Biblioteka
Mësimi 23: Mateu 21:1–16


Mësimi 23

Mateu 21:1–16

Hyrje

Jezusi e realizoi hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem në fillim të javës së fundit të jetës së Tij. Ndërsa ishte atje, Ai pastroi tempullin për herë të dytë dhe shëroi të verbrit e të çalët që erdhën tek Ai.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Në fund të këtij mësimi gjendet një material pamor prej një faqeje, i titulluar “Java e Fundit e Jezu Krishtit, Shlyerja dhe Ringjallja”. Ky vështrim i përgjithshëm i shkurtër i javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit në vdekshmëri mund t’ju ndihmojë ju dhe studentët tuaj të kuptoni ngjarjet që çuan në vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Ju mund të doni ta përdorni këtë vështrim të përgjithshëm edhe te Marku, Lluka dhe Gjoni.

Mateu 21:1–11

Jezu Krishti realizon hyrjen e Tij ngadhënjimtare në Jerusalem

Paraqitni një artikull ushqimor ose shkruani emrin e një ushqimi në tabelë. Kërkojuni studentëve të tregojnë nëse e kanë provuar këtë ushqim dhe nëse do t’ia rekomandonin atë të tjerëve. Ftojeni një student i cili do ta rekomandonte ushqimin që të vijë përpara klasës. Kërkojini atij apo asaj të përfytyrojë sikur asnjë tjetër nuk e ka provuar këtë ushqim. Udhëzojeni studentin të tregojë atë që ai apo ajo do të thoshte apo do të bënte për ta ndihmuar dikë të krijonte një dëshirë për ta provuar këtë ushqim. Ftojeni studentin të kthehet te vendi i vet kur të mbarojë. Më pas, pyeteni klasën:

  • Nëse nuk do ta kishit provuar këtë ushqim më parë, sa të ngjarë ka që do të dëshironit ta provonit atë tani? Përse?

Pamja
Jezu Krishti

Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit. Shpjegoni që shumë njerëz kanë pak njohuri për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, dhe ne kemi përgjegjësinë që t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë rreth Tij.

Kërkojuni studentëve të përsiatin atë që mund të bëjnë për ta ndihmuar dikë që të dëshirojë të dijë më shumë për Jezu Krishtin. Ftojini ata që teksa e studiojnë Mateun 21:1–11 të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë ata ndërsa i nxitin të tjerët të mësojnë më shumë për Jezu Krishtin.

Shpjegoni që Mateu 21 shënon ngjarjet që ndodhën pesë ditë para Kryqëzimit të Shpëtimtarit. Kujtojuni studentëve se një turmë njerëzish e ndiqte Jezusin dhe Apostujt e Tij kur po udhëtonin nga Jeriko për në Jerusalem (shih Mateu 20:17–18, 29).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi i udhëzoi dy prej dishepujve të Tij që të bënin.

  • Çfarë i udhëzoi Jezusi këta dishepuj që të bënin?

Shpjegoni që profecia e përmendur te Mateu 21:4–5 gjendet te Zakaria 9:9–10. (Ftojini studentët të marrin parasysh ta shkruajnë këtë referencë pranë vargut 5.) Kjo profeci ishte për Mesian e premtuar ose “Profeti[n] [e] vajosur, Prift[in], Mbret[in] dhe Çlirimtar[in], ardhjen e të cilit judenjtë mezi po e prisnin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mesia”, [f. 116], scriptures.lds.org). Vini në dukje që në kohët biblike gomari “ishte simbol i prejardhjes nga familje mbretërore judease. … Të udhëtuarit mbi gomar … tregoi se Jezusi erdhi si një Shpëtimtar paqësor dhe ‘i përulur’, jo si një pushtues mbi një kalë lufte” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 64).

  • Cilat janë disa veprime në kultura të ndryshme që tregojnë një pranim plot nderim të pushtetit mbretëror?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:6–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri “një turmë shumë e madhe” (vargu 8) kur Jezusi hyri në Jerusalem. (Ju mund të doni të vini në dukje që Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 21:5, bën të qartë që u soll dhe u nga vetëm një kafshë.)

  • Çfarë bëri turma për ta pranuar me nderim Jezusin si Mesian? (Ju mund të vini në dukje që Ungjilli i Gjonit specifikon se turma përdori “degë palmash” [Gjoni 12:13]. Degët e palmës ishin një simbol judeas i fitores dhe triumfit mbi armiqtë. Sigurimi i një rruge të shtruar, si ajo që krijoi turma duke përdorur degë dhe veshje, ishte një gjest që përdorej për të nderuar mbretër apo pushtues. Duke e bërë këtë, turma e pranoi dhe e mirëpriti Jezusin si Çlirimtarin dhe Mbretin e vet.)

Pamja
Ardhja Triumfuese

Paraqitni figurën Ardhja Triumfuese (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 50; shih edhe LDS.org). Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur ata janë një nga njerëzit në figurë. Lexojeni me zë të lartë paragrafin e parë të Mateut 21:9 dhe ftojeni klasën ta lexojë njëzëri me zë të lartë brohoritjen e turmës në pjesën e dytë të vargut, sikur të ishin pjesë e turmës.

  • Cilën fjalë përsëritën njerëzit? (Hosana.)

Shpjegoni që hosana do të thotë “na shpëto tani” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hosanna” [shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hosana”, f. 65]). Kërkojuni studentëve të marrin parasysh ta shkruajnë këtë përkufizim në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargut 9.

Shpjegoni që një pjesë e brohoritjes së turmës përmbushi profecinë mesianike që gjendet te Psalmet 118:25–26. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë referencë pranë Mateut 21:9. Shpjegoni që titulli mbretëror dhe mesianik “Biri [i] Davidit” (vargu 9) i rezervohej trashëgimtarit të fronit të Davidit.

  • Duke bërë këtë brohoritje, cili po thoshin njerëzit që ishte Jezusi?

  • Nëse do të kishit jetuar në Jerusalem në këtë kohë, çfarë mendimesh ose ndjenjash mund të kishit pasur ndërsa dëshmonit hyrjen ngadhënjimtare të Shpëtimtarit?

Vini në dukje që mijëra njerëz të tjerë ishin në Jerusalem në atë kohë për të festuar Pashkën. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ndikimin e sjelljes së turmës tek të tjerët në Jerusalem.

  • Çfarë pyetjeje bënë të tjerët për shkak të sjelljes të turmës?

  • Siç ilustrohet në këtë rrëfim, çfarë mund të ndodhë kur ne e pranojmë Jezu Krishtin dhe flasim publikisht për Të? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne e pranojmë Jezu Krishtin dhe flasim publikisht për Të, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të zhvillojnë një dëshirë për të ditur më shumë për Të. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë).

  • Cilat janë disa rrethana jashtë mbledhjeve të Kishës, ku ne mund ta pranojmë Jezu Krishtin dhe flasim publikisht për Të? (Ndihmojini studentët të kuptojnë që, kur është e përshtatshme, ne mund ta bëjmë këtë në rrethana zyrtare, nëpërmjet mjeteve të mediave shoqërore dhe gjatë bisedave me miqtë, pjesëtarët e familjes dhe fqinjët.)

  • Si mund ta pranojmë Jezu Krishtin dhe flasim publikisht për Të, në një mënyrë që do t’i ndihmojë të tjerët të dëshirojnë të dinë më shumë për Të?

  • Si do të përgjigjeshit po të pyeteshit se kush është Jezu Krishti?

Shkruajini në tabelë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët që t’i përgjigjen njërës prej tyre në fletoret e tyre të klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Kur ju kanë bërë përpjekjet e një personi tjetër për ta pranuar Jezu Krishtin dhe për të folur publikisht për Të që të dëshironi të dini më shumë për Të?

Kur e keni ndihmuar ju (ose dikush që ju njihni) një person që të dëshironte të dinte më shumë për Jezu Krishtin, ngaqë ju e pranuat dhe folët publikisht për Të?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që janë të gatshëm të tregojnë atë që shkruan.

Nxitini studentët që të kërkojnë e të shfrytëzojnë mundësi për ta pranuar Jezu Krishtin dhe për të folur në mënyrë të përshtatshme për Të.

Mateu 21:12–16

Jezusi pastron tempullin dhe shëron të verbrit dhe të çalët

Paraqitni një fotografi të një tempulli të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që ndodhet pranë vendit ku jetoni. Ftojini studentët të përsiatin dhe të përshkruajnë mendimet dhe ndjenjat që patën herën e fundit që vizituan tempullin. Nëse studentët nuk kanë qenë asnjëherë në tempull, kërkojuni që të përshkruajnë mënyrën se si mendojnë që do të ndiheshin brenda tempullit.

  • Çfarë ndodh në tempull që na mundëson t’i përjetojmë këto ndjenja?

Pamja
Shtëpia e Atit Tim

Paraqitni figurën Shtëpia e Atit Tim (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 52; shih edhe LDS.org). Shpjegoni që pasi Shpëtimtari hyri në Jerusalem, Ai shkoi në një oborr në territorin e tempullit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që po bënin disa njerëz që ishte fyese për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

  • Si po e trajtonin disa njerëz shtëpinë e Perëndisë?

Shpjegoni që vizitorët, të cilët vinin në Jerusalem për të kremtuar Pashkën, duhej të blinin kafshë për t’i ofruar si flijime brenda tempullit si pjesë e adhurimit të tyre. Këmbyesit e parave e shkëmbenin valutën romake dhe valuta të tjera për valutën e tempullit në mënyrë që të mund të bliheshin kafshët dhe tregtarë të tjerë shitnin kafshët.

  • Çfarë qe e gabuar në bërjen e këtij lloj aktiviteti tregtar në territorin e tempullit?

Ju mund të doni të vini në dukje që edhe pse ky biznes ishte i nevojshëm dhe i shërbente një qëllimi të mirë, bërja e tij në atë vend e mënyrë si po e bënin tregtarët ishte mosrespektuese dhe jo nderuese. Vargu 13 sugjeron se këmbyesit e parave dhe tregtarët ishin më të interesuar në marrjen e një fitimi financiar sesa në adhurimin e Perëndisë dhe të ndihmuarit e të tjerëve për ta bërë atë.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë mbi tempullin nga fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shtëpia e Zotit është një vend i shenjtë dhe Ai dëshiron që ne ta trajtojmë atë me nderim.)

  • Si mund të tregojmë nderim për shtëpinë e Zotit?

  • Si mundet të frekuentuarit e tempullit denjësisht të tregojë nderim për të?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 21:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari bëri në tempull pasi e pastroi atë.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari për të verbrit dhe të çalët që erdhën tek Ai në tempull?

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim për atë që Zoti mund të bëjë për ne kur e frekuentojmë tempullin? (Sigurohuni që studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur e frekuentojmë tempullin, Zoti mund të na shërojë.)

  • Përveç lëngatave, çfarë sëmundjesh e sfidash të tjera mund të shërojë Zoti kur e frekuentojmë tempullin?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë. Kërkojuni studentëve të mbajnë vesh dëshminë e Presidentit Faust për të vërtetën që ata përcaktuan.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Zoti ka siguruar shumë rrugë me anë të të cilave ne mund të marrim ndikimin [e Tij] shërues. Unë jam mirënjohës që Zoti e ka rivendosur punën e tempullit në tokë. Ajo është një pjesë e rëndësishme e punës së shpëtimit si për të gjallët edhe për të vdekurit. Tempujt tanë sigurojnë një shenjtërore ku mund të shkojmë për të lënë mënjanë shumë nga ankthet e botës. Tempujt tanë janë vende paqeje dhe qetësie. Në këto shenjtërore të shenjtëruara Perëndia ‘shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre’. (Psalmi 147:3.)” (“Spiritual Healing”, Ensign, maj 1992, f. 7).

  • Si na ndihmon adhurimi në shtëpinë e Zotit që të përjetojmë ndikimin e Tij shërues?

Shpjegoni se shërimi që përjetojmë kur adhurojmë në tempull mund të jetë i menjëhershëm, siç ishte për të verbrit dhe të çalët e përshkruar në këtë rrëfim ose mund të ndodhë me kalimin e kohës.

  • Kur e keni përjetuar ju ose dikush që ju njihni, ndikimin shërues të Zotit duke adhuruar në tempull? (Ju mund të doni gjithashtu të tregoni një përvojë tuajën.)

Përmblidheni Mateun 21:15–16, duke shpjeguar që krerët e priftërinjve dhe skribët ishin të pakënaqur me atë që Jezusi bëri në tempull dhe me njerëzit që i brohoritën Atij “Hosana” atje. Jezusi vuri në dukje se pranimi publik i Atij nga populli përmbushi një profeci (shih Psalmeve 8:2).

Mbylleni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 21:8. Shtrimi i degëve të palmave dhe rrobave përpara Jezusit

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për domethënien që kishte për njerëzit të shtronin degë palmash (shih Gjoni 12:13) dhe rrobat e tyre para Jezusit kur Ai hyri në Jerusalem:

“Vetëm mbretërve dhe fitimtarëve u bëhej një shenjë kaq e jashtëzakonshme respekti si kjo. (2 Mbretërve 9:13.) … Në mes të thirrjeve për lavdi dhe lutjeve për shpëtim e çlirim, ne i shohim dishepujt duke i shtruar rrugën Zotit tonë me degë palme në shenjtë fitoreje dhe ngadhënjimi. Kjo skenë e tërë dramatike krijon parapërfytyrim për mbledhjen e ardhshme që pritet kur ‘një turmë [e] madhe’, që asnjë njeri nuk mund ta numërojë … do të qëndrojë ‘përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre’, duke brohoritur me zë të lartë: ‘Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit’. (Zbulesa 7:9–10.)” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:578).

Mateu 21:9–11. Turma brohoriti: “Hosana”

Hosana është një fjalë hebraike që ‘do të thotë “të lutemi na shpëto” dhe përdoret në përlëvdim dhe përgjërim. … Në hyrjen ngadhënjimtare të Zotit në Jeruzalem, turmat thirrën “Hosana” dhe shpërndanë degë palmash që Jezusi të ecte mbi to, duke shprehur kështu të kuptuarin e tyre se Jezusi ishte po ai Zot që e kishte çliruar Izraelin në lashtësi (Psalmeve 118:25–26; Mateu 21:9, 15; Marku 11:9–10; Gjoni 12:13). Këta njerëz e njohën Krishtin si Mesian e shumëpritur’ (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hosana”, [f. 65]; scriptures.lds.org). Fraza ‘gjithë qyteti u ngrit në këmbë’ (Mateu 21:10) sugjeron se hyrja ngadhënjimtare e Jezusit u përhap në të gjithë qytetin dhe u mor vesh nga shumë njerëz” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 64–65).

Pamja
Java e Fundit e Jezu Krishtit

Shtyp në Letër