Mësimi 62
Gjoni 3
Hyrje
Një natë një farise, i quajtur Nikodem, iu afrua Jezusit dhe bashkëbisedoi me Të. Jezusi i mësoi Nikodemit se të gjithë njerëzit duhet të rilinden që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë. Më vonë, Gjon Pagëzori u shpjegoi dishepujve të tij se roli i tij ishte që të përgatiste udhën për Jezu Krishtin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 3:1–21
Jezusi i mëson Nikodemit të vërteta shpirtërore
Ftojini studentët të përfytyrojnë që një ditë, teksa po diskutojnë për fenë me shokët e tyre, dikush thotë: “Për aq kohë sa jam një njeri i mirë, unë mund të shkoj në qiell”. Ftojini studentët të përsiatin se si do t’i përgjigjeshin këtij shoku.
Nxitini studentët të shohin te Gjoni 3 për atë që duhet të bëjmë që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë.
Shpjegoni se pranë fillimit të shërbesë së Tij, Shpëtimtari shkoi në Jerusalem që të festonte Pashkën. Shumë njerëz në Jerusalem besuan te Jezusi pasi i panë mrekullitë që kreu Ai (shih Gjoni 2:23–25).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 3:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi ndërsa Shpëtimtari ishte në Jerusalem.
Kush e vizitoi Jezusin?
Shpjegoni se si “një krer i judenjve” (Gjoni 3:1), Nikodemi ishte anëtar i sinedrit. Sinedri ishte një këshill qeverisës, i përbërë nga farisenj dhe saducenj, i cili udhëhiqte shumë prej punëve civile dhe fetare të popullit judeas.
Si mendoni, përse Nikodemi mund të ketë ardhur për ta vizituar Jezusin natën?
Sipas vargut 2, çfarë pranoi haptazi Nikodemi rreth Jezusit?
Shpjegoni që pranimi i Nikodemit se Jezusi ishte “një mësues i ardhur nga Perëndia” (vargu 2), sugjeron që Nikodemi donte të mësonte prej Jezusit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 3:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari ia dha mësim Nikodemit.
Sipas vargut 3, çfarë i dha Shpëtimtari mësim Nikodemit?
Çfarë mendoi Nikodemi se donte të thoshte Shpëtimtari nëpërmjet fjalës “rilindur” (vargu 3)?
Shpjegoni se të jesh i rilindur është “të kesh Shpirtin e Zotit, që të shkaktojë një ndryshim të fuqishëm në zemrën e një njeriu, sa ai [ose ajo] nuk ka më dëshirë të bëjë keq, por më tepër dëshiron të kërkojë gjërat e Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lindur (i) Përsëri, Lindur (i) nga Perëndia”, scriptures.lds.org; shih edhe Mosia 5:2; Alma 5:14–15; Moisiu 6:59).
Sipas vargut 5, cilat janë dy gjëra që Jezusi ia mësoi Nikodemit se janë të nevojshme për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë? Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i “lindur nga uji dhe nga Fryma”?
Si do ta përmblidhnit atë që këto vargje na mësojnë rreth asaj që është e nevojshme, që të jemi të rilindur shpirtërisht dhe që të hyjmë në mbretërinë çelestiale? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë duke përdorur fjalët e studentëve: Pagëzimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë janë të nevojshme për të rilindur shpirtërisht dhe për të marrë ekzaltim në mbretërinë çelestiale.)
Kujtojini studentët për skenarin me shokun. Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni një student në secilën dyshe për të qenë shoku që mendon se gjithçka që është e nevojshme që të hyjë në mbretërinë e Perëndisë është të jetë një njeri i mirë. Ftojeni studentin tjetër në secilën dyshe të praktikojë sqarimin e keqkuptimit duke përdorur Gjonin 3:5.
Përmblidheni Gjonin 3:6–12 duke shpjeguar që Nikodemi e pyeti Jezusin se çfarë e bën të mundur për një njeri që të rilindet. Jezusi u përgjigj duke pyetur se si Nikodemi mund të ishte një udhëheqës dhe mësues fetar në Izrael dhe nuk e dinte se rilindja shpirtërore është e domosdoshme dhe çfarë e bën të mundur rilindjen shpirtërore.
Te Gjoni 3:13–21 ne lexojmë që Shpëtimtari i shpjegoi Nikodemit se si është e mundur për dikë që të rilindet. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 3:13–15. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë se si Jezusi iu përgjigj pyetjes së Nikodemit.
Çfarë tha Shpëtimtari rreth vetes së Tij te Gjoni 3:13? (Ai dëshmoi për veten e Tij si Biri i Perëndisë që zbriti nga qielli.)
Paraqitni figurën Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi ( Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 16; shih edhe LDS.org). Kërkojuni studentëve të shpjegojnë tregimin nga shkrimet e shenjta që e përfaqëson figura. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se gjatë kohës së Moisiut Zoti dërgoi gjarpërinj helmues si pasojë e mëkatimit të izraelitëve kundër Perëndisë. Izraelitët u helmuan kur gjarpërinjtë i kafshuan ata. Zoti e udhëzoi Moisiun që të ngrinte një gjarpër prej bronzi mbi një shufër dhe premtoi se cilido izraelit që shihte te gjarpri mbi shufër, do të shërohej. (Shih Numrat 21:4–9.)
Sipas Gjonit 3:14, çfarë tha Jezusi se përfaqësonte gjarpri prej bronzi?
Paraqitni figurën Kryqëzimi (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 57; shih edhe LDS.org).
Sipas vargut 15, çfarë bekimi u vjen atyre që shohin te Shpëtimtari?
Çfarë doktrine mund të mësojmë nga këto vargje rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të theksojnë të vërtetën vijuese: Gjithë njerëzimi mund të fitojë jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 3:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një doktrinë që mund ta mësojmë rreth Atit Qiellor.
Çfarë e dërgoi Ati Qiellor Birin e Tij të bënte?
Çfarë doktrine mund të mësojmë nga këto vargje rreth Atit Qiellor? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme për të përcaktuar doktrinën vijuese: Ati Qiellor i do kaq shumë fëmijët e Tij, saqë Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të vuajtur për mëkatet e tyre. Shtojeni këtë doktrinë tek ato tashmë të renditura në tabelë.)
Si tregoi Ati Qiellor nëpërmjet të dërguarit në tokë të Birit të Tij, Jezu Krishtit, dashurinë e Tij për secilin prej nesh?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të marrë parasysh mënyrën se si i bën të ndihen dijenia për dashurinë e Atit Qiellor për ta.
“Nuk ka provë më të madhe për fuqinë e pafundme dhe përsosjen e dashurisë së Perëndisë nga ajo që shpallet prej Apostullit Gjon [te Gjoni 3:16]. … Mendoni se sa duhet të jetë hidhëruar Ati ynë Qiellor që të dërgonte Birin e Tij për të duruar vuajtje të pakuptueshme për mëkatet tona. Kjo është prova më e madhe e dashurisë së Tij për secilin prej nesh!” (“Love and Law”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 26).
Si ndiheni kur e dini që Ati Qiellor ju do kaq shumë, saqë Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të vuajtur dhe për të vdekur për ju?
Sipas Gjonit 3:16–17, si mund të shpëtohemi nëpërmjet Shlyerjes? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Nëse besojmë në Jezu Krishtin, gjë që përfshin pendimin për mëkatet tona dhe bindjen ndaj fjalës së Tij, ne mund të kemi jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Tij.)
Ftojini studentët të shqyrtojnë të vërtetat që Jezusi ia mësoi Nikodemit, të cilat renditen në tabelë.
Si lidhen me njëra-tjetrën këto të vërteta?
Cilat janë disa mënyra sipas të cilave ne mund të tregojmë besimin tonë në Jezu Krishtin?
Dëshmoni se kur e tregojmë besimin tonë në Jezu Krishtin duke u penduar dhe duke e ndjekur Atë, ne mund të shpëtohemi dhe të marrim jetë të përjetshme nëpërmjet Shlyerjes.
Shkruani frazën vijuese në tabelë: Unë do ta tregoj besimin tim në Jezu Krishtin duke … Kërkojuni studentëve ta përfundojnë këtë frazë në fletoret e tyre të klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta duke shkruar atë që do të bëjnë për ta treguar besimin e tyre në Jezu Krishtin.
Gjoni 3:22–36
Gjon Pagëzori na mëson se Jezusi është Krishti
Paraqitni një enë të tejdukshme plot me ujë. Hidhni një ose dy pika nga ngjyruesi ushqimor në ujë.
Si mund të krahasohet ngjyruesi ushqimor me ndikimin tonë te të tjerët?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thëniet vijuese nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që mund të mësojmë rreth ndikimit tonë në jetën e të tjerëve.
“Çdo njeri që jeton në këtë botë zotëron ndikim, qoftë për mirë apo për keq” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 227).
“Ndikimi i fjalëve dhe veprimeve tona është i jashtëzakonshëm në këtë botë. Në çdo çast të jetës ju po ndryshoni në një farë shkalle jetën e tërë botës” (Teachings: David O. McKay, f. 227).
Vërini studentët të kërkojnë një parim te Gjoni 3:22–36 që na mëson se si mund t’i ndikojmë të tjerët për mirë.
Përmblidheni Gjonin 3:22–26 duke shpjeguar se disa nga dishepujt e Gjon Pagëzorit ishin të shqetësuar, sepse njerëzit po ndiqnin Jezusin në vend të Gjon Pagëzorit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 3:27–30. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Gjon Pagëzori e kuptoi rreth rolit të tij në lidhje me Jezu Krishtin.
Çfarë donte Gjon Pagëzori që të kuptonin dishepujt e tij rreth rolit të tij? (Ai ishte dërguar përpara Jezu Krishtit që t’i përgatiste të tjerët për Të.)
Çfarë analogjie përdori Gjon Pagëzori (vargu 29)?
Shpjegoni se dhëndri përfaqëson Jezusin, nusja mund të përfaqësojë ata që po vinin te Krishti dhe miku i dhëndrit përfaqëson Gjon Pagëzorin.
Çfarë mendoni se donte të thoshte Gjon Pagëzori kur tha: “Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem” (vargu 30)? Çfarë tregon kjo rreth karakterit të Gjon Pagëzorit?
Çfarë mund të bënte Jezu Krishti për njerëzit që Gjon Pagëzori nuk mund ta bënte dot?
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Gjon Pagëzorit rreth asaj që mund të bëjmë për t’i ndikuar të tjerët për mirë? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që është e qartë se ne mund t’i ndikojmë të tjerët për mirë duke i drejtuar ata te Jezu Krishti.)
Përse është kaq e rëndësishme që ne ta përdorim ndikimin tonë për t’i drejtuar të tjerët te Jezu Krishti?
Kur e keni parë dikë që t’i drejtojë të tjerët te Shpëtimtari?
Ftojini studentët të marrin parasysh mënyra sipas të cilave ata mund t’i drejtojnë të tjerët te Shpëtimtari. Nxitini të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë në përpjekjet e tyre për ta bërë këtë.
Përmblidheni Gjonin 3:31–36 duke shpjeguar se Gjon Pagëzori shpalli që Jezusi ishte dërguar nga Perëndia dhe që të gjithë ata që besojnë tek Ai mund të marrin jetë të përjetshme.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 3:5
Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendësh Gjonin 3:5, ftojini studentët të shkruajnë shkronjën e parë të secilës fjalë në varg në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Nxitini studentët të praktikojnë thënien me zë të lartë të shkrimit të shenjtë duke përdorur shkronjat e para dhe duke iu drejtuar fragmentit të shkrimit të shenjtë nëse është e nevojshme. Kur studentët mund ta thonë të gjithë fragmentin duke përdorur shkronjat e para, ftojini të praktikojnë recitimin e fragmentit nga kujtesa. Ju mund t’i ftoni të praktikojnë recitimin e këtij shkrimi të shenjtë në fillim ose në fund të orës mësimore për disa ditë.