Biblioteka
Hyrje te Zbulesa ose Apokalipsi i Jezu Krishtit; Shfaqur Gjonit


Hyrje te Zbulesa ose Apokalipsi i Jezu Krishtit; Shfaqur Gjonit

Përse të studiohet ky libër?

Si “Zbulesa e Jezu Krishtit” (Zbulesa 1:1), ky libër nganjëherë quhet Apokalipsi, që në greqisht do të thotë zbulesë, shpalosje ose heqje e velit e asaj që është fshehur (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Revelation of John” [“Zbulesa e Gjonit”]). Ky libër është një shpalosje e Zotit Jezu Krisht dhe një zbulesë e autoritetit, fuqisë së Tij dhe rolit kryesor në planin e shpëtimit të Atit. Libri gjithashtu zbulon shumë informacion të rëndësishëm rreth ngjarjeve që çojnë në Ardhjen e Dytë dhe në Mijëvjeçar.

Studimi i librit të Zbulesës mund t’i ndihmojnë studentët të fitojnë një kuptueshmëri më të madhe të Birit të ringjallur dhe të lavdishëm të Perëndisë dhe të marrëdhënies së Tij me fëmijët e Perëndisë gjatë gjithë epokave të historisë së tokës, veçanërisht në ditët e fundit. Ky libër ofron një mesazh shprese ndaj njerëzve të drejtë dhe mund t’i nxitë studentët të qëndrojnë besnikë ndaj dëshmive të tyre për Shpëtimtarin në mes të përndjekjes dhe sfidave.

Kush e shkroi këtë libër?

Apostulli Gjon, dishepulli i dashur i Jezu Krishtit, është autori i këtij libri. Libri i Mormonit pohon se Gjoni ishte i parashuguruar për të shkruar gjërat e shënuara në librin e Zbulesës (shih 1 Nefi 14:18–27; Ethëri 4:16).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Libri i Zbulesës u shkrua në një kohë kur të krishterët po përballeshin me mësime të rreme, plogështi dhe përndjekje të ashpra (shih Zbulesa 1:9; 2:4, 10, 14–15; 3:16; 6:9). Kjo përndjekje me gjasë erdhi më së shumti nga ana e zyrtarëve romakë në dy dekadat e fundit të shekullit të parë ps.K. Gjoni shkroi nga ishulli i Patmosit në detin Egje, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Efesit (shih Zbulesa 1:9).

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Gjoni u shkroi një mesazh shprese dhe kuraje shenjtorëve në ditët e tij (shih Zbulesa 1:4, 11) dhe atyre në ditët e mëvonshme. Tre kapitujt e parë të Zbulesës iu drejtuan veçanërisht shtatë degëve të Kishës në Azinë e Vogël (shih Zbulesa 1:4, 11; 2–3). Për shkak të përndjekjes së ashpër, shenjtorët kishin shumë nevojë për mesazhin kurajëdhënës që gjendet te Zbulesa. Përveç kësaj, profeti Nefi dëshmoi se “Perëndi[a] ka urdhëruar apostullin” Gjon të shkruante për fundin e botës (1 Nefi 14:25) dhe se fjalët e tij do të vinin si te johebrenjtë edhe te mbetja e Izraelit në ditët e mëvonshme (shih 1 Nefi 13:20–24, 38; 14:19–27).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Libri i Zbulesës është një nga librat më të qartë që Perëndia e bëri të shkruhej ndonjëherë” (në History of the Church, 5:342). Ndonëse është i pasur me shëmbëlltyra dhe simbole që jo gjithmonë janë të lehta për lexuesit në kohët moderne për t’i kuptuar, temat e këtij libri janë të thjeshta dhe frymëzuese.

Gjoni përshkroi kushtet e Kishës në ditët e tij (shih Zbulesa 2–3) dhe shkroi për ngjarje të kaluara dhe të ardhshme (shih Zbulesa 4–22). Libri i Zbulesës përmban një prej pak fragmenteve në shkrimet e shenjta që përshkruajnë Luftën në Qiell në jetën para lindjes (shih Zbulesa 12:7–11) dhe paraqet një përmbledhje të frymëzuar të historisë së botës, duke u përqendruar veçanërisht në ditët e mëvonshme dhe te Mijëvjeçari. Temat e tij kryesore përfshijnë rolin e Jezu Krishtit në zbatimin e planit të Perëndisë, dorën e Perëndisë në historinë e tokës, Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe shkatërrimin e së ligës dhe premtimin se toka si përfundim do të bëhet çelestiale. Libri gjithashtu shpjegon se do të ketë “një fitore të përhershme të së mirës mbi të ligën … [dhe] të mbretërisë së Perëndisë mbi mbretëritë e njerëzve dhe të Satanit” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Revelation of John” [“Zbulesa e Gjonit”]).

Përmbledhje

Zbulesa 1–3 Gjoni sheh një vegim të Jezu Krishtit. Ai u shkruan mesazhe individuale shtatë kishave në Azi; këto mesazhe përfshijnë lavdërime, qortime dhe premtime për shenjtorët besnikë në çdo degë.

Zbulesa 4–11 Gjoni sheh një vegim të Perëndisë të kurorëzuar në mbretërinë çelestiale, Qengjin e Perëndisë dhe një libër të vulosur me shtatë vula. Gjoni sheh vegime në lidhje me hapjen e secilës prej shtatë vulave. Ata që kanë vulën e Perëndisë në ballë, do të marrin mbrojtjen e Perëndisë në ditët e fundit. Gjoni sheh luftëra, plagë dhe shumë ngjarje të tjera të ditëve të mëvonshme, që do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Zotit.

Zbulesa 12–16 Gjoni sheh një vegim të Luftës në Qiell në jetën para lindjes dhe vazhdimësinë e saj në tokë. Ai jep mësim se forcat e liga synojnë ta shkatërrojnë mbretërinë e Perëndisë në tokë. Në ditët e fundit, ungjilli do të rivendoset në tokë në plotësinë e tij me anë të shërbesës së engjëjve. Do të bëhen përgatitje për betejën e Armagedonit.

Zbulesa 17–22 Babilonia shpirtërore do të përhapet në mbarë tokën. Pasi shenjtorët e drejtë të mblidhen, Babilonia do të bjerë dhe do të vajtohet nga përkrahësit e saj. Të drejtët do të ftohen në darkën e dasmës së Qengjit të Perëndisë. Satani do të lidhet, Mijëvjeçari do të fillojë dhe Krishti do të mbretërojë personalisht në tokë. Të vdekurit do të gjykohen. Toka do të marrë lavdinë e saj çelestiale.

Shtyp në Letër