Biblioteka
Mësimi 111: 1 Korintasve 15:1–29


Mësimi 111

1 Korintasve 15:1–29

Hyrje

Pali mësoi se individë në Korint po jepnin mësim se nuk kishte Ringjallje të të vdekurve. Ai u dëshmoi anëtarëve të Kishës në Korint se Jezu Krishti u ringjall prej të vdekurve. Pastaj Pali shpjegoi më tej doktrinën e Ringjalljes dhe rrjedhojat e saj për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. Pali përmendi se ordinanca e pagëzimit për të vdekurit do të ishte e pakuptimtë pa Ringjalljen.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 15:1–10

Pali jep prova për Ringjalljen e Jezu Krishtit

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Vëllezërit dhe motra të mia, ne qeshim, qajmë, punojmë, luajmë, dashurojmë, jetojmë. Dhe pastaj ne vdesim. Vdekja është trashëgimia jonë e përbotshme. Të gjithë duhet t’i kalojnë portat e saj. Vdekja merr të moshuarit, të lodhurit dhe të munduarit. Ajo i viziton të rinjtë në lule të moshës dhe në pritje të së ardhmes së tyre. As fëmijët e vegjël nuk i shpëtojnë pushtetit të saj” (“E Di Se Rron Shëlbuesi Im!” Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 24; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 26).

Ftojini studentët të reflektojnë mbi mendimet ose ndjenjat që kanë përjetuar kur dikush që ata e njohin ndërroi jetë. Ju mund t’i ftoni disa studentë që të tregojnë përvojat e tyre, nëse ndihen rehat për ta bërë këtë.

Ftojini studentët që teksa studiojnë 1 Korintasve 15:1–29, të kërkojnë parime që mund t’i ndihmojnë kur dikush që ata e njohin ndërron jetë.

Shpjegoni se kur Pali e përfundoi letrën e tij drejtuar shenjtorëve në Korint, ai foli për një bindje të rreme që ishte dhënë mësim nga disa anëtarë të Kishës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:12, dhe vëreni klasën të kërkojë bindjen e rreme që ishte dhënë mësim.

  • Cilat ishin disa nga mësimet e shenjtorëve korintas? (Nuk ka Ringjallje të të vdekurve.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:3–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që shkroi Apostulli Pal për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës të kuptonin vërtetësinë e Ringjalljes së Shpëtimtarit.

  • Për çfarë dëshmoi Pali që t’i ndihmonte anëtarët e Kishës të kuptonin vërtetësinë e misionit dhe të Ringjalljes së Shpëtimtarit?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje rreth rolit të një Apostulli? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Apostujt dëshmojnë se Jezu Krishti vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall prej të vdekurve.)

  • Si mund t’i ndihmojnë dëshmitë e Apostujve për Ringjalljen e Jezu Krishtit, njerëzit që e kanë të vështirë të besojnë te Ringjallja?

Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e kësaj të vërtete, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dëshminë vijuese të Presidentit Monson. (Ju gjithashtu mund të doni të tregoni [disa] dëshmi lidhur me Ringjalljen e Jezu Krishtit, të cilat janë dhënë nga Apostujt e tjerë në fjalimet më të fundit të konferencës së përgjithshme.)

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Me gjithë zemrën time dhe zjarrin e shpirtit tim, unë ngre zërin në dëshmi, si dëshmitar i veçantë, dhe shpall se Perëndia jeton. Jezusi është Biri i Tij, i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Shëlbuesi ynë; Ai është Ndërmjetësi ynë me Atin. Ishte Ai që vdiq në kryq për të shlyer për mëkatet tona. Ai u bë fryti i parë i Ringjalljes. Për shkak se Ai vdiq, të gjithë do të jetojnë përsëri. “Ç’gëzim më jep, oh kjo fjali: ‘E di se rron Shëlbuesi im!’” Qoftë e mundur që e gjithë bota ta dijë atë dhe të jetojë me anë të asaj njohurie” (“E Di Se Rron Shëlbuesi Im!” f. 27).

Ftojini studentët të përsiatin për mënyrën se si mund të kenë ndihmuar dëshmitë e Apostujve lidhur me Ringjalljen e Jezu Krishtit për ta forcuar besimin e tyre te Ringjallja. Ju mund të doni t’u kërkoni disa studentëve që të tregojnë mendimet e tyre.

1 Korintasve 15:11–29

Pali shpjegon doktrinën e Ringjalljes

Përmblidheni 1 Korintasve 15:11–15, duke shpjeguar se Pali vuri në pikëpyetje përse shenjtorët korintas kishin filluar të dyshonin në vërtetësinë e Ringjalljes. Ai arsyetoi se nëse Jezu Krishti nuk ishte ngritur prej të vdekurve, atëherë të gjitha dëshmitë për Ringjalljen e Tij ishin të rreme dhe nuk do të kishte qëllim për predikimin e ungjillit.

Shkruani në tabelë shprehjet e papërfunduara vijuese:

Nëse Jezusi nuk do të ringjallej prej të vdekurve, atëherë … (shih 1 Korintasve 15:16–19).

Meqë Jezusi u ringjall prej të vdekurve … (shih 1 Korintasve 15:20–22).

Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje 1 Korintasve 15:16–19, duke kërkuar atë që do të kishte ndodhur nëse Jezusi nuk do të ishte ringjallur prej të vdekurve. Ftojeni gjysmën tjetër të klasës të lexojë në heshtje 1 Korintasve 15:20–22, duke kërkuar bekimet që kanë ardhur si rrjedhojë e Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Pas një kohe të mjaftueshme, studentëve që lexojnë 1 Korintasve 15:20–22 u kërkoni të raportojnë mbi mënyrën se si mund ta plotësojnë thënien përkatëse në tabelë. Kërkojini një studenti që t’i shkruajë përgjigjet e këtyre studentëve në tabelë.

Shpjegoni se fjala fryti i parëvargun 20 i referohet pjesës së parë të një korre që vilet nga një fermer. Ashtu si këto fryte të së vjelës janë të parat e shumë të tjerave që do të vilen, Jezu Krishti ishte njeriu i parë nga të gjitha qeniet që u ringjall.

  • Sipas vargut 22, çfarë do t’u ndodhë të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor për shkak se Jezu Krishti u ringjall? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, çdo njeri do të ringjallet.)

Ftojini studentët që lexuan 1 Korintasve 15:16–19, që të tregojnë se si do ta plotësonin thënien tjetër në tabelë. Kërkojini një studenti t’i shkruajë përgjigjet e këtyre studentëve në tabelë.

Shpjegoni se në vargjet 14–19, Pali u kërkon shenjtorëve që të marrin në shqyrtim se cilat do të ishin pasojat “në qoftë se Krishti nuk [do të ishte] ringjallur”. Pali shpjegon se i gjithë predikimi do të ishte i kotë nëse Jezu Krishti nuk do të kishte treguar se Ai ka fuqi mbi vdekjen, dhe si rrjedhim, nuk do të kishte qenë në gjendje të shlyente për mëkatet tona. Por për shkak se Jezu Krishti u ringjall prej të vdekurve, ne e dimë se Ai është Biri i Perëndisë dhe se e ka atë fuqi.

Referojuni thënies së Palit në vargun 19: “Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve”.

  • Përse do të ishim të mjeruar nëse do të kishim shpresë te Jezu Krishti vetëm në këtë jetë ose nëse shpresa jonë do të shuhej pas vdekjes sonë? (Nëse nuk do të kishte Ringjallje të të vdekurve, atëherë shpresa jonë te Jezu Krishti do të gjente zbatim vetëm në këtë jetë dhe qëllimet e planit të shpëtimit nuk do të mund të përmbusheshin.)

Sipas vargjeve 20–22, çfarë shprese të madhe jep Ringjallja e Jezu Krishtit? (Shpresën se ne të gjithë do të jetojmë përsëri pasi të vdesim. Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ne mund të kemi shpresë.)

  • Si mund të na sjellë shpresë Ringjallja e Jezu Krishtit kur dikush që ne e njohim ndërron jetë ose kur kemi frikë për vetë vdekjen tonë?

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më tej domethënien e Ringjalljes së Jezu Krishtit, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith. (Nëse është e mundur, ua jepni këtë thënie studentëve në një fletushkë.)

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 52).

  • Çfarë tha Jozef Smithi se janë parimet themelore të fesë sonë?

  • Bazuar te ajo që keni mësuar në këtë mësim, në ç’mënyrë është Ringjallja e Jezu Krishtit themelore për të vërtetat e tjera të ungjillit?

Ju mund të doni të dëshmoni për vërtetësinë e Ringjalljes dhe për rëndësinë e saj në planin e shpëtimit të Atit Qiellor.

Shpjegoni se ashtu siç shënohet te 1 Korintasve 15:23–24, Pali dha mësim se do të ketë rregull në Ringjallje dhe se Jezu Krishti do t’ia “dorëzojë mbretërinë” Atit Qiellor pasi t’i ketë asgjësuar të gjitha format e “pushtet[it] e fuqi[së]” tokësore (ose të botës).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:25–26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se do t’u ndodhë përfundimisht armiqve të Jezu Krishtit.

  • Çfarë tha Pali se do t’i ndodhë përfundimisht armiqve të Jezu Krishtit? (Ata do të vihen “nën këmbët e Tij” [vargu 25], ose do të shkatërrohen.)

  • Kush ose çfarë mund të konsiderohet armik i Jezu Krishtit? (Shembujt përfshijnë mëkatin, korrupsionin, ligësinë dhe kundërshtarin.)

  • Cili është armiku i fundit që Jezu Krishti do ta shkatërrojë?

  • Përse vdekja mund të konsiderohet një armik i Jezu Krishtit dhe i planit të Atit Qiellor?

Kujtojuni studentëve se disa anëtarë të Kishës në Korint besonin se të vdekurit nuk do të ringjalleshin, por Pali vuri në dukje se shenjtorët kishin bërë diçka që tregonte besimin e tyre te Ringjallja e të vdekurve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 15:29. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ordinancën që kishin kryer shenjtorët korintas. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Si do ta përmblidhnit atë që Pali u kërkoi shenjtorëve lidhur me pjesëmarrjen e tyre në pagëzimin për të vdekurit? (“Nëse ju nuk besoni në Ringjallje, përse pagëzoheni për të vdekurit?”)

Vini në dukje se ordinanca e pagëzimit për të vdekurit është një dëshmi e besimit tonë te Ringjallja. Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Ata që kanë vdekur pa pagëzimin, mund ta marrin këtë ordinancë themelore.

Tregoni figurën e një tempulli. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Çdo tempull, qoftë i madh ose i vogël, i vjetër ose i ri, është një shprehje e dëshmisë tonë se jeta pas varrit është po aq e vërtetë dhe e sigurt sa është edhe vdekshmëria” (“This Peaceful House of God”, Ensign, maj 1993, f. 74).

Ftojini studentët të shqyrtojnë një rast kur ata kryen pagëzime për të vdekurit ose përgatitën emra për t’i çuar në tempull. Ftojini disa studentë që t’i përgjigjen pyetjeve vijuese:

  • Çfarë ndjenjash kishit ndërkohë që përgatitët emrat ose kryet punën për ta në tempull?

  • Në çfarë mënyrash përvojat tuaja me historinë familjare dhe punën në tempull e kanë forcuar besimin tuaj te Ringjallja e Jezu Krishtit dhe e të gjithë njerëzve?

Merreni parasysh të dëshmoni për rëndësinë e kryerjes së punës së historisë familjare dhe të asaj në tempull për ata që kanë ndërruar jetë. Nxitini studentët që të tregojnë besimin e tyre në Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe në Ringjalljen përfundimtare të të gjitha qenieve duke marrë pjesë rregullisht në punën për historinë familjare dhe atë në tempull.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Korintasve 15:20–22

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si njohja e doktrinës te 1 Korintasve 15:20–22 mund t’i përgatitë për t’i ndihmuar të tjerët, ftojini ata të mendojnë për dikë që e njohin, i cili ka humbur një njeri të dashur. Kërkojuni studentëve që në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta t’i shkruajnë një letër të shkurtër këtij personi, duke përdorur kuptueshmërinë e tyre për këtë fragment për t’i dhënë mësim dhe për ta ngushëlluar këtë individ. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që shkruan.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 15:20. “Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se si të besuarit që Jezu Krishti u ringjall do të thotë se edhe ne mund të kemi besim se do të ringjallemi:

“Nëse Jezusi në fakt u ringjall me kuptimin e plotë të fjalës, kjo ndiqet patjetër nga fakti se Ai është një qenie hyjnore. Asnjë i vdekshëm i thjeshtë nuk e ka fuqinë brenda vetes që të vijë në jetë përsëri pasi vdes. Për shkak se u ringjall, Jezusi nuk mund të ketë qenë vetëm një marangoz, një mësues, një rabbi apo një profet. Për shkak se u ringjall, Jezusi duhej të ishte një Perëndi, madje Biri i Vetëmlindur i Atit.

Prandaj, ajo që Ai dha mësim është e vërtetë; Perëndia nuk mund të gënjejë.

Prandaj, Ai ishte Krijuesi i tokës, sikurse Ai tha.

Prandaj, qielli dhe ferri janë të vërtetë, sikurse Ai dha mësim.

Prandaj, ka një botë shpirtrash, të cilën Ai e vizitoi pas vdekjes së Tij.

Prandaj, Ai do të vijë përsëri sikurse thanë engjëjt dhe ‘do të mbretërojë personalisht mbi tokë’.

Prandaj, ka një ringjallje dhe një gjykim përfundimtar për të gjithë” (“Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 113).

1 Korintasve 15:22. “Të gjithë do të ngjallen në Krishtin”

Presidenti Jozef Filding Smith dëshmoi se të gjithë njerëzit do të ringjallen:

“Asnjë njeriu që ka jetuar apo ka vdekur në këtë tokë nuk do t’i mohohet ringjallja. Arsyeja na e mëson këtë dhe është thjesht një çështje drejtësie. Vetëm Adami ishte përgjegjës për vdekjen dhe prandaj Zoti nuk ia ngarkon këtë ndonjë njeriu tjetër. Drejtësia kërkon që asnjë njeri që nuk ishte përgjegjës për vdekjen nuk do të mbahet përgjegjës për të, dhe prandaj, ashtu si Pali shpalli: ‘Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin’” (Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:274).

Shtyp në Letër