Mësimi 28
Mateu 25:1–13
Hyrje
Kur Jezu Krishti i mësoi veçmas dishepujt e Tij në Malin e Ullinjve për Ardhjen e Tij të Dytë, Ai dha mësim shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 25:1–13
Jezu Krishti jep mësim shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues të treguar nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për një misionar të ri të kthyer nga misioni që tregoi një përvojë vetjake në një mbledhje dëshmish. Ftojini studentët të përfytyrojnë se si do të ndiheshin ata nëse do të ishin në vend të të riut në këtë histori.
“Ai … tregoi për kthimin në shtëpi nga një takim me një vajzë pak pasi ishte shuguruar plak, në moshën 18-vjeçare. Diçka kishte ndodhur në këtë takim, për të cilën nuk krenohej. Ai nuk hyri në hollësi, as nuk duhej ta kishte bërë në një ambient publik. Sot e kësaj dite nuk e di se çfarë ndodhi, por ishte mjaftueshëm domethënëse për të sa që i kishte prekur shpirtin dhe vetëvlerësimin e tij.
Ndërsa u ul në makinën e tij për pak kohë në rrugicën para shtëpisë së vet, duke menduar gjërat që kaluan dhe duke ndier hidhërim të vërtetë për çfarëdo që kishte ndodhur, e ëma e tij joanëtare erdhi duke vrapuar e shqetësuar nga shtëpia drejt makinës së tij. Në çast, ajo njoftoi se vëllai më i vogël i këtij djali ishte rrëzuar në shtëpi, kishte goditur kokën keqas dhe po kalonte një krizë apo spazmë. I ati joanëtar kishte telefonuar menjëherë për një ambulancë, por do t’i nevojitej ndihmë derisa ambulanca të vinte.
‘Eja dhe bëj diçka’, thërriste ajo në lot. ‘A nuk ka diçka që bëni ju në Kishën tuaj në kohë si këto? Ti ke priftërinë e tyre. Eja dhe bëj diçka.’ …
… Në këtë mbrëmje kur dikush që ai e donte kaq shumë kishte nevojë për besimin e tij dhe forcën e tij, ky i ri nuk mund t’i vinte në ndihmë. Duke pasur parasysh ndjenjat me të cilat po ndeshej dhe shkeljen që ndiente se sapo kishte bërë – çfarëdo qoftë ajo – ai nuk mundej të shkonte para Zotit dhe t’i kërkonte bekimin që nevojitej” (“Siguria e Denjësisë”, Liahona, prill 2014, f. 58–59).
-
Çfarë do të mendonit nëse do të ishit ju i riu në këtë situatë? Përse është kaq e rëndësishme që të jemi përherë të përgatitur?
Paraqitni figurën Shëmbëlltyra e Dhjetë Virgjëreshave (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2008], nr. 53; shih edhe LDS.org). Kujtojuni studentëve se kur Jezu Krishti ishte në Malin e Ullinjve me dishepujt e Tij, Ai i mësoi ata për Ardhjen e Tij të Dytë (shih Mateu 24). Ai më pas dha shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave për të ilustruar se si të jemi të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar elementet kryesore të shëmbëlltyrës. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë. Shkruajini frazat vijuese në tabelë:
Shpjegoni që sipas zakoneve judease të dasmës, burri ose dhëndri, i shoqëruar nga miqtë e tij të ngushtë, do të shkonte në mbrëmje te shtëpia e nuses për ceremoninë e dasmës. Pas ceremonisë, dasmorët do të vijonin për te shtëpia e dhëndrit për një gosti. Nga të ftuarit në dasmë, që i bashkoheshin varganit, pritej që të mbanin llambat ose pishtarët e tyre vetjak për të treguar që ata ishin pjesë e dasmorëve dhe për t’i shtuar shkëlqim dhe bukuri ngjarjes.
Ftojini disa studentë që me radhë të lexojnë me zë të lartë nga Mateu 25:5–13. Vëreni klasën që t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bënë pesë virgjëreshat e mençura dhe atë që bënë pesë virgjëreshat budallaçka.
-
Çfarë bënë pesë virgjëreshat e mençura? Çfarë bënë pesë virgjëreshat budallaçka?
Drejtojuni elementeve të shëmbëlltyrës të shkruara në tabelë. Kërkojini klasës të sugjerojë atë që ata mendojnë se mund të përfaqësojë secili element.
Shkruani Jezu Krishti pranë fjalës Dhëndri në tabelë. Shpjegoni që frazat “tani, duke qenë se dhëndri po vononte” (vargu 5) dhe “nga mesnata u dëgjua një britmë” (vargu 6) i referohen Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.
-
Çfarë mund të mësojmë për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit nga këto fraza?
Shpjegoni që si virgjëreshat e mençura edhe budallaçkat, që ishin ftuar në festë, përfaqësojnë anëtarët e Kishës (shih Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 8). Shkruani Anëtarët e Kishës pranë Virgjëresha të mençura dhe budallaçka në tabelë.
Ftojini studentët ta përsëritin Mateun 25:8–9 dhe të përsiatin arsyen përse virgjëreshat e mençura nuk ua dhanë vajin e tyre virgjëreshave budallaçka. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball. Ftojeni klasën të mbajë vesh për atë që mund të përfaqësojë vaji dhe për arsyen përse nuk mund të ndahej me të tjerët.
“Kjo nuk ishte egoizëm apo mosmirësi. Lloji i vajit që nevojitet për ta ndriçuar udhën dhe për t’i bërë dritë errësirës, nuk është i ndashëm. Si mund të ndajë dikush bindje ndaj parimit të së dhjetës; një mendje në paqe nga të jetuarit e drejtë; një grumbullim të diturisë? Si mund të ndajë dikush besim ose dëshmi? Si mund të ndajë dikush sjellje ose dëlirësi, apo përvojën e një misioni? Si mund t’i ndajë dikush privilegjet e tempullit? Secili duhet ta fitojë atë lloj vaji për veten e tij. …
Në shëmbëlltyrë, vaji mund të blihet në treg. Në jetën tonë, vaji i përgatitjes grumbullohet pikë pas pike nëpërmjet të jetuarit të drejtë. … Çdo vepër përkushtimi dhe bindjeje është një pikë e shtuar në rezervën tonë” (Faith Precedes the Miracle [1972], f. 255–256).
-
Çfarë përfaqëson vaji në shëmbëlltyrë? (Shkruajini përgjigjet e studentëve, të tilla si përgatitje shpirtërore, dëshmi, besim, kthim në besim dhe përvojë pranë Llamba dhe vaji në tabelë. Për të dhënë këndvështrim shtesë për simbolikën e vajit, ju mund të doni të sugjeroni që studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 45:56–57 dhe ta lidhin atë si referencë kryq me Mateun 25:8.)
-
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga shëmbëlltyra dhe nga komentet e Presidentit Kimball për marrjen hua të përgatitjes shpirtërore? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Ne nuk mund ta marrim hua përgatitjen shpirtërore prej të tjerëve.)
-
Çfarë të vërtete mësojmë nga shëmbëlltyra rreth mënyrës se si të përgatitemi për Ardhjen e Dytë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne përgatitemi për Ardhjen e Dytë duke rritur dëshminë dhe kthimin tonë në besim nëpërmjet drejtësisë së përditshme. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
Jepuni studentëve kopje të fletushkës shoqëruese. Ftojini ata të renditin në fletushkë mënyra se si ata mund ta marrin “vajin” e përgatitjes shpirtërore.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve që t’ia tregojnë disa nga idetë e tyre klasës.
Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Mateun 25:10–12. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që u tha dhëndri virgjëreshave budallaçka. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 25:11, sqaron që dhëndri tha: “Ju nuk më njihni mua”.
-
Çfarë na tregon thënia “ju nuk më njihni mua” për pesë virgjëreshat budallaçka? Si është të njohurit e Zotit ndryshe nga thjesht të diturit për Të?
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth asaj që duhet të bëjmë për të qenë gati për ardhjen e Zotit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Për të qenë gati për ardhjen e Zotit dhe për të qenë të denjë për të qëndruar në praninë e Tij, ne duhet të arrijmë ta njohim Atë.)
-
Në çfarë mënyrash keni arritur kohët e fundit ta njihni më mirë Shpëtimtarin?
Kujtojuni studentëve historinë e fillimit të mësimit për mbajtësin e ri të priftërisë që ishte i papërgatitur në një çast nevoje. Shpjegoni se i riu nxitoi për te shtëpia e një burri më në moshë në lagjen e tij, i cili jetonte teposhtë rrugës. Burri më në moshë i dha vëllait më të vogël një bekim që e bëri të qëndrueshme gjendjen e tij derisa arritën ndihmësmjekët. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë dëshminë e të riut të treguar nga Plaku Holland:
“‘Asnjë njeri që nuk është përballur me atë që u përballa unë atë natë, nuk do ta njohë ndonjëherë turpin që ndjeva dhe hidhërimin që mbajta si barrë, nga të ndierit i padenjë për ta përdorur priftërinë që mbaja. Është një kujtim edhe më i dhembshëm për mua pasi ishte vetë vëllai im i vogël që kishte nevojë për mua dhe prindërit e mi të dashur joanëtarë që ishin kaq të trembur dhe që kishin të drejtë të prisnin më shumë prej meje. Por ndërsa qëndroj para jush sot, mund t’ju premtoj këtë’, tha ai, ‘Unë nuk jam i përsosur por, që nga ajo natë e tutje, nuk kam bërë asnjëherë ndonjë gjë që do të më ndalonte të shkoja para Zotit me siguri dhe të kërkoja ndihmën e Tij kur nevojitej. Denjësia vetjake është një betejë në këtë botë në të cilën jetojmë’, pranoi ai, ‘por është një betejë që unë po e fitoj. E kam ndier gishtin e dënimit të drejtohet nga unë një herë në jetën time dhe nuk kam ndërmend ta ndiej kurrë më atë nëse mund të bëj çdo gjë për këtë. Dhe, sigurisht’, përfundoi ai, ‘mund të bëj gjithçka për këtë’” (“Siguria e Denjësisë”, f. 59).
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh atë që duhet të bëjnë për të qenë të përgatitur shpirtërisht për ardhjen e Zotit dhe për të qenë të denjë për të qëndruar në praninë e Tij. Ju mund t’i nxitni ata të rrethojnë një ose dy prej veprimeve që renditën te fletushka dhe të vënë një qëllim për të vepruar në mënyra që do të rritin përgatitjen e tyre shpirtërore. Ftojini ata t’i marrin fletushkat e tyre në shtëpi si kujtues të qëllimeve të tyre.