Mësimi i Studimit në Shtëpi
Marku 10–Lluka 4 (Njësia 9)
Hyrje
Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë pak nga ajo që vuajti Jezu Krishti si pjesë e Shlyerjes së Tij. Përveç kësaj, studentët do të arrijnë të kuptojnë disa nga arsyet përse Shpëtimtari vuajti për ne.
Sugjerime për Mësimdhënien
Marku 14:10–16:20
Jezusi e fillon Shlyerjen e Tij kur Ai vuan në Gjetseman për mëkatet tona; Ai tradhtohet nga Judë Iskarioti dhe sillet përpara udhëheqësve judenj
Kërkojuni studentëve të përsiatin në heshtje rreth pyetjeve vijuese:
A keni ndier ndonjëherë se askush nuk ju kupton ju ose atë që po kaloni?
A keni ndier ndonjëherë se nuk mund të faleni për mëkatet tuaja të kaluara?
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 14, të kërkojnë të vërteta të cilat mund ta ndihmojnë dikë që mund t’i ketë këto ndjenja.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 14:32–34. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si u ndie Shpëtimtari në kopshtin e Gjetsemanit.
Si u ndie Shpëtimtari në kopshtin e Gjetsemanit?
Pasi studentët të përgjigjen, shkruani frazat vijuese në tabelë: e zuri frika, ankthi, thellësisht i trishtuar.
Shpjegoni se këto fraza i referohen vuajtjes që Jezu Krishti përjetoi si pjesë e Shlyerjes së Tij.
Çfarë na mësojnë këto fraza rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezusi vuajti dhe u trishtua në kopshtin e Gjetsemanit.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë doktrinë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Nil L. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Në Gjetseman, Jezusi i përvuajtur filloi të kishte ‘frik[ë]’ (Marku 14:33), ose në greqisht, të ishte ‘i tmerruar’ dhe ‘i befasuar’.
Përfytyroni Jehovain, Krijuesin e kësaj bote dhe të botëve të tjera, ‘i befasuar’! … Ai nuk e kishte provuar kurrë më parë personalisht procesin e hidhur dhe të vështirë të një shlyerjeje. Kështu, kur agonia arriti kulmin e saj, ajo ishte kaq e madhe, shumë më e madhe nga sa Ai, madje me intelektin e tij të pashoq, e kishte përfytyruar ndonjëherë! Nuk është çudi që u shfaq një engjëll për t’i dhënë forcë Atij! (Shih Lluka 22:43.)
Pesha e grumbulluar e të gjitha mëkateve tokësore – të kaluara, të tashme e të ardhshme – rëndoi mbi atë Shpirt të përsosur, të pamëkat e të ndjeshëm! Të gjitha dobësitë dhe sëmundjet tona janë gjithashtu, në një farë mënyre, një pjesë e asaj aritmetike të tmerrshme të Shlyerjes. (Shih Alma 7:11–12; Isaia 53:3–5; Mateu 8:17.) …
Në këtë moment kulmor, mos ndoshta Ai shpresonte për një dash shpëtues në kaçube? Nuk e di. Vuajtja e Tij – ashtu siç ishte, e pamasë e shumëzuar me pafundësi – shkaktoi klithmën e Tij pasuese që i doli nga shpirti në kryq dhe ishte një klithmë braktisjeje. (Shih Mateu 27:46.) …
Shlyerja e mrekullueshme dhe e lavdishme ishte veprimi kryesor i gjithë historisë njerëzore. Ishte faktori përcaktues nga i cili varej gjithçka tjetër që kishte rëndësi. Por varej nga nënshtrimi shpirtëror i Jezusit!” (“Willing to Submit”, Ensign, maj 1985, f. 72–73).
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 14:35–42. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari për shkak të vuajtjes së Tij të madhe.
Çfarë bëri Shpëtimtari për shkak të vuajtjes së Tij të madhe? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se vuajtja e Jezusit ishte kaq e madhe saqë Ai pyeti nëse ishte e mundur që Ai të mos e provonte atë.)
Shkruajini frazën vijuese në tabelë: Jezu Krishti vuajti … kështu që Ai …
Shpjegoni se fragmente të tjera të shkrimit të shenjtë mund të na ndihmojnë të kuptojmë vuajtjen e Jezu Krishtit dhe përse Ai do të ishte i gatshëm të vuante për ne.
Shkruajini referencat vijuese në tabelë: Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–13. Ndajini studentët në dyshe dhe ftojini ata që t’i lexojnë vargjet së bashku, për të parë atë që vuajti Shpëtimtari dhe arsyen përse Ai vuajti. Kërkojini studentëve të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta mënyrën se si do ta plotësonin frazën e shkruar në tabelë, duke përdorur atë që mësuan te Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–13. (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala ndihmoj te Alma 7:12 do të thotë të nxitosh të japësh lehtësim ose t’i shkosh në ndihmë dikujt.)
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të raportojnë se si e plotësuan frazën. Përgjigjet e tyre duhet të jenë të ngjashme me sa vijon: Jezu Krishti vuajti dhembjet, vuajtjet, tundimet, sëmundjet, dobësitë dhe pikëllimet tona, kështu që Ai do të dinte se si të na ndihmonte. Jezu Krishti vuajti për mëkatet tona, kështu që Ai të mund t’i fshijë shkeljet tona. Kujtojuni studentëve se vuajtja e Shpëtimtarit për mëkatet e njerëzimit filloi në Gjetseman dhe vazhdoi e kulmoi me Kryqëzimin e Tij në kryq.
Si mund t’ju ndihmojë njohuria e asaj që vuajti Shpëtimtari dhe e arsyes përse Ai vuajti, të përballeni me sprovat, dhembjet dhe vuajtjet tuaja? (Shih DeB 45:3–5.)
Kur e keni ndier që Zoti ju ka ndihmuar në një rast dhembjeje, sëmundjeje ose trishtimi?
Çfarë ndjenjash keni përjetuar kur jeni penduar dhe i keni ndier mëkatet tuaja të fshihen (ose të hiqen) nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?
Përmblidheni Markun 14:43–16:20, duke shpjeguar se Jezusi u çua në një gjyq të paligjshëm përpara sinedrit (udhëheqësve judenj) dhe u dënua me vdekje. Pasi Shpëtimtari vdiq në kryq dhe u ringjall, Ai iu shfaq Apostujve të Tij dhe i dërgoi ata që të predikonin, duke u premtuar atyre se shenja do t’i ndiqnin ata që besojnë. (Shënim: Vdekja, varrosja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit u përfshinë më herët me hollësi kur studentët mësuan mbi Mateun 27–28.)
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Markun 16:15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar porosinë që Zoti i dha Apostujve të Tij.
Si mund të ndihmoni ju që ta përmbushni porosinë për t’ia predikuar ungjillin “mbarë botë[s]” sot dhe në të ardhmen?
Ju mund të doni të përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar sot.
Njësia Tjetër (Lluka 5:1–10:37)
Kërkojuni studentëve të përsiatin në qoftë se e kanë pyetur veten ndonjëherë nëse mund të falen për mëkatet e tyre. Shpjegoni që kur të studiojnë Llukën 5:1–10:37 javës që vjen, ata do të mësojnë rreth gatishmërisë së Shpëtimtarit për t’i falur mëkatet e tyre dhe atë që mund të bëjnë ata për t’u falur.