Biblioteka
Mësimi 56: Mosia 7–8


Mësimi 56

Mosia 7–8

Hyrje

Afërsisht 80 vjet përpara se i biri i mbretit Beniamin, Mosia, të bëhej mbret, një burrë me emrin Zenif udhëhoqi një grup nefitësh nga Zarahemla për të banuar në tokën e Nefit, të cilën e konsideronin “tokën e trashëgimit të tyre” (shih Omni 1:27–30). Mbreti Mosia autorizoi një burrë të quajtur Amon për të udhëhequr një grup të vogël për në tokën e Nefit, për të mësuar fatin e grupit të Zenifit. Amoni dhe shokët e tij i gjetën pasardhësit e grupit të Zenifit duke jetuar nën robërinë e lamanitëve. Nipi i Zenifit, Limhi, ishte mbreti i tyre. Mbërritja e Amonit i solli shpresë Limhit dhe popullit të tij. Limhi i kërkoi Amonit nëse mund t’i përkthente gdhendjet në 24 fletët e arit që kishte zbuluar populli i tij. Amoni shpjegoi se mbreti në Zarahemla, mbreti Mosia, qe një shikues i cili mund t’i përkthente ato anale të lashta.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 7

Amoni gjen tokën e Lehi-Nefit dhe mëson se si populli i mbretit Limhi ra në robëri

Shkruani sa vijon në tabelë: vajtoj: të ndiesh keqardhje ose hidhërim

  • Cilat janë disa arsye përse njerëzit mund të vajtojnë?

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 7:24 dhe kërkojini pjesës tjetër të klasës ta ndjekë gjatë leximit. Vini në dukje frazën “gjithçka për shkak të paudhësisë”. Shpjegoni se ky varg i referohet rrethanave që pasuan për shkak të zgjedhjeve të padrejta të një grupi njerëzish. Ftojini studentët të përsiaten nëse kanë vajtuar ndonjëherë lidhur me një situatë që ndodhi “për shkak të paudhësisë”. Shpjegoni se sot do të studiojnë Mosian 7–8 për të mësuar rreth një mbreti të quajtur Limhi dhe shkaqet e pendesës së popullit të tij. Ftojini studentët të kërkojnë se çfarë e nxiti Limhi popullin e vet që të bënte, për të mposhtur hidhërimin e tyre.

Ftoni një student të lexojë me zë Mosian 7:1. Kërkojini klasës që të gjejë dy vendet e përmendura në këtë varg. Kopjojeni në tabelë skicën e parë që shoqëron këtë mësim, dhe ftojini studentët të bëjnë të njëjtën gjë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Ndërsa e përdorni këtë skicë, shpjegoni që Kisha nuk ka një qëndrim zyrtar rreth gjeografisë së Librit të Mormonit përveçse që ngjarjet ndodhën në kontinentet amerikane.

Pamja
udhëtimet te Mosia 7–24

Shënim: Gjatë studimit vetjak të librit të Mosias, studentët do t’i shtojnë më shumë detaje skicave të tyre. Për t’u siguruar që ata kanë hapësirë të mjaftueshme për t’i shtuar këto detaje, kopjojeni në tabelë skicën siç është paraqitur. Vini në dukje hapësirën shtesë përpara se studentët të fillojnë të vizatojnë. (Skica e plotë gjendet te shtojca në fund të këtij manuali.)

Shpjegoni që kur familja e Lehit arriti në tokën e premtuar, ata u vendosën në tokën e Nefit (e quajtur ndonjëherë toka e Lehi-Nefit ose toka e trashëgimit të parë). Pak pasi vdiq Lehi, Zoti e urdhëroi Nefin të arratisej në vendin e shkretë, duke marrë të gjithë ata që dëshironin të shkonin me të. Populli i Nefit vazhdoi të jetonte në tokën e Nefit por qenë të ndarë nga ata që ndoqën Lamanin dhe Lemuelin. Shumë vite më vonë, Zoti e urdhëroi një grup nefitësh të largoheshin nga toka e Nefit. Ky grup përfundimisht u vendos në një tokë të quajtur Zarahemla, e cila qe në veri të tokës së Nefit.

Disa breza më vonë, një burrë i quajtur Zenif udhëhoqi një grup nefitësh për në tokën e Nefit që të “zotëronin tokën e trashëgimit të tyre” (shih Omni 1:27–30). Zenifi kishte qenë pjesë e një grupi tjetër që nuk kishin arritur të siguronin tokë në atë zonë (shih Mosia 9:1–2). Ftojini studentët të vizatojnë një shigjetë nga Zarahemla për në tokën e Nefit dhe ta emërtojnë atë: “Grupi nefit i udhëhequr nga Zenifi”. Ky grup u largua nga Zarahemla rreth 80 vjet përpara se Mosia të bëhej mbret.

Ftojini studentët ta këqyrin sërish Mosian 7:1, për të parë se çfarë dëshironte të dinte Mosia. Pasi të raportojnë, ftojini të lexojnë Mosian 7:2–3 për të gjetur se çfarë bëri Mosia për të marrë përgjigje për pyetjen e tij. Kërkojuni studentëve që të vizatojnë një shigjetë të dytë nga Zarahemla për në tokën e Nefit, që përfaqëson udhëtimin e ekipi kërkimor të udhëhequr nga Amoni dhe ta emërtojnë atë në përputhje me këtë.

Pamja
udhëtimet te Mosia 7–24

Përmblidhni Mosian 7:4–11 duke shpjeguar që Amoni e gjeti qytetin ku banonin pasardhësit e popullit të Zenifit nën sundimin e nipit të Zenifit, Limhit. Limhi e pa grupin e Amonit jashtë mureve të qytetit. Duke menduar se ata ishin disa nga priftërinjtë e ligj të babait të tij të vdekur, Noeut, ai bëri që rojat e tij t’i arrestonin dhe t’i burgosnin (shih Mosia 21:23). Ai i mori në pyetje dy ditë më vonë. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 7:12–15, duke parë reagimin e Limhit kur mësoi se cili ishte Amoni dhe se nga ishte ai.

  • Përse qe aq i lumtur Limhi kur mësoi se Amoni qe nga toka e Zarahemlës?

Kthehuni sërish te fjala vajtoj në tabelë. Përmblidhni Mosian 7:16–19 duke shpjeguar se mbreti Limhi e mblodhi tok popullin e vet për t’iu paraqitur Amonin, për t’u folur për shkaqet e hidhërimit dhe të keqardhjes së tyre dhe për t’i ndihmuar që të dinin nga të drejtoheshin për të gjetur çlirim.

Shkruani në tabelë fjalën shkaqe nën përkufizimin e fjalës vajtoj. Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë me zë nga Mosia 7:20–28. Kërkojini klasës që të gjejë veprimet që Limhi i përcaktoi si shkaqet e vështirësive dhe brengës së popullit të tij. (Mund të jetë e dobishme t’u bëni të ditur studentëve që profeti i përmendur te Mosia 7:26 është Abinadi, i cili u dogj për vdekje gjatë mbretërimit të të atit të Limhit, Noeut.) Pasi të jenë lexuar vargjet, ftoni disa studentë të renditin në tabelë nën fjalën shkaqe atë që kanë zbuluar.

  • Cili duket të ketë qenë shkaku kryesor i brengës së këtij populli? (Paudhësia, ose mëkati.)

Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje Mosian 7:29–32. Ftojini që të zgjedhin një frazë që tregon se Limhi e kuptonte lidhjen mes mëkateve të popullit dhe brengës së popullit. (Mund t’ju duhet të shpjegoni se fjala byk i referohet copërave të mbetura pasi drithi është ndarë nga kërcejtë e grurit. Te Mosia 7:30, “korrë byk” do të thotë të marrësh diçka të padobishme.) Ftojini disa studentë të lexojnë dhe të shpjegojnë frazat që kanë zgjedhur.

  • Si mund të jetë e dobishme për ne njohja e pasojave të mëkateve tona?

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 7:33. Kërkojini klasës të gjejë se çfarë e nxiti Limhi popullin e vet që të bënte.

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga Limhi dhe populli i tij rreth ndikimit të pranimit të mëkateve tona dhe të ndierit të brengës për to? (Ndërsa studentët përcaktojnë të vërtetat nga ky kapitull, ndihmojini të kuptojnë se pranimi i mëkateve tona dhe të ndierit e brengës për to mund të na bëjnë të kthehemi te Zoti për çlirim. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, kërkojuni të përfytyrojnë sikur kanë një njeri të dashur i cili ndien keqardhje për mëkatet e tij apo të saj, dhe i cili dëshiron të pendohet dhe të kthehet te Zoti por nuk është i sigurt se si ta bëjë këtë. Dëshmoni se këshilla e Limhit për popullin e tij te Mosia 7:33 përmban çelësat për mposhtjen e brengës dhe keqardhjes që bashkëshoqërojnë mëkatin. Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Mosian 7:33, duke kërkuar fraza që do ta ndihmonin një person të mësonte se si “të kthehe[j] te Zoti”. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që t’i shenjojnë këto fraza.)

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftoni disa studentë të tregojnë frazat që u bëjnë përshtypje. Vëreni secilin student të shpjegojë kuptimin e frazës që ai apo ajo ka zgjedhur duke 1) hënë me fjalët e veta ose 2) e dhënë shembuj të veprimeve apo të qëndrimeve të një personi që po përpiqet të zbatojë parimin e shprehur nga fraza.

Kërkojuni studentëve të përsiaten nëse kanë mëkate për të cilat nuk janë penduar, që mund t’u shkaktojnë hidhërim e brengë atyre dhe personave që ata duan. Ftojini studentët të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Jepni dëshminë tuaj se ndërsa kthehemi te Zoti me të gjithë zemrën e mendjen tonë, Ai do të na çlirojë nga vajtimi që vjen prej mëkateve tona.

Mosia 8

Amoni mëson për 24 fletët e arit dhe i tregon Limhit për një shikues, i cili mund t’i përkthejë gdhendjet që ato përmbajnë

Kërkojuni dy studentëve të vijnë përpara klasës. Lidhjani sytë një studenti dhe pastaj vendosni libra, copa letrash ose objekte të tjera jo të rrezikshme mbi dysheme nëpër dhomë. Kërkojini studentit të dytë të japë udhëzime me fjalë për ta ndihmuar studentin e parë që ta kalojë dhomën pa prekur ndonjë nga objektet mbi dysheme. Pastaj kërkojini studentit të dytë të lidhë sytë. Vendosini ndryshe objektet në dysheme dhe kërkojini studentit të parë të japë udhëzime. Megjithatë, këtë herë, studenti me sytë e lidhur do t’i shpërfillë me qëllim udhëzimet. (Përpara fillimit të orës mësimore, fshehtas flisni me këtë student dhe kërkojini atij apo asaj që t’i shpërfillë udhëzimet.)

  • Çfarë vlere ka që të dëgjojmë dikë që mund të shohë gjëra që ne nuk mundemi t’i shikojmë?

Përmblidhni Mosian 8:5–12 duke shpjeguar që Limhi kishte dërguar një ekspeditë për të marrë ndihmë nga Zarahemla diçka përpara mbërritjes së Amonit. Grupi u end në vendin e shkretë dhe në vend që të gjenin Zarahemlën, ata gjetën mbetjet e një qytetërimi të shkatërruar. Aty ata zbuluan 24 fletë ari me gdhendje mbi to. (Ju mund të dëshironi të shpjegoni që gërmadhat e zbuluara nga populli i Limhit ishin gjithçka që kishte mbetur nga qytetërimi jaredit. Një anal i jareditëve, i marrë nga 24 fletët e arit, është përfshirë në Librin e Mormonit si libri i Ethërit.) Shtojani këtë udhëtim skicës në tabelë, siç tregohet tek ilustrimi në këtë faqe. Vërini studentët që t’ia shtojnë edhe skicave të tyre. Shpjegoni se mbreti Limhi dëshironte t’i kuptonte shkrimet që ishin gdhendur në 24 fletët. Ai e pyeti Amonin nëse njihte dikë që mund t’i përkthente ato.

Pamja
udhëtimet te Mosia 7–24

Ftojeni një student të lexojë përgjigjen e Amonit te Mosia 8:13–15. Kërkojini klasës të gjejë titullin që përdori Amoni për të treguar personin që kishte fuqi për të përkthyer anale të tilla. Kërkojuni studentëve që ta shqyrtojnë në heshtje Mosian 8:16–19, duke kërkuar për aftësitë e tjera të një shikuesi. Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë se çfarë kanë gjetur.

Shkruani thënien vijuese në tabelë: Zoti siguron profetë, shikues dhe zbulues në dobi të njerëzimit.

  • Sa shikues kemi sot në tokë? (pesëmbëdhjetë – anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.)

  • Çfarë janë disa gjëra që profetët, shikuesit dhe zbuluesit na bëjnë të ditur? (Nëse studentët e kanë të vështirë të përgjigjen, pyetini se çfarë na kanë bërë të ditur shikuesit rreth çështjeve të tilla si martesa e familja, arsimimi, argëtimi e media ose pastërtia seksuale.)

  • Si është bekuar jeta juaj nga profetët, shikuesit e zbuluesit e ditëve të sotme?

Ju mund të dëshironi t’u tregoni se si profetët, shikuesit e zbuluesit e kanë bekuar jetën tuaj. Ftojini studentët që të lexojnë e të përsiaten më vete mbi një fjalim të konferencës së kohëve të fundit nga një anëtar i Presidencës së Parë ose i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të ndjekin këshillën e atij fjalimi.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 1–29. Vështrim i përgjithshëm historik

Për një vështrim të përgjithshëm historik të librit të Mosias, shiheni hyrjen e librit të Mosias në këtë manual.

Mosia 8:16. “Një shikues është gjithashtu një zbulues dhe një profet”

Plaku Xhon A. Uitso, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi kuptimin e titullit “profet, shikues dhe zbulues”:

“Tre titujt e veçantë në titullin e përgjithshëm kanë shumë kuptim të ngjashëm në përdorimin popullor, prapëseprapë ka dallime mjaftueshëm të rëndësishme që përligjin përdorimin e tyre.

Një profet është mësues. Ky është kuptimi thelbësor i fjalës. Ai jep mësim tërësinë e së vërtetës, ungjillin, zbuluar njerëzve nga Zoti; dhe nën frymëzim e shpjegon atë në përputhje me të kuptuarit e njerëzve. Ai është një shpjegues i së vërtetës. Për më tepër, ai tregon se rruga drejt lumturisë njerëzore është përmes bindjes ndaj ligjeve të Perëndisë. Ai i thërret në pendim ata që largohen nga e vërteta. Ai bëhet luftëtar për përmbushjen e qëllimeve të Zotit lidhur me familjen njerëzore. Qëllimi i jetës së tij është që të përkrahë planin e shpëtimit të Zotit. Të gjithë këtë, ai e bën përmes komunikimit të ngushtë me Zotin, derisa të jetë ‘plot me forca të Frymës së Zotit’.Mikea 3:8; shih edhe DeB 20:26; 34:10; 43:16) …

Me kalimin e kohës fjala ‘profet’ ka marrë, ndoshta kryesisht, kuptimin e një njeriu që merr zbulesa dhe udhëzime nga Zoti. Puna kryesore e një profeti gabimisht është menduar se ka qenë të parathotë ngjarjet e ardhshme, të shqiptojë profeci, që është vetëm njëra nga disa funksionet profetike.

Në kuptimin që profeti është një njeri që merr zbulesa nga Zoti, titujt ‘shikues dhe zbulues’ thjesht e shumëfishojnë kuptimin më të madh e gjithëpërfshirës të titullit ‘profet’. Megjithatë, është e qartë se ka shumë urtësi te pohimi konkret i funksioneve të profetit si shikues dhe zbulues, siç bëhet në konferencat e Kishës.

Një profet gjithashtu merr zbulesa nga Zoti. Këto mund të jenë shpjegime të së vërtetës tashmë të marrë ose të të vërtetave të reja që nuk zotëroheshin më parë nga njeriu. Zbulesa të tilla gjithmonë i përmbahen pozicionit zyrtar që mban personi. Pozicionet më të ulëta nuk do të marrin zbulesa për ato më të larta.

Një shikues është person që sheh me sy shpirtërorë. Ai e percepton kuptimin e asaj që duket e paqartë për të tjerët; prandaj ai është një shpjegues dhe sqarues i së vërtetës së përjetshme. Ai e parasheh të ardhmen nga e shkuara dhe e tashmja. Këtë ai e bën përmes fuqisë së Zotit që vepron drejtpërdrejt përmes tij, ose tërthorazi me ndihmën e mjeteve hyjnore të tilla si Urimi dhe Thumimi. Shkurt, ai është një person i cili shikon, i cili ecën në dritën e Zotit me sytë hapur. (Libri i Mormonit, Mosia 8:15–17)

Një zbulues, me ndihmën e Zotit, bën të ditur diçka që më parë nuk dihej. Ajo mund të jetë një e vërtetë e re apo e harruar, ose një zbatim i ri apo i harruar i së vërtetës së ditur për nevojën e njeriut. Gjithmonë, zbuluesi merret me të vërtetën, një të vërtetë të caktuar (D. e B. 100:11) dhe ajo gjithmonë shoqërohet me vulën miratuese hyjnore. Zbulesa mund të merret në mënyra të ndryshme, por ajo gjithmonë nënkupton që zbuluesi ka jetuar dhe është sjellë në mënyrë të atillë që të jetë në përputhje ose në harmoni me shpirtin hyjnor të zbulesës, shpirtin e së vërtetës dhe si rrjedhim është në gjendje të marrë mesazhe hyjnore.

Duke e përmbledhur: Një profet është mësues i së vërtetës së njohur; një shikues është perceptues i së vërtetës së fshehur; një zbulues është mbartës i së vërtetës së re. Në kuptimin më të gjerë, ai që përdoret më gjerë, titulli profet, i përfshin titujt e tjerë dhe e bën profetin, një mësues, perceptues dhe mbartës të së vërtetës” (Evidences and Reconciliations, përshtat. G. er Durham, 3 vëll. në 1 [1960], f. 257–258; theksimi i shtuar).

Mosia 8:17. “Një shikues mund të dijë për gjërat … që do të ndodhin”

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një shembull të mënyrës se si profetët, shikuesit dhe zbuluesit e ditëve të mëvonshme kanë vepruar si shikues:

“Shkrimet e shenjta i krahasojnë profetët me ‘roja[t] në kullë’ të cilët e shikojnë ‘armikun, ndërsa ai [është] ende larg’ dhe që kanë ‘pa[rë] gjithashtu gjëra që ishin të padukshme për syrin natyror … [sepse] një shikues ka ngritur Zoti për popullin e tij’.

[Shumë vite më parë], Vëllezërit na paralajmëruan për shpërbërjen e familjes dhe na thanë të përgatiteshim. Nga Presidenca e Parë u paraqit mbrëmja familjare e përjavshme. Prindërve u janë dhënë materiale të mrekullueshme për të mësuar fëmijët e tyre, me një premtim që besnikët do të bekohen.

Ndërsa doktrinat dhe organizimi i zbuluar mbeten të pandryshuara, të gjitha nënndarjet e Kishës janë riorganizuar në lidhjen e tyre me njëra-tjetrën dhe me shtëpinë. … I gjithë programi mësimor i Kishës u rishikua – bazuar në shkrimet e shenjta. … Dhe u harxhuan vite në përgatitjen e botimeve të reja të Biblës, Librit të Mormonit, Doktrinës e Besëlidhjes dhe Perlës me Vlerë të Madhe.

Ne vetëm mund ta përfytyrojmë se ku do të ishim nëse do të reagonim pikërisht tani ndaj këtij ripërkufizimi të tmerrshëm të familjes. Por nuk ndodhi kështu. Ne nuk po shikojmë rrëmbimthi rreth e rrotull për të vendosur se çfarë të bëjmë. Ne e dimë çfarë të bëjmë dhe çfarë të japim mësim.

Drejtimi që ndjekim nuk është krijesë e jona. Plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë, na u zbulua dhe profetët e Apostujt vazhdojnë të marrin zbulesa ndërsa Kisha dhe anëtarët e saj kanë edhe më tepër nevojë” (“The Father and the Family”, Ensign, maj 1994, f. 20).

Shtyp në Letër