Biblioteka
Mësimi 75: Gjoni 15


Mësimi 75

Gjoni 15

Hyrje

Në mbrëmjen e fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, pas Darkës së Fundit, Shpëtimtari u dha mësim Apostujve të Tij se Ai është Hardhia e Vërtetë dhe se dishepujt e Tij janë shermendet. Ai i urdhëroi dishepujt e Tij ta donin njëri-tjetrin dhe i paralajmëroi kundrejt përndjekjes që do të përjetonin për shkak të bashkëpunimit të tyre me Të.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 15:1–11

Jezusi shpjegon se Ai është Hardhia e Vërtetë

Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë fjalët i suksesshëm, i palumtur, i gëzuar, i vdekur, i vlefshëm, i pafrytshëm, i frytshëm, i dobishëm, i begatë dhe i pasuksesshëm.

Ftojini studentët ta përfytyrojnë veten e tyre duke hedhur vështrimin pas në jetën e tyre 60 vjet në të ardhmen.

  • Cilat prej këtyre fjalëve do t’i pëlqenit për ta përshkruar jetën tuaj? Përse?

Pamja
vreshti

Vizatoni në tabelë një figurë të një vreshti. Ju mund të sugjeroni që studentët ta kopjojnë vizatimin në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Shpjegoni se Jezusi e përdori metaforën e një vreshti për t’i ndihmuar dishepujt e Tij të kuptonin se si të kishin një jetë të frytshme, të dobishme dhe të begatë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 15:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që përfaqësojnë elementët e kësaj metafore.

  • Çfarë përfaqëson vreshti? (Emërtojeni vreshtin në tabelë Jezu Krishti.)

  • Çfarë përfaqësojnë shermendet? (Emërtojini shermendet Dishepujt e Jezu Krishtit.)

  • Nëse Jezu Krishti është hardhia dhe ne jemi shermendet, çfarë përfaqëson fryti? (Fryti mund të përfaqësojë punët dhe veprat e drejta që dishepujt e Jezu Krishtit duhet të prodhojnë. Emërtojeni frytin Veprat e drejta.)

Vini në dukje fjalën vreshtari te vargu 1.

  • Çfarë është një vreshtar? (Një njeri që kujdeset për një vresht.)

  • Sipas vargjeve 1–2, si është Ati Qiellor i ngjashëm me një vreshtar? (Shpjegoni që Perëndia, Ati, e mbolli hardhinë e vërtetë [Jezu Krishtin] nga e cila të gjithë njerëzit e tjerë do të merrnin ushqim.)

Tregojini klasës një shermend ose një filiz të vogël që e keni prerë nga një pemë dhe shpjegoni se sa i gëzuar jeni për kohën kur ju do të jeni i/e aftë që të mblidhni disa fruta nga ky shermend dhe t’i hani ato. Pyeteni klasën se kur mendojnë që ju do të jeni në gjendje të hani frutën nga ky shermend.

  • Përse nuk do të prodhojë ky shermend asnjë frutë? (Ngaqë u pre nga pema, ai nuk mund të marrë ushqimin për të prodhuar fruta.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 15:4–5. Ftojini studentët ta ndjekin, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari se është e domosdoshme për frutën që të rritet në një shermend.

  • Çfarë tha Jezusi është e domosdoshme për frutën që të rritet në një shermend? (Shermendi duhet të “qëndroj[ë]” në hardhi.)

  • Si është ky shermend si dikush që është veçuar ose shkëputur nga Shpëtimtari?

Ftojini studentët të marrin parasysh shenjimin e çdo rasti të fjalëve qëndroj ose qëndronivargjet 4–5. Shpjegoni që fjala qëndroj, siç përdoret në këto vargje, do të thotë të mbetemi vendosmërisht dhe përherë të lidhur me Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij (shih Jeffrey R. Holland, “Abide in Me”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 32).

  • Sipas vargut 5, cili është rezultati i të qëndruarit në Shpëtimtarin, ose i të qenit të lidhur vendosmërisht me Të? (Dishepujt e Jezu Krishtit do të sjellin fryte të shumta.)

Shkruani thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse i zbatojmë urdhërimet, ne do të qëndrojmë në dashurinë e Shpëtimtarit dhe …

Për ta ndihmuar klasën që të kuptojnë një mënyrë se si Jezu Krishti na ndihmon t’i zbatojmë urdhërimet dhe të qëndrojmë në dashurinë e Tij, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese:

“Është … me anë të hirit të Zotit që individët, nëpërmjet besimit në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe pendimit për mëkatet e tyre, marrin forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira, që përndryshe nuk do ishin në gjendje t’i mbanin nëse liheshin në vetë mjetet e tyre. Ky hir është një fuqi aftësuese që i lejon burrat dhe gratë të sigurojnë jetën e përjetshme dhe ekzaltimin pasi të kenë bërë vetë përpjekjet e tyre më të mira” (Bible Dictionary, “Grace” [“Hir”]).

  • Cilat janë disa mënyra se si Jezu Krishti na forcon që të zbatojmë urdhërimet?

Përmblidheni Gjonin 15:6–8 duke shpjeguar që Shpëtimtari na mësoi se ata që nuk do të qëndronin në Të, janë si shermendi që është prerë. Ai thahet dhe vdes, por individët që qëndrojnë në Jezu Krishtin prodhojnë vepra të drejta që e përlëvdojnë Perëndinë.

  • Çfarë mund të bëjmë që të qëndrojmë, ose të lidhemi qëndrueshëm, me Shpëtimtarin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 15:9–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi i mësoi të bënin dishepujt e Tij dhe çfarë bekimesh do të merrnin ata.

  • Çfarë i mësoi Jezusi të bënin dishepujt e Tij?

  • Si na lejon zbatimi i urdhërimeve që të qëndrojmë në dashurinë e Shpëtimtarit? (Shpjegoni se ndërkohë që Ati dhe Biri na duan me një dashuri të përsosur dhe të pafundme, zbatimi i urdhërimeve të Tyre na lejon të marrim plotësi të bekimeve që Ata plot dashuri dëshirojnë të na i japin [shih 1 Nefi 17:35; DeB 95:12; 130:20–21].)

  • Sipas vargut 11, përse Jezusi i mësoi dishepujt e Tij që të qëndronin në Të dhe të sillnin në dritë vepra të drejta?

Kërkojuni studentëve se si do ta plotësonin thënien e paplotë në tabelë si një parim duke u nisur nga ajo që lexuan te vargu 11. (Duke përdorur fjalët e studentëve, plotësojeni thënien në tabelë që të përçojë parimin vijues: Nëse i zbatojmë urdhërimet, ne do të qëndrojmë në dashurinë e Shpëtimtarit dhe do të marrim plotësi të gëzimit.)

  • Si mendoni, përse të qëndruarit në Shpëtimtarin na lejon të marrim një plotësi të gëzimit?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për dikë që e njohin, që ka gëzim ngaqë ai ose ajo qëndron në Shpëtimtarin. Ftojini disa studentë të tregojnë rreth personit për të cilin menduan dhe të shpjegojnë përse ai person është një shembull i mirë i këtij parimi. Ju gjithashtu mund të merrni parasysh t’i ftoni studentët të tregojnë se si të qëndruarit në Shpëtimtarin u ka sjellë atyre gëzim.

Ftojini studentët të përsiatin mënyra sipas të cilave ata mund të qëndrojnë të lidhur në mënyrë të qëndrueshme me Shpëtimtarin dhe si rrjedhim të marrin gëzim më të madh.

Gjoni 15:12–17

Jezusi i urdhëron dishepujt e Tij që ta duan njëri-tjetrin

Shkruani në tabelë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Kjo thënie gjendet te “The Mission and Ministry of Jesus Christ”, Ensign, prill 2013, f. 38.)

“Sigurisht prova më e mirë e adhurimit tonë për Jezusin është përngjasimi ynë me Të” (Presidenti Rasëll M. Nelson).

Nënvizoni fjalët adhurimit dhe përngjasimi në thënien në tabelë. Ftojini studentët të shpjegojnë se çfarë do të thonë fjalët e nënvizuara. (Adhurimi është dashuri dhe respekt i madh e përngjasimi do të thotë të imitojmë ose kopjojmë.)

  • Si mendoni, përse përngjasimi i Jezusit është mënyra më e mirë për të treguar se ne e duam dhe e respektojmë Atë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 15:12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari na kërkoi që t’i përngjasojmë Atij.

  • Çfarë na ka urdhëruar Jezusi të bëjmë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shpëtimtari na ka urdhëruar ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na do Ai. Nxitini studentët të marrin parasysh ta shenjojnë këtë të vërtetë te vargu 12.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta doni dikë sipas mënyrës që Jezu Krishti ju do?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 15:13–17, duke kërkuar mënyrën se si na ka dashur Shpëtimtari. Pas një kohe të mjaftueshme, ndajini në dyshe dhe kërkojuni të diskutojnë me partnerët e tyre atë që gjetën. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Sipas vargut 13, çfarë tha Shpëtimtari është shfaqja më e madhe e dashurisë?

  • Si e tregoi Ai këtë lloj dashurie?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më shumë se çfarë do të thotë ta japim jetën tonë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Klaudio R. M. Kosta, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Plaku Klaudio R. M. Kosta

“[Jezu Krishti] na dha shembullin e madhërishëm të dashurisë kur shpalli: ‘Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij’ [Gjoni 15:13]. Më vonë Ai shleu për të gjitha mëkatet tona dhe përfundimisht e dha jetën e Tij për ne të gjithë.

Ne mund ta japim jetën tonë për ata që i duam, jo duke vdekur fizikisht për ta, por përkundrazi duke jetuar për ta – duke dhënë nga koha jonë; duke qenë gjithmonë të pranishëm në jetën e tyre; duke u shërbyer atyre; duke qenë të njerëzishëm, të dhembshur dhe duke treguar dashuri të vërtetë për njerëzit e familjes sonë dhe për të gjithë njerëzit – sikurse dha mësim Shpëtimtari” (“Don’t Leave for Tomorrow What You Can Do Today”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 74).

  • Sipas Plakut Kosta, cilat janë disa mënyra se si mund ta japim jetën tonë për të tjerët?

  • Kur e ka dhënë dikush jetën e tij ose të saj në një nga këto mënyra për ju?

Ftojini studentët të përsiatin urdhërimin e Shpëtimtarit për t’i dashur të tjerët sikurse na do Ai. Jepuni atyre disa minuta që të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth dikujt, për të cilin mendojnë se Shpëtimtari do t’i donte që të tregonin dashuri dhe për një plan se si do ta bëjnë këtë.

Gjoni 15:18–27

Jezusi i paralajmëron dishepujt e Tij ndaj përndjekjes që do të përjetojnë ngaqë dëshmojnë për Të

Shpjegoni se pasi Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij rreth të qëndruarit në Të dhe të treguarit të dashurisë për njëri-tjetrin, Ai u mësoi për atë që do t’u ndodhte atyre për shkak të dëshmimit të veçantë që kishin për Të dhe të përgjegjësisë për ta shpërndarë atë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 15:18–20 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Jezusi e dha mësim rreth mënyrës se si bota do t’i trajtonte dishepujt e Tij. (Shpjegoni se në këto vargje, fjala “bota” u drejtohet njerëzve që janë mëkatarë dhe që e kundërshtojnë Perëndinë.)

  • Çfarë dha mësim Jezusi rreth mënyrës se si bota do t’i trajtonte dishepujt e Tij?

Ju mund të doni t’iu vini në dukje studentëve se, ngaqë “bota [i] urren” dishepujt e Shpëtimtarit, studentët ka të ngjarë që do të hasin media dhe faqe interneti anti-mormone dhe të mbushura plot urrejtje. Disa studentë do të përballen me mospërfshirje, tallje dhe kërcënim nëpërmjet sjelljes së zemëruar, duke përfshirë ngacmimin në internet.

Nëse gjen zbatim, ju mund të merrni parasysh t’i udhëzoni studentët mbi mënyrën dhe vendin ku të gjejnë përgjigje për akuzimet e mbushura plot urrejtje ndaj Kishës. Përveç kërkimit të ndihmës nga të rritur të besuar, studentët mund të gjejnë burime në internet te , lds.org/topics dhe seektruth.lds.org.

Përmblidheni Gjonin 15:21–25 duke shpjeguar që Jezu Krishti pohoi se ata që e urrejnë Atë, gjithashtu e urrejnë Atin dhe që ata do të mbahen përgjegjës për zgjedhjet e tyre.

Shpjegoni se pavarësisht nga urrejtja dhe përndjekja e të tjerëve ndaj pasuesve të Shpëtimtarit, Jezu Krishti siguroi mënyra për botën që të marrë një dëshmi për Të. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 15:26–27, duke kërkuar dëshmitarët që do t’i dëshmonin botës për Jezu Krishtin.

  • Kush tha Shpëtimtari që do të dëshmonte për hyjnishmërinë e Tij? (Fryma e Shenjtë dhe dishepujt e Shpëtimtarit.)

Ftojini studentët të përsiatin parimet dhe të vërtetat në këtë mësim. Nxitini të shqyrtojnë atë që kanë ndier mbresë për të bërë dhe të ndjekin nxitjet që mund t’i kenë marrë nga Fryma e Shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 15:4–5. Nëse qëndrojmë në Shpëtimtarin, ne do të bëjmë vepra në drejta

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se çfarë do të thotë të qëndrojmë në Shpëtimtarin:

“‘Qëndroni në mua’ [Gjoni 15:4] është një koncept mjaft i kuptueshëm dhe i bukur në anglishten e hijshme të Biblës së Mbretit Xhejms, por ‘qëndroni’ është një fjalë që ne nuk para e përdorim më. Prandaj fitova më shumë vlerësim për këtë këshillim nga Zoti, kur m’u paraqit përkthimi i këtij fragmenti në një gjuhë tjetër. Në spanjisht ajo frazë e shumënjohur jepet si ‘permaneced en mi’ [‘qëndroni përherë në mua’]. Si folja në anglisht ‘abide [qëndroj]’, permanecer do të thotë ‘të qëndrosh, të rrish’, por edhe [anglishtfolësit] si unë mund ta dëgjojnë rrënjën e përafërt të ‘permanence’. Kuptimi i kësaj atëherë është ‘qëndroj – por qëndroj përgjithmonë’. Ajo është thirrja e mesazhit të ungjillit për [këdo] në botë. Ejani, por ejani që të qëndroni. Ejani me bindje dhe durueshmëri. Ejani përgjithmonë, për hirin tuaj dhe për hirin e të gjithë brezave që do t’ju ndjekin ju. …

… Krishti është gjithçka për ne dhe ne duhet të ‘qëndrojmë’ në Të në mënyrë të përhershme, të patundur, të qëndrueshme, përgjithmonë. Që fryti i ungjillit të lulëzojë dhe ta bekojë jetën tonë, ne duhet të bashkohemi në mënyrë të palëkundshme me Të, Shpëtimtarin e neve të gjithëve, dhe me këtë Kishë të Tij, e cila mban emrin e Tij të shenjtë. Ai është hardhia që është burimi ynë i vërtetë i forcës dhe i vetmi burim i jetës së përjetshme” (“Abide in Me”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 32).

Plaku Xhejms M. Paramor, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim rreth mënyrës se si Perëndia ua përçon dashurinë dhe fuqinë e Tij atyre që i zbatojnë urdhërimet:

“Kur me përulësi e kërkojmë Atin tonë në Qiell me anë të lutjes dhe me anë të të mësuarit e zbatimit të urdhërimeve të Tij, Ai na përçon dashurinë e Tij dhe shumë prej fuqive të Tij. Mijëra njerëz japin dëshmi që fjalët e Tij: ‘Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time’ (Gjoni 15:10), janë të vërteta. Ne më pas, sikurse tha Shpëtimtari, fillojmë ta bashkojmë veten tonë si shermendet te ‘hardhia e vërtetë’ dhe të marrim të njëjtën forcë e fuqi dhe të mund të presim të njëjtin fryt. (Shih Gjoni 15:1–6.)” (“Love One Another”, Ensign, maj 1981, f. 54).

Gjoni 15:8–14. “Jep shumë fryt”

Presidenti Xhon Tejlor dha mësim se nevojitet të jemi të përulur, besnikë, të zellshëm dhe të bindur nëse do të jemi shermende frytdhënës:

“Si një shenjtor ju thoni: ‘Mendoj se e kuptoj detyrën time dhe po veproj shumë mirë’. Qoftë kështu. Ju e shihni filizin e vogël; ai është i gjelbër, lulëzon dhe është vetë tabloja e jetës, ai e mban pjesën dhe përpjesëtimin e vet në pemë dhe është i lidhur me kërcellin, degët dhe rrënjën; por a do të mund të jetonte pema pa të? Po, mund të jetonte. Ai nuk duhet të krenohet e të krekoset dhe të thotë: ‘Sa i gjelbër jam e sa shumë lulëzoj dhe në ç’pozicion të shëndetshëm që jam, sa mirë po veproj dhe unë jam në vendin tim të duhur dhe po veproj drejt’. Por a mund të bësh ti pa rrënjën? Jo; ti mban vendin dhe pozicionin tënd të duhur në pemë. Pikërisht kështu është me njerëzit. Kur e bëjnë pjesën e tyre, kur i lartësojnë thirrjet e tyre, duke e jetuar fenë e tyre dhe duke ecur me bindje ndaj Shpirtit të Zotit, ata kanë një pjesë të Shpirtit të Tij të dhënë atyre për të përfituar prej tij. Dhe ndërkohë që janë të përulur, besnikë, të zellshëm dhe i respektojnë ligjet dhe urdhërimet e Perëndisë, ata qëndrojnë në vendin e tyre të duhur në pemë; ata lulëzojnë; sythët, lulet, gjethet dhe gjithçka në lidhje me ta është në rregull dhe ata formojnë një pjesë dhe një copëz të pemës” (Deseret News, 16 dhjetor 1857, f. 323).

Gjoni 15:13. “S’ka dashuri më të madhe nga kjo”

Presidenti Gordon B. Hinkli shprehu ndjenjat e tij rreth Gjonit 15:13:

Jezusi është miku im. Askush tjetër nuk më ka dhënë kaq shumë. ‘Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij’ (Gjoni 15:13). Ai dha jetën e Tij për mua. Ai hapi udhën drejt jetës së përjetshme. Vetëm një Perëndi mund ta bënte këtë. Unë shpresoj të konsiderohem i denjë për të qenë miku i Tij” (“My Testimony”, Ensign, maj 2000, f. 71).

Shtyp në Letër