Biblioteka
Mësimi 35: Marku 2–3


Mësimi 35

Marku 2–3

Hyrje

Jezusi fali dhe shëroi një burrë të paralizuar dhe pastaj i bëri thirrje Mateut që ta ndiqte Atë. Ai u dha mësim skribëve dhe farisenjve rreth ditës së Shabatit. Shpëtimtari vazhdoi të shëronte shumë njerëz, i dërgoi Apostujt e Tij për të predikuar dhe paralajmëroi në lidhje me të thënit blasfemi kundër Frymës së Shenjtë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 2:1–12

Jezusi fal dhe shëron një burrë të paralizuar

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur dikush që ata e duan, po vuan nga një sfidë fizike kërcënuese për jetën që kërkon një trajtim të specializuar.

  • Kë do të kërkonit për ta ndihmuar njeriun tuaj të dashur? Përse?

  • Çfarë do të ishit i gatshëm të bënit nëse do të kishte vetëm një doktor që mund t’ju ndihmonte, por do të ishte e vështirë të caktonit një takim me këtë doktor?

Përmblidheni Markun 2:1–4, duke shpjeguar se në fshatin e Kapernaumit në Galile, ishte një burrë “i paralizuar” (vargu 3), që do të thotë se nuk mund të ecte. Katër burra të tjerë e mbajtën këtë burrë për në shtëpinë ku ishte Jezusi. Kur ata mësuan se shtëpia ishte e mbushur me kaq shumë njerëz sa nuk mund të hynin në të, ata hoqën pjesë të çatisë së shtëpisë dhe e ulën të paralizuarin në praninë e Shpëtimtarit.

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Markun 2:5 dhe ftojeni klasën të kërkojë atë që Jezusi i tha të paralizuarit. Kërkojuni studentëve që të raportojnë për atë që gjejnë.

Ftoni disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Marku 2:6–12. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi më pas.

  • Sipas vargjeve 6–7, si reaguan “disa skribë” ndaj fjalëve të Shpëtimtarit? (Ata u zemëruan nga pretendimi i Tij se jepte falje për mëkatet.)

  • Çfarë pyetje u bëri Jezusi skribëve?

  • Çfarë tregoi dhe dha mësim Shpëtimtari duke e shëruar këtë burrë? (Pasi studentët të përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jezu Krishti ka fuqinë që të na shërojë shpirtërisht dhe fizikisht.)

Vini në dukje se kur skribët e panë burrin e paralizuar të ngrihej nga shtrati i tij dhe të ecte, atyre iu dha një provë e pamohueshme se Jezu Krishti kishte fuqinë për t’i shëruar të sëmurët dhe ata e dëgjuan të dëshmonte se Ai mund t’i falte mëkatet. Megjithatë, nuk ka tregues se këta burra iu afruan Jezusit paskësaj dhe kërkuan falje për vetë mëkatet e tyre.

(Shënim: Ngjarjet e shënuara te Marku 2:1–12 do të diskutohen më në thellësi në mësimin mbi Llukën 5.)

Marku 2:13–22

Jezusi i bën thirrje Mateut që ta ndjekë Atë dhe ha me tagrambledhësit dhe mëkatarët

Ndajini studentët në dyshe dhe jepini secilës dyshe një fletë letre. Ftojini studentët që ta diskutojnë pyetjen vijuese me partnerët e tyre dhe t’i renditin përgjigjet e tyre në fletët e tyre.

  • Cilat janë disa nga arsyet përse individët mund të mos e kërkojnë faljen e Zotit për mëkatet e tyre?

U kërkoni disa studentëve që të tregojnë përgjigjet e tyre, të cilat mund të përfshijnë sa më poshtë: disa individë mund të mos duan të ndalojnë së mëkatuari; disa mund të mos duan t’i pranojnë apo rrëfejnë mëkatet e tyre për shkak të krenarisë apo turpit; të tjerët mund të shpresojnë se Zoti do t’i falë edhe nëse ata nuk pendohen; dhe disa mund të besojnë se Zoti ka fuqinë për t’i falur, por atyre u mungon besimi se Ai do t’i falë mëkatet e tyre të veçanta.

Ftojini studentët të kërkojnë të vërtetat te Marku 2:13–22, të cilat mund të na nxitin të kërkojmë faljen e Zotit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 2:13–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari pasi e shëroi burrin e paralizuar.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari pasi e shëroi këtë burrë?

  • Si reagoi Levi ndaj ftesës së Shpëtimtarit?

Shpjegoni që Levi quhej edhe Mate dhe ishte i njëjti Mate që shkroi Ungjillin sipas Mateut. Fraza “qe ulur në vendin e tatimeve” (vargu 14) do të thotë se Mateu ishte një tagrambledhës dhe “mbledhës taksash … në Kapernaum, ndoshta nën shërbim të Herod Antipës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mateu”). Shumë judenj i urrenin tagrambledhësit sepse ata i shikonin tagrambledhësit si tradhtarë, të cilët mblidhnin para nga vetë populli i tyre për romakët.

  • Sipas vargut 15, çfarë bëri Mateu për Shpëtimtarin dhe dishepujt e Tij?

  • Kush tjetër mori pjesë në këtë gosti?

Shpjegoni se gjatë shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit, të ndaje një vakt do të thoshte shumë më tepër se sa thjesht të haje dhe pije bashkërisht. Kjo tregonte se ekzistonte një lidhje miqësie dhe paqeje midis të gjithë njerëzve që merrnin pjesë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 2:16 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si reaguan skribët dhe farisenjtë kur e panë Shpëtimtarin të hante me tagrambledhësit.

  • Çfarë thanë skribët dhe farisenjtë?

  • Si mendoni ju, përse ata e kritikuan Jezusin që hante me tagrambledhësit dhe mëkatarët?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Markun 2:17 dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj kritikës së skribëve dhe të farisenjve.

  • Çfarë fjale përdori Shpëtimtari për ta përshkruar Veten e Tij? (Vini në dukje se duke përdorur fjalën mjek, Shpëtimtari ripohoi fuqinë e Tij për të shëruar si shpirtërisht edhe fizikisht.)

  • Si mund t’i ketë ndihmuar përgjigjja e Shpëtimtarit skribët dhe farisenjtë që të kuptonin arsyen përse Ai shoqërohej me tagrambledhësit dhe mëkatarët?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 17 rreth mënyrës se si reagon Shpëtimtari ndaj mëkateve tona? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Shpëtimtari dëshiron të na ndihmojë që të pendohemi për mëkatet tona dhe të shërohemi.)

  • Përse është e rëndësishme të besojmë se Jezusi dëshiron të na ndihmojë që të pendohemi dhe të shërohemi?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Kreig A. Kardon, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Krejg A. Kardon

“Zoti na do dhe dëshiron që ne ta kuptojmë gatishmërinë e Tij për të falur. …

… Të gjithë ne, përfshirë ata që po përpiqen t’i mposhtin sjelljet e varësisë të tilla si abuzimin me substancat ose pornografinë, si dhe ata që janë pranë tyre, mund ta dinë se Zoti do t’i pranojë përpjekjet tona të drejta dhe do të na falë me dashuri, kur pendimi është i plotë” (“Shpëtimtari Dëshiron të Falë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 16).

  • Si mund ta dimë ne se Zoti dëshiron të na ndihmojë që të pendohemi dhe të marrim faljen e Tij?

Ftojini studentët të përsiatin nëse ata janë si tagrambledhësit dhe mëkatarët (të cilët e pranuan nevojën e tyre për Shpëtimtarin dhe erdhën tek Ai), apo si skribët e farisenjtë (të cilët nuk erdhën te Shpëtimtari për të kërkuar fuqinë e Tij falëse dhe shëruese).

Dëshmoni për fuqinë dhe dëshirën e Shpëtimtarit që të na shërojë, dhe nxitini studentët që ta kërkojnë faljen e Tij nëpërmjet pendimit, kur është e nevojshme.

Përmblidheni Markun 2:18–22, duke shpjeguar që Jezusi dha mësim se përse dishepujt e Tij nuk agjëronin ndërkohë që Ai qe me ta. Ai dha gjithashtu mësim se përse ishte e vështirë që disa njerëz ta pranonin ungjillin e Tij. (Shënim: Këto mësime do të trajtohen më në thellësi në mësimin mbi Llukën 5.)

Marku 2:23–3:6

Jezusi jep mësim rreth Shabatit

Pyetini studentët nëse kanë zgjedhur ndonjëherë të mos marrin pjesë në një veprimtari, me qëllim që ta mbajnë ditën e Shabatit të shenjtë. Ftojini disa prej tyre që të tregojnë përvojat e tyre.

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë dhe ftojini studentët që ta përsiatin atë ndërsa vazhdojnë të studiojnë Markun 2–3: Si e dini ju nëse një veprimtari është e përshtatshme për t’u bërë në Shabat?

Ndajeni klasën përgjysmë. Ftojeni njërën gjysmë të lexojë në heshtje Markun 2:23–28. (Nxitini këta studentë që të lexojnë edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it, Markun 2:26–27 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Ftojeni gjysmën tjetër të lexojë në heshtje Markun 3:1–6. Udhëzojini studentët të kërkojnë atë që bënë Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij, çka saducenjtë e besonin të ishte një shkelje e urdhërimit për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë.

Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë besonin farisenjtë se ishte e paligjshme që të bëhej nga Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij në Shabat? (Këputja e misrit dhe shërimi i dikujt.)

  • Përse farisenjtë do ta konsideronin një shkelje të ligjeve të Perëndisë këputjen e misrit apo shërimin e dikujt në Shabat?

Nëse është e nevojshme, kujtojuni studentëve se mësuesit judenj i shtuan ligjit të Moisiut vetë rregullat dhe interpretimet e tyre, të quajtura ligji ose zakoni gojor. Këto rregulla të shtuara kishin për qëllim që të parandalonin shkeljen e ligjit të Perëndisë, por ato gjithashtu i pengonin disa njerëz nga të kuptuarit e qëllimit të vërtetë të disa urdhërimeve, përfshirë urdhrin për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë.

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Ne mund ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë duke …

  • Si do ta plotësonit këtë thënie bazuar në mësimet e Shpëtimtarit te Marku 2–3? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që ajo të përçojë të vërtetën vijuese: Ne mund ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë duke e lëvduar Perëndinë dhe duke bërë vepra të mira.)

  • Në ç’mënyra mund ta lëvdojmë Perëndinë në ditën e Tij të shenjtë?

  • Cilët janë disa shembuj të të bërit vepra të mira në Shabat?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë mënyrën se si mund t’i përcaktojnë veprimtaritë që janë të përshtatshme në Shabat, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ku është kufiri për atë që është e pranueshme dhe jo e pranueshme në Shabat? Brenda udhëzimeve, secili prej nesh duhet t’i përgjigjet vetë kësaj pyetje. Ndërkohë që këto udhëzime përfshihen në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve bashkëkohorë, ato duhet të shkruhen edhe në zemrën tonë dhe të qeverisen nga ndërgjegjja jonë. … Do të jetë pothuaj e pamundur që të ketë ndonjë shkelje të rëndë të adhurimit të Shabatit, nëse vijmë me përulësi përpara Zotit dhe i japim Atij gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë. (Shih Mateu 22:37.)

Se çfarë është e denjë ose e padenjë në ditën e Shabatit, do të duhet të gjykohet nga secili prej nesh, duke u përpjekur të jemi të ndershëm me Zotin. Në ditën e Shabatit ne duhet të bëjmë atë që na duhet të bëjmë dhe kemi për detyrë ta bëjmë me një qëndrim plot adhurim, dhe pastaj t’i kufizojmë veprimtaritë tona të tjera” (“The Lord’s Day”, Ensign, nëntor 1991, f. 35).

  • Si jeni ndier të bekuar ndërsa jeni përpjekur ta adhuroni Perëndinë dhe të bëni vepra të mira në Shabat?

Nxitini studentët që të përsiatin mbi një mënyrë se si mund ta mbajnë më të shenjtë ditën e Shabatit, dhe në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta të shkruajnë një synim për ta bërë këtë.

Marku 3:7–35

Jezusi shëron shumë njerëz, i dërgon Apostujt e Tij për të predikuar dhe i paralajmëron të tjerët kundër blasfemisë

Përmblidheni Markun 3:7–35, duke shpjeguar që Jezusi shkoi drejt detit të Galilesë dhe shëroi shumë njerëz që e ndoqën Atë deri atje, përfshirë disa që kishin frymëra të ndyra. Pasi përzgjodhi Dymbëdhjetë Apostuj, Jezusi i shuguroi dhe i dërgoi ata për të predikuar, shëruar dhe dëbuar demonët. Më pas, Ai i paralajmëroi skribët rreth të thënit blasfemi kundër Frymës së Shenjtë dhe dha mësim se familja e Tij janë njerëzit që e bëjnë vullnetin e Atit Qiellor.

(Shënim: Disa nga ngjarjet e shënuara te Marku 3:7–35 u trajtuan më në thellësi në mësimin mbi Mateun 12:22–35.)

Për të përfunduar, ju mund të doni të dëshmoni për të vërtetat e përcaktuara në mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 2:7 Jezusi e shëroi të paralizuarin si shpirtërisht edhe fizikisht

Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim se kur Jezusi e shëroi burrin e paralizuar, Ai dha një provë të pamohueshme se Ai ishte Mesia:

“Kjo ngjarje në jetën e Zotit tonë qe një provë e dukshme dhe e pakundërshtueshme se Ai ishte Mesia; dhe u pranua si i tillë nga ata midis të cilëve ai u shërbeu. Ai kishte dhënë dëshmi të vazhdueshme me fjalë se Perëndia ishte Ati i Tij dhe e kishte mbështetur atë dëshmi vetjake me një shërbesë të pashoqe predikimi e shërimi. Tani, ishte qëllimi i Tij që të lajmëronte se Ai kishte bërë atë që askush tjetër, përveç Perëndisë, nuk mund ta bënte dhe të vërtetonte se Ai e kishte bërë atë me një shfaqje të mëtejshme të fuqisë së Atit të Tij.

Si Jezusi ashtu edhe ‘dijetarët e ligjit’ që ishin të pranishëm atëherë, e dinin se askush tjetër përveç Perëndisë nuk mund t’i falte mëkatet. Në përputhje me rrethanat, si një dëshmitar i drejtpërdrejtë e i gjallë se fuqia e Perëndisë banonte në Të, Jezusi e gjeti (ose ndoshta e kërkoi) këtë rast të përshtatshëm për të falur mëkatet. I vënë në dyshim nga njohësit e shkrimeve të shenjta që e dinin (dhe me të drejtë) se hamendësimi i rremë i fuqisë për të falur mëkate ishte blasfemi, Jezusi bëri atë që asnjë mashtrues nuk mund të bënte – Ai e vërtetoi fuqinë e tij hyjnore duke e shëruar njeriun e falur. Për pyetjen e Tij, ‘A kërkon më shumë fuqi të falësh mëkatet sesa t’i thuash të sëmurit të çohet dhe të ecë’, mund të kishte vetëm një përgjigje! Ato janë e njëjta gjë; ai që mund të bëjë njërën, mund të bëjë edhe tjetrën” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:177–178).

Marku 2:27–28. Një ditë për lëvdimin e Perëndisë

Plaku Mark E. Peterson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi atë që respektimi nga ana jonë e ditës së Shabatit i komunikon Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit:

“Respektimi ose mosrespektimi i Shabatit nga ana jonë është një masë e pagabueshme e qëndrimit tonë ndaj Zotit personalisht dhe ndaj vuajtjes së tij në Gjetseman, vdekjes së tij në kryq dhe ringjalljes së tij nga të vdekurit” (“The Sabbath Day”, Ensign, maj 1975, f. 49).

Marku 3:4 “A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh mirë apo të keqe?”

Presidenti Spenser W. Kimball ndihmoi që të qartësonte se çfarë do të thotë të “bësh mirë” në ditën e Shabatit:

“Shabati është një ditë e shenjtë në të cilën duhen bërë gjëra të denja dhe të shenjta. Mospërfshirja në punë dhe argëtim është e rëndësishme, por e pamjaftueshme. Shabati kërkon mendime dhe vepra dobiprurëse dhe nëse një njeri thjesht rri kot duke mos bërë asgjë në Shabat, ai po e thyen atë” (“The Sabbath – a Delight”, Ensign, janar 1978, f. 4).

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillën vijuese mbi respektimin e ditës së Shabatit:

“Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor [shih Eksodi 31:13; Ezekieli 20:12, 20]. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta. …

… Çfarë shenje do t’i jepnit Zotit për të treguar dashurinë tuaj për Të?” (“Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 130).

Shtyp në Letër