Mësimi 84
Alma 21–22
Hyrje
Vëllai i Amonit, Aaroni, u dha mësim amalekitëve, por ata nuk e pranuan mesazhin e tij rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Më pas ai predikoi në Midoni, ku ai dhe disa nga shokët e tij të misionit më së fundi u burgosën. Ata mbetën besnikë gjatë kohës së tyre të vështirësisë dhe e vazhduan misionin e tyre për ta ndarë ungjillin pasi Amoni dhe mbreti Lamoni siguruan lirimin e tyre. Pasi ati i Lamonit u përgatit nëpërmjet shembullit të Amonit, ai mësoi nga Aaroni lidhur me mënyrën se si të “lind[ej] nga Perëndia” (Alma 22:15). Ati i Lamonit mësoi se, duke u penduar për mëkatet e tij, ai mundej të arrinte ta njihte Perëndinë dhe së fundi të merrte jetë të përjetshme.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 21
Aaroni dhe vëllezërit e tij predikojnë ungjillin, pavarësisht nga sprovat dhe burgimi
I pyetni studentët nëse kanë ndier ndonjëherë se po bënin gjithçka mundeshin për t’i zbatuar urdhërimet dhe prapëseprapë përjetuan sfida ose ndien se kishin humbur kurajën. I ftoni ata të përmendin disa situata në të cilat njerëzit mund të ndihen në këtë mënyrë.
Shpjegoni se, ndërsa Amoni pati sukses kur i dha mësim mbretit Lamoni dhe popullit të tij, Aaroni dhe shokët e tij të misionit ndeshën vështirësi të jashtëzakonshme në një pjesë të ndryshme të vendit. Ndërsa studentët studiojnë shembullin e Aaronit dhe të shokëve të tij të misionit, i nxitni ata të kërkojnë mësime që mund t’i ndihmojnë ata kur përballen me sfida ose ndihen të shkurajuar.
Shkruani referencat vijuese në tabelë: Alma 21:1–4; Alma 21:5–8; Alma 21:9–11; Alma 21:12–15; dhe Alma 20:29–30. Ndajeni klasën në pesë grupe. I caktoni secilit grup një nga pjesët e shkruara në tabelë. U kërkoni studentëve të përgatiten për të dhënë një përmbledhje të shkurtër të pjesëve që u janë caktuar dhe për të përshkruar ndonjë vështirësi që duruan Aaroni dhe shokët e tij të misionit. Pas disa minutash, i ftoni studentët nga secili grup të tregojnë atë që kanë gjetur.
-
Si i duruan Aaroni dhe vëllezërit e tij sprovat e tyre? (Shih Alma 20:29; 21:9, 12, 15.)
-
Një nga sprovat që hasi Aaroni, ishte kundërshtimi nga amalekitët, ndërsa po i mësonte ata (shih Alma 21:5–10). Çfarë mund të bëjmë nëse dikush dëshiron të argumentojë me ne rreth fesë ose të sfidojë bindjet tona?
I kujtoni studentët për pyetjen në fillim të këtij mësimi. Aaroni dhe vëllezërit e tij punuan shumë për të vepruar si i drejtoi Zoti, por ata përsëri u ndeshën me vështirësi. U kërkoni studentëve të marrin parasysh në heshtje se si mund të ndiheshin nëse ata do të kishin përjetuar atë që përjetuan Aaroni dhe shokët e tij të misionit. Çfarë mund të dëshironin të bënin pas vuajtjes dhe burgosjes për hir të ungjillit në një vend larg shtëpisë? Ju mund t’i pyetni ata nëse do të dëshironin të ktheheshin në shtëpi.
Shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse ngulmojmë me besim gjatë sprovave, Zoti do të na ndihmojë ta bëjmë punën e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 21:16–17. I kërkoni pjesës së mbetur të klasës ta ndjekë leximin, duke përcaktuar se si Zoti i ndihmoi Aaronin dhe vëllezërit e tij të bënin punën e Tij. I ftoni studentët të raportojnë për atë që kanë përcaktuar.
Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në jetë parimin e shkruar në tabelë, u kërkoni atyre se çfarë lloj punësh ka Perëndia për ta për t’i bërë tani dhe çfarë sfidash mund të ndeshin gjatë përpjekjes për ta përmbushur këtë punë. (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se, përveç punës misionare, studentët mund të marrin pjesë në punën e Perëndisë duke ndjekur mbledhjet e Kishës, duke përmbushur thirrjet dhe detyrat që u caktohen, duke u shërbyer të tjerëve, duke i forcuar dëshmitë e tyre dhe duke u bërë më shumë si Krishti).
I ftoni studentët të tregojnë se si ata kanë arritur të dinë se parimi që keni shkruar në tabelë është i vërtetë. Ju mund të jepni të ndani dëshminë tuaj rreth mënyrës se si Zoti na ndihmon të përmbushim punën e Tij kur me besnikëri vazhdojmë përmes sprovave. U kërkoni studentëve shembuj të rasteve në të ardhmen kur ata mendojnë se mund të kenë nevojë të vazhdojnë përmes sprovave, ndërsa bëjnë punën e Zotit.
Përmblidhni Almën 21:18–23 duke shpjeguar se, pasi ndihmuan për të siguruar lirimin e Aaronit dhe vëllezërve të tij nga burgu, Amoni dhe Lamoni u kthyen në tokën e Ishmaelit, ku vazhduan të predikonin ungjillin. Lamoni i dha liri fetare popullit të tij.
Alma 22
Aaroni i mëson ungjillin atit të Lamonit, i cili beson dhe lindet nga Perëndia
Shkruani në tabelë pyetjet në vijim:
Shpjegoni se “jet[a] e përjetshme, ose ekzaltim[i], është të trashëgosh një vend në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, ku ne do të jetojmë në prani të Perëndisë dhe do të vazhdojmë si familje (shih DeB 131:1–4). … Kjo dhuratë bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 62). Shkurtimisht u tregoni studentëve përse ju dëshironi të merrni jetë të përjetshme. Ndërsa e bëni këtë, ju mund të dëshironi të paraqitni një fotografi të familjes suaj dhe një fotografi të Shpëtimtarit. Më pas u kërkoni studentëve të përsiaten për pyetjet në tabelë, ndërkohë që studiojnë së bashku Alma 22.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 22:1.
-
Çfarë mbani mend rreth atit të Lamonit nga mësimi i mëparshëm? (Ju mund të dëshironi ta ftoni një student të përmbledhë Almën 20.)
-
Sipas Almës 20:27, çfarë i kishte kërkuar ati i Lamonit të bënte Amonit? (Ta mësonte atë).
Përmblidhni Almën 22:2–3 duke shpjeguar se, edhe pse ati i Lamonit kishte dëshiruar ta shihte Amonin dhe të mësohej prej tij, ai ende kishte dëshirë të mësonte kur Aaroni erdhi tek ai në vend të Amonit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 22:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ati i mbretit Lamoni dëshironte të dinte. U kërkoni të raportojnë atë që zbulojnë.
Ndajeni klasën në grupe të vogla. I ftoni grupet të lexojnë së bashku Almën 22:7–14 dhe të bëjnë një listë të doktrinave që Aaroni ia mësoi atit të Lamonit. (Për shembull, ata mund të përmendin se ai i mësoi rreth Krijimit, Rënies dhe Shlyerjes). Pasi grupet t’i kenë përpiluar listat e tyre, i kërkoni një studenti të ndajë me klasën listën e doktrinave që krijoi grupi i vet. Ju mund të dëshironi t’i kërkoni studentit ta shkruajë listën në tabelë. Më pas i ftoni studentët e tyre të shkruajnë ndonjë doktrinë shtesë që renditën grupet e tyre.
-
Si i përgjigjen këto doktrina pyetjes së mbretit tek Alma 22:6?
I ftoni studentët të kërkojnë në heshtje Almën 22:15, duke parë për atë nga e cila ishte gati të hiqte dorë ati i mbretit Lamoni, me qëllim që të merrte gëzim dhe jetë të përjetshme.
-
Çfarë mendoni ndërkohë që merrni parasysh se nga çfarë ishte i gatshëm të hiqte dorë mbreti?
Vini në dukje se, edhe pse mbreti ishte i gatshëm të hiqte dorë nga gjithë pasuritë e tij, Aaroni e mësoi atë për një sakrificë më të madhe që ai kishte nevojë të bënte. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 22:16. Vëreni klasën të dëgjojë atë që tha Aaroni se kishte nevojë të bënte mbreti.
-
Çfarë tha Aaroni se kishte nevojë të bënte mbreti? (Të pendohej për mëkatet e tij dhe t’i lutej Perëndisë me besim).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 22:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar përgjigjen e mbretit ndaj udhëzimeve të Aaronit.
-
Si e shprehu mbreti dëshirën e tij për të marrë jetë të përjetshme?
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë t’i “braktis[im]” mëkatet tona? Si mendoni ju, përse është e nevojshme që të pendohemi për gjithë mëkatet tona, jo vetëm për disa prej tyre? (I ndihmoni studentët të kuptojnë se kërkon kohë për një njeri që të pendohet për të gjitha mëkatet e veta).
-
Çfarë mund të mësojmë nga ati i mbretit Lamoni rreth përgatitjes për jetë të përjetshme? (Ndërsa studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që ata e kuptojnë të vërtetën që vijon: Ne duhet të jemi të gatshëm t’i braktisim të gjitha mëkatet tona që të përgatitemi për jetë të përjetshme. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur” tek Alma 22:18.)
I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ungjilli i Jezu Krishtit na sfidon që të ndryshojmë. ‘Pendohuni’ është mesazhi më i shpeshtë [i ungjillit] dhe të pendohemi do të thotë të braktisim të gjitha zakonet tona – personale, familjare, etnike dhe kombëtare – që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Qëllimi i ungjillit është t’i shndërrojë krijesat e zakonshme në qytetarë çelestialë dhe kjo kërkon ndryshim” (“Repentance and Change”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 37).
Vini në dukje se disa njerëz pyetin veten nëse mund të pendohen me të vërtetë dhe të ndryshojnë. Të tjerë vënë në dyshim nëse Zoti do t’i falë ata. Që t’i ndihmoni studentët të cilët mund t’i kenë këto shqetësime, lexoni thënien e mëposhtme nga motra Elen Dalton, presidente e përgjithshme e Të Rejave:
“A keni ndonjë gjë në jetën tuaj që duhet ta ndryshoni? Ju mund ta bëni këtë. Ju mund të pendoheni falë sakrificës së pafundme shlyese të Shpëtimtarit. Ai e bëri të mundur për ju dhe mua që të ndryshojmë, të bëhemi të dëlira e të pastra përsëri dhe të bëhemi si Ai. Dhe Ai ka premtuar se, kur ta bëjmë këtë, Ai nuk do t’i kujtojë më mëkatet dhe gabimet tona” (“Tani Është Koha për t’u Ngritur e Shkëlqyer!” Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 124).
Shpjegoni se, ndërkohë që ushtrojmë besim dhe pendohemi për mëkatet tona, ne kualifikohemi për të marrë ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë, të cilat na ndihmojnë të përgatitemi për jetë të përjetshme.
I ftoni studentët t’i shkruajnë përgjigjet e tyre të pyetjes në vijim në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi ta shkruani pyetjen në tabelë ose ta lexoni ngadalë kështu që studentët të mund ta shkruajnë atë.)
-
Bazuar në çfarë keni mësuar rreth asaj që kërkohet për të marrë jetë të përjetshme, çfarë mendoni se do t’ju kërkonte Zoti të bëni sot, me qëllim që ju të mund të afroheni më pranë Tij?
Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të përsiatur dhe shkruar, pyetni:
-
Çfarë provash shihni që mbreti ishte kthyer në besim te Zoti? (I kujtoni studentët se mbreti kishte ndryshuar nga dikush që donte të vriste vetë birin e tij, në dikë që ishte i gatshëm ta braktiste të gjithë mbretërinë dhe gjithë mëkatet e tij, me qëllim që të lindej nga Perëndia).
Përmblidhni Almën 22:19–21 duke shpjeguar se, pasi mbreti u mposht nga Shpirti, shërbëtorët e tij vrapuan dhe i thanë mbretëreshës gjithë çka kishte ndodhur. Ajo u zemërua dhe i urdhëroi shërbëtorët për të vrarë Aaronin dhe vëllezërit e tij. Të frikësuar nga fuqia e misionarëve nefitë, shërbëtorët nuk pranuan. Edhe mbretëresha pati frikë, por ishte e vendosur t’i bënte të vriteshin nefitët. Ajo i urdhëroi shërbëtorët të shkonin dhe t’i sillnin popullin për të vrarë Aaronin dhe shokët e tij të misionit.
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Almën 22:22–26, duke kërkuar veprime që Aaroni dhe mbreti bënë, me qëllim që edhe mbretëresha dhe të tjerët të mund të ktheheshin në besim dhe të përjetonin gëzim. Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për pendimin dhe për bekimin e të ndryshuarit nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.