Biblioteka
Mësimi 106: 1 Korintasve 7–8


Mësimi 106

1 Korintasve 7–8

Hyrje

Pali i udhëzoi si të martuarit edhe anëtarët beqarë të Kishës në Korint rreth martesës dhe punës misionare. Duke iu përgjigjur një pyetje për ngrënien e mishit që flijohej për idhujt, Pali u dha mësim shenjtorëve që të merrnin parasysh ndikimin e praktikave të tyre vetjake tek të tjerët dhe të ishin të gatshëm që të hiqnin dorë nga disa veprime, nëse ato veprime mund ta bënin dikë tjetër të pengohej shpirtërisht.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 7

Pali i këshillon anëtarët e martuar dhe beqarë të Kishës në Korint rreth martesës

Kopjojeni skicën vijuese në tabelë:

Pamja
skicë me shigjetë

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin e 1 Korintasve 7, kujtojuni atyre se, sikurse ne, anëtarët e Kishës në Korint jetonin në një shoqëri me ide pështjelluese dhe kundërshtuese rreth martesës dhe intimitetit fizik ose seksual.

  • Bazuar në atë që mbani mend nga studimi juaj i 1 Korintasve 5–6, cilat ishin disa bindje të rreme për marrëdhëniet seksuale që mbizotëronin në Korint?

Pasi studentët të përgjigjen, shkruani sa vijon në anën e majtë të skicës nën titullin “Bindje të Rreme:” Është e pranueshme të kesh intimitet fizik me çdokënd.

Shpjegoni se anëtarët e Kishës në Korint i kishin shkruar Apostullit Pal duke i kërkuar udhëzime lidhur me standardin e Zotit për pastërtinë seksuale.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 7:1 dhe vëreni klasën të kërkojë një pyetje që shenjtorët korintas i bënë Palit.

  • Çfarë pyetje i bënë Palit shenjtorët korintas?

Shpjegoni se fraza “mirë është për njeriun të mos prekë grua” në vargun 1, tregon se shenjtorët korintas kishin pyetje nëse intimiteti fizik ishte i përshtatshëm dhe kur. Disa prej tyre mund të kenë vënë në pikëpyetje nëse edhe njerëzit e martuar duhet të kishin intimitet fizik. Shkruani sa vijon në anën e djathtë të skicës, nën titullin “Bindje të Rreme:” Nuk është kurrë e pranueshme që të kesh intimitet fizik, madje as në martesë.

Vini në dukje se të dyja bindjet e rreme të shkruara në skicë përfaqësojnë pikëpamje të skajshme, të cilat ndryshojnë nga standardet e Perëndisë për intimitetin fizik.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 7:2–3. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që u mësoi Pali korintasve rreth intimitetit fizik. (Mund t’ju duhet t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se kurvëri i referohet marrëdhënieve seksuale jashtë martesës dhe detyrë martesore i referohet dashurisë dhe intimitetit të shprehur midis bashkëshortit dhe bashkëshortes.)

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese që gjendet te broshura Për Forcën e Rinisë:

“Intimiteti fizik midis burrit dhe gruas është i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis burrit dhe gruas. Perëndia ka urdhëruar se intimiteti seksual rezervohet për martesën” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 35).

  • Nga ajo që sapo lexuam, çfarë mund të mësojmë rreth intimitetit fizik? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në skicë, nën titullin “E Vërteta:” Intimiteti fizik midis bashkëshortit dhe bashkëshortes është i shuguruar nga Perëndia.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë arsyen përse intimiteti në martesë është i shuguruar nga Perëndia.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Fuqia e riprodhimit nuk është një pjesë rastësore e planit; ajo është plani i lumturisë; ajo është kyçi i lumturisë.

Dëshira e njerëzimit për t’u çiftëzuar është e përhershme dhe shumë e fortë. Lumturia jonë në jetën në vdekshmëri, gëzimi dhe ekzaltimi ynë varen nga mënyra se si u përgjigjemi këtyre dëshirave fizike të vazhdueshme dhe shtrënguese” (“Plani i Lumturisë”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 26).

  • Cilat janë qëllimet e intimitetit fizik midis bashkëshortit dhe bashkëshortes?

  • Përse është riprodhimi – aftësia për të krijuar jetë të vdekshme – kaq i rëndësishëm në planin e Atit Qiellor?

Përmblidheni 1 Korintasve 7:4–24, duke shpjeguar që Pali dha mësim se bashkëshortët, përgjithësisht, nuk duhej t’ia mohonin njëri-tjetrit dashurinë martesore, se anëtarëve të ve dhe të divorcuar të Kishës u lejohej të rimartoheshin nëse zgjidhnin ta bënin këtë, dhe se anëtarët e Kishës duhet të “mbete[shin me] Perëndi[në]” sido që të ishin rrethanat e tyre. Pali gjithashtu e shkurajonte divorcin.

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një të vërtetë tjetër nga shkrimet e Palit te 1 Korintasve 7, ndajini studentët në grupe me nga dy ose tre veta dhe jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese:

Pamja
fletushkë

1 Korintasve 7:12–17

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 106

Në Korint kishte anëtarë të Kishës, bashkëshortët e të cilëve nuk ishin të krishterë.

  • Çfarë vështirësish mund të përjetojnë bashkëshortët e besimeve të ndryshme?

Lexojini me zë të lartë këshillat e Palit te 1 Korintasve 7:12–17 për këto familje pjesërisht anëtare, duke kërkuar të vërtetat që dha mësim Pali, të cilat mund t’i ndihmojnë familjet pjesërisht anëtare sot.

Në hapësirën vijuese, përmblidheni atë që dha mësim Pali rreth ndikimit që mund të kenë anëtarët besnikë të Kishës në familjet e tyre: .

  • Çfarë shembujsh keni parë, ku një anëtar i Kishës ka pasur një ndikim pozitiv te pjesëtarët e familjes që nuk ishin anëtarë të Kishës ose nuk ishin aktivë në Kishë?

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të raportojnë të vërtetën që përcaktuan te 1 Korintasve 7:12–17. Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të shprehin një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Pasuesit besnikë të Jezu Krishtit kanë një ndikim shenjtërues në familjet e tyre.

Ju mund të doni që t’i ftoni disa studentë të tregojnë shembuj të anëtarëve të Kishës, të cilët kanë pasur një ndikim pozitiv te pjesëtarët e familjes që nuk ishin anëtarë të Kishës ose nuk ishin aktivë në Kishë.

Përmblidheni 1 Korintasve 7:25–40, duke shpjeguar se Pali dha mendimin e tij lidhur me anëtarët beqarë të cilët u “thirr[ën] në shërbesë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 7:29 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]) dhe shpjegoi se rrethanat ua lejuan atyre që t’i shërbenin Zotit “pa u shkëputur” (vargu 35), ose pa u shqetësuar për anën materiale për sa i përket sigurimit të të ardhurave për familjen. Megjithatë, ai nuk i ndaloi ata që të martoheshin.

1 Korintasve 8

Pali i përgjigjet një pyetjeje rreth ngrënies së mishit që flijohej për idhujt

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku L. Tom Peri

“E kalova karrierën time në biznesin e mapove industriale. Për shkak se isha pjesë e një grupi menaxhimi, ishte e rëndësishme për mua që të bashkëveproja nga ana sociale me organizata të bizneseve vendore. Mbledhjet për shumicën e këtyre organizatave fillonin gjithmonë me një orë kokteji [gjatë së cilës shërbehen tradicionalisht pije alkoolike]. Ishte rasti të shoqërizohesha me të tjerët dhe të njihesha me njerëzit që i përkisnin organizatës. Nuk jam ndier asnjëherë rehat në raste të atilla. Fillimisht kërkova një limonadë. Shpejt zbulova se limonada duket si shumë pije të tjera. Nuk mund të jepja përshtypjen e një njeriu që nuk pi me një limonadë të tejdukshme në duart e mia” (“The Tradition of a Balanced, Righteous Life”, Ensign, gusht 2011, f. 48–49).

  • Çfarë mund të kishte ndodhur nëse Plaku Peri do të vazhdonte të pinte limonadë të tejdukshme gjatë rasteve të koktejit?

  • Cilat janë disa situata të tjera në të cilat shembulli ynë mund të ndikojë negativisht tek të tjerët edhe pse mund të mos jemi duke bërë asgjë të gabuar?

Shpjegoni se anëtarët e Kishës në Korint pyesnin veten nëse ishte e pranueshme të hanin ushqimin që u ishte ofruar idhujve ose perëndive pagane.

Vini në dukje se Pali e pranoi që anëtarët e Kishës mund të mendonin se kjo ishte e pranueshme ngaqë e dinin se perënditë pagane nuk ekzistonin me të vërtetë (shih 1 Korintasve 8:4–6).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 8:1 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që u mësoi Pali shenjtorëve korintas.

  • Edhe pse njerëzit e dinin që idhujt nuk ishin të vërtetë, çfarë tha Pali se ishte më e rëndësishme se sa ajo që ata dinin? (Dashuria hyjnore ose dashuria zemërgjerë për të tjerët.)

  • Sipas këtij vargu, çfarë mund të vijë si rrjedhojë e njohurisë? (Krekosja ose mendjemadhësia.) Çfarë mund të vijë si rrjedhojë e dashurisë hyjnore? (Ngritja morale ose forcimi i vetes apo i të tjerëve.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 8:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rastet kur shenjtorët korintas nuk duhej ta hanin mishin që mund t’u ishte flijuar idhujve. (Juve mund t’ju duhet t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se i dobët në këto vargje mund t’i referohet dobësisë në kuptueshmëri, dhe se liri [vargu 9] i referohet lirisë së anëtarëve të Kishës për të marrë nga mishi që mund t’i jetë flijuar idhujve.)

  • Sipas vargut 9, me cilin kusht, tha Pali, ata nuk duhej të hanin nga mishi i flijuar për idhujt? (Nëse do të ishte një pengesë për dikë me një dëshmi të dobët ose pa njohurinë e ungjillit.)

  • Çfarë shembulli dha Pali te vargu 10 të një mënyre se si ngrënia e mishit të flijuar për idhujt mund të ishte një pengesë? (Nëse një anëtar i Kishës që ishte i dobët në besim shikonte një anëtar tjetër që hante në sallën e ngrënies që lidhej me një tempull pagan vendor, anëtari me besim të dobët mund të besonte gjithashtu se nuk kishte asgjë të gabuar në adhurimin e idhujve.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 8:11–13. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Palit për pyetjen lidhur me ngrënien e ushqimit që flijohej për idhujt.

  • Sipas vargut 13, çfarë tha Pali për mënyrën se si do të vepronte në këtë situatë? Përse? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se skandalizoj në këtë varg do të thotë të pengohesh shpirtërisht, të mëkatosh ose të humbasësh besimin.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund ta shmangim çuarjen e të tjerëve që të pengohen shpirtërisht? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani parimin vijues në tabelë: Ne mund të tregojmë dashuri hyjnore për të tjerët duke shmangur veprime që mund t’i bëjnë ata të pengohen shpirtërisht.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën e mbetur të rrëfimit të Plakut Peri: Vëreni klasën të dëgjojë arsyet përse Plaku Peri e zbatoi këtë parim:

Pamja
Plaku L. Tom Peri

“Vendosa se duhej të merrja një pije që do të më dallonte qartësisht si një njeri që nuk pija. Shkova te banakieri dhe i kërkova një gotë qumësht. Banakierit nuk i ishte bërë kurrë një kërkesë e tillë. Ai shkoi në kuzhinë dhe mori një gotë qumësht për mua. Tani unë kisha një pije që dukej shumë ndryshe nga pijet alkoolike që të tjerët po pinin. …

Qumështi u bë pija ime e zgjedhur në raste kokteji. Shpejt u bë gjerësisht e ditur se unë isha mormon. Respekti që mora më befasoi vërtetë, ashtu sikurse dhe një ngjarje interesante që filloi të ndodhte. Të tjerët shpejt m’u bashkuan në një koktej thjesht me qumësht!” (“The Tradition of a Balanced, Righteous Life”, f. 49).

  • Cilët janë disa shembuj të tjerë të mënyrës se si ne mund të tregojmë dashuri hyjnore për të tjerët, duke i shmangur veprimet që mund t’i bëjnë ata të pengohen shpirtërisht?

Dëshmoni për të vërtetat që studentët zbuluan sot dhe nxitini studentët që të kërkojnë udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përpiqen të jetojnë sipas këtyre të vërtetave.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Korintasve 7:1–5. Intimiteti në martesë

Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim se sjellja me dashuri hyjnore në marrëdhënien midis bashkëshortit dhe bashkëshortes është standardi i Zotit:

“Butësia dhe respekti – kurrsesi egoizmi – duhet të jenë parimet udhërrëfyese në marrëdhënien intime midis bashkëshortit e bashkëshortes” (“Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 51). (Shih edhe New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 368.)

1 Korintasve 7:8, 25–35. A ishte Pali kundër martesës?

Bazuar në fragmente të tilla si 1 Korintasve 7:8, 25–35, disa njerëz mund të arrijnë në përfundimin e gabuar se Pali qe kundër martesës. Sidoqoftë, Përkthimi prej Joseph Smith-it, sqaron se në këto vargje, Pali iu drejtohet atyre që shpejt do të “dërgohe[shin] në shërbesë” ose në shërbimin misionar (Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 7:29 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). E parë nga ky këndvështrim, këshilla e Tij ishte e ngjashme me atë që jepet nga udhëheqësit e Kishës sot, të cilët i këshillojnë misionarët e rinj që t’i shmangen daljeve në takime ose krijimit të marrëdhënieve romantike ndërkohë që shërbejnë në misione. Në raste të tjera, Pali shkroi në favor të martesës (shih 1 Korintasve 9:1–5; 11:11; 1 Timoteut 3:2; Hebrenjve 13:4). Atëherë, fjalët e Palit të shënuara te 1 Korintasve 7 nuk janë një pamje e plotë e këndvështrimit të Palit mbi martesën, por kishin për qëllim që të trajtonin një situatë të përkohshme në jetën e atyre që thirreshin të shërbenin në misione.

1 Korintasve 7:14. Pikëpamje të ditëve të mëvonshme mbi këshillat e Palit

Doktrina e Besëlidhje 74 përmban pikëpamje shtesë mbi fjalët e Palit te 1 Korintasve 7:14. (Shih edhe Doctrine and Covenants and Church History Seminary Teacher Manual, [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2013], f. 260–261)

Shtyp në Letër