Mësimi 151
Ethëri 13–15
Hyrje
Anali i profetit Ethër për qytetërimin jaredit shërben si një dëshmi se ata që e kundërshtojnë Zotin dhe profetët e Tij, nuk do të përparojnë. Ethëri e paralajmëroi Koriantumrin, një mbret jaredit, se populli i tij do të shkatërrohej në qoftë se ai dhe familja e tij nuk do të pendoheshin. Kur Koriantumri dhe populli i tij kundërshtuan të pendoheshin, lufta dhe ligësia u përshkallëzuan për shumë vite gjersa i gjithë kombi jaredit u shkatërrua. Vetëm Ethëri dhe Koriantumri mbijetuan për të dëshmuar plotësimin e profecisë së Ethërit. Këta kapituj janë gjithashtu plotësim i urdhrit të Perëndisë që “cilido komb që të bëhet zot [i tokës së premtuar], do t’i shërbejë Perëndisë ose ata do të fshihen nga faqja e dheut” (Ethëri 2:9).
Sugjerime për Mësimdhënien
Ethëri 13:1–12
Moroni shënon profecitë e Ethërit rreth Jerusalemit të Ri dhe Jerusalemit të vjetër
Shpjegoni se disa qytete janë të njohur nga emrat që përshkruajnë tiparet e tyre të rëndësishme. Lexoni emrat përshkrues që vijojnë për qytetet dhe kërkojuni studentëve të hamendësojnë se cili qytet i përshatet secilit emër: Qyteti i Dritës (Paris, Francë); Qyteti i Përjetshëm (Romë, Itali); Qyteti i Erës (Çikago, Ilinois, Shtetet e Bashkuara); Perla e Lindjes (Manila, Filipine); dhe Qyteti i Pallateve (Meksiko-Siti, Meksikë). Kërkojuni studentëve të sugjerojnë se çfarë mund të komunikojnë këta emra përshkrues për qytetet.
Theksoni se Moroni regjistroi profecitë e Ethërit mbi tre qytete: Jerusalemi i Ri (shih Ethëri 13:6–8, 10); qyteti i Enokut, që do të “zbriste nga qielli” (Ethëri 13:3; shih edhe Moisiu 7:62–64); dhe Jerusalemi në Tokën e Shenjtë (shih Ethëri 13:11). Tregojini klasës se Ethëri u mësoi jareditëve se toka ku jetonin qe vendi i një qyteti të ardhshëm të një rëndësie të madhe (shih Ethëri 13:2–3). Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 13:4–8, duke parë për emra të qyteteve që përmenden në këto vargje.
-
Cilët janë emrat e këtyre qyteteve? (Jerusalem dhe Jerusalemi i Ri.) Çfarë emri përshkrues përdori Ethëri për Jerusalemin në Tokën e Shenjtë dhe Jerusalemin e Ri që do të ndërtohej një ditë në kontinentin Amerikan? (“Qytet i shenjtë.”)
-
Si mendoni se do të ishte të jetoje në një qytet të njohur si “qytet i shenjtë”?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 13:10–11, duke kërkuar për atë se si njerëzit do të kualifikohen për të jetuar në këto qytete të shenjta.
-
Si do të kualifikohen njerëzit për të jetuar në këto qytete? (Duke pasur veshjet e tyre bërë “të bardha nëpërmjet gjakut të Qengjit”.)
-
Çfarë do të thotë që njerëzit t’i kenë rrobat e tyre të bëra “të bardha nëpërmjet gjakut të Qengjit”? (Kjo do të thotë që njerëzit të jenë bërë të pastër dhe të kulluar nga mëkati nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, Qengjit të Perëndisë; shih 1 Nefi 12:11; Alma 5:21.)
Shpjegoni se një emër tjetër për Jerusalemin e Ri është Sion (shih Moisiu 7:62; Nenet e Besimit 1:10). Ndërsa Jerusalemi i Ri dhe qyteti i Jerusalemit do të themelohen në të ardhmen, të gjithë anëtarët e Kishës mund të kërkojnë tani të themelojnë Sionin kudo që ata jetojnë (shih DeB 6:6; 14:6). Në kuptimin më themelor, Sioni është “të kulluarit në zemër” (DeB 97:21). Ndani thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe të besnikërisë së qytetarëve të tij [shih Moisiu 7:18]. Kujtoni: ‘Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre’ (Moisiu 7:18). Nëse do të dëshironim të ndërtonim Sionin në shtëpitë, lagjet dhe kunjet tona, ne duhet të ngrihemi deri te ky standard. Do të jetë e domosdoshme 1) të bashkohemi në një zemër e një mendje; 2) të bëhemi, si individë dhe si kolektiv, një popull i shenjtë; dhe 3) të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët” (“Ejani në Sion”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 38).
Jepuni studentëve një çast për të përsiatur se çfarë mund të bëjnë për të ndihmuar në krijimin e një standardi më të lartë në shtëpitë e tyre dhe në degët apo lagjet e tyre. Ju mund të doni t’u jepni kohë të shkruajnë mendimet e tyre në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.
Ethëri 13:13–15:34
Jareditët kundërshtojnë paralajmërimet profetike të Ethërit dhe këmbëngulin në ligësi dhe luftë derisa shkatërrohen
Përmblidhni Ethërin 13:13–14 duke shpjeguar se jareditët e kundërshtuan Ethërin dhe e dëbuan atë nga mesi i tyre. Gjatë ditës, Ethëri u fsheh në “zgavrën e shkëmbit”, ku përfundoi analin e tij për jareditët. Natën, ai doli për të parë gjërat që po ndodhnin te populli i tij, jareditët. Ai shkroi rreth gjërave që pa.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 13:15–19, duke kërkuar përshkrime të shoqërisë jaredite. Pasi t’i kenë lexuar, ftojini të përshkruajnë shoqërinë jaredite me fjalët e tyre. Mandej, ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 13:20–22. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar mesazhin që Zoti e urdhëroi Ethërin t’ia jepte Koriantumrit.
-
Cili ishte mesazhi i Ethërit për Koriantumrin? (Nëse Koriantumri dhe familja e tij do të pendoheshin, Zoti do ta kursente popullin dhe do ta lejonte Koriantumrin ta mbante mbretërinë e tij. Nëse nuk do të pendoheshin, kushdo në mbretëri, përveç Koriantumrit, do të shkatërrohej.)
-
Si u përgjigj Koriantumri dhe populli i tij?
Përmblidhni Ethërin 13:23–14:20 duke shpjeguar që luftrat vazhduan në vend. Tre burra njëri pas tjetrit – Sharedi, Gileadi dhe Libi – u përpoqën t’ia heqin mbretërinë Koriantumrit. Më në fund, lidhjet e fshehta fituan më shumë fuqi dhe i gjithë kombi u përfshi në luftë. “Të gjithë njerëzit mbi faqen e dheut po derdhnin gjak dhe nuk kishte asnjë që t’i ndalonte” (Ethëri 13:31). Armiku i fundit i Koriantumrit qe një burrë i quajtur Shiz.
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Ethërin 14:21–25, 30–31 dhe 15:1–2, duke kërkuar shtrirjen e shkatërrimit të shkaktuar nga këto luftra. Mandej, ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 15:3–5. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar atë që Koriantumri u përpoq të bënte për të kursyer pjesën e mbetur të popullit nga shkatërrimi.
-
Çfarë bëri Koriantumri? (Ai ofroi t’ia japë mbretërinë Shizit.)
-
Si iu përgjigj Shizi ofertës së Koriantumrit? (Ai tha se do ta kursente popullin nëse do mund të lejohej të vriste Koriantumrin. Shih edhe Ethëri 14:24.)
Përmblidheni Ethërin 15:6–11 duke shpjeguar se njerëzit e Koriantumrit dhe njerëzit e Shizit vazhduan të luftojnë me njëri-tjetrin. Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se kjo luftë, në të cilën kombi jaredit u shkatërrua, u bë pranë kodrës së quajtur Ramah. Qindra vite më vonë, qytetërimi nefit u shkatërrua në një betejë pranë së njëjtës kodër, që atëherë quhej Kumorah. (Shih Ethëri 15:11; Mormoni 6:6.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 15:12–17. Përpara se të lexojnë, kërkojuni të kërkojnë hollësi rreth situatës së jareditëve dhe të gjejnë një gjë në këtë rrëfim që është veçanërisht e trishtuar. Kur të kenë pasur kohë të lexojnë, kërkojuni disa studentëve të raportojnë për atë që kanë gjetur.
Kujtojuni studentëve se Ethëri pati shpenzuar shumë vite duke i paralajmëruar njerëzit të pendoheshin (shih Ethëri 12:2–3; 13:20). Shkruani thënien vijuese të paplotë në tabelë: Në qoftë se ne kundërshtojmë paralajmërimet e Zotit për t’u penduar, …
Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 15:18 19. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke gjetur mënyra për ta plotësuar thënien në tabelë. Pasi studentët të kenë ndarë idetë e tyre, plotësojeni thënien duke shkruar parimin vijues: Në qoftë se ne kundërshtojmë paralajmërimet e Zotit për t’u penduar, Shpirti i Tij do të tërhiqet dhe Satani do të fitojë fuqi mbi zemrat tona.
-
Si ndikoi kundërshtimi i jareditëve për t’u penduar më herët tek aftësia e tyre për të ndryshuar më pas?
Përmblidhni Ethërin 15:20–32 duke shpjeguar se ushtritë e Koriantumrit dhe të Shizit luftuan derisa mbetën vetëm Koriantumri dhe Shizi. Atëherë Koriantumri e vrau Shizin. Siç pati profetizuar Ethëri, qenë vrarë të gjithë njerëzit në mbretëri me përjashtim të Koriantumrit, i cili atëherë jetoi për të parë një popull tjetër – popullin e Zarahemlës – të trashëgojë tokën (shih Ethëri 13:21; Omni 1:20–22). Kërkojini një studenti të lexojë Ethërin 15:33 për të treguar se fjalët e Zotit thënë nga Ethëri, u plotësuan.
Theksoni se historia e jareditëve është një shembull i skajshëm i asaj se çfarë u ndodh njerëzve kur kundërshtojnë ftesat e përsëritura të Perëndisë për t’u penduar. Edhe pse është një shembull i skajshëm, ne mund të gjejmë te rrëfimi parime që mund të na ndihmojnë. Shpjegoni se, ashtu si jareditët, shumë njerëz sot kundërshtojnë ftesat e Perëndisë për t’u penduar, duke humbur kështu Shpirtin e Zotit. Këta njerëz shpesh e arsyetojnë kundërshtimin e tyre për t’u penduar. Lexoni arsyetimet e mëposhtme dhe ftoni studentë të shpjegojnë se çfarë do të thoshin në përgjigje të dikujt që do t’i thoshte këto gjëra. Ndërsa studentët japin përgjigjet e tyre, i nxitni t’u referohen parimeve që kanë mësuar tek Ethëri 13–15.
-
“Unë e di se filmat që shoh nuk u përgjigjen standardeve të Kishës, por ato nuk duket të kenë ndonjë ndikim të keq mbi mua.”
-
“Të pirit alkool me miq të mi nuk është aq i keq – ne thjesht argëtohemi.”
-
“Unë kopjoj vetëm sepse kushdo tjetër në klasën time e bën këtë. Do të qe e pamundur të merrja notë të mirë nëse nuk do të kopjoja.”
-
“Është thjesht pak pornografi. Nuk është si të dal jashtë dhe të jem imoral. Përveç kësaj, unë mund ta ndërpres kurdo që dua.”
-
“Nuk kam pse të pendohem tani. Mund të pres gjersa të jem afër për të shkuar në mision apo për t’u martuar në tempull.”
Sigurohuni që studentët të kuptojnë se, kur njerëzit mëkatojnë dhe nuk pendohen, ata gjithmonë përballen me pasojat e atyre mëkateve. Sigurojini studentët se, në qoftë se kanë mëkatuar, ata mund të pendohen për mëkatet e tyre dhe të fitojnë përsëri Shpirtin e Zotit në jetën e tyre. Lexoni thënien në vijim nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Unë dëshmoj që Shpëtimtari është në gjendje dhe pret me padurim t’i falë mëkatet tona. Me përjashtim të mëkateve të atyre pak që zgjedhin humbjen mbasi e kanë njohur plotësinë, nuk ka mëkat që nuk mund të falet. Sa privilegj i mrekullueshëm, për çdonjërin nga ne, që të largohemi nga mëkatet tona e të vijmë te Krishti. Falja hyjnore është një nga frytet më të ëmbla të ungjillit, që na heq fajin e dhimbjen nga zemra dhe i zëvendëson ato me gëzim e me paqe në ndërgjegje” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 41).
Ftojini studentët të shqyrtojnë jetën e tyre për cilindo mëkat që po ndërhyn në pasjen prej tyre të shoqërimit të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Nxitini ata të mbështeten te fuqia e Shlyerjes për të bërë ndryshimet që do t’i ndihmojnë të mbajnë shoqërimin e Shpirtit dhe t’i rezistojnë fuqisë së Satanit.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë një parim tjetër që jepet tek Ethëri 13–15, u kërkoni të lexojnë në heshtje fragmentet e mëposhtme: Ethëri 13:27; 14:24; 15:6, 22, 28. Përpara se të lexojnë kërkojuni të kërkojnë fjalë dhe fraza që theksojnë ndjenjat e zemërimit dhe dëshirave të jareditëve për hakmarrje. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza.
-
Bazuar në studimin tuaj të Ethërit 13–15, cilat qenë pasojat e zemërimit dhe dëshirave të jareditëve për hakmarrje?
-
Çfarë parimesh rreth zemërimit dhe hakmarrjes mund të mësojmë nga ngjarjet e fundit të historisë së jareditëve? (Studentët mund të thonë disa parime të ndryshme. Siguroni që përgjigjet e tyre të pasqyrojnë se zemërimi dhe hakmarrja i çojnë njerëzit në marrjen e zgjedhjeve që dëmtojnë ata vetë dhe të tjerët.)
-
Çfarë pasojash mund të ketë zemërimi për një individ apo një familje?
Dëshmoni se ne mund t’i kapërcejmë ndjenjat e zemërimit dhe dëshirat për hakmarrje ndërsa kthehemi te Jezu Krishti dhe marrim falje e ngushëllim nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Nxitini studentët të kthehen te Zoti në lutje për ndihmën që u nevojitet, në qoftë se ndiejnë zemërim ndaj një personi tjetër.
Rishikim i Ethërit
Shpenzoni pak kohë për t’i ndihmuar studentët të rishikojnë librin e Ethërit. Kërkojuni të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar nga ky libër, si në seminar edhe në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Nëse është e nevojshme, i ftoni të përsërisin shkurt disa nga përmbledhjet e kapitujve tek Ethëri për t’i ndihmuar të kujtojnë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të ndajnë diçka nga Ethëri që ishte frymëzuese për ta ose që i ka ndihmuar të kenë besim më të madh te Jezu Krishti.