Biblioteka
Mësimi 105: 1 Korintasve 5–6


Mësimi 105

1 Korintasve 5–6

Hyrje

Apostulli Pal i porositi shenjtorët që të mos i lejonin njerëzit e ligj të ndikonin tek ata. Ai i paralajmëroi shenjtorët që t’i shmangnin filozofitë dhe praktikat e pamoralshme që mbizotëronin në Korint.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 5

Pali i porosit shenjtorët që të mos shoqërohen me ata që me dëshirë zgjedhin të mëkatojnë

Vizatoni në tabelë një figurë të thjeshtë të një tasi me fruta të freskëta dhe një frutë të kalbur në të. Ose, ju mund të tregoni një frutë të kalbur.

Pamja
vizatim, tas me fruta
  • Çfarë do të ndodhte nëse ju do ta linit frutin e kalbur të qëndronte në një tas me fruta të tjera të freskëta?

  • Çfarë mund të përfaqësojë në jetën tonë fruti i kalbur? (Ndikime që mund të na dëmtojnë.)

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 1 Korintasve 5, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë për të reaguar më mirë ndaj ndikimeve të dëmshme në jetën e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 5:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një praktikë të ligë midis shenjtorëve korintas.

  • Çfarë praktike e ligë ekzistonte midis shenjtorëve korintas? (Shpjegoni se kurvërimi i referohet çdo marrëdhënieje seksuale jashtë martesës. Njëri prej anëtarëve të Kishës në Korint ishte përfshirë në një mëkat seksual me njerkën e tij.)

  • Sipas vargut 2, çfarë i këshilloi Pali udhëheqësit e Kishës të bënin me këtë person? (Shpjegoni se fraza “të hiqet nga mesi juaj” në vargun 2 do të thotë se mëkatari duhet të shkishërohet nga Kisha.)

Vini në dukje që përpara shkishërimit ose përpara se të ndodhë ndonjë formë tjetër e disiplinës së Kishës, udhëheqësit e Kishës marrin në shqyrtim në mënyrë të kujdesshme shumë faktorë. Përveç marrjes në konsideratë se sa e rëndë është shkelja, udhëheqësit e Kishës marrin parasysh qëllimet e ndryshme për disiplinën e Kishës: ta ndihmojë një person të pendohet, t’i mbrojë ata që do të ndikoheshin në mënyrë negative nga veprimet e një personi ose nga përhapja e bindjeve të atij personi, dhe të mbrojë integritetin moral të mësimeve të Kishës (shih “Church Discipline”, mormonnewsroom.org/articles/church-discipline).

Ftojini studentët të lexojnë me zë të lartë 1 Korintasve 5:6–7, dhe vëreni klasën të kërkojë analogjinë që përdori Pali për të shpjeguar përse ky individ duhet të hiqej nga Kisha.

  • Më kë i krahasoi Pali mëkatarët e papenduar? (Shpjegoni se majaja ose tharmi, bën në fund që buka të prishet ose të myket.)

  • Sa maja duhet për të ndikuar në gjithë masën e brumit?

  • Kë përfaqëson masa e brumit? (Kishën e Jezu Krishtit.)

  • Si do ta përmblidhnit në një parim kuptimin e kësaj analogjie? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse zgjedhim të shoqërohemi ngushtësisht me ata që e përqafojnë mëkatin, ne mund të ndikohemi nga ligësia e tyre. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 5:9–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën që u dha Pali shenjtorëve korintas.

  • Çfarë i udhëzoi Pali shenjtorët korintas të shmangnin?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej këshillën e Palit për të mos u shoqëruar me kurvarë ose me të tjerë që e përqafojnë mëkatin, jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Mos u shoqëroni me kurvarë – jo sepse ju jeni shumë të mirë për ta, por ashtu siç shkroi [C. S.] Luis, ngaqë ju nuk jeni mjaftueshëm të mirë. Mbani mend se situatat e këqija mund të prishin edhe njerëz të mirë” (“The Stern but Sweet Seventh Commandment”, New Era, qershor 1979, f. 42).

  • Si e dobëson aftësinë tonë për të bërë zgjedhje të drejta shoqërimi i ngushtë me ata që e përqafojnë mëkatin?

  • Cilët janë disa shembuj të situatave të këqija që mund të prishin njerëz të mirë?

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar individët që e kanë përqafuar mëkatin, pa i rrezikuar standardet tona? (Ne mund të lutemi për ta, të tregojmë dashamirësi dhe respekt për ta si fëmijë të Perëndisë dhe të japim një shembull të drejtë të zbatimit të urdhërimeve.)

Ftojini studentët të marrin parasysh plot lutje atë që mund të bëjnë për të ndikuar tek të tjerët në një mënyrë pozitive pa i rrezikuar standardet e tyre.

Përmblidheni 1 Korintasve 5:12–13, duke shpjeguar që Pali dha mësim se Kisha ka përgjegjësinë që t’i thërrasë anëtarët në pendim dhe në disa raste të “nx[jerrë] … nga [Kisha]” (vargu 13) ata që kryejnë shkelje të rënda.

1 Korintasve 6

Pali u jep mësim shenjtorëve rreth unitetit dhe ligjit të dëlirësisë

Vizatoni në tabelë një figurë tjetër të thjeshtë të një tasi me fruta të kalbura dhe një frutë të freskët në të. Ftojini studentët të marrin në shqyrtim nëse e kanë pyetur ndonjëherë veten se si ta shmangin mëkatin kur ai është kudo përreth tyre. Vini në dukje se kjo ishte një sfidë me të cilën u përballën shenjtorët korintas.

Pamja
vizatim, tas me fruta

Ndërsa studentët studiojnë 1 Korintasve 6, ftojini ata të kërkojnë të vërtetat që u dhanë mësim nga Pali, të cilat mund t’i ndihmojnë të jetojnë me drejtësi pavarësisht se rrethohen nga ndikime të liga.

Përmblidheni 1 Korintasve 6:1–8, duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët korintas që t’i zgjidhnin me drejtësi debatet midis tyre në vend që t’i drejtoheshin menjëherë gjykatave civile.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:9–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar praktikat mëkatare në Korint që Pali u mësoi anëtarëve të Kishës të shmangnin.

  • Çfarë lloj sjelljesh mëkatare u mësoi Pali anëtarëve të Kishës që të shmangnin?

  • Sipas vargut 11, çfarë u kujtoi Pali këtyre shenjtorëve rreth vetes së tyre? (Shumë të kthyer në besim nga Korinti kishin marrë pjesë në këto sjellje mëkatare përpara se t’i bashkoheshin Kishës, por ata ishin penduar dhe ishin pastruar nga mëkatet e tyre.)

Shpjegoni se Korinti i lashtë ishte me nam për imoralitet dhe shumë korintas nxitnin idenë se trupi ynë ishte bërë për kënaqësi. Përmblidheni Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it] të 1 Korintasve 6:12 [në variantin shdm të Biblës në anglisht], duke shpjeguar që Pali dha mësim kundër filozofisë se nuk ekziston e drejta apo e gabuara.

  • Si ishin të ngjashme idetë dhe praktikat në Korint me prirjet që ne shohim sot në botë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth qëllimit të trupit tonë.

  • Çfarë dha mësim Pali rreth trupit tonë? (Ndërsa shumë korintas me sa duket besonin se trupi qe bërë thjesht për kënaqësi fizike, Pali e korrigjoi atë pikëpamje duke dhënë mësim se trupi ynë u krijua për të përmbushur qëllimet e Zotit.)

Përmblidheni 1 Korintasve 6:14–17, duke shpjeguar se ata që i bashkohen Kishës bëhen një me Krishtin si “gjymtyrë” shpirtërorë të trupit të Tij. Pali gjithashtu shpjegoi se imoraliteti seksual nuk përputhet me një marrëdhënie shpirtërore me Jezu Krishtin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve korintas të bënin. (Ju mund të doni të vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i 1 Korintasve 6:18 e ndryshon frazën “jashtë trupit” në “kundër trupit të Krishtit”.)

  • Çfarë i udhëzoi Pali shenjtorët korintas të bënin?

  • Çfarë të vërtete dha mësim Pali rreth atyre që kryejnë kurvëri? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët në vargun 18 që na mësojnë të vërtetën vijuese: Ata që kryejnë kurvëri mëkatojnë kundër vetë trupit të tyre.)

Shpjegoni se më pas, Pali dha mësim përse kurvëria ose imoraliteti seksual është një mëkat “kundër trupit të vet[ë] [personit]”.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë me të cilën Pali e krahasoi trupin tonë.

  • Me çfarë e krahasoi Pali trupin tonë?

Tregoni figurën e një tempulli.

  • Cili është ndryshimi midis një tempulli dhe çfarëdolloj ndërtese tjetër?

  • Si do ta përmblidhnit të vërtetën që dha mësim Pali në vargun 19? (Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Trupi ynë është një tempull i Perëndisë, në të cilin mund të banojë Shpirti.)

  • Si ndikon kuptueshmëria jonë se trupi ynë është një tempull, në mënyrën se si ne e trajtojmë trupin tonë dhe trupin e të tjerëve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë për ide shtesë rreth mënyrës se si të kuptuarit e kësaj të vërtete mund të ndikojë në mënyrën se si ne e trajtojmë trupin tonë.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Duke i pranuar këto të vërteta [nga 1 Korintasve 6:19–20] … , ne me siguri nuk do ta prishim trupin tonë, si me tatuazhe; apo ta dobësojmë, si me drogë; apo ta ndotim, si me kurvëri, tradhti bashkëshortore ose paturpësi. … Duke qenë se trupi ynë është një mjet i shpirtit tonë, është jetike që ne të kujdesemi për të sa më mirë që mundemi. Ne duhet t’ia përkushtojmë forcat e tij për t’i shërbyer punës së Krishtit dhe për ta çuar më tej atë” (“Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 17).

  • Si mendoni ju, çfarë donte të thoshte Pali me frazën “nuk i përkitni vetvetes” në vargun 19?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse trupi ynë nuk na përket neve.

  • Cila frazë tregon arsyen përse trupi ynë nuk na përket neve? (Shpjegoni se fraza “u bletë me një çmim” do të thotë të jesh i shëlbuar ose i blerë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

  • Si do ta përmblidhnit një të vërtetë nga vargjet 19–20? (Pasi studentët të përgjigjen, merreni parasysh t’i ftoni ata që ta shkruajnë të vërtetën vijuese në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargjeve 19–20: Për shkak se jemi blerë me një çmim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, trupi ynë nuk na përket neve.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ju lutem, kurrë mos thoni: ‘E kë do të lëndoj? Përse të mos kem pak liri? Mund ta bëj shkeljen tani dhe të pendohem më vonë.’ Ju lutem, mos u bëni kaq të marrë dhe kaq mizorë. Ju nuk mund ta ‘kryqëzoni përsëri Krishtin’ pa u ndëshkuar [shih Hebrenjve 6:6]. ‘Largohuni nga kurvëria’ [1 Korintasve 6:18], thërret Pali dhe largohuni nga ‘diçka [e] ngjashme’ [DeB 59:6; theksimi i shtuar], shton Doktrina e Besëlidhje. Përse? Epo, një arsye është për shkak të vuajtjes së pallogaritshme si në trup dhe në shpirt, të duruar nga Shpëtimtari i botës, në mënyrë që ne të mund të largohemi [shih veçanërisht Doktrina e Besëlidhje 19:15–20]. Ne i detyrohemi Atij diçka për këtë. Në të vërtetë, ne i detyrohemi Atij gjithçka për këtë” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).

  • Në ç’mënyrë të kujtuarit se trupi ynë nuk na përket neve ndikon në zgjedhjet që bëjmë lidhur me trupin tonë?

Drejtojini studentët te figura në tabelë e frutit të freskët të rrethuar nga frutat e kalbura.

  • Si mund të na ndihmojë kuptueshmëria e këtyre të vërtetave rreth trupit tonë, që të mbetemi të pastër kur rrethohemi nga ligësia?

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar. Ftojini studentët të përsiatin për mbresat ose nxitjet që ata mund të kenë marrë gjatë mësimit dhe të veprojnë sipas atyre nxitjeve.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Korintasve 6:19–20

Ftojini studentët të shkruajnë një bisedë të shkurtër bazuar te 1 Korintasve 6:19–20. Nxitini ata të përfshijnë sa vijon: 1) informacionin për rrethanat që lidhen me këtë fragment (informacioni për rrethanat mund të gjendet në kartën e zotërimit të shkrimit të shenjtë), 2) parimet që na mëson dhe 3) një përvojë vetjake që ilustron të vërtetën që na mëson ky fragment. Ju mund t’i ftoni disa studentë që t’ua paraqesin bisedat e tyre klasës. Nxitini studentët të marrin parasysh mundësitë që ata mund të kenë për t’i paraqitur bisedat e tyre në shtëpi ose Kishë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 5:9. “Të mos përziheni me kurvarë”

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si anëtarë të Kishës, ne besojmë në “doktrinën e përfshirjes”. Duke dhënë mësim mbi këtë doktrinë, Plaku Ballard tha:

“Përdorimi me qëllim [nga ana e Shpëtimtarit] të judenjve dhe samaritanëve na mëson qartësisht se ne jemi të gjithë të afërm dhe se duhet ta duam, vlerësojmë, respektojmë dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit pavarësisht nga mospajtimet tona të mëdha – përfshirë mospajtimet fetare, politike dhe kulturore. …

[Sidoqoftë,] unë nuk po sugjeroj … se ne duhet të përfshihemi në ndonjë marrëdhënie që do të na vinte ne apo familjet tona në një rrezik shpirtëror” (“Doctrine of Inclusion”, Ensign, nëntor 2001, f. 37).

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha gjithashtu mësim për respektimin e të tjerëve, edhe nëse ata besojnë ose veprojnë ndryshe nga anëtarët e Kishës:

“Shumë mësues në kishë dhe shkolla dëshpërohen nga mënyra se si disa adoleshentë, përfshirë të rinj shdm, e trajtojnë njëri-tjetrin. Urdhërimi për ta dashur njëri-tjetrin sigurisht përfshin dashuri e respekt midis besimeve të ndryshme dhe gjithashtu midis racave, kulturave e niveleve ekonomike të ndryshme. Ne i ftojmë të gjithë të rinjtë të shmangin nëpërkëmbjen, fyerjet apo të folurit dhe praktikat që në mënyrë të drejtpërdrejtë shkaktojnë dhembje tek të tjerët. Të gjitha këto e shkelin urdhrin e Shpëtimtarit për ta dashur njëri-tjetrin” (“Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 27.)

1 Korintasve 5:13. “Nxirreni të ligun nga vetja juaj”

Kur Kisha e largon zyrtarisht një njeri që po e përqafon mëkatin e rëndë, kjo quhet disiplinë e Kishës. Pjesa e mëposhtme nga libri Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin shpjegon procesin e disiplinës së Kishës:

“Peshkopët dhe presidentët e degës dhe të kunjit, misionit dhe presidentët e distriktit kanë përgjegjësi për t’i ndihmuar anëtarët ta kapërcejnë shkeljen nëpërmjet pendimit. Shkeljet më të rënda, të tilla si: dhunime të rënda të ligjit civil, dhunimi i bashkëshortes, dhunimi i fëmijës, kurorëshkelja, kurvërimi, përdhunimi dhe incesti, shpesh kërkojnë disiplinën zyrtare të Kishës. Disiplina zyrtare e Kishës mund të përfshijë kufizimin e privilegjeve të anëtarësisë në Kishë apo humbjen e anëtarësisë në Kishë.

Procesi i disiplinës zyrtare fillon kur një udhëheqës kryesues i priftërisë thërret një këshill disiplinor. Qëllimet e këshillave disiplinore janë që të shpëtojnë shpirtrat e shkelësve, të mbrojnë të pafajshmit dhe të ruajnë pastërtinë, integritetin dhe emrin e mirë të Kishës.

Disiplina e Kishës është një proces i frymëzuar që ndodh gjatë një periudhe kohore. Nëpërmjet këtij procesi dhe nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, një anëtar mund të marrë falje të mëkateve, të rifitojë paqen e mendjes dhe të marrë fuqi për të shmangur shkelje në të ardhmen. Akti i disiplinës së Kishës nuk ka për qëllim që të jetë fundi i procesit. Ai është krijuar që t’i ndihmojë fëmijët e Atit Qiellor të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’u kthyer në shoqërim të plotë dhe [për të marrë] bekimet e plota të Kishës. Rezultati që dëshirohet është që personi të bëjë çdo lloj ndryshimi që nevojitet për t’u penduar krejtësisht” (“Këshilla Disiplinore të Kishës”, Të Vërtetë Ndaj Besimit [2005], f. 67–68).

Shtyp në Letër