Biblioteka
Mësimi 158: Zbulesa 17–19


Mësimi 158

Zbulesa 17–19

Hyrje

Gjoni pa se Babilonia shpirtërore ose bota e ligë do të shpallte luftë kundër Qengjit të Perëndisë dhe se Qengji do të ngadhënjejë mbi të ligën. Shenjtorët janë thirrur të dalin nga Babilonia shpirtërore dhe të pastrit dhe të drejtët do të thirren në darkën e dasmës së Qengjit. Gjoni e pa Jezu Krishtin duke ardhur me fuqi të madhe për t’i shkatërruar ata që luftojnë kundër Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 17–18

Gjoni parashikon shkatërrimin e Babilonisë shpirtërore

Shkruajeni në tabelë thënien vijuese nga Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. (Kjo thënie gjendet në “Avoid It” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 shtator 2013], f. 1, speeches.byu.edu.)

“Është më e lehtë t’i shmangesh tundimit sesa t’i bësh ballë atij” (Plaku Lin G. Robins).

  • Si mendoni ju, përse është e më e lehtë t’i shmangesh tundimit sesa t’i bësh ballë atij?

  • Çfarë mund të ndodhë nëse e vendosim veten tonë në situata ku na duhet t’i bëjmë ballë tundimit vazhdimisht?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Zbulesën 17–18, të kërkojnë një të vërtetë që do t’i ndihmojë të dinë mënyrën se si t’u shmangen shumë prej tundimeve dhe mëkateve të botës.

Kujtojuni studentëve se Gjoni pa në vegim shtatë engjëj që do të derdhnin plagë mbi të ligjtë në ditët e fundit (shih Zbulesa 16). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 17:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë tha njëri nga të shtatë engjëjt se do t’i tregonte Gjonit.

  • Çfarë tha njëri nga të shtatë engjëjt se do t’i tregonte Gjonit?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Zbulesën 17:15, duke kërkuar se çfarë përfaqësojnë ujërat e shumtë.

  • Sipas vargut 15, çfarë përfaqësojnë ujërat e shumtë mbi të cilët ulet gruaja? (Njerëzit dhe kombet mbi të cilët ajo ka pushtet dhe ndikim [shih edhe 1 Nefi 14:11].)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 17:2–6. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë gruan dhe ndikimin e saj mbi botën.

  • Cilat janë fjalët dhe frazat që e përshkruajnë gruan?

  • Sipas vargut 2, si është përshkruar ndikimi i gruas mbi sundimtarët dhe njerëzit e tokës?

  • Si mendoni ju, çfarë përfaqëson te vargu 6 gruaja që është dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe martirëve? (Përgjatë epokave, shumë njerëz të drejtë janë vrarë nga të ligjtë dhe gjuha e shkrimeve të shenjta sugjeron se vrasja e të drejtëve kishte një ndikim turbullues tek ata që e kryenin vrasjen.)

Shpjegoni se bisha e përshkruar në vargun 3 mund të përfaqësojë Romën në kohën e Gjonit si edhe mbretëri dhe kombe të korruptuara në ditët e fundit (shih Zbulesa 17:8–13).

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se kë ose çfarë përfaqëson gruaja që përshkruhet në vargjet 1–6. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Zbulesën 17:18, duke kërkuar atë që përfaqëson gruaja.

Shpjegoni se “qyteti i madh” (vargu 18) i referohet Babilonisë shpirtërore (shih DeB 133:14). Për shkak të gjërave të botës dhe korrupsionit në Babiloninë e lashtë dhe për shkak se ishte një vend ku fëmijët e Izraelit ishin të robëruar, Babilonia shpesh përdoret në mënyrë figurative te shkrimet e shenjta për të përfaqësuar mëkatin, gjërat e botës, ndikimin e djallit mbi tokë dhe robërinë shpirtërore (shih edhe 1 Nefi 13:1–9; 14:9–10).

Shkruajeni në tabelë: Gruaja = Babilonia ose ligësia e botës

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Zbulesën 17:14, duke kërkuar se kundër kujt do të luftojë Babilonia. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Cili do të jetë përfundimi i kësaj lufte? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Në ditët e fundit, Jezu Krishti do t’i mposhtë ligësitë e botës.)

  • Si mund t’ju ndihmojë njohuria e kësaj të vërtete si një pasues/e i/e Jezu Krishtit?

Përmblidheni Zbulesën 18:1–3 duke shpjeguar se një engjëll tjetër shpalli rënien e Babilonisë së ligë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 18:4. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi njerëzit e Tij që të bënin.

  • Çfarë i udhëzoi Zoti njerëzit e Tij që të bënin?

  • Çfarë arsyesh i dha Zoti popullit të Tij që të dilte nga Babilonia? (Për të shmangur mëkatet e botës dhe plagët ose gjykimet që do të vinin mbi të ligjtë.)

  • Çfarë të vërtete mund të përcaktojmë ne nga udhëzimi i Zotit për njerëzit e Tij, që ta veçojnë veten nga ligësia e botës? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që ata të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Veçimi i vetes sonë nga ligësia e botës mund të na ndihmojë ta shmangim mëkatin dhe gjykimet që do të vijnë mbi të ligjtë në ditët e fundit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët te vargu 4 që e japin mësim këtë të vërtetë.)

Ndajini studentët në grupe me nga dy ose katër veta. Jepuani pyetjet vijuese secilit grup si fletushka dhe udhëzojini studentët t’i diskutojnë pyetjet me grupin e tyre:

Pamja
fletushkë, Veçimi i Vetes Sonë nga Babilonia Shpirtërore

Veçimi i Vetes Sonë nga Babilonia Shpirtërore

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 158

  • Si na ndihmon ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit që ta veçojmë veten tonë nga ligësia e botës?

  • Çfarë mund të bëjmë që ta veçojmë veten tonë nga ligësia e botës ndërkohë që vazhdojmë të jetojmë, t’i duam dhe të ndërveprojmë me ata të cilët nuk kanë të njëjtat standarde me ne?

  • Si ju ka ndihmuar veçimi nga ndikimet dhe praktikat e padrejta ju ose të tjerë që njihni, për t’iu shmangur disa prej tundimeve dhe mëkateve të botës?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që diskutuan në grupet e tyre. Ftojini studentët të shkruajnë në një fletë letre 1) ndikimet ose praktikat e padrejta prej të cilave ata duhet të veçohen dhe 2) mënyrën se si do ta bëjnë këtë. Ftojini ata ta mbajnë fletën e letrës ku mund t’i referohen asaj shpesh dhe nxitini ata të veprojnë sipas asaj që kanë shkruar.

Përmblidheni Zbulesën 18:5–24 duke shpjeguar se Gjoni pa rënien e Babilonisë së ligë dhe brengat e përkrahësve të saj.

Zbulesa 19

Gjoni e sheh Jezu Krishtin duke ardhur me fuqi të madhe për t’i shkatërruar ata që luftojnë kundër Tij

Tregojuni studentëve një fotografi të një nuseje dhe të një dhëndri. Pyetini studentët se cila mendojnë se është dhurata më e mirë që mund t’i japin bashkëshortes/it së/të ardhshme/ëm ditën e tyre të dasmës. Pasi studentët të përgjigjen, lexojeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ditën tuaj të dasmës, vetë dhurata më e mirë që mund t’i jepni shokut/shoqes tuaj/suaj të përjetshëm/me është vetë vetja juaj më e mirë – e pastër, e dëlirë dhe e denjë për një pastërti të tillë në këmbim” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 77).

  • Përse mendoni se të qenët i pastër dhe i kulluar është dhurata më e mirë që mund t’i jepni bashkëshortes/it ditën tuaj të dasmës?

Shpjegoni se Zbulesa 19 shënon një analogji të dasmës që përdoret për të përshkruar Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Përmblidheni Zbulesën 19:1–6 duke shpjeguar që Gjoni pa se të drejtët do ta përlëvdojnë Perëndinë për gjykimet e Tij kundrejt të ligjve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 19:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se dasmën e kujt i shpalli engjëlli Gjonit.

  • Dasmën e kujt i shpalli engjëlli Gjonit?

  • Çfarë mësoi Gjoni rreth gruas së Qengjit?

Shpjegoni se “dasma e Qengjit” (Zbulesa 19:7) i referohet Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të mbajë vesh se kush është nusja e Qengjit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Në këtë periudhë ungjillore Dhëndri, që është Qengji i Perëndisë, do të vijë të kërkojë nusen e Tij, që është Kisha e përbërë nga shenjtorë besnikë që kanë qëndruar zgjuar në pritje të kthimit të Tij” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 469).

  • Në çfarë mënyrash marrëdhënia martesore është një simbol i përshtatshëm i marrëdhënies sonë besëlidhëse me Jezu Krishtin? (Ju mund të shpjegoni se martesa është një marrëdhënie që kërkon besnikëri, sakrificë, dashuri, zotim dhe mirëbesim.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 19:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë mund të bëjnë shenjtorët për ta përgatitur veten për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ju mund të shpjegoni se liri i shkëlqyeshëm mund të përfaqësojë shenjtërinë, pastërtinë dhe drejtësinë.

  • Siç simbolizohet te rrobat e nuses së Qengjit, çfarë duhet të bëjmë ne për ta përgatitur veten tonë për ardhjen e Zotit Jezu Krisht? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse jemi të pastër dhe të drejtë, atëherë ne do të jemi të përgatitur për ardhjen e Zotit Jezu Krisht.)

Shpjegoni se fjala dhënë te vargu 8 do të thotë ofruar ose dhuruar. Të pastrohesh nga mëkati dhe të bëhesh i drejtë është një dhuratë nga Perëndia.

  • Çfarë ka bërë Perëndia për të na dhënë një mënyrë që të pastrohemi nga mëkati dhe të bëhemi të drejtë?

  • Përse mendoni se të qenët i pastër dhe i drejtë është një nga dhuratat më të mira që mund t’i japim Shpëtimtarit kur Ai të vijë sërish?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Zbulesën 19:10, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Gjoni pasi dëgjoi atë që engjëlli i shpalli atij. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë i shpalli engjëlli Gjonit, çfarë kanë ai (engjëlli) dhe shërbëtorët e tjerë të Perëndisë? (Dëshminë e Jezusit, e cila është fryma e profecisë.)

Shpjegoni se “frym[a] e profecisë” (vargu 10) i referohet dhuratës së zbulesës dhe frymëzimit nga Perëndia, e cila i lejon dikujt ta marrë dhe të flasë fjalën e Tij (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profeci, Profetizoj”, f. 157, scriptures.lds.org).

  • Si mund të përgatitet për Ardhjen e Dytë një person që ka një dëshmi për Jezusin?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 19:11–16, përfshirë edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it të Zbulesës 19:15 (te Zbulesa 19:15, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se kali i bardhë që përmendet në vargun 11 është simbol i mposhtjes dhe fitores. Shpëtimtari do të vijë që ta mposhtë mëkatin dhe ligësinë.

  • Sipas vargut 13, si është përshkruar veshja e Shpëtimtarit? (Shpjegoni se fraza “rrob[ë] të ngjyer në gjak” do të thotë që veshja e Tij do të ketë ngjyrën e gjakut. Kjo ngjyrë simbolizon shkatërrimin e të ligjve në Ardhjen e Tij [shih DeB 133:46–51] dhe mund të na kujtojë ne gjithashtu për vuajtjen që Ai përjetoi gjatë Shlyerjes së Tij.)

Nxirrni në pah se Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zbulesa 19:15, sqaron që Gjoni pa se, kur Shpëtimtari të vinte si Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotërve, Ai do të sundonte kombet me fjalën e Perëndisë. Përmblidheni Zbulesën 19:17–21 duke shpjeguar se Gjoni pa shkatërrimin e atyre që luftuan kundër Qengjit të Perëndisë (shih Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Zbulesa 19:18 [te Zbulesa 19:18, poshtëshënimi a, (në variantin SHDM të Biblës në anglisht)]).

Përfundojeni duke u kërkuar studentëve të përsiatin atë që mund të bëjnë për ta përgatitur veten e tyre për ardhjen e Jezu Krishtit. Nxitini ata të veprojnë ndaj çdo mbrese që marrin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 17:5. “Babilon[i]a e madhe”

Vegimi i Gjonit për Babiloninë ngjason shumë me vegimin e Nefit për kishën e madhe dhe të neveritshme, ose kishën e djallit (shih 1 Nefi 13–14). Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Babilonia e madhe është kisha e djallit; është bota me gjithë ligësinë dhe anën e saj mishtore; është çdo organizatë e çdo lloji, soji dhe forme – qoftë fetare, laike, politike, vëllazërore ose e ndonjë lloji tjetër – e cila përkrah një filozofi ose nxit një çështje që i çon njerëzit larg shpëtimit dhe drejt mbretërive me më pak lavdi në botën e përjetshme” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1966–1973], 3:558).

Zbulesa 18:4. “Dilni prej [Babilonisë], … mos [u] bë[ni] pjesëtarë të mëkateve të saj”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se çfarë mund të bëjnë anëtarët e Kishës për të jetuar në botë pa u infektuar nga ligësitë e saj:

“Shumica e botës po gllabërohet në një lumë pisllëku që po fryhet, me braktisjen e virtytit, drejtësisë, integritetit personal, martesës tradicionale dhe jetës familjare. …

… Pavarësisht xhepave të ligësisë, bota në përgjithësi është mrekullisht e bukur, e mbushur me shumë njerëz të mirë dhe të sinqertë. Perëndia ka siguruar një mënyrë për të jetuar në këtë botë dhe për të mos u infektuar nga presionet degraduese që vepruesit e ligjit përhapin anembanë saj. Ju mund të jetoni një jetë të virtytshme, të frytshme, të drejtë duke ndjekur planin e mbrojtjes që është krijuar nga Ati juaj në Qiell: planin e Tij të lumturisë” (“How to Live Well amid Increasing Evil”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 100).

Zbulesa 18:4. “Që … të mos merrni nga plagët e saj”

Profeti Jozef Smith dha mësim se të drejtët nuk do të kursehen nga të gjitha sprovat dhe vuajtjet të shoqëruara me gjykimet që do të vijnë mbi të ligjtë:

“Është ide e rreme që shenjtorët do t’u shpëtojnë gjithë gjykimeve ndërsa të ligjtë vuajnë; sepse gjithë mishi i nënshtrohet vuajtjes dhe ‘shenjtorët … mezi do të shpëtojnë’ … shumë prej të drejtëve do të bien pre e sëmundjes, murtajës etj., për shkak të dobësisë së mishit, dhe përsëri do të shpëtohen në Mbretërinë e Perëndisë” (në History of the Church, 4:11, [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, 2009, f. 268]).

Zbulesa 19:9. “Gostinë e dasmës së Qengjit”

“Gosti[a] e dasmës së Qengjit” (Zbulesa 19:9) është një referencë simbolike për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Profeti Jozef Smith dha mësim:

“Ata, të cilët i zbatojnë urdhërimet e Zotit dhe ecin sipas dekreteve të Tij deri në fund, janë të vetmit individë të lejuar të ulen në gostinë e tij të mrekullueshme. …

Mendohuni për një çast, vëllezër [e motra], dhe pyesni, nëse do ta konsideronit veten të denjë [për] një vend në gostinë e dasmës” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 172–173).

Zbulesa 19:13. “I veshur me një rrobe të ngjyer në gjak”

Plaku Nill A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon lidhur me veshjen e kuqe të Shpëtimtarit në Ardhjen e Tij të Dytë:

“Duke qenë se i doli gjak nga çdo por, sa e kuqe mund të jetë bërë coha e Tij në Gjetseman, sa e kuqe e purpurt është bërë ajo pëlhurë!

Nuk është çudi që, kur Krishti të vijë në fuqi e lavdi, Ai të vijë me rrobë të kuqe përkujtimore (shih DeB 133:48), duke nënkuptuar jo vetëm vozën e verës së zemërimit, por edhe për të sjellë në kujtesën tonë mënyrën se si Ai ka vuajtur për secilin prej nesh në Gjetseman dhe në Kalvar!” (“Overcome … Even As I Also Overcame”, Ensign, maj 1987, f. 72).

Shtyp në Letër