Mësimi 96
Alma 39
Hyrje
Alma qortoi birin e tij të pabindur, Koriantonin, i cili e kishte braktisur shërbesën dhe kishte kryer mëkat seksual. Alma e mësoi atë për seriozitetin e veprimeve të tij dhe shprehu zhgënjim që Koriantoni qe fajtor për një mëkat të tillë të rëndë. Alma e urdhëroi të birin që të reshte së shkuari pas epsheve të syve të tij dhe të pendohej. (Këshilla e Almës për Koriantonin mbi tema të tjera vijon në kapitujt 40–42.)
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma 39:1–8
Alma i shpjegon të birit, Koriantonit, seriozitetin e mëkatit seksual
Shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Përse disa mëkate janë më seriozë se të tjerët?
Ftojini studentët të marrin parasysh në heshtje përgjigjet e kësaj pyetjeje. Sugjeroni se këshilla e Almës, e shënuar tek Alma 39, mund të na ndihmojë të kuptojmë natyrën e rëndë të disa mëkateve.
Ftojini studentët të shohin shënimin, pikërisht mbi kreun për kapitullin 39. Kërkojuni që të përcaktojnë se cili po flet në këtë kapitull dhe kujt po i flet ai (Alma po i flet birit të tij, Koriantonit). Shpjegoni se Koriantoni kishte shoqëruar vëllanë e tij, Shiblonin, dhe Almën për të predikuar ungjillin mes zoramitëve, por kishte rënë në mëkat. Vini në dukje që të kuptuarit lidhur me atë se ku gaboi Koriantoni, do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më mirë këshillën e Almës drejtuar atij në këtë kapitull dhe tre kapitujt në vijim.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 39:1–5. Kërkojini klasën të shikojë se çfarë bëri Koriantoni që qe e gabuar. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fjala grua e përdalë në vargun 3 nënkupton një grua të pamoralshme ose një prostitutë.)
-
Çfarë bëri Koriantoni që qe e gabuar? Cili prej mëkateve të tij qe më i rëndi? (Imoraliteti seksual.)
-
Koriantoni, midis zoramitëve, ishte mburrur për fuqinë dhe zgjuarsinë e tij (shih Almën 39:2). Në ç’mënyra mund të çojë qëndrimi krenar drejt mëkateve serioze të tilla si imoraliteti seksual? Cilët janë disa shembuj në kohët e sotme të qëndrimeve krenare që i bëjnë njerëzit të kryejnë mëkat seksual? (Ndërsa studentët diskutojnë mbi këto pyetje, vini në dukje se kur njerëzit janë mburracakë, ata shpesh e mbivlerësojnë fuqinë e tyre vetjake, përfshirë aftësinë për t’i bërë ballë tundimit. Disa shembuj të kohëve të sotme lidhur me këtë janë dalja në moshë të vogël në takime dhe dalja në takime vetëm me një person.)
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 39:5, duke parë mënyrën se si Alma e shpjegoi seriozitetin e mëkatit seksual. (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni që fjala neveri nënkupton diçka që është mëkatare, e ligë ose e tmerrshme.)
-
Ç’mendon Zoti për mëkatin seksual? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini të përcaktojnë të vërtetën se mëkati seksual është një neveri në pamjen e Zotit.)
-
Përse mendoni se në shkallë serioziteti kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore janë pas vrasjes?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë standardet dhe premtimet e Zotit lidhur me pastërtinë seksuale, ftojini të lexojnë në heshtje dy paragrafët e parë të seksionit të titulluar “Pastërtia Seksuale” te broshura Për Forcën e Rinisë. Ndërsa lexojnë, kërkojuni që të shohin përgjigjet për pyetjen në vijim. (Ju mund të dëshironi ta shkruani pyetjen në tabelë. Ju mund të dëshironi edhe të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë në broshurë përgjigjet që gjejnë.)
-
Cilat janë të mirat e të qëndruarit të pastër seksualisht?
Pasi studentët të kenë pasur kohë për të lexuar dhe për të dhënë përgjigjet që gjetën, kërkojuni të lexojnë në heshtje pjesën e mbetur të seksionit “Pastërtia Seksuale”, duke parë përgjigjet për pyetjen e mëposhtme:
-
Çfarë standardesh na ka vendosur Zoti për të qëndruar të pastër seksualisht?
Ftojini studentët të përsiatin se çfarë mesazhi mendojnë se Zoti do të donte që ata të mësonin nga ajo që sapo lexuan. Dëshmoni për seriozitetin e mëkatit seksual dhe për bekimet që vijnë nga të qenit i pastër seksualisht.
Vini në dukje se, duke këshilluar të birin rreth një çështjeje të ndjeshme, Alma po përmbushte detyrën e tij si prind. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si mund t’i përgjigjeshin këshillës nga prindërit e tyre ose udhëheqësit e tyre të Kishës lidhur me pastërtinë seksuale. Ftojini të lexojnë në heshtje Almën 39:7–8, duke kërkuar qëllimin e Almës kur i mësoi Koriantonit seriozitetin e mëkatit seksual.
-
Cila qe arsyeja e Almës që e mësoi Koriantonin për seriozitetin e mëkatit të tij? (Për ta ndihmuar Koriantonin të pendohej, në mënyrë që të mos i duhej të qëndronte fajtor përpara Perëndisë.)
-
Si duhet të përgjigjemi kur dikush na fton të pendohemi?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë arsyen përse prindër, si Alma, do t’i ftonin fëmijët e tyre të pendoheshin, lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ftesa për t’u penduar është shprehje e dashurisë. … Nëse ne nuk i ftojmë të tjerët që të ndryshojnë ose, nëse nuk ia kërkojmë pendimin vetes, ne dështojmë në një detyrë themelore për të cilën i detyrohemi njëri-tjetrit dhe vetes. Një prind lejues, një mik tolerues, një udhëheqës Kishe me frikë, në të vërtetë, janë më të shqetësuar për veten sesa për mbarëvajtjen dhe lumturinë e atyre që ata mund t’i ndihmonin. Po, thirrja në pendim nganjëherë konsiderohet si jotolerante ose fyese dhe madje mund të urrehet, por, e udhëhequr nga Shpirti, ajo në të vërtetë është një akt i përkujdesjes së sinqertë” (“Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 39).
Alma 39:9–19
Alma e nxit Koriantonin të pendohet
Për të paraqitur këshillën që Alma i dha të birit lidhur me mënyrën se si të pendohej dhe të kthehej drejt Zotit, shkruani në tabelë sa vijon: Pendimi përfshin …
Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 39:9–13. Bëni një pushim midis secilit varg për t’u bërë studentëve pyetjet e mëposhtme:
Alma 39:9
-
Çfarë do të thotë të “heqësh dorë nga mëkatet e tua”? (Të ndalosh së bëri ato.)
-
Çfarë lidhje kanë frazat “të mos shkosh më pas epsheve të syve të tua” dhe “t’u vësh kryq të gjitha këtyre gjërave” me heqjen dorë nga mëkati? (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se në kohën tonë fraza “eshpeve të syve të tua” mund të thuhet për imazhet dhe argëtimin që në ndonjë mënyrë janë pornografike. Për të theksuar rrezikshmërinë e pornografisë, merrni parasysh që t’u kërkoni studentëve të lexojnë këshillën mbi këtë temë në faqen të të broshurës Për Forcën e Rinisë. Ju mund të shpjegoni edhe se fraza “t’u vësh kryq” nënkupton të ushtrosh vetëkontroll ose vetëpërmbajtje; shih shënimin 9b në fund të faqes.)
-
Cilat janë disa mënyra se si shenjtorët e ditëve të mëvonshme në moshë të re mund të ushtrojnë vetëkontroll në çështjet e pastërtisë seksuale dhe të shmangin vajtjen pas epsheve të syve të tyre? (Për t’i ndihmuar studentët që të diskutojnë më me hollësi mbi këtë pyetje, ju mund të dëshironi të përshkruani disa situata që kanë lidhje me kulturën dhe rrethanat e studentëve tuaj. Për shembull, ju mund të thoni diçka të ngjashme me sa vijon: Një e re, shenjtore e ditëve të mëvonshme, ka vendosur t’u “[vërë] kryq”, por më pas një i ri, të cilin ajo e pëlqen, e fton në një festë të papërshtatshme. Si duhet t’i përgjigjet ajo?)
Vini në dukje se Alma 39:9 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fragment në shkrimet e tyre të shenjta, në mënyrë që të jenë në gjendje ta gjejnë me lehtësi.
Alma 39:10
-
Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë kërkimi i ushqimit shpirtëror – ndoshta nga prindërit, udhëheqësit e Kishës, motrat e vëllezërit apo miqtë e besuar – që të pendohemi?
Alma 39:11
-
Çfarë do të thotë “mos lejo që të drejtohesh”? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala lejo do të thotë ‘i jap leje’.)
-
Çfarë janë disa gjëra “[të] kot[a] dhe [të] marr[a]” nga të cilat ju i shihni njerëzit të drejtohen sot?
Alma 39:12
-
Çfarë do të thotë të përmbahesh nga paudhësia? (Të shmangësh mëkatin.)
Alma 39:13
Shpjegoni se pendim do të thotë “ta kthe[sh] zemrën dhe vullnetin … te Perëndia” (shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, f. 144). Në shkrimet e shenjta, fraza “të kthehesh drejt Zotit” zakonisht do të thotë pendim.
-
Çfarë mendoni se do të thotë “të kthehesh drejt Zotit me tërë mendjen, fuqinë dhe forcën tënde”?
Kujtojuni studentëve se gjatë misionit te zoramitët, sjellja e Koriantonit kishte bërë që disa njerëz të mos i besonin fjalët e Almës (shih Almën 39:11).
-
Kur mëkatet tona ndikojnë tek të tjerët, çfarë duhet të bëjmë si pjesë e pendimit tonë? (T’i pranojmë ose t’ua rrëfejmë gabimet tona atyre që kemi lënduar dhe të kërkojmë ta ndreqim dëmin.)
Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Pendimi përfshin pranimin dhe braktisjen e mëkateve tona dhe kthimin drejt Zotit me tërë mendjen, fuqinë dhe forcën tonë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 39:13. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë ndiejnë se Zoti do të dëshironte që ata të bënin për ta kthyer zemrën dhe vullnetin e tyre tek Ai në mënyrë më të plotë.
Për ta theksuar rolin e Shpëtimtarit në procesin e pendimit, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Almën 39:15–16, 19. Kërkojini klasës të shohë për një frazë që përsëritet tri herë në këto vargje. (Fraza është “lajme të gëzuara”, që ju mund të dëshironi të shpjegoni se nënkupton “lajme të mira”.)
-
Çfarë “lajme[sh] të gëzuara” i mësoi Alma të birit? (Mes përgjigjeve që japin studentët, duhet të jetë e vërteta që Jezu Krishti erdhi për t’i marrë botës mëkatet. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë në tabelë.)
-
Përse ishte lajm i gëzuar për Koriantonin ardhja e Jezu Krishtit? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi t’u thoni se Koriantoni më vonë u pendua për mëkatet e tij dhe u kthye për të qenë një misionar [shih Almën 49:30].)
Merrni parasysh që të ndani me klasën se si mesazhi i Shlyerjes së Jezu Krishtit ka qenë “lajm [i] gëzuar” për ju apo për ata që njihni. Shtoni dëshminë tuaj lidhur me parimet që klasa ka diskutuar nga Alma 39. Nxitini studentët të ndjekin nxitjet që mund të kenë marrë gjatë mësimit për të ruajtur pastërtinë e tyre dhe për t’u kthyer drejt Zotit nëpërmjet pendimit.