Biblioteka
Hyrje te Letra e Apostullit Jakob


Hyrje te Letra e Apostullit Jakob

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Jakobit është shumë e njohur midis anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për fragmentin domethënës te Jakobi 1:5, që e çoi të riun Jozef Smith ta kërkonte të vërtetën nga Perëndia. Gjatë gjithë letrës së tij, Jakobi theksoi se ne duhet të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” (Jakob 1:22). Studimi i këtij libri mund t’i ndihmojë studentët që të kuptojnë rëndësinë për ta treguar besimin e tyre nëpërmjet “vepra[ve]” apo veprimeve të tyre (shih Jakob 2:14–26), dhe t’i frymëzojë ata që të kërkojnë “kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan” (Jakob 1:12).

Kush e shkroi këtë libër?

Kjo letër thotë se ajo u shkrua nga “Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht” (Jakob 1:1).

Tradita e krishterë thotë se ky Jakobi, ashtu si Juda, është një prej bijve të Jozefit e Maries, dhe si rrjedhojë, është gjysmë vëlla me Jezu Krishtin (shih Mateu 13:55; Marku 6:3; Galatasve 1:19). Fakti që Jakobi përmendet i pari në listën e vëllezërve të Jezusit te Mateu 13:55, mund të tregojë se ai ishte vëllai më i madh i gjysmë vëllezërve. Ashtu si gjysmë vëllezërit e tjerë të Zotit, Jakobi fillimisht nuk u bë një dishepull i Jezusit (shih Gjoni 7:3–5). Sidoqoftë, pasi Jezusi u ringjall, Jakobi ishte njëri prej individëve të cilit Krishti iu shfaq si një qenie e ringjallur (shih 1 Korintasve 15:7).

Më vonë Jakobi u bë një Apostull dhe, sipas autorëve të hershëm të krishterë, peshkopi i parë i Kishës në Jeruzalem (shih Veprat e Apostujve 12:17; 21:18; Galatasve 1:18–19; 2:9). Si një udhëheqës në Kishë, ai luajti një rol të rëndësishëm në këshillin që u mbajt në Jeruzalem (Veprat e Apostujve 15:13). Ndikimi i tij në Kishë ishte pa dyshim i fortë për shkak të lidhjes së tij familjare me Jezusin, por prapëseprapë Jakobi tregoi përulësi kur e paraqiti veten e tij jo si vëllai i Jezusit, por si një shërbëtor i Zotit (shih Jakob 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Nuk dihet se kur Jakobi e shkroi këtë letër. Meqenëse Jakobi jetonte në Jeruzalem dhe kujdesej për punët e Kishës atje, ka gjasa që ai ta ketë shkruar letrën e tij nga ajo zonë.

Fakti që Jakobi nuk e përmendi konferencën e Jeruzalemit rreth vitit 50 ps.K. (shih Veprat e Apostujve 15) mund të tregojë se kjo letër u shkrua përpara se ajo të ndodhte. Nëse kjo letër do të ishte shkruar vërtet përpara konferencës së Jeruzalemit, [atëherë] ajo është një nga letrat e para në Dhiatën e Re që është shkruar.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Jakobi ia drejtoi letrën e tij “të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë” (Jakob 1:1), duke nënkuptuar të gjithë shtëpisë së Izraelit; ai po i ftonte ata që ta “pranonin ungjillin … [dhe] të vinin në tufën e Krishtit” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:243). Jakobi i udhëzoi anëtarët e Kishës që ta jetonin jetën e tyre si shprehje të besimit të tyre në Jezu Krisht.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Letra e Jakobit ndonjëherë është klasifikuar si literaturë urtësie e ngjashme me librin e Fjalëve të Urta në Dhiatën e Vjetër. Teksti i letrës përbëhet nga shpjegime të shkurtra të parimeve për jetesën e krishterë. Përveç kësaj, ka ngjashmëri të madhe midis Predikimit të Shpëtimtarit në mal të shënuar te Mateu 5–7 dhe fjalëve të Jakobit. Disa tema të ngjashme përfshijnë durimin e përndjekjeve (shih Jakob 1:2–3, 12; Mateu 5:10–12); të bëhemi të “përsosur” apo të matur shpirtërisht (shih Jakob 1:4; 2:22; Mateu 5:48); të pyesim Perëndinë (shih Jakob 1:5; Mateu 7:7–8); të bëjmë vullnetin e Perëndisë (shih Jakob 1:22; Mateu 7:21–25); t’i duam të tjerët (shih Jakob 2:8; Mateu 5:43–44; 7:12); ta njohim të mirën dhe të keqen nga frytet e tyre (shih Jakob 3:11–12; Mateu 7:15–20); të jemi paqedashës (shih Jakob 3:18; Mateu 5:9); dhe të mos bëjmë betime (shih Jakob 5:12; Mateu 5:34–37).

Përmbledhje

Jakob 1–2 Jakobi i përshëndet lexuesit e tij dhe paraqet disa nga temat kryesore të letrës së tij, përfshirë durimin e provave, kërkimin e urtësisë dhe të jetuarit në përputhje me besimin e pretenduar të dikujt. Dëgjuesit e fjalës së Perëndisë janë gjithashtu bërës të fjalës. Jakobi e përkufizon “fe[në] e pastër” si përkujdesje për jetimët e të vejat dhe përpjekje për të jetuar të lirë prej mëkatit (shih Jakob 1:27). Shenjtorët duhet t’i duan fqinjët e tyre dhe ta tregojnë besimin e tyre me anë të veprave të tyre.

Jakob 3–4 Jakobi ilustron natyrën shkatërruese të të folurit të pakontrolluar dhe e krahason atë me frytin e drejtësisë së atyre që bëjnë paqe. Ai i porosit lexuesit e tij që të mos bëhen miq me botën, por ta kundërshtojnë djallin dhe të afrohen më pranë Perëndisë.

Jakob 5 Jakobi i paralajmëron të pasurit që janë të ligj. Ai e përfundon letrën e tij me një grup këshillash të shkurtra rreth përgjegjësive të shenjtorëve ndaj anëtarëve të tjerë të Kishës. Ai i këshillon shenjtorët që të durojnë me këmbëngulje deri në ardhjen e Zotit dhe të jenë të vërtetë në të gjitha bisedat e tyre. Jakobi i nxit të sëmurët të thërrasin pleqtë për t’i vajosur ata me vaj.

Shtyp në Letër