Mësimi 104
1 Korintasve 3–4
Hyrje
Pali u shpjegoi shenjtorëve korintas rolet e misionarëve në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ai dha mësim se bashkësitë e tyre ishin vende ku Shpirti mund të banonte dhe i nxiti që të mos mendonin se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët. (Shënim: Doktrina se trupi ynë fizik është si një tempull do të trajtohet në mësimin mbi 1 Korintasve 6.)
Sugjerime për Mësimdhënien
1 Korintasve 3
Pali shpjegon rolet e misionarëve dhe të anëtarëve të Kishës në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok regjistrohet në një klasë të matematikës së thelluar, si kalkulus, por nuk i ka bërë klasat e kërkuara, si për shembull algjebrën bazë.
Si mendoni ju, sa i suksesshëm do të jetë shoku juaj në klasën e matematikës së thelluar? Përse?
Përse është e nevojshme që të kuptoni idetë bazë të një lënde përpara se të përvetësoni konceptet më të thelluara?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 3:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar analogjinë që përdori Pali për t’u treguar shenjtorëve në Korint se ata nuk ishin ende gati për të vërtetat më të thelluara të ungjillit. Shpjegoni se fraza “por … si njerëz të mishit” në vargun 1, i referohet njeriut natyror ose “një personi i cili zgjedh të ndikohet prej pasioneve, dëshirave, orekseve dhe ndjesive të mishit më shumë sesa prej pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë. Një njeri i tillë mund të kuptojë gjëra trupore, por jo gjëra shpirtërore” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Njeri i Natyrshëm”, scriptures.lds.org).
Shkruani në tabelë fjalët qumësht dhe mish.
Cilin prej këtyre ushqimeve do t’i jepnit një foshnjeje? Përse?
Çfarë sugjeron fraza “foshnja në Krisht” në vargun 1 rreth maturisë shpirtërore të shenjtorëve korintas?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se shenjtorët nuk ishin ende gati për të marrë të vërteta më të mëdha, kujtojuni atyre se shenjtorët në Korint nuk ishin të bashkuar dhe se disa prej tyre përfshinë bindje dhe zakone pagane (të paperëndishme) në zbatimin e ungjillit. Shpjegoni se Pali përdori disa metafora për t’u mësuar këtyre shenjtorëve rëndësinë e të qenit të bashkuar, për të korrigjuar bindje dhe zakone të rreme dhe për ta forcuar besimin e tyre në ungjillin e Jezu Krishtit.
Ndajini studentët në grupe me nga tre veta. Caktojini secilit person në grup një prej përmbledhjeve mësimdhënëse vijuese. Jepini çdo studenti/je një fletushkë me përmbledhjen mësimdhënëse që i është caktuar atij apo asaj dhe lërini studentët ta lexojnë atë për disa minuta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni çdo student që ta përdorë përmbledhjen për të mësuar dy pjesëtarët e tjerë të grupit. (Nëse nuk është e mundur që të keni grupe me nga tre veta, ju mund t’i ndani studentët në dyshe dhe t’i caktoni njërit prej studentëve në secilën dyshe dy përmbledhje mësimdhënëse.)
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të raportojnë atë që mësuan në grupet e tyre dhe atë që do të bëjnë si rrjedhojë e asaj që mësuan.
1 Korintasve 4
Pali u thotë shenjtorëve në Korint që të mos mendojnë se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët
Shpjegoni se bazuar te këshillat e Palit të shënuara te 1 Korintasve 4:1–3, me sa duket disa anëtarë të Kishës në Korint e kishin gjykuar rendimentin e punës së Palit si misionar dhe udhëheqës i Kishës. Ata mund të kenë vënë në pikëpyetje gjykimin e tij apo të kenë menduar se dikush tjetër mund të kishte bërë një punë më të mirë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 4:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Pali ndaj gjykimeve të tyre.
Si reagoi Pali ndaj gjykimeve të tyre?
Përse Pali nuk ishte i shqetësuar për gjykimin e të tjerëve?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 5 rreth mënyrës se si do të na gjykojë Zoti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zoti do të na gjykojë me drejtësi për shkak se Ai i di të gjitha gjërat, përfshirë mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë.)
Si mund ta ndihmojë të besuarit e kësaj të vërtete dikë që po gjykohet padrejtësisht?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 4:6–7 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Pali u mësoi shenjtorëve rreth marrëdhënies së tyre me anëtarët e tjerë të Kishës, përfshirë udhëheqësit e Kishës.
Sipas vargut 6, çfarë u tha Pali shenjtorëve që të mos bënin kur vërenin dallime te misionarët dhe udhëheqësit e Kishës? (Ata nuk duhej të “krekose[shin]” në krenari dhe të mendonin se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët.)
Bazuar te pyetjet e Palit të shënuara në vargun 7, kush u jepte njerëzve talente dhe aftësi të ndryshme?
Si mund të na ndihmojë këshilla e Palit kur mendojmë për udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës?
Përmblidheni 1 Korintasve 4:8–21, duke shpjeguar që Pali u tha shenjtorëve në Korint se Apostujt e Jezu Krishtit thirren që të vuajnë për shkak të ligësisë së botës. Bota i gjykon Apostujt dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës sikur janë të “marrë” (vargu 10) ngaqë kërkojnë të ndjekin Krishtin.
Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat e shpjeguara në këtë mësim.