Biblioteka
Mësimi 114: 2 Korintasve 4–5


Mësimi 114

2 Korintasve 4–5

Hyrje

Në letrën e tij drejtuar shenjtorëve në Korint, Pali dha mësim se sprovat dhe vuajtjet e kësaj jete janë të përkohshme dhe të vogla në krahasim me bekimet e përjetësisë. Ai u dha gjithashtu mësim shenjtorëve rreth Gjykimit dhe dëshmoi se Jezu Krishti bëri të mundur që ne të pajtohemi me Perëndinë.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Korintasve 4

Pali dëshmon që edhe pse vuan, ai nuk është i frikësuar apo i shqetësuar

Paraqitni figurën 1.

Pamja
një burrë duke shtyrë një burrë tjetër
  • Çfarë portretizon kjo figurë?

  • Çfarë mund të mendojë personi që po shtyhet rreth personit që po e shtyn atë?

Paraqitni figurën 2.

Pamja
një burrë duke e shtyrë një burrë tjetër nga rruga ku po vjen një makinë
  • Në ç’mënyrë të shikuarit e figurës së parë në një kontekst më të gjerë e ndryshon gjykimin tuaj për atë që portretizon?

Shpjegoni se Pali u shkroi shenjtorëve korintas që t’i ndihmonte ata të shihnin kontekstin e gjerë të mundimeve të tyre. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 4, të kërkojnë të vërtetat që Pali u mësoi shenjtorëve rreth mundimeve të tyre.

Përmblidheni 2 Korintasve 4:1–7, duke shpjeguar që Pali i siguroi shenjtorët se ai ua kishte predikuar me vërtetësi ungjillin atyre. Ai dha mësim se Satani, “perëndia i këtij shekulli” (vargu 4), punon për t’i penguar njerëzit që të mos e pranojnë ungjillin. Pali e krahasoi veten e tij dhe bashkëshërbestarët e tij me enët prej balte që mbajnë “thesar[in]” e “[dritës] [së] njohuri[s]ë [së] lavdisë së Perëndisë” (vargjet 6–7).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 4:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Pali sfidat e punës së tij misionare.

  • Si i përshkroi Pali sfidat e punës së tij misionare?

  • Çfarë frazash përdori Pali për të përshkruar mënyrën se si reagoi ai ndaj këtyre sfidave?

  • Si mendoni ju, përse Pali mundi të ruante një qëndrim pozitiv ndërkohë që i përjetonte këto sfida?

Përmblidheni 2 Korintasve 4:11–14, duke shpjeguar se Pali dha mësim që edhe pse disa njerëz do të vdisnin për ungjillin e Jezu Krishtit, vdekja e tyre do të ishte e përkohshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 4:14–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë dinte Pali që e ndihmoi të përballonte sprovat dhe përndjekjen.

  • Çfarë dinte Pali që e ndihmoi atë të përballonte sprovat dhe përndjekjen?

  • Çfarë do të thotë fraza “edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë” (vargu 16)? (Edhe pse Pali dhe shokët e tij do të vdisnin fizikisht, shpirti i tyre po forcohej çdo ditë.)

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni çdo dyshe që të lexojnë me zë të lartë së bashku 2 Korintasve 4:17–18, duke kërkuar të vërtetat që Pali u mësoi shenjtorëve rreth sprovave dhe vuajtjeve. Kërkojini secilës dyshe që të punojnë së bashku për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ju mund të doni t’ia jepni pyetjet në një fletushkë ose shkruajini ato në tabelë:

Pamja
fletushkë

2 Korintasve 4:17–18

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re– Mësimi 114

  1. Çfarë të vërtetash u mësoi Pali shenjtorëve rreth sprovave dhe vuajtjeve?

  2. Përse është e rëndësishme që t’i shohim vuajtjet tona në një kontekst më të gjerë të planit të Atit Qiellor?

  3. Kur e keni parë dikë të qëndrojë i fortë gjatë sprovave ngaqë i pa vuajtjet e tij në një kontekst më të gjerë të planit të Atit Qiellor?

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjen e parë në tabelë. Studentët mund të shkruajnë disa të vërteta të mundshme, duke përfshirë sa vijon: Sprovat dhe vuajtjet tona në këtë jetë janë të vogla krahasuar me bekimet dhe rritjen e përjetshme që vjen kur ne i durojmë ato besnikërisht. Për shkak se vuajtjet e përkohshme mund të sjellin rritje dhe lavdi të përjetshme, ne nuk duhet të dëshpërohemi në kohë shqetësimesh. Vuajtjet tona e kanë një qëllim të përjetshëm, edhe kur ne nuk mund ta shohim atë në vdekshmëri.

Ftojini disa studentë që të raportojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e dytë. Pasi të raportojnë, merrni parasysh të bëni pyetje që ndjekin ecurinë, të tilla si ato në vijim:

  • Në ç’mënyra mund të sjellin rritje sprovat dhe vuajtjet tona?

  • Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave për t’i duruar me besnikëri sprovat dhe vuajtjet?

Ftojini disa studentë që të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e tretë. Merreni parasysh të tregoni një nga përvojat tuaja vetjake.

2 Korintasve 5

Pali u jep mësim shenjtorëve rreth Gjykimit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit

Jepini çdo studenti një fletë letre. Kërkojini secilit prej tyre që ta palosë fletën përgjysmë dhe ta shkruajë emrin e tij ose të saj në njërën gjysmë të fletës dhe Ati Qiellor në gjysmën tjetër. Shpjegoni se kur ne erdhëm në tokë, ne u larguam nga prania e Atit Qiellor. Ftojini studentët që t’i grisin fletët e tyre përgjysmë dhe t’i mbajnë të dyja gjysmat të ndara.

  • Si mund ta përfaqësojë fleta e grisur atë që ndodhi kur ne u larguam nga prania e Atit Qiellor dhe erdhëm në tokë për të përjetuar vdekshmërinë?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 5, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë të kuptojnë atë që duhet të bëjmë ne me qëllim që të kthehemi në praninë e Atit Qiellor.

Përmblidheni 2 Korintasve 5:1–6, duke shpjeguar se Pali e pranoi që ndonëse në vdekshmëri ne jemi të ndarë nga Perëndia dhe në fund do të vdesim, ne do të ringjallemi dhe do të jetojmë sërish.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Korintasve 5:6–7, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve se duhet të bënin, duke e ditur se ata ishin të ndarë nga Perëndia në vdekshmëri.

  • Çfarë të vërtete dha mësim Pali rreth ndarjes sonë nga Perëndia në vdekshmëri? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Për shkak se jemi të ndarë nga Perëndia në vdekshmëri, ne duhet të ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit. Ftojeni çdo student/e që ta shkruajë këtë të vërtetë në gjysmën e fletës ku ndodhet emri e tij apo i saj.)

  • Çfarë do të thotë të “ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”? (vargu 7).

  • Cilët janë disa shembuj të situatave ose vendimeve që ju mund të hasni, që do t’ju kërkonin të ecnit nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë. Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë ndjekjen e standardeve të Kishës, vendimin për të shërbyer në një mision ose tregimin e dëshmive të tyre.)

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur ata (ose dikush që ata e njohin) ecën nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit. U kërkoni disave prej tyre që t’i tregojnë përvojat e tyre.

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim një situatë ose vendim me të cilin po përballen aktualisht ku e kanë të vështirë të ecin nëpërmjet besimit. Nxitini ata që të ecin nëpërmjet besimit në atë situatë dhe në të gjitha situatat.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 5:8–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Pali se duhet të bëjmë ndërkohë që jemi të ndarë nga Perëndia në vdekshmëri.

  • Sipas vargut 9, çfarë tha Pali se duhet të bëjmë ndërkohë që jemi të ndarë nga Perëndia në vdekshmëri?

  • Bazuar te mësimet e Palit të shënuara në vargun 10, çfarë të vërtete mund të mësojmë rreth arsyes përse ne duhet të punojmë që të bëjmë vepra të mira në këtë jetë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Secili prej nesh do të gjykohet nga Jezu Krishti sipas asaj që ka bërë në vdekshmëri. Ftojini studentët të marrin parasysh që t’i shenjojnë frazat në vargun 10 që e japin mësim këtë të vërtetë.)

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim ndryshimet që atyre mund t’u duhet të bëjnë që të përgatiten për kohën kur ata do të gjykohen nga Jezu Krishti. Nxitini ata të ndjekin çdo mbresë që mund të marrin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 5:15–16. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron vargun 16: “Prandaj tash e tutje ne nuk jetojmë më sipas mishit; po, edhe pse dikur jetonim sipas mishit, prapëseprapë, qëkurse kemi njohur Krishtin, tash e tutje ne nuk jetojmë sipas mishit”. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezu Krishti për ne që të mund të kthehemi në praninë e Atit Qiellor.

  • Sipas vargut 15, çfarë bëri Jezu Krishti që të na ndihmonte të ktheheshim tek Ati Qiellor?

  • Sipas vargjeve 15–16, çfarë bëjnë besimtarët për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Besimtarët jetojnë një jetë të përqendruar te Krishti dhe nuk i ndjekin mënyrat e botës ose nuk i nënshtrohen mishit. Ftojeni secilin student që ta shkruajë këtë thënie në gjysmën e fletës ku ndodhet emri i tij apo i saj.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 5:17–19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Shlyerja e Jezu Krishtit mund t’i ndihmojë shenjtorët të kthehen në praninë e Atit Qiellor.

  • Si mund të na ndihmojë Shlyerja e Jezu Krishtit të kthehemi në praninë e Atit Qiellor? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi krijesa të reja dhe të pajtohemi me Perëndinë. Ftojini studentët që ta shkruajnë këtë të vërtetë në gjysmën e fletës ku ka të shkruar “Ati Qiellor”.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të bëhesh “një krijesë e re”? (vargu 17).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 27:23–26, duke kërkuar çdo hollësi shtesë rreth asaj që do të thotë të bëhesh një krijesë e re. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që gjetën.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të mbajë vesh për shpjegimin e tij rreth mënyrës se si ne mund të bëhemi krijesa te reja.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit përfshin një ndryshim themelor e të qëndrueshëm në vetë natyrën tonë që u bë i mundur përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit. Kthimi i vërtetë në besim sjell një ndryshim në bindjet, zemrën dhe jetën e dikujt për ta pranuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 3:19; 3 Nefi 9:20) dhe përfshin një zotim të ndërgjegjshëm për t’u bërë një dishepull i Krishtit.

… Kur i respektojmë ordinancat dhe besëlidhjet e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih DeB 20:25), ‘shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht’ (2 Nefi 31:20) dhe durojmë me besim deri në fund (shih DeB 14:7), ne bëhemi krijesa të reja në Krisht (shih 2 Korintasve 5:17)” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 107).

Ftojeni secilin student që t’i bashkojë të dy gjysmat e fletës. Shpjegoni se të pajtohesh do të thotë të përngjitësh njëra me tjetrën dy pjesë që më parë ishin të ndara. Për shkak të rënies së Adamit si edhe të vetë mëkateve tona, ne bëhemi të ndarë shpirtërisht nga Ati ynë Qiellor. Jezu Krishti ofron, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, që të na pajtojë me Atin dhe të përtërijë marrëdhënien tonë me Të.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 5:20–21. Vëreni klasën të kërkojë atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin.

  • Çfarë u këshilloi Pali shenjtorëve në Korint të bënin?

  • Çfarë dha mësim Pali rreth Jezu Krishtit ashtu siç shënohet në vargun 21? (Edhe pse Jezu Krishti qe pa mëkat, Ai vuajti për mëkatet tona në mënyrë që të mund të bëheshim të drejtë.)

Dëshmoni për të vërtetat që studentët përcaktuan në këtë mësim. Kërkojuni studentëve të rishikojnë listën e të vërtetave që hodhën në letër dhe të marrin parasysh atë që duhet të bëjnë për t’u pajtuar ose për të qëndruar të pajtuar me Perëndinë. Nxitini ata të ndjekin çdo mbresë që mund të marrin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Korintasve 4:5–10. “Të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund”

Gjatë një kohe të vështirë, Xhorxh A. Smithi, Këshilltari i Parë i Brigam Jangut, mori një këshillë nga kushëriri i tij, Profeti Jozef Smith, që ishte e ngjashme me mësimet e Palit drejtuar shenjtorëve korintas:

“Ai më tha se unë kurrë nuk duhet ta humbas kurajën, çfarëdo vështirësish që mund të më rrethojnë. Nëse do të mbytesha në gropën më të cekët të Nova Skotias dhe të gjitha Malet Shkëmbore të më mbulonin përsipër, unë nuk duhej ta humbisja kurajën, por të vazhdoja të mbahesha fort, të ushtroja besim dhe ta ruaja kurajën e mirë, dhe në fund, do të dilja në majë të pirgut” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 247).

2 Korintasve 4:17. Mbajtja në perspektivë e vuajtjeve në vdekshmëri

Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, përdori fjalët e Palit për të na ndihmuar që t’i vëmë në një perspektivë të përjetshme vuajtjet tona në vdekshmëri:

“Apostulli Pal na mësoi: ‘Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie’ [2 Korintasve 4:17]. Është interesante që Pali përdor termin ‘trishtim i lehtë’. Kjo vjen nga një njeri që e kishin rrahur, goditur me gurë, i ishte mbytur anija, e kishin burgosur dhe kishte provuar shumë sprova të tjera [shih 2 Korintasve 11:23–28]. Dyshoj nëse shumë nga ne do t’i quanim fatkeqësitë tona të lehta. Përsëri, në krahasim me bekimet dhe rritjen që marrim së fundi, si në këtë jetë edhe në përjetësi, fatkeqësitë tona vërtet janë të lehta” (“Më Shumë se Fitimtarë për Hir të Atij që na Deshi”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 79).

2 Korintasve 5:19. “E ka pajtuar botën me veten”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi mësimin e Palit rreth pajtimit:

“Pajtimi është procesi i shpengimit të njeriut nga gjendja e tij mëkatare dhe errësira shpirtërore, dhe i rivendosjes së tij në një gjendje harmonie dhe uniteti me Hyjninë. Nëpërmjet tij, Perëndia dhe njeriu nuk janë më armiq. Njeriu, i cili dikur ishte mishtor dhe i lig, i cili jetonte sipas mënyrës së mishit, bëhet një krijesë e re e Frymës së Shenjtë; ai lindet sërish; dhe ashtu si një fëmijë i vogël, ai është i gjallë në Krishtin” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:422–423).

Shtyp në Letër