Mësimi 105
Alma 59–63
Hyrje
Kapiten Moroni gëzohet për suksesin e Helamanit në rifitimin e disa qyteteve nefite që i kishin humbur kundrejt lamanitëve. Megjithatë, kur mësoi se qyteti i Nefihës ishte pushtuar nga lamanitët, ai u zemërua me qeverinë që e la pas dore dërgimin e përforcimeve. Në një letër drejtuar Pahoranit, kryegjykatësit, ai vajtoi vuajtjen e të drejtëve dhe qortoi Pahoranin për mosmbështetjen e çështjes së lirisë. Pa dijeninë e Moronit, Pahorani ishte larguar në tokën e Gideonit për shkak të rebelimit të njerëzve nefitë të mbretit. Pahorani nuk u ofendua nga qortimi i rëndë i Moronit; përkundrazi, u gëzua për dashurinë e Moronit për lirinë. Zoti i forcoi nefitët dhe së bashku, Moroni, Pahorani dhe njerëzit e tyre, i mposhtën njerëzit e mbretit dhe lamanitët. Pas disa vitesh lufte, nefitët sërish përjetuan paqe dhe Helamani e ngriti Kishën përsëri.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 59
Nefitët humbasin një fortesë dhe kapiten Moroni vreroset për shkak të ligësisë së popullit
Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani në tabelë thënien e mëposhtme nga Presidenti Ezra Taft Benson (nga The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 285):
Ju mund ta keni cituar këtë thënie si pjesë të mësimit tek Alma 49–51. Nëse e keni cituar, merrni parasysh të lini hapësira bosh në vend të disa fjalëve kur ta shkruani në tabelë. Kërkojuni studentëve t’i plotësojnë vendet bosh.
Ftojini studentët të tregojnë rreth rasteve në jetën e tyre ose në jetën e dikujt që njohin, kur përgatitja i ka ndihmuar të parandalojnë zhgënjimin ose hidhërimin.
Kujtojini studentët se në mësimet e fundit ata kanë studiuar kapituj për luftërat midis nefitëve dhe lamanitëve. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 59:5–11, duke menduar se si thënia në tabelë lidhet me situatën e përshkruar në këto vargje.
-
Çfarë duket se u dha mundësi lamanitëve që ta mposhtin qytetin e Nefihës? (Ligësia e popullit të Nefihës.)
-
Çfarë gjetët në këto vargje që lidhet me thënien e shkruar në tabelë?
Nëse studentët nuk e përmendin thënien në vijim tek Alma 59:9, u vini në dukje: “Ishte më e lehtë të mbahej qyteti që të mos binte në duart e lamanitëve, sesa të merrej rishtas prej tyre”. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë se si zbatohet kjo e vërtetë në jetën e tyre, kërkojuni t’i krahasojnë qytetet në këtë rrëfim me veten e tyre dhe luftërat shpirtërore që hasin. Pastaj bëni një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme:
-
Si lidhet kjo e vërtetë me ne? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se është më e lehtë dhe më e mirë që të qëndrosh besnik sesa të kthehesh në besim pas daljes nga udha e drejtë.)
-
Përse është më e lehtë të qëndrosh besnik në Kishë sesa të kthehesh sërish në Kishë pas një periudhe të qenit pak aktiv?
-
Përse është më e lehtë ta ruash dëshminë sesa të rifitosh një dëshmi pas braktisjes?
Ftojini studentët të përsiatin për mënyrat se si kundërshtari dhe pasuesit e tij mund t’i sulmojnë ata. Nxitini të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për t’u përgatitur për luftërat shpirtërore.
Alma 60–62
Moroni gabimisht e akuzon Pahoranin, i cili i përgjigjet me dashuri dhe respekt
Lexoni me zë të lartë Almën 59:13. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se Moroni u zemërua, sepse mendoi se qeveria ishte mospërfillëse, ose e painteresuar, për lirinë e popullit. Në zemërim e sipër, ai i shkroi një letër Pahoranit, kryegjykatësit në Zarahemla. Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 60:6–11.
-
Për çfarë e akuzoi kapiten Moroni Pahoranin?
-
Çfarë emocionesh kuptoni në akuzat e Moronit?
Shkruajeni referencën vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë: Alma 60:17–20, 23–24. Ftoni studentët t’i lexojnë këto vargje në heshtje. Inkurajojini të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po të ishin në vend të Pahoranit.
-
Në ç’mënyra mund të kishin qenë lënduese akuzat e kapiten Moronit drejtuar Pahoranit?
Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 60:33–36. Kërkojini klasën t’i ndjekë, duke parë për atë që kapiten Moroni u përgatit të bënte, në qoftë se Pahorani nuk do t’u përgjigjej favorshëm kërkesave të tij. Pasi t’i lejoni studentët të raportojnë mbi atë që kanë zbuluar, kërkojuni të përcaktojnë fjalë ose fraza në këto vargje që tregojnë përgjigjet apo arsyet e Moronit për bërjen e kërkesave të tij.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 61:1–5 për të zbuluar arsyen përse Moroni nuk kishte marrë përforcime.
-
Çfarë informacioni ndau Pahorani me Moronin?
-
Cilat janë disa mënyra se si njerëzit përgjigjen kur akuzohen në mënyrë të gabuar për diçka?
-
A jeni akuzuar ndonjëherë në mënyrë të gabuar për diçka? Si u ndiet rreth akuzave dhe akuzuesit?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 61:9–10, 15–18, duke kërkuar çdo gjë që nxjerr në pah madhështinë e karakterit të Pahoranit. Pas një kohe të mjaftueshme, drejtojuni dy ose tre studentëve që të tregojnë për atë që kanë gjetur.
-
Çfarë mësimesh mund të marrim nga mënyra se si Pahorani iu përgjigj akuzimeve të Moronit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin e mëposhtëm: Ne mund të zgjedhim të mos ofendohemi nga fjalët dhe veprimet e të tjerëve. Të vërteta të tjera që studentët mund të gjejnë, përfshijnë se ne duhet të shmangim bërjen e gjykimeve të ashpra për të tjerët dhe se, kur bashkohemi në drejtësi me të tjerët, jemi më të fortë në luftërat tona kundër të keqes. Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto të vërteta në tabelë.)
-
Si mund të zgjedhim që të mos ofendohemi?
Merrni parasysh t’i pyetni studentët nëse janë të gatshëm të tregojnë ndonjë përvojë që kanë pasur ku zgjodhën të mos ofendohen kur njerëzit kanë thënë gjëra të ashpra ose të pavërteta për ta. Mund të merrni parasysh edhe t’u tregoni rreth një përvoje vetjake. Dëshmoni për rëndësinë e faljes së të tjerëve për fjalët ose veprimet e tyre kundër nesh. Nxitini studentët të ndjekin shembullin e Pahoranit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 62:1. Kërkojini klasës të gjejë se si u ndje Moroni kur mori përgjigjen e Pahoranit.
Shpjegoni se, edhe pse kapiten Moroni gaboi në akuzimet e tij ndaj Pahoranit, ai na mësoi parime të vërteta që mund t’i zbatojmë në jetën tonë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 60:23. Vini në dukje se fjalët e Moronit rreth pastrimit të “brendësi[së së] enës” mund të zbatohen për çdokënd që ka nevojë të pendohet. Shpjegoni se një enë është një mbajtëse, si p.sh. një gotë ose vazo. Vendosni dhè ose baltë brenda dhe jashtë një gote (nëse është e mundur, një gotë e tejdukshme funksionon më mirë). Pyetini studentët nëse do t’u pëlqente të pinin nga gota. Pastrojeni pjesën e jashtme të gotës dhe pyetni nëse studentët tani do të ndiheshin rehat të pinin prej saj.
-
Nëse e konsiderojmë veten si enë, çfarë mund të thotë të pastrosh brendësinë e enëve ose anën e brendshme të tyre?
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:
“Ne duhet të pastrojmë brendësinë e enës (shih Almën 60:23), duke filluar së pari me veten, më pas me familjet tona dhe në fund me Kishën” (“Cleansing the Inner Vessel”, Ensign, maj 1986, f. 4).
-
Përse është e rëndësishme që të jemi të pastër nga brenda (atë që njerëzit nuk mund ta shohin), si edhe nga jashtë (atë që njerëzit mund ta shohin)?
-
Përse është e rëndësishme të pastrojmë brendësinë e enës së jetës sonë përpara se të mund të jemi plotësisht të efektshëm në mbretërinë e Zotit?
Përmblidhni Almën 62:1–38 duke shpjeguar se kapiten Moroni e solli një pjesë të ushtrisë së tij për ta ndihmuar Pahoranin të rrëzonte nga pushteti njerëzit e mbretit në Zarahemla. Më pas, me ushtrinë e tyre të bashkuar dhe ndihmën e forcave të tjera nefite, Moroni dhe Pahorani rimorën qytetet e mbetura që i kishin humbur kundrejt lamanitëve. Ata i nxorën lamanitët nga vendi dhe vendosën paqe mes popullit.
-
Cilat janë disa sfida me të cilat individët dhe familjet mund të përballen pas një kohe lufte?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 62:39–41 për të kuptuar se si nefitët u prekën nga sprovat e luftës.
-
Çfarë parimesh mund të përcaktoni tek Alma 62:40–41?
Ndërkohë që studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ata mund të japin përgjigje të tilla si këto:
Lutjet tona të drejta mund të kenë një ndikim pozitiv në komunitetet tona.
Në kohë vështirësie, shumë njerëz e përulin veten përpara Perëndisë, ndërkohë që njerëz të tjerë ngurtësohen.
-
Përse mendoni se disa njerëz afrohen më pranë Zotit kur përballen me sprova? Përse disa njerëz largohen prej Zotit kur përballen me sprova? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se në kohë fatkeqësie, zgjedhjet tona përcaktojnë nëse vërtet do t’i afrohemi më pranë Zotit.)
-
Ndërsa i keni lexuar kapitujt e Librit të Mormonit mbi luftën, çfarë ju kanë mësuar ato rreth të qenit një dishepull i Jezu Krishtit në kohë lufte ose grindjeje?
Alma 63
Shumë nefitë udhëtojnë drejt tokave në veri
Përmblidhni fjalët e Mormonit në këtë kapitull duke shpjeguar se shumë nefitë filluan të shpërnguleshin drejt veriut, nëpërmjet tokës dhe nëpërmjet detit. Shibloni ia dorëzoi analet e shenjta Helamanit. Kapiten Moroni vdiq dhe i biri i tij, Moroniha, udhëhoqi një ushtri e cila e dëboi një sulm tjetër të lamanitëve.
Ju mund të dëshironi ta mbyllni këtë mësim duke treguar rreth dikujt që ka përjetuar vështirësi e vuajtje dhe ka zgjedhur të ketë një zemër të butë dhe mirëbesim të rritur te Perëndia. Merrni parasysh të ndani një përvojë vetjake.
Përsëritja e Librit të Almës
Kaloni pak kohë për t’i ndihmuar studentët të përsëritin librin e Almës. Kërkojuni të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga ky libër, si në seminar edhe në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Nëse është e nevojshme, ftojini të përsëritin disa prej përmbledhjeve të kapitujve te libri i Almës për t’i ndihmuar të kujtojnë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni disa studentë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth diçkaje në libër që u ka lënë mbresa.