Mësimi 12
Mateu 7
Hyrje
Jezu Krishti e vijoi Predikimin e Tij në Mal duke i mësuar dishepujt e Tij që të gjykonin me drejtësi. Ai gjithashtu dha mësim për marrjen e zbulesës vetjake dhe bërjen e vullnetit të Atit Qiellor.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mateu 7:1–5
Si pjesë e Predikimit të Tij në Mal, Jezu Krishti i mëson dishepujt e Tij për të gjykuarit me drejtësi
Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: A duhet t’i gjykojmë apo jo të tjerët? Kur të fillojë ora mësimore, ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes.
Paraqitni figurën Predikimi në Mal (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2008], nr. 39; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se ndërsa Jezusi vijoi Predikimin e Tij në Mal, Ai i mësoi dishepujt e Tij rreth të gjykuarit.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth të gjykuarit. Vini në dukje që vargu 1 shpesh keqkuptohet sikur nënkupton që ne nuk duhet të gjykojmë kurrë. Kërkojini një studenti të lexojë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Mateut 7:1–2, “Tani këto janë fjalët që Jezusi i mësoi dishepujve të tij, që ata duhet t’ua thonin njerëzve. Mos gjykoni padrejtësisht, që të mos gjykoheni; por gjykoni me gjykim të drejtë”.
-
Çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth të gjykuarit?
-
Çfarë mendoni se do të thotë të gjykosh me drejtësi?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të na ndodhë bazuar te mënyra si i gjykojmë të tjerët. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
-
Çfarë do të ndodhë nëse i gjykojmë të tjerët me drejtësi? (Pasi studentët të përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i gjykojmë të tjerët me drejtësi, Perëndia do të tregojë të njëjtën mëshirë dhe drejtësi për ne.)
Nëse është e mundur, shpërndajini secilit student kopje të thënies vijuese nga Të Vërtetë Ndaj Besimit. Ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Vëreni gjysmën e klasës ta ndjekë, duke kërkuar llojet e gjykimit që duhet të bëjmë dhe që nuk duhet të bëjmë. Kërkojini gjysmës tjetër të klasës të kërkojë mënyrat se si mund të gjykojmë me drejtësi.
-
Çfarë lloj gjykimesh duhet të bëjmë?
-
Si mund të gjykojmë me drejtësi?
Paraqitni një ashkël të vogël druri dhe një copë të gjatë, të trashë druri. Shpjegoni se ndërsa Shpëtimtari i mësoi dishepujt e Tij për të gjykuarit, Ai e quajti ashklën e vogël të drurit lëmishte dhe copën e madhe të drurit tra. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:3 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që dha mësim Shpëtimtari për të gjykuarit e të tjerëve.
-
Çfarë mund të përfaqësojnë lëmishtja dhe trari në analogjinë e Shpëtimtarit?
-
Si do ta riformulonit mësimin e Shpëtimtarit në vargun 3?
Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Udhëzoni një student që ta mbajë trarin para syve të tij ose të saj. Pyeteni studentin e dytë:
-
A do të doje që shoku yt i klasës me tra të të hiqte një cifël druri nga syri? Përse jo?
Pyeteni studentin me trarin:
-
Çfarë do të të duhej të bëje që të shikoje mjaftueshëm qartë për ta hequr ciflën e drurit nga syri i shokut tënd të klasës?
Ftojeni studentin me trarin të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:
“Kjo histori e trarëve dhe lëmishteve duket se lidhet ngushtësisht me paaftësinë tonë për ta kuptuar veten tonë me qartësi. Nuk jam i sigurt se përse ne jemi të aftë të gjejmë diagnozën dhe të rekomandojmë kaq mirë kurime për papërsosmëritë e njerëzve të tjerë, ndërkohë që kemi shpesh vështirësi për t’i kuptuar papërsosmëritë tona” (“Mos Jam Unë, Zot?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 56).
Ftojini dy studentët që të ulen. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:4–5 dhe vëreni klasën të kërkojë se për gabimet e kujt tha Shpëtimtari që duhet të shqetësohemi ne.
-
A duhet të përqendrohet shqetësimi dhe korrigjimi ynë te gabimet e të tjerëve apo te vetë gabimet tona? Përse?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje që mund të na ndihmojë ta shmangim të gjykuarit e të tjerëve padrejtësisht? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse përqendrohemi te heqja e vetë mëkateve e dobësive tona, atëherë ka më pak gjasa që ne do t’i gjykojmë të tjerët padrejtësisht.)
-
Si mund të na ndihmojë ky parim kur shikojmë një të metë te dikush tjetër?
Ju mund t’u jepni studentëve një copë të vogël druri që ta mbajnë për t’u kujtuar atyre këtë parim. Ftojini studentët të përsiatin për mëkatet ose dobësitë që mund të heqin nga jeta e tyre vetjake. Nxitini ata t’i kërkojnë Zotit ndihmë për të hequr të metat e tyre vetjake në vend që të gjykojnë të tjerët padrejtësisht.
Mateu 7:6–14
Shpëtimtari jep mësim për të kërkuarit e zbulesës vetjake
Përmblidheni Mateun 7:6 duke shpjeguar se Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu na ndihmon të kuptojmë që Jezu Krishti i thirri dishepujt e Tij që të shkonin në botë për të predikuar. Ata duhet të jepnin mësim pendim, por t’i mbanin për vete të fshehtat e mbretërisë. Me fjalë të tjera, ata nuk duhet të diskutonin për tema të shenjta me njerëz të cilët nuk ishin gati që t’i pranonin ato. (Shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:9–11 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 226–227].)
Shpjegoni që sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it, Mateu 7:7 fillon me frazën: “U thoni atyre: Pyesni Perëndinë”. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë vargun 7, duke e filluar me këtë frazë. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij që të jepnin mësim.
-
Çfarë iu shpjegua dishepujve që t’u thoshin njerëzve që donin të merrnin njohuri nga Perëndia?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 7 për mënyrën se si ne mund të arrijmë të kuptojmë njohuri të shenjtë nga Perëndia? (Pasi studentët të përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur lypim, kërkojmë dhe trokasim në kërkimin tonë për të vërtetën, Ati Qiellor do të përgjigjet e do të na bekojë me zbulesë vetjake.)
-
Çfarë tregojnë fjalët lypni, kërkoni dhe trokitni se duhet të bëjmë për të marrë zbulesë personale?
Ftojini disa studentë të tregojnë një rast kur lypja, kërkimi dhe trokitja ftuan zbulesën personale.
Përmblidheni Mateun 7:9–11, duke shpjeguar që Shpëtimtari dha mësim se ashtu si një atë i dashur nuk do të jepte një gur apo një gjarpër kur biri i tij të kërkonte bukë ose peshk, Ati Qiellor nuk do t’ia mohojë dhuratën e zbulesës personale fëmijëve të Tij që e kërkojnë atë.
Nxitini studentët të ushtrojnë besim duke lypur, kërkuar dhe trokitur për të ftuar zbulesën personale dhe të kuptuarit e ungjillit. Dëshmoni se ndërsa ata e bëjnë këtë me besim e durim, Ati Qiellor do të përgjigjet.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:12–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërteta të tjera që Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij që t’i jepnin mësim. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Mateu 7:15–27
Shpëtimtari u premton shpëtim atyre që bëjnë vullnetin e Atit
Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë disa ide që janë të pranuara gjerësisht nga bota, por janë në kundërshtim me planin e Atit Qiellor.
-
Përse është e rëndësishme të jesh në gjendje të dallosh nëse një person ose grup po nxit një ide që është në kundërshtim me planin e Atit Qiellor?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:15. Më pas, pyesni:
-
Për çfarë i paralajmëroi Zoti dishepujt? Si tha Ai që mund të maskohen këta profetë të rremë?
Shpjegoni që Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi për profetë të rremë në kohën tonë që përfshijnë “si burra edhe gra, që janë vetëcaktuar lajmërues të doktrinave të Kishës” si edhe “ata që flasin e botojnë në kundërshtim me profetët e vërtetë të Perëndisë dhe që u predikojnë aktivisht të tjerëve me shpërfillje të pamatur për mirëqenien e përjetshme të atyre që ata tërheqin” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 63).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:16–20. Kërkojuni studentëve ta ndjekin, duke kërkuar një mënyrë se si ne mund ta dallojmë nëse një person është një profet i rremë ose mësues i rremë.
-
Cila është një mënyrë si ne mund ta dallojmë nëse një person është një profet i rremë ose mësues i rremë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Ne mund t’i dallojmë profetët e rremë nga frytet e tyre.)
Tregojuni studentëve dy lloje frutash. Pyetini studentët se ç’lloj bimësh e prodhojnë secilin frut. Shpjegoni se në mënyrë të ngjashme me dallimin e bimëve nga frutat e tyre, ne mund t’i dallojmë profetët e rremë dhe mësuesit e rremë nga mësimet, veprimet dhe idetë e tyre.
-
Bazuar në këtë të vërtetë, si mund t’i dallojmë ne individët dhe grupet nga të cilët duhet të kemi kujdes?
-
Si lidhet lista e ideve në tabelë me këtë të vërtetë?
Përmblidheni Mateun 7:21–23 duke shpjeguar se jo të gjithë që shpallin besim në Jezu Krisht do të hyjnë në mbretërinë e Tij, por ata që bëjnë vullnetin e Atit Qiellor dhe arrijnë ta njohin Atë do të hyjnë në mbretërinë e qiejve.
Paraqitni një gur [shkëmbor] dhe një tabaka me rërë. Pyetini studentët nëse do të parapëlqenin ta ndërtonin shtëpinë e tyre mbi shkëmb apo mbi rërë. Ftojini ata që të shpjegojnë arsyen.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 7:24–27.
-
Sipas vargut 24, çfarë veprimesh tha Shpëtimtari do ta bënin një person të ngjashëm me një njeri të zgjuar, i cili ndërtoi mbi shkëmb?
-
Sipas vargut 26, çfarë veprimesh tha Shpëtimtari do ta bënin një person të ngjashëm me një njeri budalla, i cili ndërtoi mbi rërë?
-
Çfarë mendoni se përfaqësojnë shiu, përmbytjet dhe era në këto analogji (shih vargu 27; shih edhe Helamani 5:12)?
-
Çfarë parimesh rreth të vepruarit sipas mësimeve të Zotit mund të mësojmë nga këto analogji? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimet vijuese: Nëse ua vëmë veshin mësimeve të Zotit dhe veprojmë sipas tyre, atëherë Ai do të na forcojë që t’i durojmë sprovat tona. Nëse ua vëmë veshin mësimeve të Zotit, por nuk i ndjekim ato, atëherë ne nuk do të kemi mbështetjen për të cilën kemi nevojë kur të vijnë sprovat.)
Ftojini studentët të marrin parasysh atë që dha mësim Zoti te Predikimi në Mal (shih Mateu 5–7). Ftojini ata që të jenë si njeriu i zgjuar, duke vendosur që të veprojnë sipas parimeve që dha mësim Shpëtimtari. Ju mund të doni t’u jepni studentëve kohë që të shkruajnë mbi mënyrën se si ata do t’i zbatojnë një apo më shumë prej parimeve nga ky mësim ose nga tri mësimet e mëparshme.