Biblioteka
Mësimi 67: Mosia 27


Mësimi 67

Mosia 27

Hyrje

Alma i Riu dhe bijtë e mbretit Mosia u rebeluan kundër etërve të tyre dhe Zotit, dhe u përpoqën të shkatërronin Kishën e Perëndisë. Përpjekjet e tyre morën fund kur një engjëll, i dërguar në përgjigje të lutjeve të të drejtëve, i thirri ata në pendim. Si rrjedhojë e kësaj përvoje të jashtëzakonshme, ata u lindën rishtas përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe udhëtuan anembanë tokës së Zarahemlës për të predikuar ungjillin dhe për të korrigjuar dëmtimet që kishin shkaktuar.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 27:1–22

Një engjëll e thërret Almën të Riun dhe bijtë e Mosias në pendim

Për të dhënë sfondin për këtë mësim, përmblidhni Mosian 27:1–7 duke shpjeguar që shumë prej jobesimtarëve në Zarahemla filluan të përndjekin ata që i përkisnin Kishës. Pasi mbreti Mosia nxori një shpallje duke ndaluar veprime të tilla, shumica e njerëzve u bindën dhe paqja u rikthye. Megjithatë, disa njerëz vazhduan të përpiqeshin ta shkatërronin Kishën. Pesë nga ata njerëz ishin biri i Almës, Alma, dhe bijtë e Mosias, Amoni, Aaroni, Omneri dhe Himni. Biri i Almës, Alma, shpesh është quajtur Alma i Riu.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 27:8–10. Kërkojini klasës të gjejë fjalët ose frazat që përshkruajnë Almën të Riun dhe bijtë e Mosias.

  • Cila pjesë nga përshkrimi i Almës dhe i bijve të Mosias ju bën më shumë përshtypje? Përse? (Renditini fjalët dhe frazat në tabelë ndërsa studentët i përcaktojnë ato. Lini hapësirë në tabelë për të krijuar një listë të dytë më vonë gjatë mësimit.)

Kërkojuni studentëve të përsiaten në heshtje për pyetjen vijuese:

  • Nëse do të kishit jetuar në Zarahemla në këtë kohë, si mendoni se do të kishit reaguar ndaj veprimeve të Almës dhe të bijve të Mosias?

Pamja
Conversion of Alma the Younger

Paraqitni figurën “Kthimi në Besim i Alma të Riut” (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 77). Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 27:11–13, që përbën ngjarjen e përvijuar në këtë figurë. Pastaj ftoni një student të lexojë me zë Mosian 27:14. Kërkojini klasës të shikojë arsyet që dha engjëlli për ardhjen e tij te Alma dhe bijtë e Mosias.

  • Çfarë na mëson ky varg rreth asaj se si mund t’i ndihmojmë të tjerët të cilët janë duke luftuar [me probleme]? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se Zoti u përgjigjet lutjeve tona besimplote për të tjerët. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë dhe të sugjeroni që studentët ta shkruajnë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Mosias 27:14. Gjithashtu mund të dëshironi të sugjeroni që të shtojnë si referencë-kryq Jakobin [Bibël] 5:16. Vini në dukje që Zoti u përgjigjet lutjeve tona jo vetëm për ata që po përpiqen shpirtërisht por edhe për ata që kanë lloje të tjera sfidash dhe nevojash.)

  • Kur kanë pasur ndikim ndryshues në jetën tuaj lutjet e dikujt tjetër?

  • Kur keni ndier që lutjet tuaja kanë pasur ndikim ndryshues në jetën e dikujt?

Nxitini studentët të vazhdojnë të luten për të tjerët. Dëshmoni që rrëfimi për Almën të Riun dhe për bijtë e Mosias është provë që Zoti i dëgjon lutjet tona të bëra për të tjerët. Ai nuk do të shkelë zgjedhjen e lirë të atyre për të cilët ne lutemi, por Ai do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do të përgjigjet në mënyrën e Tij dhe në kohën e Tij.

Ftoni një student të qëndrojë përpara klasës dhe të lexojë me zë Mosian 27:15–16. Shpjegoni që këto janë fjalët e engjëllit drejtuar Almës dhe bijve të Mosias. Theksoni që engjëlli foli “me një zë rrufeje që e bëri të dridhej tokën” ( Mosia 27:11).

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth asaj që bëri dhe tha engjëlli? Përse ju bën përshtypje?

Përmblidhni Mosian 27:19–22 duke shpjeguar që pasi engjëlli dha mesazhin e tij, Alma nuk mund të fliste, u bë i dobët dhe u mbart i pafuqishëm për tek i ati (shih Mosian 27:19). Kur babai i Almës dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, ai “u gëzua, pasi ai e dinte se qe fuqia e Perëndisë” (Mosia 27:20). Ai i mblodhi njerëzit “që të mund të dëshmonin se ç’kishte bërë Zoti për të birin” (Mosia 27:21). Ai gjithashtu bëri të mblidheshin priftërinjtë, dhe ata agjëruan e u lutën që biri i tij të mund ta rifitonte forcën dhe të ishte në gjendje të fliste (shih Mosian 27:22).

Mosia 27:23–31

Alma i Riu pendohet dhe lindet rishtas

Kthehuni te lista që përshkruan Almën dhe bijtë e Mosias, të cilën e shkruat në tabelë më përpara. Emërtojeni atë listë Përpara. Shkruani Më pas në anën tjetër të tabelës. Ftojini studentët të lexojnë Mosian 27:23–24, 28–29, duke kërkuar fjalët dhe frazat që tregojnë se si ndryshoi Alma. Jepuni disa studentëve mundësinë që t’i shkruajnë këto fjalë dhe fraza në tabelë.

  • Sipas Mosias 27:24 dhe 28, çfarë bëri Alma që çoi në këtë ndryshim? Çfarë bëri Zoti? Ndërsa kërkojmë të ndryshojmë dhe të ndjekim Shpëtimtarin, përse është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë? Përse është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë do të bëjë Zoti për ne?

  • Si mundet të mësuarit e përvojës së Almës të ndihmojë dikë që mendon se ai apo ajo nuk mund të marrë falje?

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 27:25–26. Kërkojini klasës të përcaktojë doktrinën që Zoti i mësoi Almës. (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që e kuptojnë se secili nga ne duhet të lindet rishtas përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

Shpjegoni që të lindesh rishtas do të thotë që Shpirti i Zotit të shkaktojë një ndryshim të madh në zemrën e një personi saqë personi nuk ka më dëshirë të bëjë keq por përkundrazi dëshiron të kërkojë gjërat e Perëndisë (shih Mosia 5:2).

Ju gjithashtu mund të dëshironi të shpjegoni që edhe pse ndryshimi i madh i zemrës me sa duket ndodhi shpejt për Almën dhe bijtë e Mosias, shumica prej nesh ndryshojnë më gradualisht përmes Shlyerjes. Është më tepër një proces sesa një ndodhi [e vetme]. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë doktrinë, ftoni njërin prej tyre të lexojë thënien në vijim nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Ne duhet të bëjmë kujdes që, ndërsa kërkojmë të bëhemi edhe më shumë të perëndishëm, të mos shkurajohemi e të humbasim shpresën. Të bërit si Krishti është një përpjekje [që zgjat] gjithë jetën dhe shumë shpesh përfshin rritje dhe ndryshim që është i ngadalshëm, pothuajse i padukshëm. Shkrimet e shenjta shënojnë rrëfime të mrekullueshme për njerëz jeta e të cilëve ndryshoi rrënjësisht, në një çast, siç ndodhi me: Almën të Riun, Palin në rrugën për Damask, Enosin duke u lutur deri natën vonë, mbretin Lamoni. Shembuj të tillë të mahnitshëm të fuqisë për të ndryshuar edhe ata që ishin zhytur në mëkat, japin besim se Shlyerja mund të arrijë edhe ata që janë në dëshpërimin më të thellë.

Por duhet të tregojmë maturi ndërsa i shtjellojmë këta shembuj të mrekullueshëm. Megjithëse janë të vërtetë dhe të fuqishëm, ata janë më shumë një përjashtim sesa diçka e zakonshme. Për çdo Pal, për çdo Enos dhe për çdo mbret Lamoni, ka qindra dhe mijëra njerëz për të cilët procesi i pendimit është shumë më i hollë, shumë më i padallueshëm. Ditë pas dite ata i afrohen më pranë Zotit, duke mos e kuptuar që janë duke ndërtuar një jetë të perëndishme. Ata bëjnë jetë të qeta mirësie, shërbimi dhe zotimi” (“A Mighty Change of Heart”, Ensign, tetor 1989, f. 5).

Pasi studentët të tregojnë se çfarë kanë mësuar nga kjo thënie, ftojini të kushtojnë disa minuta për t’iu përgjigjur njërës prej pyetjeve në vijim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara fillimit të orës mësimore, të përgatitni një fletushkë për shpërndarje me pyetje ose t’i lexoni pyetjet me ngadalë në mënyrë që studentët të mund t’i shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

  • Si keni ndryshuar përmes Shlyerjes ndërsa jeni penduar dhe keni bërë më të mirën për të ndjekur Shpëtimtarin?

  • Çfarë është një gjë që mund të bëni për të ardhur më plotësisht te Zoti në mënyrë që të mund të ndryshoheni përmes Shlyerjes?

Ftoni disa studentë të tregojnë atë që kanë shkruar dhe të flasin rreth ndryshimit që mund të ndodhë brenda nesh kur pendohemi dhe ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. (Kujtojuni studentëve që nuk nevojitet të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e brendshme.) Sigurohuni që e kuptojnë se nuk duhet të flasin rreth mëkateve të tyre të shkuara.)

Mosia 27:32–37

Alma i Riu dhe bijtë e Mosias udhëtojnë anembanë vendit, duke u përpjekur të ndreqin dëmtimet që kanë shkaktuar dhe të forcojnë Kishën

Shpjegoni që pendimi i vërtetë është ndryshim i zemrës, jo vetëm vendosmëria për të ndalur së bëri diçka të gabuar. Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 27:32–37. Kërkojini klasës të përcaktojë se çfarë bënë Alma dhe bijtë e Mosias që shkoi përtej thjesht ndalimit të të bërit të asaj që qe e gabuar.

  • Çfarë prove shikoni që Alma dhe bijtë e Mosias vërtet ndryshuan?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tyre?

Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijojnë:

Edhe ata që ngrenë krye kundër Zotit dhe mësimeve të Tij, mund të falen.

Që të pendohet vërtet, një person duhet të bëjë çdo gjë që është e mundshme për të ndrequr dëmin që ai ose ajo ka bërë. (Ju mund të shpjegoni që ndonjëherë përdorim fjalën dëmshpërblim për t’iu referuar veprimit të ndreqjes së dëmit që është bërë dhe të korrigjimit të zgjedhjeve tona të pamatura.)

Përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të ndryshohemi në një gjendje drejtësie.

Përmbylleni duke dëshmuar që rrëfimi i Almës dhe i bijve të Mosias është një shembull i fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit për të na ndryshuar. Dëshmoni rreth dëshirës së Shpëtimtarit për t’i falur të gjithë ata që, si këta të rinj, ushtrojnë besim tek Ai dhe kërkojnë ta ndjekin Atë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 27:25 I lindur rishtas

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi procesin e lindjes rishtas:

“Ne e fillojmë procesin e lindjes rishtas nëpërmjet ushtrimit të besimit te Krishti, pendimit për mëkatet tona dhe pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve, realizuar nga një njeri që ka autoritetin e priftërisë.

… Pasi dalim nga uji i pagëzimit, qenia jonë e ka të nevojshme të zhytet e të ngopet vazhdimisht me të vërtetën dhe dritën e ungjillit të Shpëtimtarit. Një kredhje e rastit dhe e përciptë në doktrinën e Krishtit dhe pjesëmarrja e pjesshme në Kishën e tij të rivendosur, nuk mund të sjellë shndërrimin shpirtëror që të bën të aftë për të ecur në risinë e jetës. Më tepër se aq, kërkohet besnikëri në besëlidhje, qëndrueshmëri në zotim dhe ofrim ndaj Perëndisë me gjithë shpirt, nëse do t’i marrim bekimet e përjetësisë.

Zhytja e gjithanshme dhe ngopja me ungjillin e Shpëtimtarit janë hapa themelorë në procesin e lindjes rishtas” (“Ye Must Be Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 21; “Duhet Të Lindni Sërish”, Konferenca e Përgjithshme prill 2007 [nr. i artikullit 02368 101], f. 21).

Plaku Brus R. Mek-Konki, gjithashtu i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Ne lindemi rishtas kur vdesim për sa i përket padrejtësisë dhe kur jetojmë për sa i përket gjërave të Shpirtit. Por kjo nuk ndodh menjëherë, papritmas. Ky … është një proces. Të rilindesh është një gjë graduale, me përjashtim të disa rasteve të veçuara të cilat janë aq të mrekullueshme sa shkruhen në shkrimet e shenjta. Për sa u përket anëtarëve të Kishës në përgjithësi, ne lindemi rishtas hap pas hapi dhe lindemi rishtas te drita më e madhe dhe te njohuria më e madhe dhe te dëshira më të mëdha për drejtësi ndërsa mbajmë urdhërimet.

Si anëtarë të Kishës, nëse planifikojmë një drejtim që çon te jeta e përjetshme; nëse i fillojmë proceset e rilindjes shpirtërore dhe shkojmë në drejtimin e duhur; nëse planifikojmë drejtimin e shenjtërimit të shpirtrave tanë dhe hap pas hapi shkojmë në atë drejtim; nëse hartojmë drejtimin e bërjes të përsosur dhe, hap pas hapi dhe etapë pas etape, i përsosim shpirtrat tanë duke e mposhtur botën, atëherë është krejt e sigurt – nuk vihet asfare në dyshim – që ne do të marrim jetën e përjetshme. Edhe pse kemi rilindjen shpirtërore përpara nesh, përsosmërinë përpara nesh, shkallën e plotë të shenjtërimit përpara nesh, nëse planifikojmë një drejtim dhe e ndjekim atë me shkallën më të lartë të aftësisë sonë në këtë jetë, atëherë kur të ikim nga kjo jetë ne do të vazhdojmë pikërisht në po atë drejtim” (“Jesus Christ and Him Crucified”, Brigham Young University 1976 Speeches, 5 shtator 1976, f. 5–6, speeches.byu.edu).

Shtyp në Letër