Mësimi i Studimit në Shtëpi
Veprat e Apostujve 6–12 (Njësia 18)
Hyrje
Perëndia i zbuloi Pjetrit nëpërmjet një vegimi se ungjilli duhet të predikohet te johebrenjtë. Pjetri ia dha mësim ungjillin Kornelit dhe familjes së tij dhe më vonë sheshoi grindjen mes shenjtorëve judeas rreth predikimit të ungjillit te johebrenjtë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 10
Perëndia i zbulon Pjetrit në një vegim se ungjilli duhet të predikohet te johebrenjtë
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok ose shoqe pyet: “Dëgjova se në vitin 1978 kisha jote e ndryshoi pozitën e saj për t’i lejuar të gjithë burrat që të merrnin priftërinë pavarësisht nga raca. Nëse beson që kisha jote drejtohet nga Perëndia dhe Perëndia është një qenie e pandryshueshme, si është e mundur kjo?”
Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se si do t’i përgjigjeshin këtij shoku ose kësaj shoqeje. (Shënim: Sigurohuni që studentët t’i përgjigjen pyetjes së ndryshimit të praktikës së Kishës në vend që të spekulojnë mbi arsyet e mundshme për kufizimin e priftërisë. Gjithashtu, gjatë diskutimit tuaj, mos spekuloni rreth arsyeve përse ishte vendosur kufizimi i priftërisë, pasi këto arsye nuk janë zbuluar [shih Deklarata Zyrtare 2].)
Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 10 të kërkojnë të vërteta të cilat mund t’i ndihmojnë ata t’u përgjigjen pyetjeve rreth mënyrës se si Zoti e udhëheq, udhëzon, ndryshon dhe drejton Kishën e Tij.
Shpjegoni se deri në këtë pikë në kohët e Dhiatës së Re, ungjilli u ishte predikuar, me pak përjashtime, vetëm judenjve sikurse u udhëzua nga Shpëtimtari (shih Mateu 10:5–6). Megjithatë, te Veprat e Apostujve 10 ne lexojmë rreth një ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën se si vepronte Kisha.
Ftojini studentët ta përmbledhin atë që mësuan nga studimet e tyre rreth një johebreu të quajtur Kornel. (Ai ishte një oficer në ushtrinë romake. Ai dhe familja e tij ishin besimtarë dhe njerëz që i druheshin Perëndisë. Si johebre, ai nuk mund të bashkohej me Kishën e Krishtit pa u kthyer fillimisht në besimin e judaizmit.)
Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:3–8 duke shpjeguar se si rrjedhojë e besnikërisë së Kornelit, një engjëll iu shfaq atij dhe e udhëzoi të dërgonte njerëz në Jopë për të gjetur Pjetrin. Ndërkohë që shërbëtorët e Kornelit udhëtonin për në Jopë, Pjetri pati një vegim mbresëlënës teksa qëndronte në shtëpinë e një burri të quajtur Simon.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 10:9–16. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri pa në vegim. (Për llojshmëri, ju mund të doni t’i jepni secilit student një fletë letre për një veprimtari vizatimi. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 10:9–16 dhe të vizatojnë një figurë të vegimit të Pjetrit sikurse përshkruhet në këto vargje. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’i përdorin figurat e tyre që t’i shpjegojnë një shoku ose shoqeje të klasës atë që ndodhi në vegimin e Pjetrit.) Pas ndonjërës prej këtyre veprimtarive, pyetini:
Në vegim, çfarë u urdhërua të hante Pjetri?
Sipas vargut 14, cili ishte reagimi fillestar i Pjetrit ndaj këtij urdhërimi? (Shpjegoni se sipas ligjit të Moisiut, judenjtë ndaloheshin të hanin mishin e kafshëve që përcaktoheshin si të papastra ose të ndotura [shih Levitiku 11].)
Sipas Veprave të Apostujve 10:15, çfarë tha Zoti rreth kafshëve të papastra që Ai e kishte urdhëruar Pjetrin t’i hante?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:17–28 duke shpjeguar që Pjetri nuk e kuptoi fillimisht domethënien e vegimit të tij. Teksa po e përsiaste atë, shërbëtorët e Kornelit mbërritën dhe i treguan Pjetrit rreth vegimit të Kornelit. Të nesërmen, Pjetri dhe dishepuj të tjerë i shoqëruan ata për të parë Kornelin. Pavarësisht nga fakti që shumica e judenjve e konsideronin të paligjshme të shoqëroheshin me një johebre ose të vizitonin një johebre, Pjetri hyri në shtëpinë e Kornelit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen që dha Pjetri për shoqërimin me një johebre ose për ta vizituar një johebre.
Çfarë arsyeje dha Pjetri për shoqërimin me një johebre ose për ta vizituar një johebre?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:29–33 duke shpjeguar se Korneli i tregoi Pjetrit rreth vegimit të tij. Korneli i kishte mbledhur familjen dhe miqtë e tij me qëllim që Pjetri të mund t’u jepte atyre mësim.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:34–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri mësoi.
Si do ta përmblidhnit atë që mësoi Pjetri? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se, edhe pse Perëndia nuk i përkrah njerëzit në bazë të dallimeve të tilla si kombësia apo pozita shoqërore, Ai i gjykon të gjithë njerëzit nga veprat e tyre dhe i bekon ata që i binden Atij. Ju gjithashtu mund të gjeni artikullin “Race and the Church: All Are Alike unto God” [“Raca dhe Kisha: Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë”] [mormonnewsroom.org/article/race-church] helpful.)
Përmblidhni Veprat e Apostujve 10:36–43 duke shpjeguar që Pjetri i dha mësim Kornelit dhe familjes së tij rreth Jezu Krishtit dhe veprave të Tij të mira, Kryqëzimit dhe Ringjalljes. Pjetri dëshmoi se ata që besojnë në Jezu Krisht, do të marrin një heqje të mëkateve të tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 10:44–48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ndikimin që patën mbi këta johebrenj mësimet e dhëna nga Pjetri. Shpjegoni se fraza “që ishin të rrethprerë” në vargun 45 i drejtohet dishepujve judeas që kishin ardhur me Pjetrin nga Jopa.
Sipas vargjeve 44–46, çfarë ndikimi patën mësimet e dhëna nga Pjetri mbi familjen e Kornelit? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “dhurata e Frymës së Shenjtë” në vargun 45 i drejtohet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që kishte ardhur mbi këta johebrenj. Kjo është e ndryshme nga dhurata e Frymës së Shenjtë, të cilën e marrim nëpërmjet ordinancës së konfirmimit pas pagëzimit [shih Veprat e Apostujve 8:14–17; Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 101].)
Përse u mrekulluan judenjtë që ishin të pranishëm për këtë rast?
Nëpërmjet përvojave të Pjetrit të shënuara te Veprat e Apostujve 10, çfarë i zbuloi Zoti atij rreth johebrenjve?
Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë doktrina që mund t’i mësojmë nga Veprat e Apostujve 10, ndajini ata në grupe me dy ose tri veta. Jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese ose shkruajini këto pyetje në tabelë. Ftojini studentët të punojnë me grupet e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të vijnë te tabela për të shkruar të vërtetat që i përcaktuan grupet e tyre. Sigurohuni që të vërtetat vijuese pasqyrohen në atë që ata shkruajnë:
Perëndia e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetit të Tij, Apostullit me më shumë kohë në detyrë.
Ne mund të marrim zbulesë dhe kuptueshmëri dalëngadalë kur i bindemi Zotit.
Perëndia mund t’i ndryshojë udhëzimet ose t’u shtojë udhëzimeve që Ai ka dhënë në të shkuarën, në përputhje me urtësinë e Tij dhe nevojat e fëmijëve të Tij.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrën se si e vërteta e tretë që përcaktuan, pasqyrohet në thënien e Plakut Kristoferson:
“Me anë të kësaj përvoje dhe zbulese ndaj Pjetrit, Zoti i ndryshoi praktikat e Kishës dhe u zbuloi dishepujve të tij një kuptueshmëri më të plotë të doktrinës së shpëtimit. Dhe kështu predikimi i ungjillit u zgjerua për të përfshirë të gjithë njerëzimin” (“Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 88).
Jepuni studentëve kohë të rishikojnë atë që shkruan rreth mënyrës se si do t’i përgjigjeshin pyetjes së shokut ose shoqes së tyre rreth ndryshimit të një praktike të Kishës. Nxitini ata të shkruajnë ide shtesë që i fituan teksa studionin Veprat e Apostujve 10 dhe lejojini t’ia tregojnë këto ide klasës.
Mund t’ju nevojitet të vini në dukje se, edhe pse Perëndia mund t’i ndryshojë praktikat e Kishës dhe ta shtojë kuptueshmërinë tonë doktrinore nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme (shih Nenet e Besimit 1:9), natyra hyjnore, vetitë, besëlidhjet, doktrinat dhe plani i Tij nuk ndryshojnë kurrë. Njohja e kësaj mund të na ndihmojë të kemi besim në Perëndi dhe vetëbesim se Ai do ta udhëheqë Kishën e Tij sipas vullnetit të Tij dhe nevojave të fëmijëve të Tij.
Mbylleni duke i ftuar studentët të japin dëshmitë e tyre për të vërtetat që mësuan.
Njësia Tjetër (Veprat e Apostujve 13–19)
Ftojini studentët të kërkojnë dhe të marrin parasysh përgjigjet për pyetjet vijuese gjatë studimit të tyre të Veprave të Apostujve 13–19: Çfarë i bëri Pali Elimas magjistarit? Si mendoni se do të reagonit nëse ju besoheshit se ishit një perëndi? Përse Pali dhe Barnaba u mbajtën si perëndi? Në ç’mënyrë u përgjigjën ata? Cili ishte problemi midis anëtarëve të Kishës lidhur me rrethprerjen dhe përse kjo çështje kishte nevojë të çohej përpara Apostujve? Cili ishte vendimi i tyre? Kur Pali vizitoi athinasit ai predikoi nga Areopagu rreth perëndisë së panjohur. Çfarë u mësoi ai njerëzve?