Mësimi i Studimit në Shtëpi
4 Nefi 1–Mormoni 8:11 (Njësia 28)
Hyrje për Mësimin
Në këtë mësim, studentët do të rishikojnë shkatërrimin e nefitëve dhe do të mësojnë për dëshirën e Mormonit që populli i tij të “[merrej] në krahët e Jezusit” (Mormoni 5:11). Studentët do të mësojnë se si ta ftojnë përqafimin e Zotit në vetë jetën e tyre. Nga mospranimi i nefitëve për t’u penduar, studentët do të kuptojnë pasojat e trishtueshme që përjetojnë njerëzit kur nuk pendohen.
Sugjerime për Mësimdhënien
4 Nefi 1–Mormoni 4
Populli nefit largohet nga drejtësia dhe lumturia drejt ligësisë
Kërkojuni studentëve të përcaktojnë se sa vite të historisë nefite studiuan këtë javë. I ndihmoni të përdorin datat në përmbledhjet e kapitujve ose në fund të faqes te 4 Nefi 1 dhe Mormoni 8 për ta gjetur këtë. (Këta kapituj mbulojnë pothuaj 400 vjet ose mbi një të tretën e historisë së nefitëve.)
Kërkojini gjysmës së klasës të përdorin shkrimet e tyre të shenjta dhe ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta për të rishikuar atë që kanë mësuar për lumturinë e nefitëve te 4 Nefi 1. E vini gjysmën tjetër të klasës të përdorë Mormonin 1–2 dhe ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për të rishikuar se kush ishte Mormoni dhe përse ai ishte kaq i admirueshëm. Kërkojini secilit grup të përmbledhë atë që kanë mësuar. Pastaj ftojini grupet të prezantojnë përmbledhjet e tyre.
Pyetini studentët: Cila është një e vërtetë që mësuat nga studimi i këtyre kapitujve dhe përse është e rëndësishme për ju?
Shpjegoni se pavarësisht nga përpjekjet e Mormonit për t’i ndihmuar nefitët ta përgatitnin veten e tyre shpirtërisht për betejë, ata nuk pranuan të pendoheshin dhe të ktheheshin te Zoti. Si pasojë e ligësisë së tyre, ata u lanë në fuqinë e tyre dhe lamanitët filluan t’i mposhtnin (shih Mormonin 3–4).
Mormoni 5:8–24
Mormoni shpjegon se anali i Librit të Mormonit u shkrua për t’i bindur njerëzit të besojnë në Jezu Krishtin
Pyetini studentët nëse janë ndier ndonjëherë të trishtuar për dikë që duhej të duronte pasojat e një zgjedhjeje të gabuar. Ju mund të ndani një shembull të përshtatshëm (dhe jo paragjykues) të dhembjes që keni ndier për dikë që duhej të vuante pasoja negative për një zgjedhje që ai ose ajo bëri. Shpjegoni që Mormoni shkroi se njerëzit në ditët e fundit do të brengoseshin ndërsa lexonin për shkatërrimin e nefitëve.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 5:10–11, duke kërkuar atë që Mormoni tha se nefitët mund të kishin gëzuar. Pasi studentët të përgjigjen, bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “[merresh] në krahët e Jezusit”? (Fjala merresh do të thotë të mbahesh fort ose mirë, apo të përqafohesh, që është një gjest mbrojtjeje dhe dashurie.)
-
Sipas Mormonit 5:11, çfarë mund të bëjmë për ta marrë këtë lloj përqafimi? (Nëpërmjet pendimit, ne mund të “[merremi] në krahët e Jezusit”. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Lexoni ose ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Kent F. Riçards, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë se çfarë do të thotë të “[merresh] në krahët e Jezusit”.
“Të gjithë që do të vijnë, mund të ‘[merren] në krahët e Jezusit’. [Mormoni 5:11.] Të gjithë shpirtrat mund të shërohen nëpërmjet fuqisë së Tij. Gjithë dhembjet mund të lehtësohen. Në Të, ne mund të ‘[gjejmë] prehje për shpirtrat [tanë]’. [Mateu 11:29.] Rrethanat tona në vdekshmëri mund të mos ndryshojnë menjëherë, por dhembja, shqetësimi, vuajtja dhe frika jonë mund të gëlltiten në qetësinë dhe balsamin e Tij shërues” (“Shlyerja Mbulon të Gjitha Dhembjet”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 17).
Ftojini studentët të mendojnë për raste kur ata janë ndier të “marrë në krahët e Jezusit” si rezultat i pendimit. Gjithashtu, kërkojuni atyre të përsiatin për atë që mund t’iu duhet të bëjnë për t’u marrë në krahët e Tij tani. Dëshmoni për pasojat ngushëlluese dhe mbrojtëse të pendimit.
Për të ilustruar një parim tjetër te Mormoni 5, vendosni një tapë ose një objekt tjetër pluskues në një tavë me ujë. Vini dy ose tre studentë ta fryjnë në drejtime të ndryshme. Pyetini se sa ndikim ka tapa në atë se ku po shkon. Nxitini studentët, ndërsa vazhdojnë të studiojnë, që të kërkojnë mënyrën se si kjo tapë mund të jetë si nefitët.
Shkruani në tabelë: Kur nuk pranojmë të pendohemi … Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 5:2,16–19, ndërsa klasa kërkon pasojat e mospranimit të nefitëve për t’u penduar. Kërkojuni studentëve ta përdorin atë që kanë zbuluar në këto vargje për të përfunduar fjalinë në tabelë. Ndërsa përgjigjen, ju mund të bëni disa nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa nga fjalët dhe frazat në vargjet:
-
Te vargu 16, çfarë mendoni se do të thotë të jesh “pa Krisht dhe Perëndi në këtë botë”? (Të jetosh pa besim në Jezu Krishtin apo Atin Qiellor dhe pa ndikimin dhe udhëheqjen e Tyre.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “hidhe[sh] sa andej këtej si byku në erë”? (Mormoni 5:16). (Ju mund të shpjegoni se byku iu referohet barërave dhe shtresës së jashtme të grurit që merren nga era gjatë shirjes.)
-
Si mendoni se do të ndiheshit nëse do të ishit në një varkë pa spirancë në oqean, pa asnjë mundësi për të lundruar ose manovruar? Si është kjo situatë e ngjashme me gjendjen e nefitëve?
Shpjegoni se Mormoni 5 na mëson se, kur nuk pranojmë të pendohemi, Shpirti tërhiqet dhe ne e humbasim udhëheqjen nga Zoti. Shkruajeni këtë parim në tabelë për të përfunduar thënien që filluat ta shkruanit më përpara. Kërkojuni studentëve të përsiatin për raste në jetën e tyre kur ata mund ta kenë provuar këtë parim.
Ju mund të doni që studentët të bëjnë krahasimin midis të dyja parimeve të shkruara në tabelë, duke bërë pyetjen e mëposhtme: Nga dy të vërtetat e shkruara në tabelë, si është i ndryshëm rezultati i pendimit nga rezultati i mospranimit për t’u penduar?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 5:22–24, duke kërkuar atë që Mormoni na ftoi të gjithëve të bëjmë, kështu që nuk do të bëhemi si nefitët e kohës së tij. Ju mund t’i nxitni studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
Dëshmoni për të vërtetën e të dyja parimeve të shkruara në tabelë.
Mormoni 6:1–8:11
Pasi dëshmon shkatërrimin përfundimtar të popullit të tij, Mormoni u shkruan pasardhësve lamanitë dhe pastaj vdes, duke e lënë birin e tij, Moronin, vetëm
Ftojini studentët të përmbledhin shkatërrimin përfundimtar të nefitëve, duke përdorur krerët e kapitujve të Mormonit 6–8 nëse është e nevojshme.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje dhe të përsiatin Mormonin 7:10, fjalët e fundit që shkroi Mormoni përpara se të vdiste.
Njësia Tjetër (Mormoni 8:12–Ethëri 3)
Moroni foli me Jezu Krishin dhe iu tregua koha jonë. Për çfarë na paralajmëroi Moroni? Vëllai i Jaredit gjithashtu kishte besim të madh. Ai e pa Jezu Krishtin dhe foli me Të ballë për ballë. Si ju ndihmon njohuria se edhe Moroni, edhe vëllai i Jaredit panë dhe folën me Krishtin, për t’u besuar fjalëve të tyre?