Mësimi 73
Alma 6–7
Hyrje
Pasi vuri Kishën në rregull në Zarahemla, Alma shkoi në qytetin e Gideonit. Ai i gjeti njerëzit atje të ishin më besnikë sesa kishin qenë ata në Zarahemla. Si rrjedhim, mesazhi i tij në Gideon ishte i ndryshëm nga mesazhi i tij në Zarahemla. Ai i nxiti njerëzit që të mbështeteshin vazhdimisht te Zoti dhe të përpiqeshin ta zbatonin Shlyerjen e Tij në jetën e tyre. Ai dëshmoi se Shpëtimtari do të merrte mbi veten e Tij vdekjen e mëkatet tona dhe se Ai gjithashtu do të merrte mbi veten e Tij dhembjet, hidhërimet, sëmundjet dhe dobësitë tona, që Ai të mund të dinte se si të na ndihmonte.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 6
Alma vendos në rregull Kishën në Zarahemla dhe shkon të predikojë në Gideon
Përpara mësimit, ftojeni një student të përgatitet për t’i treguar shkurtimisht klasës për disa mënyra se si ai ose ajo është ndier i bekuar për përpjekjet e veta për të ardhur në kishë. Për ta filluar orën e mësimit, i kërkoni këtij studenti të dalë përpara klasës dhe të japë mendimet që ai ose ajo ka përgatitur. Ju gjithashtu mund të tregoni se si jeni bekuar ju nëpërmjet ardhjes në Kishë.
Paraqitni Almën 6 duke shpjeguar se ky kapitull na mëson se si Alma dhe udhëheqës të tjerë të priftërisë e fuqizuan Kishën në Zarahemla.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 6:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që anëtarët e Kishës në Zarahemla bënë për ata që nuk e njihnin Perëndinë. U kërkoni studentëve të raportojnë për atë që mësojnë.
Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kisha është themeluar për të mirën e gjithë njerëzve. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth mënyrës se si kjo e vërtetë mund ta ndikojë jetën e tyre, pyetni:
-
Si mendoni se Kisha sot mund t’i bekojë ata që nuk e njohin Perëndinë?
I ftoni studentët të mendojnë për dikë që ka nevojë ta njohë më mirë Perëndinë. Ky njeri mund të jetë anëtar i Kishës ose anëtar i një feje tjetër. Dëshmoni për bekimet që marrim ngaqë jemi anëtarë të Kishës, dhe i nxitni studentët t’i ftojnë të tjerët të marrin pjesë në ato bekime.
Alma 7:1–13
Alma profetizon për ardhjen e Jezu Krishtit
Ndajeni klasën në grupe me dy vetë dyshe. I kërkoni secilës dyshe të diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjen që vijon:
-
Cilat janë disa ngjarje të ardhshme për të cilat jeni të gëzuar?
Pasi dyshet të kenë pasur kohë për t’i diskutuar përgjigjet e tyre për këtë pyetje, u kërkoni dy ose tre studentëve t’i tregojnë të gjithë klasës për përgjegjësitë e tyre. Më pas shpjegoni se pasi vuri në rregull Kishën në Zarahemla, Alma shkoi në qytetin e Gideonit. Ai u tha njerëzve atje se, nga të gjitha gjërat që do të vinin në të ardhmen, një gjë ishte me “rëndësi më të madhe nga të gjitha të tjerat” (Alma 7:7). Ai u mësoi parime që do t’i ndihmonin njerëzit të përgatiteshin për bekimet që do të vinin për shkak të kësaj ngjarjeje të ardhshme.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 7:3–6. Vëreni klasën të kërkojë shpresat që kishte Alma lidhur me njerëzit në Gideon. Më pas ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Almën 7:18–19. U kërkoni studentëve të përshkruajnë atë që Alma mësoi me anë të frymëzimit rreth njerëzve të Gideonit.
I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 7:7, 9–10, duke kërkuar ngjarjen që Alma mendoi se ishte më e rëndësishmja që njerëzit të dinin rreth saj.
-
Sipas Almës, cila ishte “një [gjë] … [që kishte] rëndësi më të madhe” sesa çfarëdo gjë tjetër që do të vinte? Si mendoni ju, përse ardhja e Shpëtimtarit është ngjarja më e rëndësishme e të gjithë kohës?
-
Si mendoni ju, përse Alma do t’i thoshte një populli që tashmë besonte dhe kishte besim të fortë, se ata kishin nevojë të pendoheshin?
Shpjegoni se Alma më pas u mësoi arsyen përse ardhja e Jezu Krishtit ishte ngjarja më e rëndësishme në të gjithë historinë njerëzore. U kërkoni dy ose tre studentëve që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 7:11–13. Ftoni pjesën tjetër të klasës t’i ndjekin dhe të përcaktojnë atë që Shpëtimtari mori mbi veten e Tij për ne. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se ndihmojë do të thotë të japë lehtësim ose të vijë në ndihmë të dikujt.)
Vini në dukje se Alma 7:11–13 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fragment në mënyrë të dukshme që të jenë në gjendje ta gjejnë lehtësisht.
Renditni përgjigjet e studentëve si tituj përgjatë kreut të tabelës. Përgjigjet mund të përfshijnë dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet, vdekjen, dobësitë (pasiguritë ose paaftësitë) dhe mëkatet.
Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “të çdo lloji” tek Alma 7:11. U kërkoni atyre të përmendin shembuj për secilën gjendje të shkruar në tabelë. Teksa studentët japin shembuj, i shkruani ata nën titujt përkatës. (Për shembull, kancer mund të renditet nën sëmundje dhe paaftësi fizike mund të renditet nën dobësitë.)
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Brus Heifën, i Të Shtatëdhjetëve:
“Shlyerja nuk është thjesht për mëkatarët” (“Beauty for Ashes: The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, prill 1990, f. 7). Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë thënie në tabelë dhe t’u sugjeroni studentëve ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 7:11–13.
-
Bazuar në atë që kemi lexuar tek Alma 7:11–13, si mendoni ju, çfarë donte të thoshte Plaku Heifën kur tha se “Shlyerja nuk është vetëm për mëkatarët”?
Shkruani në tabelë të vërtetën që vijon: Jezu Krishti vuajti për të na shpëtuar nga mëkati e vdekja dhe për të na ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej se si ata mund të mbështeten në Shlyerjen e Shpëtimtarit, lexoni thënien që vijon nga Plaku Xhefri Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“A po ndesheni me një demon të varësisë – duhanin ose drogën, apo bixhozin ose murtajën bashkëkohore, shkatërruese të pornografisë? … A ndiheni i hutuar lidhur me identitetin gjinor apo kërkimin për vetëvlerësim? A ndesheni ju – ose dikush që doni – me sëmundje apo depresion ose vdekje? Çfarëdo hapash të tjerë mund të keni nevojë të ndërmerrni për t’i zgjidhur këto shqetësime, ejani fillimisht tek ungjilli i Jezu Krishtit. Besoni te premtimet e qiellit. …
Kjo mbështetje te natyra e mëshirshme e Perëndisë është vërtet në qendër të ungjillit që na mësoi Krishti. Unë dëshmoj se Shlyerja e Shpëtimtarit ngre nga ne jo vetëm barrën e mëkateve tona, por edhe barrën e zhgënjimeve dhe hidhërimeve tona, të dhembjeve tona dhe dëshpërimit tonë. [Shih Alma 7:11–12.] Që nga fillimi, të besuarit në një ndihmë të tillë ishte që të na jepte si një arsye, ashtu edhe një mënyrë për t’u përmirësuar, një nxitës për t’i ulur poshtë barrat tona dhe për të ngritur shpëtimin tonë” (“Gjëra të Rrënuara për t’u Rimëkëmbur”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 70–71; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 106).
-
Si mund të na ndihmojë ne të kuptuarit e Almës 7:11–13 kur ndeshemi me sfida?
Për t’i ilustruar disa nga mënyrat se si mund të marrim ndihmë dhe forcë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, lexoni situatat vijuese. Pasi ta lexoni secilën prej tyre, u kërkoni studentëve të shpjegojnë se si Jezu Krishti, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, mund ta ndihmonjë një njeri që ndeshet me një sfidë të tillë.
-
Një e re pati një aksident automobilistik që e la të paralizuar nga këmbët.
-
Një i ri ndien turp për disa zgjedhje të këqija që ka bërë. Ai ndihet i dëshpëruar dhe i pavlerë.
-
Babai i një të riu ndërroi jetë kohët e fundit dhe i riu ka lëvizur në një qytet të ri me nënën e tij. Ai ndihet i trishtuar dhe i vetmuar e nuk mund të shohë se si ndonjë gjë do të shkojë ndonjëherë përsëri mirë.
Jepni dëshminë tuaj për fuqinë e Shlyerjes dhe shtrirjen që ajo arrin. Më pas u jepni studentëve pak minuta që t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara orës së mësimit, të përgatitni një fletushkë me pyetjet ose t’i lexoni pyetjet me ngadalë me qëllim që studentët të mund t’i shkruajnë ato.)
-
Kur ju ka ndihmuar Shlyerja ju ose dikë që njihni në një nga mënyrat e përmendura tek Alma 7:11–13?
-
Çfarë do të bëni për t’u mbështetur te Shlyerja, ndërkohë që ju ndesheni me sfida?
Ftoni dy ose tre studentë për të përgatitni me klasën atë që kanë shkruar. (U kujtoni atyre që nuk nevojitet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e brendshme.)
Alma 7:14–27
Alma i nxit njerëzit të vazhdojnë përgjatë shtegut të mbretërisë së Perëndisë
Për t’i kujtuar studentët se si Alma e përshkroi gjendjen shpirtërore të njerëzve në Gideon, ftojeni një nga ata të lexojë me zë të lartë Almën 7:19. Theksoni se njerëzit ishin “në shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë”. Shpjegoni se Alma donte t’i ndihmonte ata për të qëndruar në atë shteg.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se duke i jetuar parimet e ungjillit, ne ndjekim shtegun drejt mbretërisë së Perëndisë, vizatoni një shteg përmes tabelës. Në fillim të shtegut, shkruani Vdekshmëria. Në fund të shtegut, shkruani Mbretëria e Perëndisë. Ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni njërin grup të studiojë Almën 7:14–16 dhe grupin tjetër të studiojë Almën 7:22–24. U kërkoni grupeve të kërkojnë atë që na duhet të bëjmë dhe atë që na duhet të jemi me qëllim që të ndjekim shtegun që çon drejt mbretërisë së Perëndisë.
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, i ftoni dy ose tre prej tyre të vijnë tek tabela. U kërkoni të shkruajnë përgjatë shtegut veprimet dhe tiparet që kanë gjetur, të cilat çojnë drejt mbretërisë të Perëndisë. Ju mund të merrni parasysh t’i pyetni studentët se çfarë domethënie kanë për ta disa nga veprimet ose cilësitë përgjatë shtegut. Ju mund t’u kërkoni gjithashtu të mendojnë rreth mënyrës se si mund ta ndjekin këtë shteg në jetën e tyre. Dëshmoni se kur jetojmë besnikërisht, ne jemi “në shtegun që … çon në mbretërinë e Perëndisë” (Alma 7:19).