Biblioteka
Mësimi 20: 1 Nefi 19


Mësimi 20

1 Nefi 19

Hyrje

Në këtë kapitull, Nefi shpjegoi se disa njerëz nuk do ta nderonin Perëndinë e Izraelit, Jezu Krishtin. Në mënyrë figurative, ata do ta shkelnin Jezu Krishtin me këmbë duke përçmuar dhe duke mos pranuar të dëgjonin zërin e këshillave të Tij. Edhe Nefi i përmendi mësimet e profetëve të lashtë që parathanë se përgjegjësit për fshikullimin dhe kryqëzimin e Shpëtimtarit, gjithashtu edhe pasardhësit e tyre, do të shpërndaheshin dhe do të vuanin derisa t’i kthenin zemrat e tyre te Zoti. Në atë kohë, Zoti do të “kujtojë besëlidhjet që ai bëri tek etërit e tyre” (shih 1 Nefi 19:15). Nefi shpjegoi se ai i shkroi këto gjëra për t’i bindur njerëzit që ta kujtojnë Zotin dhe që të besojnë tek Ai. Ai gjithashtu e mësoi popullin e tij që t’i përqasnin shkrimet e shenjta për vete që t’i ndihmonin ata të besonin te Zoti.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 19:1–19

Nefi shënon profecitë e Jezu Krishtit për të ndihmuar njerëzit që të kujtojnë Shëlbuesin e tyre

Ngrini lart një kopje të Librit të Mormonit. Përmblidhni vargjet te 1 Nefi 19:1–4 duke shpjeguar se Nefi u urdhërua që të bënte dy grupe fletësh – një për të shënuar historinë e shenjtë (fetare) dhe një tjetër për historinë laike të popullit të tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 19:3, 5–6. Kërkojini pjesës tjetër të klasës të gjejnë atë që tha Nefi për gjërat “e shenjt[a]”.

  • Çfarë arsye dha Nefi për mbajtjen e një anali të gjërave të shenjta?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 19:7. Përpara se ai ose ajo të lexojë, shpjegoni se në këtë varg, fraza “Perëndinë e Izraelit” i drejtohet Jezu Krishtit. Vargu gjithashtu përfshin fjalët pa vlerë, që kanë kuptimin “asgjë”. Ta quash dikë pa vlerë është ta trajtosh atë njeri sikur ai apo ajo të jetë i padobishëm.

  • Pasi tha se do të shkruante vetëm për atë që ishte e shenjtë, për çfarë filloi të shkruante Nefi?

  • Sipas vargut te 1 Nefi 19:7, si e shkelin disa njerëz Shpëtimtarin me këmbë ose “[e] quajnë si pa vlerë”?

  • Në ç’mënyrë refuzimi për të dëgjuar këshillën e Zotit është i ngjashëm mesi ta quash Atë si pa vlerë ose ta shkelësh Atë me këmbë?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 19:8–10. Kërkojini klasës të gjejë mënyrat se si njerëzit e kanë trajtuar Shpëtimtarin si gjë pa vlerë gjatë shërbesës së Tij të vdekshme. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që gjejnë.)

  • Në çfarë mënyrash e kanë trajtuar njerëzit Shpëtimtarin si gjë pa vlerë gjatë shërbesës së Tij të vdekshme?

  • Cilat detaje ne këto vargje tregojnë se Shpëtimtari nuk na konsideron ne si “një gjë pa vlerë”? (Studentët duhet të kuptojnë se Shpëtimtari vuajti gjithçka që vuajti “për shkak të dashurisë së përzemërt të tij dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve”.)

  • Teksa mendoni për këto vargje, cilat janë ndjenjat tuaja për Shpëtimtarin?

Ftojeni një student të lexojë 1 Nefin 19:13−14 dhe vëreni klasën të kërkojë ato që profeti Zenos shpalli se do të ishin arsyet përse ata që e kryqëzuan Shpëtimtarin (dhe pasardhësit e tyre) do të “ndëshkohe[shin] nga të gjithë njerëzit”.

  • Çfarë arsyesh dha Zenosi për faktin se ata që e kryqëzuan Shpëtimtarin (dhe pasardhësit e tyre) do të “ndëshkohe[shin] nga të gjithë njerëzit”?

Shkruajeni pohimin e mëposhtëm në tabelë: Ata i kthejnë zemrat e tyre mënjanë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të kthesh zemrën mënjanë nga Zoti?

Pasi të përgjigjen studentët, thuajini klasës se do t’ju pëlqente që disa studentë t’ju ndihmojnë të shpjegoni se si mund të zbatohet kjo frazë për ne sot. Ftoni disa studentë të vijnë pranë tabelës. Kërkojini secilit prej tyre të shkruajë një shembull të një veprimi që mund të tregojë se një njeri e ka kthyer zemrën e tij ose të saj mënjanë nga Zoti. Pastaj kërkojuni atyre të shpjegojnë se cilat mund të jenë disa nga pasojat e kthimit të zemrës mënjanë në mënyrën që ata renditën. (Për shembull, një student mund të shkruajë ndalimi i studimit të shkrimeve të shenjta dhe më pas të shpjegojë se një pasojë e këtij veprimi është aftësia më e pakët për të marrë zbulesë.)

Pasi disa studentë t’i kenë shpjeguar shembujt e tyre, thuajini klasës që pavarësisht arsyes përse ne mund t’i kthejmë zemrat tona mënjanë nga Zoti, ne mund të zgjedhim t’i kthejmë zemrat prapë tek Ai. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 19:14−17, duke kërkuar premtimet e Zotit për ata që i kthejnë zemrat prapë tek Ai.

  • Kur e shpërndan Zoti Izraelin? (Kur ata i kthejnë zemrat mënjanë nga Ai.)

  • Kur e mbledh Zoti Izraelin? (Kur ata i kthejnë zemrat e tyre tek Ai.)

  • Çfarë tha Zoti se do të bënte për ata që nuk i kthejnë më zemrat e tyre kundër Tij?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Zoti do t’i kujtojë këta njerëz dhe besëlidhjet që Ai bëri me etërit e tyre?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti nuk i harroi këta njerëz. Ata kishin jetuar në një mënyrë të tillë që Ai nuk mund t’u jepte atyre të gjitha bekimet e ungjillit. Teksa pasardhësit e tyre i kthejnë zemrat tek Ai, Zoti premton t’i kujtojë ata, t’i mbledhë ata në Kishën e Tij dhe t’u japë të gjitha bekimet e ungjillit.

  • Çfarë kuptimi mendoni se kanë premtimet në vargjet 15–17 për ne? (Një ide që duhet të dalë nga ky diskutim është se, ndërsa i kthejmë zemrat te Zoti, Ai do t’i respektojë besëlidhjet që ne kemi bërë me Të.)

Kërkojuni studentëve të përsiaten për pyetjet vijuese dhe t’i shkruajnë përgjigjet në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani pyetjet në tabelë.)

  • Çfarë lloj veprimesh tregojnë se ju dhe familja juaj i keni kthyer zemrat te Zoti?

  • Kur ju kanë ndihmuar ju ose familjen tuaj veprime të tilla për të marrë bekimet e Zotit?

Mbani parasysh që t’i ftoni disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Kujtojuni atyre që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.

Shpjegoni shkurtimisht se Nefi e shkroi analin e tij për të gjithë pjesëtarët e shtëpisë së Izraelit – duke na përfshirë ne. Ftojeni një student të lexojë 1 Nefin 19:18−19 dhe kërkojini klasës të dallojë se për çfarë dëshironte Nefi të na bindte. Dëshmoni se ndërsa e kujtojmë Zotin dhe i kthejmë zemrat tek Ai, Ai na jep bekimet e ungjillit të Tij.

1 Nefi 19:20–24

Nefi shpjegon përse ai përdori një shkrim të shenjtë të lashtë për t’i dhënë mësim popullit të tij

Tregoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, përshtatur nga një fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës:

“Do t’ju bëj këtë premtim rreth leximit të Librit të Mormonit: Ju do të tërhiqeni prej tij teksa e kuptoni se Zoti ka ngulitur në të mesazhin e Tij për ju. Nefi, Mormoni dhe Moroni e dinin atë dhe ata që e mblodhën atë, vendosën mesazhe për ju. Shpresoj te keni sigurinë se libri u shkrua për studentët tuaj. Ka mesazhe të thjeshta, të drejtpërdrejta për ata që do t’u tregojnë atyre si të ndryshojnë. Për këtë bën fjalë libri. Është një dëshmi për Zotin Jezu Krisht dhe për Shlyerjen si dhe për mënyrën se si ajo mund të veprojë në jetën e tyre. Ju do të keni një përvojë këtë vit duke ndier ndryshimin që vjen nga fuqia e Shlyerjes për shkak të studimit të këtij libri” (“The Book of Mormon Will Change Your Life”, Ensign, shkurt 2004, f. 11).

  • Ndërsa e studioni Librin e Mormonit, si ju vjen në ndihmë të dini se Nefi, Mormoni dhe Moroni përfshinë mesazhe për ju?

Lexoni deklarimet vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Libri i Mormonit u shkrua për ne në kohën tonë. Perëndia është autori i librit. Është anali i një populli të rënë, i përpiluar nga burra të frymëzuar për bekimin tonë. Ata njerëz nuk e patën kurrë librin – u paracaktua për ne. Mormoni, profeti i lashtë emrin e të cilit ka marrë libri, përmblodhi shekuj shkrimesh. Perëndia, i cili e di fundin që prej fillimit, i tha atij se çfarë të përfshinte në përmbledhjen e tij që do të na duhej për kohën tonë” (“The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 3).

“Nëse ata panë ditën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të jenë me vlerën më të madhe për ne, a nuk është kjo se si ne duhet ta studiojmë Librin e Mormonit? Ne duhet vazhdimisht të pyetim veten: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë në analin e tij? Çfarë mësimi mundem të nxjerr unë nga ai që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe epokë?” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 6).

Ftojeni klasën të lexojë në heshtje vargjet te 1 Nefi 19:22−23, duke kërkuar përshkrimin e Nefit për mënyrën se si i ndihmoi ai vëllezërit e tij që të gjenin mesazhet për veten e tyre në shkrimet e shenjta.

  • Çfarë rezultati priste Nefi nga përqasja e shkrimeve të shenjta me veten dhe me popullin e tij?

  • Çfarë do të thotë fjala përfitim? (Dobi, avantazh, zotërim me vlerë.)

Përgatiteni tabelën e mëposhtme si një fletushkë, ose paraqiteni atë në dërrasë dhe bëjini studentët ta kopjojnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Përqasja e Shkrimeve të Shenjta me Veten Tonë

Zbatimi i të Vërtetave të Shkrimeve të Shenjta

Çfarë situate apo rrethane përshkruhet në fragmentin e shkrimit të shenjtë?

Si është kjo e ngjashme me një situatë në jetën time ose në botën që më rrethon?

Çfarë e vërtete apo mesazhi jepet mësim në këtë fragment të shkrimit të shenjtë?

Si mund të veproj sipas kësaj të vërtete apo mesazhi në situatën time?

Prezantojeni tabelën duke shpjeguar se të përshtatësh do të thotë të krahasosh. Përshtatja e shkrimeve të shenjta me veten do të thotë se ne e krahasojmë një rrethanë në shkrimet e shenjta me një situatë në jetën tonë vetjake ose në botën që na rrethon. Dallimi i ngjashmërive midis rrethanave në shkrimet e shenjta dhe situatave në jetën tonë vetjake na përgatit t’i gjejmë dhe t’i zbatojmë të vërtetat e shkrimeve të shenjta. Po ato të vërteta që u zbatuan për popullin rreth të cilit ne lexojmë në shkrimet e shenjta, mund të zbatohen për ne kur jemi në rrethana të ngjashme.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si të çon përshtatja te zbatimi, ftojini ata t’i plotësojnë tabelat e tyre ndërsa ju shqyrtoni me ta fragmentin e parë për zotërimin e shkrimit të shenjtë në Librin e Mormonit, 1 Nefi 3:7. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargun te 1 Nefi 3:7.

  • Cilave rrethana po u përgjigjej Nefi kur i tha këto fjalë? (Atij i ishte kërkuar nga një profet – i ati, Lehi – që të kthehej në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi. Vëllezërit e tij ishin ankuar për vështirësinë e kësaj detyre.)

  • Si ngjasonte rrethana e Nefit me një situatë në jetën tuaj? Kur ka pritur Zoti nga ju që të bëni diçka të vështirë?

  • Cila e vërtetë e ndihmoi Nefin në situatën e tij? (Nefi e dinte se kurdoherë që Zoti u jep një urdhërim fëmijëve të Tij, Ai siguron një mënyrë që ata ta plotësojnë atë.)

  • Çfarë mund të bëni që të veproni sipas kësaj të vërtete në situatën tuaj?

Ftojini disa studentë që të tregojnë se si e përshtatën vargun te 1 Nefi 3:7 me veten dhe se si mund ta zbatojnë atë në jetën e tyre. (Kujtojuni atyre që nuk nevojitet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e brendshme.)

Për ta përfunduar mësimin, ngrini përsëri lart një kopje të Librit të Mormonit. Kujtojuni studentëve se Nefi i konsideronte shkrimet e tij rreth Shpëtimtarit se ishin të shenjta dhe me vlerë të madhe për veten dhe për të tjerët. Nxitini studentët që t’i studiojnë shkrimet e shenjta dhe të kërkojnë mesazhet që Zoti dhe profetët e Tij kanë vendosur tek ato për ne. Dëshmoni se ndërsa i përshtatim shkrimet e shenjta me veten, ne do të mësojmë dhe do të përfitojmë prej tyre.

Nxitini studentët që t’i studiojnë shkrimet e shenjta në mënyrë të pavarur dhe të gjejnë fragmente të cilat mund t’i përshtatin me veten e tyre. Ata mund të provojnë t’i vendosin emrat e tyre në disa vargje dhe t’i lexojnë vargjet njësoj si të ishte duke u folur atyre drejtpërdrejt Zoti ose profeti i Tij. Për shembull, ata mund të lexojnë pjesën e parë te 2 Nefi 31:20 kështu: “Kështu që, ju [vendos emrin] duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht”.

Ju mund të dëshironi të siguroni kopje të paplotësuara të tabelës që studentët t’i përdorin në shtëpi. Ftojini ata të vijnë në orën tjetër mësimore të përgatitur për të treguar se si i kanë përshtatur shkrimet e shenjta me veten dhe si kanë mësuar dhe përfituar nga kjo përvojë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 7:10-16 Zenoku, Neumi dhe Zenosi

Nefi citoi nga shkrimet e Zenokut, Neumit dhe Zenosit. Këta ishin profetë të kohëve të Dhiatës së Vjetër, profecitë e të cilëve mbi Jezu Krishtin u gdhendën në fletët prej tunxhi; prandaj ne e dimë se ata jetuan para vitit 600 pr. K. Ata folën për jetën dhe shërbesën e Mesias dhe fatin e shtëpisë së Izraelit (shih edhe vargjet te Helamani 8:19−20). Pa Librin e Mormonit, ne nuk do të dinim asgjë rreth këtyre tre profetëve ose rreth dëshmive të tyre për Jezu Krishtin.

Shtyp në Letër