Biblioteka
Mësimi 58: Lluka 23


Mësimi 58

Lluka 23

Hyrje

Shpëtimtari u gjykua si para Ponc Pilatit edhe përpara Herod Antipës. Asnjë nga këta burra nuk e gjeti Shpëtimtarin fajtor për krimet që e akuzonin judenjtë, por megjithatë Pilati e dorëzoi Atë që të kryqëzohej. Jezusi i fali ushtarët romakë që e kryqëzuan Atë dhe i foli një vjedhësi që po kryqëzohej gjithashtu. Pasi Jezusi vdiq, Jozefi nga Arimatea e vendosi trupin e Tij në një varr.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 23:1–25

Shpëtimtari gjykohet përpara Pilatit dhe Herodit

Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Kur jeni ndier i keqtrajtuar për shkak të fjalëve apo veprimeve të një personi tjetër?

Si reaguat në atë situatë?

Fillojeni orën mësimore duke i ftuar studentët të përsiatin pyetjet në tabelë.

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Llukën 23, të kërkojnë të vërtetën që do t’i ndihmojë të dinë mënyrën se si të reagojnë kur ndihen të keqtrajtuar nga të tjerët.

Kujtojuni studentëve se pasi Jezusi kishte vuajtur në Gjetseman, krerët e priftërinjve e arrestuan Atë dhe e dënuan me vdekje. Shpjegoni se që nga ajo kohë e deri në vdekjen e Tij, Jezusi ndërveproi me njerëzit që vijojnë: Ponc Pilatin, Herod Antipën, një grup grash besnike, ushtarët romakë dhe dy vjedhësa që po kryqëzoheshin në secilën anë të Tij. Ponc Pilati ishte një sundues romak në territorin e Judës, i cili përfshinte kryeqytetin e Jeruzalemit; Herod Antipa (i cili kishte vrarë Gjon Pagëzorin) sundonte mbi territoret e Galilesë dhe të Peresë nën autoritetin romak (shih Lluka 3:1).

Ndajini studentët në dyshe dhe ftojeni secilën dyshe që të lexojnë së bashku Llukën 23:1–11, duke kërkuar ndryshimet midis reagimit të Shpëtimtarit ndaj Ponc Pilatit dhe reagimit të Tij ndaj Herod Antipës. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë reagimin e Shpëtimtarit ndaj Pilatit, shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Markut 15:2, thotë: “… Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha atij: ‘Unë jam, siç ti e thua’”.

Ftojini studentët që të diskutojnë me partnerët e tyre përgjigjet e pyetjeve vijuese:

  • Si ishte i ndryshëm reagimi i Jezusit ndaj Pilatit nga reagimi e Tij ndaj Herodit?

  • Përse Pilati mund të jetë çuditur nga reagimi i Shpëtimtarit ndaj tij?

  • Përse Herodi mund të jetë zhgënjyer nga heshtja e Shpëtimtarit?

Përmblidheni Llukën 23:12–25, duke shpjeguar se as Pilati as Herodi nuk mund të gjenin faj te Jezusi, kështu që Pilati i tha turmës se do ta ndëshkonte Jezusin dhe do ta lironte Atë. Njerëzit i thirrën Pilatit që në vend të [Jezusit] të lironte Barabën dhe kërkuan që Jezusi të kryqëzohej. Pilati e liroi Barabën dhe e dorëzoi Jezusin për t’u kryqëzuar. (Shënim: Rrëfimi i Jezusit përpara Pilatit do të jepet mësim më me hollësi në mësimin mbi Gjonin 18–19.)

Lluka 23:26–56

Jezusi kryqëzohet midis dy vjedhësve

Përmblidheni Llukën 23:26–31, duke shpjeguar se një grup i madh grash besnike që kishin qenë me Të që nga shërbesa e Tij në Galile, qanë teksa e ndiqnin Jezusin, ndërsa Ai u çua në vendin e kryqëzimit të Tij. Jezusi u tha atyre të mos qanin për Të, por të qanin për shkatërrimin e pashmangshëm që do të vinte mbi Jeruzalemin ngaqë judenjtë nuk e kishin pranuar Mbretin e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 23:32–34. Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Llukës 23:34 thotë: “Pastaj Jezusi tha: ‘O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë. (Duke nënkuptuar ushtarët që e kryqëzuan atë), dhe i ndanë rrobat e tij dhe hodhën short’”. Ftojini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari ndërsa po kryqëzohej në kryq.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari ndërsa po kryqëzohej në kryq? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët e Shpëtimtarit të shënuara në vargun 34.)

  • Përse lutja e Shpëtimtarit në këtë çast është kaq e mrekullueshme?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit për mënyrën se si duhet të reagojmë kur të tjerët na keqtrajtojnë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke zgjedhur t’i falim ata që na keqtrajtojnë.)

  • Çfarë do të thotë të falësh?

Ju mund të doni të shpjegoni se t’i falim të tjerët nuk do të thotë se ata që mëkatojnë kundër nesh nuk duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. As nuk do të thotë se ne duhet ta vëmë veten tonë në situata ku njerëzit mund të vazhdojnë të na keqtrajtojnë. Për më tepër, falje do të thotë t’i trajtojmë me dashuri ata që na kanë keqtrajtuar dhe të mos ushqejmë mëri ose zemërim përkundrejt tyre (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fal”, scriptures.lds.org).

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh në heshtje nëse ka ndonjë njeri që ata duhet ta falin. Pranojeni se ka raste kur mund të jetë e vështirë të falësh një tjetër. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli. Vëreni klasën të mbajë vesh për atë që mund të bëjnë ata nëse po hasin vështirësi për ta falur dikë.

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Unë ju përgjërohem që t’i kërkoni Zotit forcë për të falur. … Mund të mos jetë e lehtë dhe mund të mos vijë shpejt. Por nëse do ta kërkoni me sinqeritet dhe do ta kultivoni atë, ajo do të vijë” (“Of You It Is Required to Forgive”, Ensign, qershor 1991, f. 5).

  • Çfarë na këshilloi Presidenti Hinkli të bëjmë nëse po hasim vështirësi për ta falur dikë?

  • Si mendoni ju, në ç’mënyrë të luturit për forcë mund të na ndihmojë që të falim?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur e falën dikë. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës përvojat e tyre. (Kërkojuni atyre që të mos ia tregojnë emrat klasës dhe kujtojuni që të mos tregojnë asgjë që është tepër vetjake.)

Nxitini studentët të ndjekin shembullin e Jezu Krishtit dhe t’i falin ata që i kanë keqtrajtuar. Ftojini ata të luten për forcën dhe aftësinë që ta bëjnë këtë.

Përmblidheni Llukën 23:35–38, duke shpjeguar se sunduesit judenj dhe ushtarët romakë e përqeshën Shpëtimtarin kur Ai u var në kryq.

Pamja
Kryqëzimi

Paraqitni figurën Kryqëzimi (Libri i Figurave Artistike [2009], nr. 57; shih edhe LDS.org). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 23:39–43 dhe vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e trajtuan Shpëtimtarin të dy vjedhësit që vareshin në secilën anë të Tij.

  • Si e trajtoi Shpëtimtarin secili nga të dy vjedhësit?

  • Çfarë mund të ketë nënkuptuar vjedhësi kur ai tha: “Po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer” (vargu 41)?

  • Si iu përgjigj Shpëtimtari këtij vjedhësi kur ai i kërkoi Shpëtimtarit ta kujtonte atë në mbretërinë e Perëndisë?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë atë që nënkuptoi Shpëtimtari kur Ai i tha vjedhësit se do të ishte me Të në parajsë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

“Në shkrimet e shenjta, fjala parajsë përdoret në mënyra të ndryshme. Së pari, ajo përcakton një vend paqeje dhe lumturie në botën e shpirtrave pas vdekjes, të ruajtur për ata që janë pagëzuar dhe kanë qëndruar besnikë (shih Alma 40:12; Moroni 10:34). …

Një përdorim i dytë i fjalës parajsë gjendet në rrëfimin e Llukës për Kryqëzimin e Shpëtimtarit. … Profeti Jozef Smith shpjegoi se … Zoti në të vërtetë tha se vjedhësi do të ishte me Të në botën e shpirtrave” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 113; shih edhe History of the Church, 5:424–425).

  • Sipas Profetit Jozef Smith, ku do të shkonte vjedhësi pasi ai të vdiste? (Në botën e shpirtrave [shih Alma 40:11–14].)

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga thënia e Shpëtimtarit se vjedhësi do të ishte me Të në parajsë (Lluka 23:43)? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shpirtrat e të gjithë njerëzve hyjnë në botën e shpirtrave në kohën e vdekjes së tyre.)

Shpjegoni se shkrime të tjera të shenjta mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë atë që do t’i ndodhte vjedhësit dhe të tjerëve si ai në botën e shpirtrave. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë Doktrinën e Besëlidhjet 138:28–32, 58–59 si një referencë kryq në anë të shkrimeve të shenjta pranë Llukës 23:43.

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 138 përmban një zbulesë të dhënë Presidentit Jozef F. Smith, në të cilën Shpëtimtari zbuloi të vërteta rreth botës së shpirtrave. Këto të vërteta mund të na ndihmojnë të kuptojmë atë që Shpëtimtari nënkuptoi kur Ai tha: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Lluka 23:43).

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhjet 138:11, 16, 18, 28–32. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari kur Ai shkoi në botën e shpirtrave.

  • Çfarë bëri Shpëtimtari kur Ai shkoi në botën e shpirtrave?

  • Sipas vargut 29, ku nuk shkoi Shpëtimtari ndërkohë që ishte në botën e shpirtrave?

  • Për çfarë i organizoi Shpëtimtari lajmëtarët e Tij të drejtë të bënin?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nën drejtimin e Jezu Krishtit, lajmëtarët e drejtë ua mësojnë ungjillin atyre që janë në botën e shpirtrave.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Alain A. Petion, ish i Shtatëdhjetë Zonal. Kërkojini klasës të mbajë vesh për atë që mund të ketë bërë mesazhi i Shpëtimtarit për keqbërësin në kryq.

Pamja
Alain A. Petion

“Shpëtimtari iu përgjigj plot hir dhe i dha shpresë atij. Ky keqbërës ka gjasa që të mos e ketë kuptuar se ungjilli do t’i predikohej atij në botën e shpirtrave, apo që atij do t’i jepej mundësia të jetonte sipas Perëndisë në shpirt (shih 1 Pjetër 4:6; DeB 138:18–34). Me të vërtetë, Shpëtimtari u kujdes për vjedhësin që u var pranë Tij; me siguri Ai kujdeset shumë për ata që e duan Atë dhe përpiqen t’i zbatojnë urdhërimet e Tij!” (“Words of Jesus: On the Cross”, Ensign, qershor 2003, f. 34).

  • Çfarë shprese na japin fjalët te DeB 138:29–32 lidhur me të gjithë ata që kanë vdekur pa një njohuri për ungjillin?

Shpjegoni që edhe pse ungjilli do t’i predikohej këtij vjedhësi, ai nuk do të shpëtohej vetvetiu në mbretërinë e Perëndisë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:58–59 dhe vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që vjedhësi dhe të tjerët në burgun e shpirtrave do të duhej të bënin me qëllim që të shëlbeheshin.

  • Çfarë do të duhej të bënte vjedhësi apo ndonjë shpirt tjetër në burgun e shpirtrave me qëllim që të shëlbehej?

  • Çfarë do t’u ndodhë atyre shpirtrave që pendohen dhe i pranojnë ordinancat e tempullit që kryhen në emër të tyre? (Shpirtrat “që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të [tempullit]”, do të pastrohen nëpërmjet Shlyerjes dhe “do të marrin … shpërblim[in] [e tyre]” [DeB 138:58–59].)

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar ata shpirtra, që ashtu si vjedhësi, kanë nevojë të shëlbehen? (Ne mund ta përmbushim punën për historinë familjare dhe të marrim pjesë në ordinancat e tempullit për të vdekurit.)

Përmblidheni Llukën 23:44–56, duke shpjeguar që Shpëtimtari vdiq në kryq pasi Ai tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time” (vargu 46). Jozefi nga Arimatea pastaj e mbështolli trupin e Shpëtimtarit me një çarçaf dhe e vuri në një varr.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 23:34. “O Atë, fali ata”

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha një arsye përse edhe ne duhet t’i falim ata që na fyejnë:

“Ne duhet të falim dhe të mos mbajmë mëri ndaj atyre që na kanë fyer. Shpëtimtari dha shembullin nga kryqi: ‘O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë’ (Lluka 23:34). Ne nuk e njohim zemrën e atyre që na kanë fyer” (“That We May Be One”, Ensign, maj 1998, f. 68).

Ndërsa shërbente si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, Plaku Dejvid E. Sorensen dha mësim se kur ne i falim të tjerët, ne e lëmë pas të shkuarën dhe ecim me besim e dashuri në të ardhmen:

“Kur dikush na ka lënduar ne apo njerëzit që i duam, ajo dhembje mund të jetë thuajse dërrmuese. Mund të duket sikur ajo dhembje apo padrejtësi është gjëja më e rëndësishme në botë dhe se nuk kemi asnjë zgjidhje përveçse të kërkojmë hakmarrje. Por Krishti, Princi i Paqes, na mëson një mënyrë më të mirë. Mund të jetë shumë e vështirë t’ia falim dikujt dhembjen e madhe që na ka shkaktuar por, kur e bëjmë këtë, ne i lejojmë vetes sonë një të ardhme më të mirë. Keqbërjet që të tjerët na kanë bërë, nuk e kontrollojnë më drejtimin tonë. Kur i falim të tjerët, ne bëhemi të lirë të zgjedhim se si do ta jetojmë vetë jetën tonë. Falje do të thotë që problemet e së kaluarës nuk e diktojnë më fatin tonë dhe ne mund të përqendrohemi tek e ardhmja, duke pasur dashurinë e Perëndisë në zemrën tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 12).

Lluka 23:7–12 “[Ai] nuk u përgjigj fare”

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi rreth fjalëkëmbimit midis Shpëtimtarit dhe Herodit:

“Herodi filloi ta pyesë të Burgosurin; por Jezusi mbeti i heshtur. Krerët e priftërinjve dhe skribët i shprehën furishëm akuzat e tyre; por asnjë fjalë nuk u shqiptua nga Zoti. … Për aq sa ne dimë, Herodi është … e vetmja qenie që e pa Krishtin ballë për ballë dhe i foli Atij, megjithatë nuk ia dëgjoi kurrë zërin. … Për Herodin, dhelprën, Ai nuk kishte veçse një heshtje përçmuese dhe madhështore. Plotësisht sedërlënduar, Herodi kaloi nga pyetjet fyese te veprimet e talljes dashakeqe. Ai dhe ushtarët e tij u tallën me Krishtin që vuante, ‘e fy[en] dhe e tall[ën]’; pastaj në imitim qesharak, ata ‘e vesh[ën] me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia rikth[yen] Pilatit’ [Lluka 23:11]. Herodi nuk kishte gjetur asgjë te Jezusi që ta miratonte ndëshkimin” (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 636).

Lluka 23:7–34. Reagimi i Shpëtimtarit ndaj atyre që e keqtrajtuan Atë

Plaku Robert D. Heljs, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndau këto mendime mbi mënyrën se si ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit kur njerëz të tjerë na kritikojnë ose përndjekin:

“Kur ne reagojmë ndaj akuzuesve tanë ashtu siç bëri Shpëtimtari, ne jo vetëm që bëhemi më shumë si Krishti, por ne i ftojmë të tjerët që ta ndjejnë dashurinë e Tij dhe ta ndjekin Atë gjithashtu.

Të reagosh në një mënyrë si e Krishtit, nuk mund të shkruhet apo bazohet te një formulë. Shpëtimtari reagoi ndryshe në çdo situatë. Kur Ai u përball nga i ligu mbreti Herod, Ai qëndroi i heshtur. Kur Ai qëndroi përpara Pilatit, Ai dha një dëshmi të thjeshtë dhe të fuqishme të hyjnisë dhe qëllimit të Tij. Kur u përball me këmbyesit e parave që po e ndotnin tempullin, Ai ushtroi përgjegjësinë e Tij hyjnore për ta ruajtur dhe mbrojtur atë që ishte e shenjtë. I ngritur në një kryq, Ai shqiptoi përgjigjen e pakrahasueshme të krishterë: ‘O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë’ (Lluka 23:34.)

Disa njerëz gabimisht mendojnë se reagime të tilla si heshtja, butësia, falja dhe dhënia e një dëshmie të përulur janë pasive ose të dobëta. Por, t’i ‘dua[m] armiqtë [tanë], [t’i] beko[jmë] ata që [na] mallkojnë, [t’u] bë[jmë] të mirë atyre që [na] urrejnë dhe [të] lut[emi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin’ (Mateu 5:44) kërkon besim, forcë dhe mbi të gjitha, kurajë të krishterë” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 72).

Lluka 23:31. Druri i njomë dhe druri i thatë

“‘Druri [i] njomë’ i përshkruar te Lluka 23:31, përfaqëson kohën e shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit. Thënia e Shpëtimtarit nënkupton se nëse tiranët e popullit judeas mund të vinin në jetë vepra të tilla të liga (shih Lluka 23:28–30) në kohën kur Jezusi ishte midis tyre, ata do t’i bënin gjëra edhe më të këqija popullit judeas pasi Ai të ishte larguar – një kohë që përfaqësohet nga ‘druri [i] thatë’. Përkthimi prej Joseph Smith-it i shton një fjali këtij vargu (shih Lluka 23:31, poshtëshënimi b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]), i cili përshkruan shkatërrimin që do të ndodhte pas vdekjes së Shpëtimtarit” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 188).

Lluka 23:46. “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim[e]”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë e fjalëve të fundit të Shpëtimtarit në kryq:

“Kur shpagimi ishte bërë deri në qindarkën e fundit, kur vendosmëria e Krishtit për të qëndruar besnik ishte aq e dukshme sa edhe tërësisht e pamposhtshme, më në fund dhe mëshirshëm ajo ‘u krye’ [shih Gjoni 19:30]. Me gjithë urrejtjen dhe asnjë që ta ndihmonte ose përkrahte Atë, Jezusi i Nazaretit, Biri i gjallë i Perëndisë së gjallë, rivendosi jetën fizike atje ku vdekja kishte fituar dhe solli shëlbim të gëzueshëm shpirtëror prej mëkatit, errësirës dhe dëshpërimit të skëterrshëm. Me besim në Perëndi, të cilin Ai e dinte se ishte atje, Ai mund të thoshte me ngadhënjim: ‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim[e]’ [Lluka 23:46]” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 88).

Shtyp në Letër