Mësimi 90
Veprat e Apostujve 12
Hyrje
Herodi e vrau Apostullin Jakob dhe më pas arrestoi dhe burgosi Pjetrin. Natën përpara se Pjetri të ekzekutohej, një engjëll e ndihmoi të arratisej nga burgu. Herodi u godit nga një engjëll i Perëndisë dhe ungjilli vazhdoi të ecte përpara.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 12:1–17
Herodi vret Jakobin dhe arreston Pjetrin, i cili nëpërmjet një mrekullie arratiset nga burgu
Paraqitni një busull ose vizatojeni një të tabelë. Ftojeni një student të shpjegojë se si funksionon një busull dhe për çfarë përdoret ajo.
Ngaqë një busull gjithmonë tregon drejt veriut, si mund të na ndihmojë përdorimi i një busulle që të marrim vendimet e duhura rreth vendit se ku duhet të shkojmë?
Vizatoni një X në tabelë diku pranë busullës (por jo pranë pikës së veriut të busullës) dhe kërkojini klasës të përfytyrojë se shenja X përfaqëson një magnet që mbahet në dorë.
Si do të ndikonte ky magnet në lëvizjen e shigjetës së busullës? (Shigjeta do të drejtohet drejt magnetin aty pranë, sepse ai ndërhyn në veriun magnetik.)
Si do të ndikonte ky magnet në aftësinë tuaj për të bërë zgjedhjen e duhur se në çfarë drejtimi duhet të shkoni?
Nxitini studentët të kërkojnë teksa studiojnë Veprat e Apostujve 12 një ndikim që mund të ndërhyjë në aftësinë tonë për të marrë vendimet e duhura.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Veprave të Apostujve 12, shpjegoni se që nga martirizimi i Stefanit, të krishterët në Jerusalem dhe përreth tij kishin përjetuar përndjekje në rritje.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 12:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si mbreti Herod Agripa I luajti rol në këtë përndjekje. (Shpjegoni se një skuadër është e barabartë me katër ushtarë.)
Cilin kishte vrarë Herodi me shpatë?
Sipas vargut 3, cilët u kënaqën me vdekjen e Jakobit?
Shpjegoni se fraza “Judenjve” në vargun 3 iu drejtohet udhëheqësve me ndikim të madh të judenjve në Jerusalem, të cilët e nxitën përndjekjen ndaj Kishës së Jezu Krishtit. Herodi u përpoq t’i kënaqte këta udhëheqës judeas (shih Bible Dictionary, “Herod”). Pranë shenjës X në tabelë shkruani thënien e paplotë vijuese: Nëse kërkojmë t’i kënaqim njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë, atëherë …
Çfarë bëri Herodi pasi e pa që vrasja e Jakobit i kënaqi udhëheqësit judeas? (Ai planifikoi ta vriste Pjetrin publikisht.)
Drejtohuni drejt figurës së busullës në tabelë dhe pyetni:
Si ndikoi në drejtimin e Herodit në jetë dëshira e tij për të kënaqur njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë?
Bazuar në atë që mësojmë nga shembulli i Herodit, si do ta plotësonit thënien në tabelë? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë në mënyrë që të përçojë të vërtetën vijuese: Nëse përpiqemi t’i kënaqim njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë, atëherë ne mund të udhëhiqemi më tej drejt mëkatit.)
Cilët janë disa shembuj të tjerë që tregojnë se si përpjekja për t’i kënaqur njerëzit e tjerë në vend të Perëndisë, mund ta udhëheqë dikë drejt mëkatit?
Ftojini studentët të përsiatin mënyra se si ata mund të jenë duke e lejuar dëshirën e tyre për t’i kënaqur të tjerët që t’i drejtojë ata larg nga Ati i tyre në Qiell.
Shpjegoni se studentët do të ftohen t’i interpretojnë me role ngjarjet te Veprat e Apostujve 12:5–17. Ftojini disa studentë që të interpretojnë rolet e Pjetrit, dy rojeve, engjëllit, Rodes dhe një ose dy dishepuj në shtëpinë e Marisë, nënës së Markut. Ju ose një student tjetër mund të interpretoni rolin e tregimtarit.
Kërkojini tregimtarit të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 12:5–6 dhe ftojini studentët rolet e të cilëve përmenden, që të interpretojnë atë që lexohet. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë përmbajtjen, ndaloni pasi të lexohet dhe interpretohet secili grup i vargjeve dhe më pas bëni pyetjet shoqëruese.
Çfarë po bënin anëtarët e Kishës në këtë kohë?
Kërkojini tregimtarit të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 12:7–10 ndërkohë që studentët e caktuar interpretojnë atë që lexohet.
Përmes çfarë kufizimesh ose pengesash kaloi Pjetri gjatë arratisjes së tij?
Kërkojini tregimtarit të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 12:11–15 ndërsa studentët e caktuar e interpretojnë atë që lexohet.
Kur e kuptoi Pjetri se çfarë kishte ndodhur?
Çfarë ndodhi kur Pjetri trokiti te dera e shtëpisë së Marisë?
Kërkojini tregimtarit të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 12:16–17 dhe ftojini studentët e caktuar të interpretojnë atë që lexohet. Pasi këto vargje të lexohen dhe interpretohen, ftojini studentët të ulen në vendet e tyre.
Sipas vargut 17, cilit ia dha Pjetri meritën për nxjerrjen e tij nga burgu? (Vini në dukje se Jakobi, për të cilin flitet te vargu 17, është njëri prej vëllezërve të Jezusit [shih Mateu 13:55].)
Ftojini studentët të shqyrtojnë Veprat e Apostujve 12:5 dhe të kërkojnë se si ky varg lidhet me atë që i ndodhi Pjetrit.
Çfarë mendoni se sugjeron fraza “bënin lutje të vazhdueshme” (vargu 5) rreth sinqeritetit dhe zellshmërisë së lutjeve të anëtarëve të Kishës?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth ndikimit që mund të kenë lutjet tona mbi ne dhe njerëz të tjerë? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Lutjet tona të sinqerta dhe të zjarrta i ftojnë mrekullitë dhe bekimet e Perëndisë në jetën tonë dhe në jetën e njerëzve të tjerë. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Çfarë do të thotë të lutemi me sinqeritet dhe zellshmëri?
Shpjegoni se ky parim nuk do të thotë që, në qoftë se lutjet tona janë të sinqerta dhe të zellshme, ne menjëherë do të marrim atë për të cilën po lutemi. Faktorë të tjerë që luajnë rol në marrjen e mrekullive dhe bekimeve të Perëndisë, përfshijnë vullnetin dhe kohën e Perëndisë, si edhe lirinë e individit për të zgjedhur.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si lutjet tona të sinqerta dhe të zellshme ndikojnë në vullnetin e Perëndisë.
“Lutja është akti me anën e të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës vijnë në bashkërendim me njëri-tjetrin. Qëllimi i lutjes nuk është të ndryshojmë vullnetin e Perëndisë, por të sigurojmë për veten tonë dhe të tjerët bekimet që Perëndia është tashmë i gatshëm për t’i dhënë, por që ne duhet t’i kërkojmë që të mund t’i marrim. Bekimet kërkojnë një farë pune ose përpjekjeje nga ana jonë përpara se të mund t’i sigurojmë ato. Lutja është një formë pune dhe është një mjet i caktuar për të siguruar bekimet më të larta nga të gjitha bekimet” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”, f. 107–108).
Sipas kësaj thënieje, cili është një qëllim i rëndësishëm i lutjes?
Përse është e rëndësishme të kujtojmë se qëllimi i lutjes nuk është ta ndryshojë vullnetin e Perëndisë?
Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes vijuese në fletoren e klasës ose ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta:
Kur i ka ftuar lutja mrekullitë dhe bekimet e Perëndisë në jetën tuaj ose në jetën e njerëzve të tjerë për të cilët jeni lutur?
Pas një kohe të mjaftueshme, merrni parasysh t’i ftoni disa studentë të tregojnë atë që shkruan. Pas komenteve të tyre, ftojini studentët të marrin parasysh se si mund të jenë në gjendje të luten me më shumë sinqeritet e zellshmëri, me qëllim që ata t’i ftojnë bekimet dhe mrekullitë që Perëndia është i gatshëm t’i japë mbi ta dhe mbi ata për të cilët luten.
Veprat e Apostujve 12:18–25
Herodi goditet nga Perëndia dhe ungjilli vazhdon të ecë përpara
Përmblidhni Veprat e Apostujve 12:18–22 duke shpjeguar se ditën pasuese, Herodi mësoi për arratisjen e Pjetrit dhe i vrau rojet që mendonte se ishin përgjegjës që e lejuan Pjetrin të largohej. Më vonë, Herodi u mbajti një fjalim njerëzve, të cilët brohoritën për fjalimin e tij.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 12:23–24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar çfarë i ndodhi Herodit.
Çfarë i ndodhi Herodit? Përse?
Çfarë i ndodhi punës misionare të Kishës pavarësisht nga përndjekja që hasën anëtarët e Kishës?
Mbylleni duke i ftuar studentët të shqyrtojnë të vërtetat që i mësuan dhe të përsiatin se si ata do t’i zbatojnë ato të vërteta në jetën e tyre.