Mësimi 69
Alma 1–2
Hyrje
Pak kohë pasi Alma u bë kryegjykatës, një burrë i quajtur Nehor e shpalli veten si predikues mes njerëzve. Ai foli kundër Kishës e doktrinave të saj dhe i bindi shumë njerëz që ta besonin dhe t’i jepnin para. Kur Nehori vrau Gideonin, i cili ishte një anëtar besnik i Kishës, ai u soll përpara Almës. Duke e gjetur Nehorin fajtor për intrigat e priftërinjve dhe që po përpiqej t’i vendoste intrigat e priftërinjve me anën e shpatës, Alma e dënoi Nehorin me vdekje. Kisha përparoi, e udhëhequr nga priftërinj të zellshëm dhe të përulur, por intrigat e priftërinjve vazhduan. Amlici, një njeri dinak i urdhrit të Nehorit, grumbulloi mbështetje mes shumë njerëzve dhe u përpoq në mënyrë të pasuksesshme për t’u bërë mbret i nefitëve. Ai dhe pasuesit e tij ngritën krye, erdhën të luftonin kundër nefitëve dhe më së fundi i bashkuan forcat e tyre me një ushtri lamanite. Të forcuar nga Zoti, nefitët vuajtën humbje të shumta, por iu bënë ballë sulmeve të këtyre ushtrive.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 1
Pavarësisht nga përhapja e intrigave të priftërinjve dhe e përndjekjes, shumë njerëz qëndrojnë të paepur në besim
Shkruani i njohur në tabelë.
-
Cilat janë disa nga rreziqet e kërkimit të të qenit të njohur? Cilat janë disa nga rreziqet e ndjekjes së njerëzve thjesht ngaqë ata janë të njohur?
Shpjegoni se një burrë i quajtur Nehor u bë i njohur për disa njerëz në Zarahemla. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 1:2–6, duke kërkuar atë që Nehori u dha mësim dhe se si njerëzit iu përgjigjën asaj. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, merrni parasysh bërjen e pyetjeve të tilla si ato që vijojnë:
-
Përse mësimi i Nehorit tek Alma 1:4 ishte i rrezikshëm? (Nëse studentët kanë vështirësi për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, vini në dukje se Nehori na mësoi se “të gjithë njerëzit do të [kenë] jetë të përjetshme”, pavarësisht nga ajo që bëjnë. Ky mësim nuk e përfill nevojën për pendim, për ordinanca dhe për zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë. Shih edhe Alma 15:15.)
-
Cilat janë pasojat që mund t’i vijnë një njeriu i cili e beson këtë doktrinë?
-
Si pati ndikim mbi Nehorin suksesi i tij? (Shih Alma 1:6.)
Përmblidhni Almën 1:7–15 duke shpjeguar se një ditë Nehori po shkonte për t’i predikuar një grupi të pasuesve të tij, kur u takua me Gideonin, i cili e kishte ndihmuar popullin e Nefit të çlirohej nga robëria dhe i cili tashmë po shërbente si mësues në Kishë. Nehori “filloi të grindej rreptë me [Gideonin], kështu që ai të mund të largonte njerëzit nga kisha; por [Gideoni] i bëri ballë atij duke e qortuar me fjalët e Perëndisë” (Alma 1:7). Nehori, në një shpërthim zemërimi, nxori shpatën e tij dhe e vrau Gideonin. Njerëzit e Kishës e çuan Nehorin tek Alma, i cili ishte kryegjykatësi, për t’u gjykuar për krimet e tij. Alma e dënoi Nehorin me vdekje dhe Nehori “vuajti një vdekje të turpshme” (Alma 1:15). Mund t’ju duhet të shpjegoni se e turpshme do të thotë e pahijshme, poshtëruese ose çnderuese.
I ftoni studentët të kërkojnë në dy rreshtat e parë të Almës 1:12 për fjalën që Alma përdori për ta përshkruar atë që Nehori i kishte paraqitur këtij populli për herë të parë. I ftoni studentët të shohin te shënimi 12a në fund të faqes. I bëni të kthehen te referenca e parë e renditur: 2 i 26:29. U kërkoni atyre ta lexojnë këtë varg në heshtje.
-
Sipas mendimit tuaj, çfarë janë intrigat e priftërinjve? Çfarë mendoni se do të thotë që njerëzit ta “vënë veten si një dritë për botën”? Përse është kjo e rrezikshme?
-
Si ishte predikimi i Nehorit një shembull i intrigave të priftërinjve?
-
Sipas Almës, çfarë do t’u ndodhte njerëzve nëse intrigat e priftërinjve u futeshin atyre me forcë?
-
Si mendoni, përse është tunduese për njerëzit të japin mësim që të lavdërohen nga të tjerët?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 1:16. I kërkoni klasës të përcaktojë se si dhe përse vazhduan të përhapeshin intrigat e priftërinjve, edhe pas vdekjes së Nehorit. Pasi studentët të raportojnë se çfarë kanë gjetur, i pyetni:
-
Sipas Almës 1:16, cilat janë synimet e njerëzve që praktikojnë intriga të priftërinjve? (Ata e bëjnë atë “për të fituar pasuri dhe nderime” – me fjalë të tjera, për të fituar para dhe për t’u bërë të njohur.)
Shpjegoni se intrigat e priftërinjve dhe ndikimet e tyre i shqetësuan nefitët për shumë vjet (shih Alma 2; 15:15; 24:28). Vini në dukje se në kohën tonë, ne kemi nevojë të jemi të vetëdijshëm për intrigat e priftërinjve, si brenda Kishës ashtu edhe jashtë Kishës. Ne nuk duhet ta lejojmë veten tonë që të mashtrohemi nga njerëz që praktikojnë intriga të priftërinjve. Ne gjithashtu duhet të ruhemi ndaj sjelljeve dhe veprimeve të intrigave të priftërinjve në vetë përpjekjet tona për të dhënë mësim për ungjillin.
-
Çfarë mundësish keni ju për t’ua mësuar ungjillin të tjerëve? (I ndihmoni studentët të kuptojnë se ata kanë shumë mundësi për ta dhënë mësim ungjillin. Ata i japin mësim njëri-tjetrit teksa marrin pjesë në seminar, në kuorumet e tyre dhe në orët e tjera të mësimit. Ata mund t’u japin mësim familjeve të tyre në mbrëmjet familjare. Djemtë e rinj shërbejnë si mësues shtëpie. Të rinjve dhe të rejave mund t’iu kërkohet të flasin në mbledhjen e sakramentit. Ata mund ta ndajnë ungjillin me të tjerët tani dhe mund të përgatiten për të shërbyer si misionarë kohëplotë.
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Gjithçka që ju ose unë bëjmë si mësimdhënës, e cila në mënyrë të vetëdijshme dhe të qëllimshme tërheq vëmendjen te vetja jonë – në mesazhet që paraqesim, në metodat që përdorim ose në sjelljen tonë vetjake – është një formë e intrigave të priftërinjve që e pengon efektshmërinë mësimdhënëse të Frymës së Shenjtë” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 66–67).
Theksoni se, nëse me vetëdije tërheqim vëmendje ndaj vetes sonë në përpjekjet tona për të dhënë mësim ungjillin, ne vërtet do ta pengojmë efektshmërinë mësimdhënëse të Frymës së Shenjtë.
Lexoni listën vijuese të shtysave që njerëzit mund të kenë kur japin mësim. I ftoni studentët të diskutojnë se cilat shtysa mund të jenë shembuj të intrigave të priftërinjve dhe përse.
T’i udhëheqin të tjerët drejt Shpëtimtarit.
Të tregojnë sesa zbavitës janë ata.
T’i ndihmojnë të tjerët ta ndiejnë Shpirtin.
Të mburren me inteligjencën e tyre.
T’i ndihmojnë të tjerët t’i zbatojnë të vërtetat e ungjillit në jetën e tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 1:26–27. I kërkoni klasës të përcaktojë mënyrat se si priftërinjtë e Perëndisë vepruan ndryshe nga Nehori.
-
Si na ndihmon shembulli i priftërinjve nefitë për t’iu shmangur intrigave të priftërinjve?
-
Si e treguan këta priftërinj zotimin e tyre ndaj Perëndisë?
Shpjegoni se intrigat e priftërinjve çuan në grindje dhe përndjekje mes nefitëve. Për t’i ndihmuar studentët që të përgatiten për të studiuar Almën 1:19–33, bëni pyetjet e mëposhtme:
-
Kur keni parë njerëz që tallin, përqeshin apo përndjekin ata që i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë?
-
A jeni ndier ndonjëherë i talluar, i përqeshur apo i përndjekur për shkak të zbatimit të urdhërimeve? Nëse po, si u përgjigjët?
I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 1:19–20, duke kërkuar shembuj anëtarësh të Kishës që po përndiqeshin. Pasi studentët të raportojnë atë që gjejnë, i shkruani në tabelë përgjigjet vijuese dhe i ftoni studentët t’i kopjojnë ato në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. U jepni kohë për t’i lexuar në heshtje fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe për t’iu përgjigjur vetë pyetjeve.
Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i studiuar këto fragmente, i pyetni se çfarë mund të mësojmë nga fragmentet. Studentët mund të përcaktojnë disa ose të gjitha parimet vijuese:
Edhe kur njerëzit përreth nesh janë të pabindur, ne mund të jemi të paepur dhe të patundur në zbatimin e urdhërimeve.
Kur e jetojmë ungjillin, ne mund të kemi paqe në jetën tonë, edhe nëse përndiqemi.
-
Kur e keni parë që këto parime janë të vërteta?
Alma 2
Amlici dhe të tjerët ngrenë krye dhe më së fundi bashkohen me lamanitët për të luftuar kundër nefitëve
Shpjegoni se rreth katër vjet pas vdekjes së Nehorit, nefitët u ndeshën me një tjetër burrë të lig, i cili qe në gjendje të fitonte mbështetjen e popullit. I ndani studentët në dyshe. Në secilën dyshe, vëreni njërin student të lexojë Almën 2:1–7, ndërsa tjetri lexon Almën 2:8–18. I udhëzoni studentët të përgatitin tituj për artikuj lajmesh bazuar në vargjet caktuar atyre, duke përshkruar atë që bënë njerëzit e drejtë për t’i bërë ballë ligësisë. Pas katër ose pesë minutash, i ftoni studentët t’ua tregojnë titujt e tyre shokëve të dyshes. Ju mund të dëshironi t’u kërkoni dy ose tre studentëve t’ua tregojnë titujt e tyre klasës.
Bëni pyetjet që vijojnë për t’u siguruar që studentët i kuptojnë vargjet që kanë studiuar:
-
Çfarë donte të bënte Amlici?
-
Sipas Almës 2:18, përse ishin në gjendje nefitët ta ndalonin përpjekjen e Amlicit për t’u bërë mbret? (“Zoti forcoi dorën e nefitëve.” Ju mund të doni t’i nxitni studentët ta shenjojnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta.)
I kërkoni klasës të renditin shembuj të ligësisë me të cilën ndeshet sot rinia. Ata mund të përmendin tundime dhe gjithashtu mund të përmendin sprova që hasin për shkak të ligësisë së të tjerëve. Ndërsa vazhdojnë të studiojnë Almën 2, i ftoni ata të përsiaten për mënyra se si mund ta marrin ndihmën e Zotit për t’i mposhtur tundimet dhe sfidat që hasin.
Shpjegoni se ushtarët nefitë i mposhtën shumicën e amlicitëve, por ata u çuditën kur panë se amlicitët e mbetur u bashkuan me një ushtri lamanitësh (shih Alma 2:19–25). Përpara se ushtritë nefite të mund të ktheheshin në qytetin e Zarahemlës, ushtria e bashkuar i sulmoi ata. U kërkoni studentëve të shohin tek Alma 2:27 për një frazë që tregon madhësinë e ushtrisë së bashkuar të lamanitëve dhe amlicitëve.
I ftoni studentët të ndalojnë për një çast dhe të përfytyrojnë se çfarë do të mendonin dhe se si do të ndiheshin nëse do të ishin pjesë e ushtrisë nefite. I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 2:28–31, 36 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si mbaroi beteja. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që t’i shenjojnë fjalët fuqizuar dhe fuqizoi në këto vargje.
-
Sipas Almës 2:28, përse i fuqizoi Zoti nefitët? (Studentët mund të japin përgjigje të ndryshme për këtë pyetje. I ndihmoni të përcaktojnë parimin vijues: Kur i bëjmë thirrje Perëndisë për të na ndihmar që t’i bëjmë ballë ligësisë, Ai do të na fuqizojë.)
-
Përse mendoni se është më e rëndësishme për të marrë fuqi nga Perëndia për t’i bërë ballë ligësisë, sesa t’i kemi ndikimet e liga plotësisht të hequra nga jeta jonë?
-
Si mund ta ndiqni shembullin e Almës kur i bëni ballë ligësisë?
I ftoni studentët të shkruajnë përgjigje për një nga pyetjet vijuese:
-
Si ju ka fuqizuar Zoti kur keni hasur ligësi?
-
Cila është një mënyrë për t’i bërë ballë ligësisë tani?
Pasi studentët të kenë pasur kohë për të shkruar, ftoni dy ose tre prej tyre t’i japin përgjigjet e tyre. Ju mund të dëshironi të jepni përgjigjet tuaja gjithashtu. I nxitni studentët ta ndjekin shembullin e nefitëve – të luten për ndihmën e Zotit dhe të jenë të denjë për t’u fuqizuar nga Perëndia në përpjekjet e tyre. Përfundoni duke dëshmuar se Perëndia do të na fuqizojë ndërkohë që i bëjmë ballë ligësisë.