin e nefitëve për të mbrojtur veten kundër ushtrisë lamanite. Edhe pse ua kalonin në numër, përgatitja e ushtarëve nefitë dhe besimi në Jezu Krishtin u dha epërsi në luftë. Kur lamanitët pësuan një numër humbjesh, ata bënë besëlidhje për paqe dhe u larguan nga toka për një stinë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 43

Përgatitjet dhe strategjitë e kapiten Moronit ndihmojnë në pengimin e qëllimeve të ushtrisë lamanite

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një listë me plane, synime dhe dëshira për të ardhmen e tyre. Ndërkohë që shkruajnë, kujtojini që të mendojnë rreth synimeve dhe dëshirave shpirtërore, të tilla si shërbimi në një mision, të vulosurit në tempull dhe krijimi i një familjeje. Përpara fillimit të orës mësimore, ju mund të dëshironi të shkruani një listë të tillë me synime dhe dëshira për vetë të ardhmen tuaj. Ju mund të tregoni disa prej planeve dhe dëshirave tuaja si shembuj për t’i ndihmuar studentët të fillojnë të shkruajnë.

Pasi studentët të bëjnë listat e tyre, ftojini ata të përcaktojnë dëshirat dhe synimet që mendojnë se Satani nuk do të dëshironte t’i përmbushnin. Ftoni disa studentë të tregojnë synimet që kanë përcaktuar. Kërkojuni që të shpjegojnë arsyen përse Satani nuk do të dëshironte që ata t’i përmbushnin ato synime. Ju gjithashtu mund t’i pyetni përse ata janë aq të vendosur për përmbushjen e atyre synimeve. Sugjeroni se një studim i Almës 43–44 mund të na ndihmojë të kuptojmë se si mund t’i përmbushim synimet tona të drejta pavarësisht nga përpjekjet shkatërruese të kundërshtarit.

Përmblidhni Almën 43:1–4 duke shpjeguar se pavarësisht nga përpjekjet e Almës për t’i kthyer zoramitët në Kishë, shumë prej tyre u bashkuan me lamanitët dhe u përgatitën për t’i sulmuar nefitët. Atyre iu bashkuan edhe amalekitët, të cilët, sikurse zoramitët, kishin qenë dikur nefitë, por ishin larguar nga e vërteta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 43:5–8. Kërkojini klasës ta ndjekë sipas radhës, duke kërkuar planet ose “qëllimet” e udhëheqësit lamanit, Zerahemna.

Shpjegoni se ndërkohë që i studiojmë rrëfimet e luftërave fizike në Librin e Mormonit, ne mund t’i krahasojmë ato me luftërat shpirtërore që hasim.

  • Si mund të jenë qëllimet e Zerahemnës kundër nefitëve të ngjashme me qëllimet që Satani ka kundër nesh?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 43:9–12. Kërkojini klasës të përcaktojë qëllimet e nefitëve.

  • Cilat ishin qëllimet e nefitëve?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 43:16–19. Ftojini që të kërkojnë atë që Moroni, kryekapiteni i nefitëve, bëri për ta përgatitur popullin të mbronte vendin dhe familjet e tyre.

  • Çfarë gjërash të posaçme bënë nefitët për t’u përgatitur për sulmin e lamanitëve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 43:20–22 dhe kërkojini klasës të shohë reagimin e lamanitëve ndaj përgatitjeve të nefitëve.

  • Përse lamanitët u tërhoqën prej sulmit të tyre edhe pse ua kalonin në numër nefitëve?

  • Çfarë mund të mësojnë nga kjo ndodhi rreth mbrojtjes së vetvetes kundrejt qëllimeve të Satanit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 43:23–24 për të zbuluar atë që bëri Moroni kur nuk ishte i sigurt se si armiku i tij e kishte planifikuar sulmin vijues.

  • Përse Moroni dërgoi lajmëtarë për të folur me Almën?

  • Çfarë mund të na mësojë shembulli i Moronit rreth mënyrës se si mund të përgatitemi shpirtërisht kundrejt kundërshtarit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse kërkojmë dhe ndjekim këshillën profetike, ne do të jemi më mirë në gjendje të mbrohemi kundrejt kundërshtarit.)

Përmblidhni shkurtimisht Almën 43:25–43 duke treguar se Moroni veproi sipas njohurisë që mori nga profeti. Ai e ndau ushtrinë e tij në dy pjesë. Disa ushtarë qëndruan në qytetin e Jershonit për të mbrojtur popullin e Amonit. Pjesa tjetër e ushtrisë marshoi për në tokën e Mantit. Moroni dërgoi spiunë për të gjetur vendin ku ishin lamanitët dhe i vuri ushtarët e tjerë të fshiheshin përgjatë shtegut që do të merrnin lamanitët. Ndërsa lamanitët po afroheshin, ushtarët nefitë i rrethuan. Kur lamanitët e panë se ishin rrethuar, ata luftuan mizorisht. Shumë nefitë humbën jetën, por lamanitët patën akoma më shumë viktima.

Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 43:43–54. Kërkojini klasës të kërkojë ndryshimin midis nxitjes dhe burimit të fuqisë së lamanitëve dhe nxitjes dhe burimit të fuqisë së nefitëve.

  • Çfarë vutë re rreth arsyeve të lamanitëve për luftim? Çfarë vutë re rreth arsyeve të nefitëve për luftim? Si ndryshoi burimi i fuqisë së nefitëve nga burimi i fuqisë së lamanitëve? (Sipas nevojës, vini në dukje se, ndërkohë që lamanitët luftonin për shkak të urrejtjes dhe zemërimit, nefitët ishin të frymëzuar nga një qëllim më i mirë [shih Almën 43:45–47]. Ata iu lutën Zotit për ndihmë dhe Ai i forcoi ata [shih Almën 43:49–50].)

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Moronit dhe i ushtrisë së tij për të na ndihmuar në luftërat tona kundër kundërshtarit?

Ftojini studentët të shkruajnë përgjigjet e tyre për këtë pyetje. Pastaj kërkojuni që të tregojnë atë që kanë shkruar. Ata mund të përmendin disa prej parimeve vijuese:

Ndërsa lutemi për ndihmë për plotësimin e planeve dhe të dëshirave tona të drejta, Perëndia do të na ndihmojë t’i përmbushim ato.

Ne frymëzohemi nga një qëllim më i mirë sesa i atyre që e kundërshtojnë të vërtetën.

Zoti do të na ndihmojë të përmbushim detyrën tonë për t’i mbrojtur familjet tona, lirinë tonë dhe fenë tonë.

Ftojini studentët të tregojnë rreth rasteve kur e kanë ndier dorën e Zotit në përmbushjen e synimeve të drejta. Merrni parasysh të tregoni përvoja vetjake. Dëshmoni për aftësinë e Zotit për të na ndihmuar t’i përmbushim qëllimet e drejta. Ftojini studentët t’i bëjnë synimet e drejta pjesë të pandarë të lutjeve të tyre.

Alma 44

Kapiten Moroni i urdhëron lamanitët të bëjnë besëlidhje për paqe

Ftojeni një të ri, i cili është i gatshëm të lexojë me zë të lartë, të vijë përpara klasës me shkrimet e tij të shenjta. Kujtojini klasës se, kur kapiten Moroni pa tmerrin e lamanitëve, ai i urdhëroi njerëzit e tij të ndalonin së luftuari (shih Almën 43:54). Vëreni të riun të lexojë fjalët e Moronit tek Alma 44:1–6. Kërkojini klasës të dëgjojë shpjegimin e Moronit për fitoren e nefitëve.

  • Çfarë dëshironte Moroni që Zerahemna të kuptonte rreth burimit të fuqisë së nefitëve në luftë? Çfarë u ofroi ai lamanitëve? (Ai tha se nefitët nuk do t’i lëndonin më, në qoftë se ata do t’i dorëzonin armët e tyre dhe do të hynin në një besëlidhje për paqe.)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga Alma 44:4–6 që mund të na ndihmojnë në luftërat tona shpirtërore? (Studentët mund të thonë disa parime, disa prej të cilave tashmë janë trajtuar në këtë mësim. Sigurohuni që ata të përfshijnë të vërtetën e mëposhtme: Zoti do të na forcojë dhe ruajë sipas besimit tonë në Të. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët në këto vargje që na mësojnë këtë të vërtetë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të larë këshillën në vijim drejtuar të rinjve të Kishës nga Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju mund të dëshironi të siguroni një kopje për secilin student.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Rinia sot po rritet në territor armik me një standard në rënie të moralitetit. Por si shërbëtor i Zotit, unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur dhe të ruajtur nga sulmet e kundërshtarit nëse ju do t’u vini veshin nxitjeve që vijnë nga Fryma e Shenjtë.

Vishuni me thjeshtësi; flisni me nderim; dëgjoni muzikë që ju ngre shpirtërisht. Shmangni të gjitha imoralitetet dhe praktikat që ju degradojnë personalisht. Kontrolloni jetën tuaj dhe komandojeni veten për të qenë besnikë. Për shkak se ne mbështetemi aq shumë te ju, ju do të jeni jashtëzakonisht të bekuar. Ati juaj i dashur Qiellor ju mbikëqyr vazhdimisht” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 18).

  • Çfarë ju bëri përshtypje te fjalët e Presidentit Paker? Përse?

Përmblidhni Almën 44:7–10 duke shpjeguar se Zerahemna shpalli se ai dhe populli i tij nuk e besonin se nefitët ishin forcuar nga Perëndia. Ai pranoi që lamanitët t’i dorëzonin armët e tyre, por refuzoi të bënte një besëlidhje për paqe. Ftojeni studentin që lexoi Almën 44:1–6 të lexojë me zë të lartë përgjigjen e Moronit ndaj Zerahemnës, që gjendet tek Alma 44:11. Pyetni klasën:

  • Përse mendoni se ishte kaq e rëndësishme për Moronin që t’i bënte lamanitët të lidhnin besëlidhje për paqe?

Përmblidhni Almën 44:12–20 duke shpjeguar se, ndërsa shumë prej lamanitëve bënë besëlidhje për paqe, Zerahemna e organizoi pjesën tjetër të njerëzve të tij për të luftuar me ushtrinë e Moronit. Kur nefitët filluan t’i vrisnin, Zerahemna pa shkatërrimin e tyre të pashmangshëm dhe premtoi të hynte në një besëlidhje për paqe.

Dëshmoni për dorën mbrojtëse të Zotit në jetën e atyre që janë besnikë ndaj Tij. Nxitini studentët të luftojnë trimërisht për synimet dhe dëshirat e tyre të drejta dhe t’i mirëbesojnë premtimit të Perëndisë që “do të na përkrahë dhe do të na mbajë dhe do të na ruajë, derisa të jemi besnikë ndaj tij” (Alma 44:4).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 43:3. Lufta që po luftojmë filloi në jetën tonë para lindjes

Presidenti Gordon Hinkli, foli për vërtetësinë e luftës në të cilën jemi përfshirë qysh përpara se bota të fillonte:

“Ka [një] luftë që ka vazhduar që përpara se bota të krijohej dhe e cila ka gjasa të vazhdojë për një kohë të gjatë që ende ka për të ardhur.

Kjo luftë … është lufta midis së vërtetës dhe së gabuarës, midis lirisë së zgjedhjes dhe detyrimit, midis pasuesve të Krishtit dhe atyre që e kanë mohuar Atë. Armiqtë e Tij kanë përdorur gjithfarë dredhish në këtë konflikt.

… të siç qe në fillim. Viktimat që bien, janë po aq të çmuara sa ata që kanë rënë në të kaluarën. Është një betejë e vazhdueshme.

Lufta vazhdon. Ajo zhvillohet në vetë jetën tonë, ditë pas dite, në shtëpitë tona, në punën tonë, në shoqërinë tonë të shkollës; ajo zhvillohet lidhur me çështjet e dashurisë dhe të respektit, të besnikërisë ndaj Zotit dhe të besnikërisë ndaj bashkëshortit/es, të bindjes dhe të integritetit moral. Ne të gjithë jemi përfshirë në të. Ne po fitojmë dhe e ardhmja asnjëherë nuk është dukur më e ndritshme” (“The War We Are Winning”, Ensign, nëntor 1986, f. 42, 44–45).

Alma 43:9, 45. Mbrojeni dhe forcojeni familjen

Motra Virxhinia Xhensen, e presidencës së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, iu drejtua një paralajmërimi në proklamatën mbi familjen “se shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Motra Xhensen vërejti: “Vëllezër dhe motra, ne jemi në mes të atij realiteti pikërisht në këtë çast. Është detyra e gjithsecilit prej nesh të mbrojë dhe të forcojë familjen” (“Come, Listen to a Prophet’s Voice”, Ensign, nëntor 1998, f. 13–14).

Shtyp në Letër