Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Veprat e Apostujve 20–Romakëve 7 (Njësia 20)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Veprat e Apostujve 20Romakëve 7 (Njësia 20)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve që studentët mësuan kur studiuan Veprat e Apostujve 20Romakëve 7 (njësia 20), nuk ka për synim që të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Veprat e Apostujve 20–22)

Nga udhëtimet misionare të Palit, studentët mësuan se shërbëtorët e vërtetë të Zotit e kryejnë me besnikëri detyrën e tyre dhe kur e bëjnë këtë, ata ndiejnë gëzim. Ata gjithashtu mësuan se shërbëtorët e vërtetë të Zotit janë të gatshëm ta bëjnë vullnetin e Perëndisë pavarësisht nga çmimi vetjak. Nga rrëfimi i Palit për kthimin e tij në besim, studentët mësuan se kur ne i bindemi fjalëve të Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi plotësisht të kthyer në besim.

Dita 2 (Veprat e Apostujve 23–28)

Ndërsa studentët studiuan dëshminë e Palit përpara mbretit Agripa, ata mësuan se nëse pendohemi dhe kthehemi te Perëndia, ne mund ta mposhtim fuqinë e Satanit në jetën tonë, ne mund të marrim falje për mëkatet tona dhe të kualifikohemi për mbretërinë çelestiale. Ata gjithashtu përcaktuan të vërtetën se që të bëhemi të kthyer në besim te Jezu Krishti, ne duhet të zgjedhim të besojmë dhe të zotohemi plotësisht për ta jetuar ungjillin. Nga rrëfimi i udhëtimit të Palit për në Romë, studentët mësuan se nëse jemi besnikë, Perëndia mund të na ndihmojë që t’i kthejmë sprovat tona në bekime, për veten tonë dhe për të tjerët.

Dita 3 (Romakëve 1–3)

Në letrën e Palit drejtuar shenjtorëve në Romë, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Kur ne fitojmë një dëshmi se ungjilli i Jezu Krishtit ka fuqi për të na shpëtuar, atëherë ne nuk do të kemi turp t’ua tregojmë atë të tjerëve. Të gjithë njerëzit e përgjegjshëm mëkatojnë dhe kanë nevojë për faljen e Perëndisë. Nëpërmjet pranimit plot besim të Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shfajësohet dhe të marrë shpëtimin.

Dita 4 (Romakëve 4–7)

Nga mësimet e Palit drejtuar shenjtorëve romakë, studentët mësuan se ne shfajësohemi me anë të besimit dhe veprave nëpërmjet hirit. Ata gjithashtu studiuan të vërtetat vijuese: Pagëzimi me anë të zhytjes mund të simbolizojë vdekjen tonë nga mëkati dhe risinë e jetës shpirtërore. Nëse i jepemi mëkatit, atëherë ne do bëhemi shërbëtorë të mëkatit. Nëse i jepemi Perëndisë, ne mund të bëhemi të lirë prej mëkatit dhe të marrim dhuratën e jetës së përjetshme.

Hyrje

Si një i burgosur, Pali u çua në Romë nëpërmjet detit gjatë muajve të dimrit. Përpara se të nisej, Pali paralajmëroi se udhëtimi do të ishte me “rrezik dhe me dëm të madh” (Veprat e Apostujve 27:10). Gjatë një stuhie, Pali profetizoi që ndonëse anija do të shkatërrohej, njerëzit në anije do të mbijetonin. Profecia e Palit u përmbush.

Sugjerime për Mësimdhënien

Veprat e Apostujve 27

Palit i mbytet anija ndërsa çohet në Romë

Përpara se të fillojë ora e mësimit, shkruajini thëniet vijuese në tabelë. (Këto thënie gjenden te broshura Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 4, 1116.)

“Shmangni daljen e shpeshtë në takime me të njëjtin person.”

“Mos ndiqni, shikoni apo merrni pjesë në asgjë që është vulgare, imorale, e dhunshme ose pornografike në çfarëdolloj mënyre.”

“Nëse miqtë tuaj ju nxitin të bëni gjëra që janë të gabuara, jini ai që me besim bën atë që është e drejtë, edhe nëse jeni i vetmi.”

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thëniet e shkruara në tabelë.

  • Përse disa të rinj mund të zgjedhin të mos ua vënë veshin këtyre paralajmërimeve dhe këshillave?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Veprat e Apostujve 27, të kërkojnë të vërteta që do t’i ndihmojnë ta forcojnë besimin e tyre për t’ia vënë veshin paralajmërimeve dhe këshillave të shërbëtorëve të Zotit.

Kujtojuni studentëve se Pali qe akuzuar gabimisht për tradhti dhe qe futur në burg. Ai e apeloi çështjen e tij te Cezari në Romë, gjë që ishte e drejta e tij si një qytetar romak. Përmblidheni Veprat e Apostujve 27:1–8, duke shpjeguar se Pali udhëtoi drejt Romës me barkë me të burgosur të tjerë, nën mbikëqyrjen e një roje romake. Pasi lundruan për shumë ditë, ata ndaluan në një liman në ishullin e Kretës. Kur po largoheshin nga limani, Pali i paralajmëroi ata që ishin në anije se nuk duhej ta vazhdonin udhëtimin e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:9–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali paralajmëroi se do të ndodhte, nëse ai dhe të tjerët në anije do ta vazhdonin udhëtimin e tyre për në Romë. Ju mund të doni të shpjegoni se fjala agjëroj, siç përdoret në vargun 9, i referohet mospranimit në mënyrë të vullnetshme për të ngrënë. Në këtë rast, “agjërimi” ndoshta i referohet ditës së shenjtë të judenjve, e quajtur Dita e Shlyerjes, e cila shenjonte fillimin e kohës gjatë së cilës, përgjithësisht, konsiderohej si e pasigurt të udhëtoje në detin Mesdhe për shkak të stuhive të fuqishme. Dita e Shlyerjes zakonisht ndodhte nga fundi i shtatorit ose në fillim të tetorit. Shpjegoni gjithashtu se fjala ngarkesëvargun 10 i referohet rëndesës së anijes.

  • Sipas Veprave të Apostujve 27:10, çfarë paralajmëroi dhe profetizoi Pali se do të ndodhte nëse ata do ta vazhdonin udhëtimin e tyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan centurioni romak dhe të tjerët në anije ndaj paralajmërimit të Palit.

  • Si mendoni ju, përse mund të ketë qenë më e lehtë për centurionin që t’i besonte kapitenit të anijes se sa Palit?

  • Sipas vargut 12, përse shumica e njerëzve në anije e shpërfillën paralajmërimin e Palit? (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fjala liman i referohet një porti, dhe i përshtatshëm do të thotë i rehatshëm ose i volitshëm.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 27:13–21. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi ndërkohë që anija vazhdonte drejt Romës.

  • Çfarë ndodhi ndërsa anija vazhdonte drejt Romës?

  • Sipas vargut 20, si u ndien ata që ishin në anije gjatë furtunës rreth situatës së tyre?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 21 rreth asaj që mund të ndodhë kur ne i shpërfillim paralajmërimet dhe këshillat e shërbëtorëve të Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i shpërfillim paralajmërimet dhe këshillat e shërbëtorëve të Zotit, atëherë ne e vendosim veten tonë në rrezik. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Shpjegoni se rreziku mund të përfshijë bekime të humbura që përndryshe ne do t’i kishim marrë.)

Rishikoni me studentët arsyet përse centurioni dhe njerëzit e tjerë në anije e shpërfillën paralajmërimin dhe këshillën e Palit (shih Veprat e Apostujve 27:11–12).

  • Në ç’mënyrë njerëzit sot mund të bëjnë shfajësime të ngjashme për shpërfilljen e paralajmërimeve dhe këshillave të shërbëtorëve të Zotit?

Duke përdorur broshurën Për Forcën e Rinisë ose fjalime të konferencës së fundit, jepni shembuj shtesë të paralajmërimeve dhe këshillave të profetëve që ju ndieni se lidhen më shumë me studentët në klasën tuaj.

  • Në çfarë rreziqesh mund ta vendosin veten e tyre individët, kur i shpërfillin të tilla paralajmërime dhe këshilla nga profetët?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:22–26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u tha njerëzve në anije.

  • Nëse ju do të ishit në anije në mes të një stuhie të tmerrshme, cilat fjalë të Palit do t’ju ngushëllonin?

  • Çfarë profetizoi Pali se do të ndodhte me anijen?

Përmblidheni Veprat e Apostujve 27:27–30, duke shpjeguar se në natën e 14-të të stuhisë, ekuipazhi hodhi katër spiranca në det për të parandaluar përplasjen e anijes me shkëmbinjtë. Ekuipazhi më pas shkoi te bashi i anijes dhe u soll sikur ishte gati për të hedhur më shumë spiranca. Mirëpo, në të vërtetë ata po planifikonin ta braktisnin anijen dhe t’ia mbathnin me një barkë të vogël nga frika se mos anija do të fundosej.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 27:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar paralajmërimin që Pali i dha centurionit dhe ushtarëve. Shpjegoni se fjala këtavargun 31, i referohet pjesëtarëve të ekuipazhit të cilët po përpiqeshin t’ia mbathnin.

  • Çfarë paralajmërimi i dha Pali centurionit dhe ushtarëve?

  • Si reaguan ushtarët ndaj paralajmërimit dhe këshillës së Palit? (Ata ia vunë veshin paralajmërimit të tij dhe nuk e lejuan ekuipazhin që t’ia mbathte, duke i prerë litarët e barkës së vogël dhe duke e lënë atë që të largohej e boshatisur.)

Përmblidheni Veprat e Apostujve 27:33–44, duke shpjeguar se Pali sugjeroi që çdokush në kuvertën e anijes të hante pak ushqim për të marrë fuqi. Në të ngrysur, ndërsa anija lundronte drejt tokës ajo u përplas, por të gjithë njerëzit arritën që të shpëtonin. Kujtojuni studentëve profecinë e Palit të shënuar te Veprat e Apostujve 27:22–26, se asnjë nuk do të vdiste edhe pse anija do të fundosej.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që mund të ndodhë nëse ia vëmë veshin këshillave dhe paralajmërimeve të shërbëtorëve të Zotit? (Studentët mund të përcaktojnë parime të ngjashme me sa vijon: Nëse ia vëmë veshin këshillave dhe paralajmërimeve të shërbëtorëve të Zotit, atëherë Zoti do t’i përmbushë premtimet që na ka bërë. Nëse ia vëmë veshin këshillave dhe paralajmërimeve të shërbëtorëve të Zotit, atëherë ne mund t’i bëjmë ballë rreziqeve që na kanosen. Shkruajini këto parime në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë parimet që përcaktuan te Veprat e Apostujve 27, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Sa herë që në jetën time kam zgjedhur ta vonoj ndjekjen e këshillave të frymëzuara apo kur vendosja se bëja përjashtim, arrija të kuptoja se e kisha vënë veten në rrezik. Sa herë që ia kam vënë veshin këshillës së profetëve, e kam ndier të më pohohej në lutje dhe më pas e kam ndjekur atë, kam zbuluar se po ecja drejt sigurisë” (“Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25).

  • Si ju ka ndihmuar vënia vesh ndaj paralajmërimeve dhe këshillave të shërbëtorëve të Zotit për t’i bërë ballë rreziqeve që e kërcënojnë sigurinë tuaj shpirtërore dhe fizike?

Ftojini studentët që të marrin në shqyrtim nëse ata janë duke e shpërfillur ndonjë paralajmërim apo këshillë nga shërbëtorët e Zotit, ose të mendojnë për mënyrat se si mund t’ia vënë veshin më mirë paralajmërimeve dhe këshillave që kanë marrë. Ftojini ata që të shkruajnë një synim lidhur me mënyrën se si do t’ia vënë veshin më mirë asaj këshille.

Njësia Tjetër (Romakëve 81 Korintasve 6)

Shpjegojuni studentëve që ndërsa studiojnë Romakëve 8–16 dhe 1 Korintasve 1–6 gjatë javës së ardhshme, ata do të mësojnë rreth këshillave të mençura që Apostulli Pal u dha anëtarëve të Kishës në Romë dhe Korint, që t’i ndihmonte ata të afroheshin me Perëndinë në një botë të ligë e të trazuar. Kërkojuni atyre që t’u përgjigjen pyetjeve vijuese: Përse trupat tanë fizikë janë si një tempull? Si duhet t’i zgjidhin anëtarët e Kishës mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin?

Shtyp në Letër