Biblioteka
Mësimi 159: Zbulesa 20


Mësimi 159

Zbulesa 20

Hyrje

Gjoni pa në vegim ngjarjet që do të ndodhin menjëherë përpara si dhe gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Ai dëshmoi gjithashtu betejën e fundit midis Satanit dhe forcave të Perëndisë në fund të Mijëvjeçarit dhe pa Gjyqin Përfundimtar, gjatë të cilit Perëndia do ta gjykojë këdo në bazë të librave që janë shkruar.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 20:1–6

Gjoni sheh në vegim atë që do të ndodhë menjëherë përpara si dhe gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një konkurs ose garë (e tillë si një ngjarje artistike ose atletike), në të cilën kanë marrë pjesë ndonëse besonin se do të humbnin. Më pas, kërkojuni atyre të mendojnë për një rast kur kanë marrë pjesë në një konkurs ose garë, të cilën besonin se do ta fitonin.

  • Në ç’mënyrë pritshmëritë tuaja rreth rezultatit të një konkursi ose gare, e ndryshojnë mënyrën se si do ta kryeni atë?

  • Përse njerëzit heqin dorë kur mendojnë se do të humbin? Kur ka qenë një rast që menduat se do të humbnit dhe në të vërtetë fituat?

Shpjegojuni studentëve se teksa studiojnë Zbulesën 20, ata do të mësojnë më shumë rreth betejës midis së mirës dhe së ligës dhe rezultatit përfundimtar të betejës. Ftojini ata që teksa studiojnë Zbulesën 20, të kërkojnë të vërteta që mund t’i motivojnë ata të qëndrojnë besnikë ndaj Shpëtimtarit gjatë kësaj beteje.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që do t’i ndodhë Satanit gjatë Mijëvjeçarit.

  • Çfarë do t’i ndodhë Satanit gjatë Mijëvjeçarit? (Shpjegoni se humnera përfaqëson ferrin.)

  • Sipas vargut 3, ngaqë Satani është i lidhur, çfarë nuk do të jetë në gjendje të bëjë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilët pa Gjoni që po gjykoheshin.

  • Sipas vargut 4, cilët pa Gjoni që po gjykoheshin?

  • Çfarë shpërblimi morën këta njerëz për shkak të besnikërisë së tyre?

  • Pjesë e cilës ngjarje do të jenë ata gjatë Mijëvjeçarit? (Ringjalljes së Parë.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Zbulesa 20:4–6 rreth bekimeve që mund të marrim nëse jemi besnikë ndaj Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jemi besnikë ndaj Jezu Krishtit, ne do të jemi pjesë e Ringjalljes së Parë dhe do të mbretërojmë me Krishtin gjatë Mijëvjeçarit.)

Shpjegoni se Ringjallja e Parë filloi me Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe përfshiu të drejtët të cilët vdiqën përpara Ringjalljes së Krishtit (shih Mosia 15:21–25; Alma 11:16–20). Shumica e të drejtëve, të cilët vdiqën pas Ringjalljes së Krishtit, do të ringjallen kur të ngjasë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit (shih James E. Talmage, The Articles of Faith, bot. i 12-të [1924], f. 385). Të ligjtë dhe të papenduarit nuk do të ringjallen deri në Ringjalljen e Dytë, e cila do të ndodhë në fund të Mijëvjeçarit (shih DeB 76:85).

  • Në ç’mënyrë njohuria se ju do të jeni pjesë e Ringjalljes së Parë dhe do të mbretëroni me Jezu Krishtin gjatë Mijëvjeçarit, ju ndihmon të jeni besnikë tani në betejën kundër së ligës?

Dëshmoni se ata që do të qëndrojnë besnikë, do të jenë pjesë e Ringjalljes së Parë dhe do të mbretërojnë me Shpëtimtarin gjatë Mijëvjeçarit.

Zbulesa 20:7–11

Gjoni sheh betejën e fundit midis Satanit dhe forcave të Perëndisë në fund të Mijëvjeçarit

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Në fund të Mijëvjeçarit …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ngjarjet që përshkroi Gjoni, të cilat do të ndodhin në fund të Mijëvjeçarit.

  • Çfarë ngjarjesh përshkroi Gjoni? (Shpjegoni se emrat Gogu dhe Magoguvargun 8 iu referohen forcave që Satani do t’i përdorë në fund të Mijëvjeçarit për herë të fundit në betejë kundër njerëzve të Zotit [shih DeB 88:110–114].)

  • Çfarë do t’i ndodhë djallit dhe pasuesve të tij pas kësaj beteje? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë që të jetë si vijon: Në fund të Mijëvjeçarit, forcat e Perëndisë do ta mundin Satanin dhe pasuesit e Tij.)

  • Përse është e rëndësishme që ne ta kuptojmë rezultatin përfundimtar të betejës midis Perëndisë dhe Satanit?

Zbulesa 20:12–15

Gjoni sheh Gjyqin Përfundimtar

Shpjegoni se, si pjesë e planit të shpëtimit të Atit Qiellor, çdo person që ka jetuar në këtë tokë, do të qëndrojë përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si mendojnë që do të jetë Gjyqi Përfundimtar.

  • Çfarë shpresoni që të mendoni dhe ndieni kur të qëndroni përpara Perëndisë për t’u gjykuar?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 20:12–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si do të gjykohemi ne nga Perëndia.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 12 rreth mënyrës se si do të gjykohemi? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Perëndia do të na gjykojë ne në bazë të librave që janë shkruar sipas veprave tona.)

  • Çfarë librash pa Gjoni? (Shkrimet e shenjta, analet e Kishës që kanë të shënuara ordinancat shpëtuese dhe ndoshta veprime të tjera dhe librin e jetës [shih 2 Nefi 29:10–11; DeB 128:6–7].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues për librin e jetës:

“[Në një kuptim,] libri i Jetës konsiderohet të jetë tërësia e mendimeve dhe veprimeve të një njeriu – anali i jetës së tij. Megjithatë, shkrimet e shenjta gjithashtu tregojnë se një anal qiellor mbahet për besimtarët, duke përfshirë emrat e tyre si dhe rrëfimet e veprave të tyre të drejta (DeB 88:2; 128:7)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i Jetës”, f. 102).

Nxirrni në pah se Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith se, përveç veprave tona, ne do të gjykohemi sipas dëshirave të zemrave tona (shih DeB 137:9; shih edhe Alma 41:3–5).

  • Sipas Zbulesës 20:13, çfarë do të ndodhë përpara se ne të gjykohemi? (Nëse është e nevojshme, shpjegoni se fraza “deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta”, i referohet Ringjalljes së të gjithë njerëzve.)

  • Cili mund të jetë kuptimi i ringjalljes sonë, para se të qëndrojmë përpara Perëndisë për t’u gjykuar?

Dëshmoni se secili nga ne do të qëndrojë përpara Perëndisë për t’u gjykuar dhe se veprimet tona tani do të përcaktojnë se si do të jetë për ne ajo përvojë. Lexojeni pyetjen vijuese me zë të lartë dhe ftojini studentët t’i përgjigjen asaj në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Çfarë mund të bëni më mirë në jetën tuaj që të përgatiteni për t’u gjykuar nga Zoti?

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Zbulesa 20:12

Merrni parasysh t’i ftoni studentët që të përdorin mjetet për studimin e shkrimeve të shenjta të tilla si poshtëshënimet, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (që gjendet në scriptures.lds.org) dhe Topical Guide [Udhëzuesin Tematik], për të gjetur shkrime të shenjta shtesë që japin mësim rreth Gjyqit Përfundimtar. Studentët mund t’i shkruajnë këto referenca shtesë të shkrimeve të shenjta në shkrimet e tyre të shenjta pranë Zbulesës 20:12. Ftojini studentët t’ia raportojnë klasës të vërtetat shtesë rreth Gjyqit Përfundimtar që i mësojnë gjatë kësaj veprimtarie.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 20:2–3. Satani do të lidhet

Për sa i përket lidhjes së Satanit, Presidenti Jozef F. Smith shpalli:

“[Satani] do të lidhet si nga besimi i të drejtëve ashtu edhe nga dekretet e të Plotfuqishmit gjatë mbretërimit të Mijëvjeçarit dhe do të hidhet në ferr” (From Prophet to Son: Advice of Joseph F. Smith to His Missionary Sons, përmb. Hyrum M. Smith III dhe Scott G. Kenney [1981], f. 71).

Profeti Nefi dha mësim se, për shkak të drejtësisë së shenjtorëve, Satani nuk do të ketë fuqi (shih 1 Nefi 22:26).

Presidenti Xhorxh Q. Kenon, i Presidencës së Parë, shpjegoi:

“Ne flasim për Satanin që do të lidhet. Satani do të lidhet nga fuqia e Perëndisë; por ai do të lidhet gjithashtu edhe nga vendosmëria e popullit të Perëndisë për të mos e dëgjuar atë, për të mos u qeverisur prej tij” (Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, përmb. Jerreld L. Newquist, 2 vëll. [1957–1974], 1:86).

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se ne nuk duhet të presim deri në kohën e Mijëvjeçarit që Satani të lidhet:

“Kur Satani lidhet në një shtëpi të vetme – kur Satani lidhet në një jetë të vetme – Mijëvjeçari ka filluar tashmë në atë shtëpi, në atë jetë” (The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 172).

Zbulesa 20:5–6. Ringjallja e Parë

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon për Ringjalljen e Parë:

“[Ringjallja e parë] nisi me ringjalljen e Jezu Krishtit; menjëherë pas së cilës shumë prej shenjtorëve dolën nga varret e tyre. Një vazhdimësi e kësaj, e ringjalljes së të drejtëve, po vazhdon që prej asaj kohe dhe do të zgjasë pa masë ose do të ndodhë në një mënyrë të përgjithshme, kur të ngjasë ardhja e Krishtit në lavdinë e Tij” (The Articles of Faith, bot. i 12-të [1924], f. 385).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi dy mënyra të ndryshme për ta kuptuar termin Ringjallje e Parë:

“Për njerëzit që jetuan përpara ringjalljes së Krishtit, dita e ngjalljes së tij prej të vdekurit, u njoh si ringjallja e parë. Për shembull, Abinadi dhe Alma e quajtën si të tillë. (Mosia 15:21–25; Alma 40.) Për njerëzit që jetuan që nga ajo kohë, ringjallja e parë mbetet ende një e ardhme dhe do të ndodhë në kohën e Ardhjes së Dytë. (DeB 88:96–102.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 639).

Ata njerëz që do të vijnë në Ringjalljen e Parë, përfshijnë “të gjithë profetë[t]; dhe të gjithë a[ta] që kanë besuar në fjalët e tyre” (Mosia 15:22), ata që kanë vdekur në padituri, pa “iu njoftuar shpëtimi” (Mosia 15:24; shih edhe DeB 45:54) dhe fëmijët e vegjël, të cilët kanë vdekur përpara moshës së përgjegjshmërisë (shih Mosia 15:25; Moroni 8:4–24).

Shtyp në Letër