Mësimi 3
Roli i Nxënësit
Hyrje
Fryma e Shenjtë, mësuesi dhe nxënësi kanë secili një rol të rëndësishëm në të mësuarin e ungjillit. Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë secilin prej këtyre roleve, në mënyrë që të mund të jenë të suksesshëm në përpjekjet e tyre për të mësuar. Juve mund t’ju duhet t’i shqyrtoni në mënyrë të rregullt parimet e dhëna në këtë mësim për t’u kujtuar studentëve përgjegjësinë e tyre për të mësuar ungjillin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Rolet e Frymës së Shenjtë, të mësuesit dhe të nxënësit në të mësuarin e ungjillit
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë skenarin e mëposhtëm:
Një e re është e frymëzuar dhe e ngritur moralisht ndërsa ndjek seminarin. Ajo e ndien ndikimin e Frymës së Shenjtë atje dhe është mirënjohëse për gjërat që mëson. Një e re tjetër është në të njëjtën klasë seminari. Megjithatë, ajo shpesh mërzitet dhe ndien se nuk merr shumë prej orës mësimore.
Cilat janë disa arsye të mundshme përse këto dy të reja kanë përvoja kaq të ndryshme ndërsa ndjekin të njëjtën klasë seminari? (Përgjigjet e mundshme mund të përfshijnë sa vijojnë: e reja e parë mund të marrë pjesë më aktivisht në mësim; e reja e parë mund të ketë pasur më shumë përvoja të mëparshme të të mësuarit shpirtëror mbi të cilat mund të ndërtohet të nxënit e saj të tanishëm; dhe e reja e dytë mund të hutohet nga shqetësime të tjera.)
Ftojini studentët të kërkojnë doktrina e parime në mësimin e sotëm, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të përmbushnin rolin e tyre në seminar dhe të forcojnë dëshminë e tyre për ungjillin e Jezu Krishtit.
Shpjegoni se tre individë kanë role thelbësore në të mësuarin e ungjillit në një mjedis si seminari: Fryma e Shenjtë, mësuesi dhe studenti.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 14:26 dhe një tjetër student të lexojë me zë të lartë Gjonin 16:13. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar disa nga rolet e Frymës së Shenjtë.
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga këto vargje rreth roleve të Frymës së Shenjtë? (Studentët mund të japin një mori përgjigjesh, por sigurohuni që ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Fryma e Shenjtë të mëson të vërtetën.)
Si mund ta dimë kur Fryma e Shenjtë është duke na mësuar të vërtetën? (Ju mund të doni t’i drejtoni studentët te Doktrina e Besëlidhjet 8:2–3.)
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–14. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rolin e një mësuesi të ungjillit. Përpara se studenti të lexojë, shpjegoni se këto vargje iu dhanë shenjtorëve të parë të Kishës të cilët ishin shuguruar për ta dhënë mësim ungjillin.
Cili është roli i një mësuesi të ungjillit? (Shih edhe DeB 42:14.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 33:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bën Fryma e Shenjtë për ne kur e vërteta jepet mësim nëpërmjet fuqisë së Tij.
Sipas këtij vargu, çfarë bën Fryma e Shenjtë për ne?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ta ftojnë Frymën e Shenjtë që ta mbartë të vërtetën në zemrat tona, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:118. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si të kërkojmë të mësojmë.
Si duhet të kërkojmë të mësojmë? (Me anë të studimit dhe me anë të besimit.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë atë që mund të na ndodhë kur kërkojmë të mësojmë me anë të besimit:
“Një mësues mund të shpjegojë, të tregojë konkretisht, të bindë e të dëshmojë dhe të veprojë kështu me fuqi shpirtërore dhe efektshmëri të madhe. Megjithatë, përfundimisht përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërton brenda në zemër vetëm nëse marrësi i lejon ato të hyjnë. Të mësuarit me anë të besimit e hap shtegun për në zemër” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 61).
Nga kjo thënie, çfarë parimi mund të mësojmë ne rreth asaj që mund të ndodhë kur kërkojmë të mësojmë me anë të besimit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Nëse kërkojmë të mësojmë me anë të besimit, atëherë ne e ftojmë Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të na mësuar dhe dëshmuar për të vërtetën. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)
Vini në dukje se besimi është më shumë sesa bindje pësore. Ne e shprehim besimin tonë nëpërmjet veprimit.
Si mendoni ju, çfarë do të thotë të mësosh me anë të besimit?
Për të ilustruar atë çka do të thotë të mësosh me anë të besimit, kërkoni një vullnetar që nuk ka luajtur asnjëherë futboll. (Ju mund ta përshtatni këtë veprimtari për të përfshirë një student që nuk ka luajtur asnjëherë basketboll, nuk i ka rënë një instrumenti muzikor, nuk ka bërë lojëra shkathtësie, nuk ka lidhur një kravatë e kështu me radhë.) Vëreni në dijeni vullnetarin se ju keni për qëllim ta mësoni atë se si të luajë futboll mjaft mirë sa për të luajtur në një skuadër futbolli. Pyeteni vullnetarin nëse ai ose ajo ka besim tek aftësia juaj për ta mësuar dhe tek aftësia e vet për të mësuar. Pastaj shpjegojini dhe tregojini konkretisht se si të ecë me top, por mos e lejoni vullnetarin ta provojë. Shpjegoni se si ta pasojë topin e futbollit. Pastaj tregojeni duke ia pasuar topin vullnetarit, por rimerrjani topin nga këmbët në vend që ta lejoni vullnetarin të provojë t’ua pasojë topin juve. Bëjeni të njëjtën gjë me hedhjen e topit brenda fushës pasi ka dalë jashtë fushës. Më pas, pyeteni vullnetarin:
Sa i përgatitur ndihesh për të luajtur në një skuadër futbolli? Përse?
Edhe pse të mësuarit rreth lojës dhe vështrimi i të tjerëve tek luajnë futboll mund të ndihmojnë, nëse dëshiron të zhvillosh aftësitë që nevojiten për t’ia dalë mbanë në futboll, çfarë duhet të bësh?
Si mund të lidhet kjo me të mësuarin me anë të besimit? (Vetëm pasja e besimit dhe e mirëbesimit se Shpirti mund të na mësojë nuk mjafton. Për të marrë njohuri për të vërtetat e Perëndisë, ne gjithashtu duhet të bëjmë përpjekjen për ta mësuar dhe vënë në zbatim atë që mësojmë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Bednar. Kërkojini klasës të dëgjojë atë që ai jep mësim rreth të mësuarit me anë të besimit (ju mund të merrni parasysh të bëni kopje të kësaj thënieje për studentët dhe t’i ftoni ata ta shenjojnë atë që gjejnë):
“Një nxënës/e që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe e fton fuqinë e Tij mësimdhënëse, dëshmuese dhe dëshmimin e Tij pohues. Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pësor. Është në sinqeritetin dhe rrjedhën logjike të veprimit tonë të frymëzuar nga besimi, që ne i tregojmë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gatishmërinë tonë për të mësuar e për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë. …
… Të mësuarit me anë të besimit nuk mund të përçohet nga një mësues te një student nëpërmjet një leksioni, një paraqitjeje me fakte apo një ushtrimi eksperimental; përkundrazi, një student duhet të ushtrojë besim dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj” (“Seek Learning by Faith”, f. 64).
Cilat janë disa përpjekje shpirtërore, mendore ose fizike që mund të bëjmë për ta ftuar Shpirtin të na mësojë dhe dëshmojë për të vërtetën?
Shënim: Kjo mund të jetë koha e duhur për ta lexuar Doktrinën e Besëlidhjet 88:122, dhe për të diskutuar për rëndësinë e rregullit dhe respektit në orën e mësimit.
Cilat janë disa qëndrime apo sjellje që mund ta pengojnë Shpirtin të na mësojë të vërtetën në një orë mësimi të seminarit?
Si mund të jetë përvoja e një studenti në seminar që kërkon të mësojë me anë të besimit e ndryshme nga përvoja e një tjetri që nuk e kërkon këtë gjë?
Kërkojuni studentëve t’i kthehen Mateut 4. Shpjegoni se nga përvoja e Apostullit Pjetër ne mund të shohim një shembull të mënyrës se si kërkimi për të mësuar me anë të besimit e fton Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të na mësuar dhe dëshmuar për të vërtetën. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 4:18–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ftesën e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit dhe Andreas.
Çfarë i ftoi Shpëtimtari të bënin Pjetrin dhe Andrean?
Si ishte përgjigjja e tyre një shembull i të kërkuarit për të mësuar me anë të besimit?
Vini në dukje se veprimi i Pjetrit për ta ndjekur Jezu Krishtin e lejoi atë të ishte me Shpëtimtarin gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Duke ia vënë veshin thirrjes së Shpëtimtarit për ta ndjekur Atë, Pjetri pati privilegjin që ta dëgjonte Shpëtimtarin të jepte mësim rregullisht dhe të dëshmonte shumë mrekulli. Pas ftesës së Shpëtimtarit, Pjetri madje eci mbi ujë (shih Mateu 14:28–29).
Shpjegojuni studentëve se në një rast, Jezusi u bëri dishepujve të Tij një pyetje. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 16:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që bëri Shpëtimtari.
Për çfarë i pyeti Shpëtimtari dishepujt e Vet?
Si u përgjigjën ata?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 16:15–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Pjetri pyetjes tjetër të Shpëtimtarit.
Cila ishte përgjigjja e Pjetrit ndaj pyetjes së Shpëtimtarit?
Çfarë shpjegoi Shpëtimtari rreth mënyrës se si Pjetri e mori njohurinë e tij?
Si është përvoja e Pjetrit një ilustrim i të vërtetave që kemi përcaktuar në këtë mësim?
Ftojini studentët t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta (ju mund të merrni parasysh t’i shkruani këto pyetje në tabelë):
Kur keni kërkuar që të mësoni me anë të besimit? Si e përmbushi Fryma e Shenjtë rolin e Tij në të mësuarin e ungjillit kur ju e bëtë këtë? (Ju mund t’i ftoni studentët të reflektojnë mbi përvojat e mëparshme të të mësuarit që kanë pasur, kur kërkuan të mësojnë më shumë rreth Jezu Krishtit.)
Nëse studentët ndihen rehat për të treguar, ftojini disa prej tyre që t’i përshkruajnë përvojat për të cilat shkruan. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë tuajën si dhe dëshminë tuaj për të vërtetat që keni diskutuar.
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një ose dy gjëra që do të bëjnë për të mësuar me anë të besimit, dhe për ta ftuar Frymën e Shenjtë në zemrat e tyre që t’u japë mësim e t’u dëshmojë për të vërtetën. Ftojini studentët të shkruajnë atë që do të bëjnë.
Përfundoni duke lexuar thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:
“Të rinj e të reja, unë ju kërkoj juve të merrni pjesë në seminar. Studiojini përditë shkrimet tuaja të shenjta. Dëgjojini me kujdes mësuesit tuaj. Zbatojeni me lutje atë që mësoni” (“Participate in Seminary”, 12 gusht 2011, seminary.lds.org).