Mësimi 10
Mateu 5:17–48
Hyrje
Pasi Shpëtimtari vijoi Predikimin e Tij në Mal në Galile, Ai shpjegoi se Ai nuk erdhi për ta shfuqizuar ligjin e Moisiut, por për ta përmbushur atë. Shpëtimtari gjithashtu u dha dishepujve të Tij urdhërime që ata duhej t’i ndiqnin në mënyrë që të bëheshin të përsosur si Ati Qiellor.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 5:17–48
Jezu Krishti i mëson dishepujt e Tij se si të bëhen të përkryer si Ati Qiellor
Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Cili urdhërim mendoni se është më i vështiri për njerëzit që ta mbajnë? Kur të fillojë ora mësimore, kërkojuni studentëve t’i përgjigjen pyetjes. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një urdhërim që është i vështirë për t’u mbajtur. Lexojeni Përkthimin prej Joseph Smith-it të Mateut 5:48, i cili thotë: “Jeni urdhëruar, pra, të jeni të përkryer, madje ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”.
Si ju bën të ndiheni urdhërimi për të qenë të përkryer?
Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i përkryer?
Shpjegoni që fjala “përkryer” qe përkthyer nga një fjalë greke që do të thotë “i përmbushur”, “i përfunduar” ose “plotësisht i zhvilluar”. Pyeteni klasën se si kjo i ndihmon ata ta kuptojnë më mirë këtë varg. Shpjegoni se që të bëhesh i përmbushur ose plotësisht i zhvilluar do të thotë të bëhesh si Ati Qiellor.
Teksa studentët vazhdojnë me studimin vetjak të Predikimit në Mal të Shpëtimtarit te Mateu 5, ftojini që të kërkojnë parime të cilat duhet t’i zbatojnë në mënyrë që të përparojnë drejt të bërit të përsosur si Ati ynë Qiell.
Përmblidheni Mateun 5:17–20 duke shpjeguar se Shpëtimtari dha mësim se Ai erdhi për ta përmbushur ligjin e Moisiut, jo për ta shfuqizuar ose për t’i dhënë fund ndonjë prej të vërtetave të përjetshme në ligjin e Moisiut. Jezu Krishti rivendosi plotësinë e ungjillit që kishte humbur për shkak të ligësisë dhe braktisjes, korrigjoi mësime të rreme dhe përmbushi profecitë e bëra nga profetët e Dhiatës së Vjetër. Përfundimisht, si pjesë e Rivendosjes së plotësisë së ungjillit, disa aspekte të ligjit të Moisiut u ndërprenë, të tilla si rrethprerja dhe flijimi i kafshëve.
Shpjegoni që Mateu 5:21–48 përfshin mësimet e Shpëtimtarit për ligje dhe tradita të ndryshme që judenjtë i kishin krijuar ose shtuar nën ligjin e Moisiut. Kur Jezu Krishti shpjegoi kuptimin e vërtetë të ligjeve, Ai dha mësim një mënyrë më të lartë drejtësie. Anëtarët e mbretërisë së Tij duhet ta jetojnë këtë ligj më të lartë. Këto ligje më të larta siguruan udhërrëfim për t’i ndihmuar dishepujt e Jezu Krishtit që të shmangin shkeljen e urdhërimeve të Perëndisë.
Për t’i përgatitur studentët të studiojnë mësimet e Shpëtimtarit për zemërimin, ftojini ata të mendojnë për një rast kur ishin të zemëruar me dikë.
Cilat janë disa nga rreziqet e mos kontrollimit të zemërimit vetjak?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:21–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që na mësoi ligji i Moisiut për dhunën e zemërimin dhe çfarë të vërtetash shtesë dha mësim Zoti si pjesë e ligjit më të lartë për zemërimin.
Çfarë dha mësim Shpëtimtari për dhunën dhe zemërimin? (Shpjegoni që termi Rraka te vargu 22 do të thotë person i pamend, budalla ose kokëbosh.)
Sipas këtyre vargjeve, çfarë do të ndodhë nëse nuk mësojmë ta kontrollojmë zemërimin tonë?
Shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it i Mateut 5:22 e heq frazën “pa shkak” nga ky varg, duke e bërë: “Por unë po ju them: ‘Kushdo që zemërohet kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: “Rraka”, do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: “Budalla”, do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës’.”
Përse është domethënëse që fraza “pa shkak” është hequr nga ky varg?
Si na ndihmon kontrollimi i zemërimit tonë që të përparojmë drejt bërjes të përkryer?
Shkruajeni frazën vijuese në tabelë: Pra, nëse ti do të vish tek unë ose nëse do të dëshirosh të vish tek unë …
Shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it i shton frazën “nëse ti do të vish tek unë ose nëse do të dëshirosh të vish tek unë” fillimit të vargut 23 kështu që vargu thotë: “Pra, nëse ti do të vish tek unë ose nëse do të dëshirosh të vish tek unë, ose nëse ti po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Mateu 5:25).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:23–24, duke përfshirë frazën e shtuar nga Përkthimi prej Joseph Smith-it. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari se ne duhet të bëjmë me zemërimin tonë ndaj të tjerëve nëse dëshirojmë të vijmë tek Ai.
Çfarë do të thotë fraza “lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko”? (Përpara se njerëzit t’i ofronin sakrifica Zotit, ata së pari duhej të ndreqnin marrëdhëniet e tyre me njerëzit e tjerë.)
Sipas vargut 24, çfarë duhet të bëjmë nëse dëshirojmë të vijmë te Krishti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëse dëshirojmë të vijmë tek Krishti, ne duhet së pari të bëjmë pjesën tonë për t’u pajtuar me të tjerët.)
Çfarë do të thotë të pajtohesh me dikë? (Të shuash debatet ose të rivendosësh harmoninë në një marrëdhënie. Kjo përfshin ata që kanë ndjenja jo të mira ndaj nesh dhe ata ndaj të cilëve ne mund të kemi ndjenja jo të mira.)
Si mendoni, përse duhet të shuajmë debatet tona me të tjerët në mënyrë që të vijmë tek Krishti?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:25–26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Zoti se ne mund të bëjmë për t’u pajtuar me të tjerët.
Çfarë mendoni se do të thotë të bësh shpejt një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd? (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë, shpjegoni që fraza “bëj një marrëveshje miqësore” është përkthyer nga greqishtja që do të thotë “të kesh shpejtas mendime të mira për të tjerët ose të kesh qëllime të mira ndaj tyre”.)
Si mund të na ndihmojë zgjedhja për të pasur mendime të mira ndaj dikujt që ta shuajmë një debat ose të përtërijmë një marrëdhënie të dëmtuar me atë?
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur shuan një debat me një person tjetër dhe si rrjedhim qenë në gjendje t’i afroheshin më pranë Zotit. Ju mund të doni të ftoni një ose dy studentë të tregojnë përvojat e tyre, nëse nuk janë tepër vetjake. Nxitini studentët të shuajnë debatet e tyre me të tjerët në mënyrë që të përparojnë drejt të bërit të përsosur si Ati ynë Qiell.
Tregojuni studentëve një barishte të keqe (ose një figurë të një barishteje të keqe).
Çfarë mund të ndodhë nëse barishtet e këqija nuk hiqen nga kopshti?
Si mund të jenë barishtet e këqija si mëkatet?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:27–28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një mëkat për të cilin na paralajmëroi Shpëtimtari dhe ligjin më të lartë që Ai pret prej dishepujve të Tij që ta jetojnë.
Çfarë dha mësim Shpëtimtari për ata që tolerojnë mendime ose dëshira epshore? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se nëse zgjedhim të tolerojmë mendime ose dëshira epshore, është njësoj si të bëjmë shkelje kurore në zemrën tonë.)
Shpjegoni se ndërkohë që ne nuk mund t’i parandalojmë përherë mendimet e papastra që të hyjnë në mendjen tonë, ne mund t’i parandalojmë ato të qëndrojnë në mendjen tonë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:29–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim për heqjen e mendimeve të papastra.
Çfarë tha Shpëtimtari që duhet të bëjmë për të hequr mendimet e papastra?
Çfarë mendoni se do të thotë të heqësh një sy dhe të presësh një dorë?
Shpjegoni që Përkthimi prej Joseph Smith-it për Mateun 5:30 shton në fund të këtij vargu fjalinë: “Dhe tani ju them këtë, një shëmbëlltyrë për mëkatet tuaja; prandaj, flakini ato nga vetja, që të mos priteni dhe hidheni në zjarr”. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si Përkthimi prej Joseph Smith-it na ndihmon të kuptojmë se çfarë do të thotë të heqësh një sy dhe të presësh një dorë në këto vargje. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Bazuar tek ajo që Zoti dha mësim te Mateu 5:29–30, çfarë mund të ndodhë nëse nuk i heqim mëkatet nga jeta jonë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse zgjedhim të mos e heqim mëkatin nga jeta jonë, ai do të na shkatërrojë shpirtërisht.)
Çfarë mund të bëjmë për të hequr mëkatet nga jeta jonë?
Çfarë duhet të bëjmë për të hequr mëkatet nga jeta jonë dhe për t’u siguruar se ne nuk i bëjmë prapë ato mëkate?
Nxitini studentët të mendojnë për një mëkat që do të donin ta hiqnin nga jeta e tyre dhe pastaj të vendosin një qëllim për ta bërë atë duke u penduar dhe duke e zëvendësuar atë me veprime të drejta.
Përmblidheni Mateun 5:31–37 duke shpjeguar se Zoti dha mësim për divorcin, martesën dhe bërjen e betimeve.
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një student tjetër në shkollë thotë gjëra të tmerrshme e jo të mira për ta. Pyetini studentët se si do të përgjigjeshin.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që na mëson ligji i Moisiut rreth dënimit të individëve për mëkatet dhe shkeljet e tyre. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që gjejnë. Shpjegoni se fraza “sy për sy dhe dhëmb për dhëmb” do të thotë që nën ligjin e Moisiut, dënimi duhej të përputhej me seriozitetin e shkeljes.
Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni njërin partner të lexojë Mateun 5:39–42 dhe të dytin të lexojë Mateun 5:43–47. Vërini që të kërkojnë ligjin më të lartë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që t’i diskutojnë pyetjet vijuese me partnerët e tyre (ju mund të doni që t’i paraqitni këto pyetje në tabelë ose t’i jepni në një fletushkë):
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 5:45. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të ndodhë nëse i duam armiqtë tanë dhe u bëjmë të mirë atyre që na urrejnë.
Çfarë do të ndodhë nëse i duam armiqtë tanë dhe u bëjmë të mirë atyre që na urrejnë?
Duke e ditur se jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, çfarë mendoni se do të thotë në këtë varg të jesh fëmijë i Atit tonë në Qiell? (Do të thotë të jemi si Ai dhe të bëhemi trashëgimtarë të mbretërisë së Tij.)
Si e dha Shpëtimtari shembullin e të dashurit të armiqve të Tij dhe të të bërit të mirë të tjerëve gjatë jetës së Tij?
Ftojini studentët të reflektojnë për atë që kanë mësuar te Mateu 5 rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u bërë të përkryer si Ati Qiellor.
Cilat janë disa gjëra që duhet të bëjmë për t’u bërë të përkryer si Ati ynë në Qiell? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ndërsa i ndjekim mësimet dhe urdhërimet e Shpëtimtarit, ne mund të bëhemi të përsosur si Ati ynë në Qiell.)
Kujtojuni studentëve se është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe nga Hiri i Tij që ne mund të bëhemi të përkryer (shih Moroni 10:32).
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë procesin e të bërit të përkryer, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ne nuk ka nevojë të zhgënjehemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme [të vështira] dhe të pafundme. Përsosja është duke pritur. Mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. I pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij” (“Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 88).
Sipas Plakut Nelson, kur do ta arrijmë ne përsosjen?
Si mund ta ndihmojë kjo thënie dikë që ndihet i sfilitur dhe i shkurajuar nga papërsosmëritë e tija apo të saja?
Nxitini studentët të vazhdojnë t’u binden urdhërimeve të Perëndisë, në mënyrë që përfundimisht të mund të bëhen si Ati ynë Qiellor.