Biblioteka
Mësimi 119: Galatasve 5–6


Mësimi 119

Galatasve 5–6

Hyrje

Pali i nxiti shenjtorët galatas ta lartësonin besimin e tyre në Jezu Krisht dhe të mirëbesonin se shpëtimi është i arritshëm vetëm nëpërmjet Tij sesa nëpërmjet bindjes ndaj ligjit të Moisiut. Pali e mbylli letrën e tij duke i ftuar anëtarët e Kishës të bëheshin krijesa të reja nëpërmjet Krishtit dhe t’i ndihmonin të tjerët të bënin të njëjtën gjë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Galatasve 5

Pali i nxit shenjtorët galatas që ta lartësojnë besimin e tyre në Jezu Krisht

Pamja
vizatim, garë me tërheqje litari

Vizatoni në tabelë një figurë të një gare me tërheqje litari.

  • Çfarë është një garë me tërheqje litari? Si e fitoni një garë të tillë?

  • Në çfarë mënyrash është e ngjashme jeta jonë me një garë me tërheqje litari?

Nëse studentët nuk e përmendin atë, vini në pah se një aspekt i jetës sonë që është i ngjashëm me një garë me tërheqje litari, është përleshja jonë kundër tundimeve. Ftojini studentët që teksa studiojnë Galatasve 5, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë të dinë se si ta fitojnë përleshjen kundër tundimeve.

Kujtojuni studentëve që disa të krishterë judeas i kishin drejtuar keq shenjtorët në Galati, duke u mësuar atyre se u duhej ta jetonin ligjin e Moisiut dhe të rrethpriteshin me qëllim që të shpëtoheshin. Pali i përshkroi këto mësime të rreme rreth ligjit të Moisiut si “zgjedhën e skllavërisë” (Galatasve 5:1).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 5:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush tha Pali se sjell lirinë nga kjo zgjedhë e skllavërisë.

  • Kush sjell lirinë nga kjo zgjedhë e skllavërisë?

Përmblidheni Galatasve 5:2–15 duke shpjeguar se Pali i qortoi shenjtorët galatas që u tërhoqën kaq lehtë nga liria e ungjillit të Jezu Krishtit e përkundrazi, duke u kthyer nën skllavërinë e ligjit të Moisiut. Ai më pas sqaroi se ndonëse pasuesit e Krishtit ishin liruar nga skllavëria e ligjit të Moisiut, kjo nuk do të thoshte se ata kishin lirinë që të kënaqeshin lirisht në mëkat.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 5:16–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar dy forcat konkurruese që përshkroi Pali.

  • Cilat janë dy forcat konkurruese që përshkroi Pali?

Krijoni një tabelë në dërrasë duke vizatuar një vijë vertikale deri në qendër të figurës së garës me tërheqje litari. Shkruani Ecni sipas Frymës lart njërës anë të [vizatimit] të garës me tërheqje litari dhe shkruani Përmbushini dëshirat e mishit lart në anën tjetër.

  • Çfarë do të thotë të “ec[ësh] sipas Frymës”? (vargu 16). (Të jetosh i denjë për Frymën e Shenjtë dhe ta ndjekësh Atë.)

  • Kujt i referohen “dëshirat e mishit” (vargu 16)? (Tundimeve për të mëkatuar.)

  • Si konsiderohen këto forca konkurruese?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 16 rreth mënyrës se si mund t’i mposhtim tundimet e mishit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ecim sipas Frymës, ne do t’i mposhtim tundimet e mishit. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin se në cilën anë janë ata në këtë garë me tërheqje litari dhe cila forcë po fiton në jetën e tyre.

Ndajeni klasën në grupe me nga dy ose tri vetë. Caktojeni gjysmën e grupeve të lexojnë së bashku me zë të lartë Galatasve 5:19–21, duke kërkuar rrjedhojat e “përmbush[jes së] dëshira[ve të] mishit”. Caktojeni gjysmën tjetër të lexojnë së bashku me zë të lartë Galatasve 5:22–23, duke kërkuar rrjedhojat e të ecurit sipas Frymës. Kur ata të mbarojnë së lexuari, ftojeni një pjesëtar nga secili grup të renditë në kolonën e duhur në dërrasë një nga përgjigjet që gjetën. Ftojini ata të vazhdojnë t’i renditin përgjigjet e tyre derisa tabela të pasqyrojë atë që renditi Pali. Juve mund t’ju duhet të sillni një fjalor në klasë dhe të ftoni një student të gjejë çfarëdo fjale që është e vështirë për t’u kuptuar.

  • Sipas vargut 21, çfarë dha mësim Pali se do t’u ndodhë njerëzve që u jepen “vepra[ve të] mishit”?

  • Sipas vargjeve 22–23, çfarë frytesh, ose rrjedhojash, tregojnë se dikush po ecën sipas Frymës? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Frytet e Frymës janë: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia dhe vetëkontrolli. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)

Drejtojuni anës së tabelës ku janë renditur frytet e Frymës.

  • Përse ia vlen t’i kesh këto bekime?

Poshtë tabelës vizatoni një shigjetë të madhe me drejtim nga ana ku janë renditur dëshirat e mishit. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se në këtë garë figurative me tërheqje litari, ne i lejojmë vetes të ecim drejt dëshirave të mishit.

  • Çfarë ndodh me frytet e Frymës kur u jepemi dëshirave të mishit? (Ne fillojmë t’i humbasim frytet e Frymës.)

Fshijeni shigjetën dhe vizatoni një shigjetë tjetër me drejtim nga frytet e Frymës. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur ne tani i lejojmë vetes të ecim në drejtim të kësaj ane.

  • Çfarë ndodh me veprat e mishit kur ecim sipas Frymës? (Ato reshtin se qeni pjesë e jetës sonë.)

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta për një rast kur e ndien ose provuan njërin nga këto fryte të Frymës. Kërkojuni atyre të përfshijnë gjërat që po bënin për të ecur sipas Frymës në atë kohë. Kur të përfundojnë, ftojini disa studentë të tregojnë atë që shkruan.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 5:24–25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që përpiqen të bëjnë dishepujt e Jezu Krishtit me dëshirat e mishit.

  • Çfarë përpiqen të bëjnë dishepujt e Jezu Krishtit me dëshirat e mishit? (T’i kryqëzojnë ato ose t’i zhdukin nga jeta e tyre.)

Ftojini studentët të marrin parasysh atë që do të bëjnë për të ecur më plotësisht sipas Frymës. Jepuni kurajë që t’i ndjekin nxitjet që marrin, që ata të mund t’i gëzojnë frytet e Frymës.

Galatasve 6

Pali i fton shenjtorët galatas që të ndryshohen nëpërmjet Jezu Krishtit

Ftojini studentët të mendojnë për dikë që njohin, i/e cili/a aktualisht nuk po i merr bekimet e ungjillit, edhe nëse ai person është një anëtar i Kishës. Vëreni klasën të kërkojë një parim teksa studiojnë Galatasve 6 që mund t’i udhërrëfejë në përpjekjet e tyre për ta ndihmuar personin për të cilin/ën menduan që të marrë bekimet e ungjillit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 6:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth mënyrës se si duhet të reagojnë anëtarët e Kishës ndaj dikujt që ka mëkatuar. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se që të “bie[sh] në ndonjë faj” [vargu 1] do të thotë të mëkatosh.)

  • Sipas Palit si duhet të reagojnë anëtarët e Kishës ndaj dikujt që ka mëkatuar? (“Lartësojeni” personin ose ndihmojeni atë të kthehet në shtegun e ungjillit.)

  • Përse është e rëndësishme të kemi “frymë butësie” (vargu 1) teksa e ndihmojmë dikë të kthehet në shtegun e ungjillit?

  • Cilat janë disa nga mënyrat që ne mund t’i “mba[jmë] barrët e njëri-tjetrit”? (vargu 2).

Përmblidheni Galatasve 6:3–5 duke shpjeguar se Pali dha mësim se ne nuk duhet të jemi mburravecë dhe të vetëkënaqur dhe se çdo person do të “mbajë barrën e [tij apo të saj]” (vargu 5), ose do të jetë përgjegjës për zgjedhjet e tij apo të saj.

Paraqitni disa fara të një frute ose perimi që studentët do t’i dallojnë lehtësisht. U kërkoni atyre të përcaktojnë se çfarë lloj farash janë ato.

  • Çfarë mund të prisni [të mbijë] nëse i mbillni këto fara?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Galatasve 6:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth asaj që ne mund të presim [të mbijë] kur mbjellim fara.

  • Çfarë dha mësim Pali rreth asaj që ndodh kur mbillen farat? (Ajo që hidhni, ose mbillni, është ajo që vilni, ose korrni. Ky quhet ligji i të korrave.)

  • Si lidhet ligji i të korrave me vendimet që marrim?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Galatasve 6:9–10. Vërini ata të kërkojnë arsyen përse Pali e dha mësim ligjin e të korrave.

  • Përse mendoni se Pali e dha mësim ligjin e të korrave pasi i ftoi galatasit ta ndihmonin njëri-tjetrin të qëndronin ose të ktheheshin në shtegun e ungjillit?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth ndihmës ndaj të tjerëve që nuk po i gëzojnë bekimet e ungjillit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse jemi të zellshëm për të bërë mirë, ne do të korrim bekimet e veprimeve tona.)

  • Në ç’mënyrë premtimi se ne do të korrim “në kohën e vet” na ndihmon të mos “lodhemi” (vargu 9), ose të heqim dorë, nga përpjekjet tona për t’u shërbyer të tjerëve dhe për ta jetuar ungjillin në vetë jetën tonë?

  • Kur juve ose dikush që ju njihni keni qenë të zellshëm për të bërë mirë, ndonëse bekimet nuk erdhën menjëherë? (Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të tregoni një përvojë.)

Përmblidheni Galatasve 6:11–18 duke shpjeguar se Pali e mbylli letrën e tij drejtuar shenjtorëve galatas duke përsëritur se paqja dhe mëshira e Jezu Krishtit janë mbi të gjithë ata që bëhen krijesa të reja nëpërmjet besimit në emrin e Tij.

Nxitini studentët që të “mos lodhe[n] duke bërë të mirën” (vargu 9) dhe të marrin parasysh plot lutje se cilin mund të ndihmojnë që të kthehet në shtegun e Zotit. Ftojini ata t’i ndjekin me zell nxitjet që marrin nga Fryma e Shenjtë.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Galatasve 5:22–23

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh Galatasve 5:22–23, ftojeni klasën që secili student të përsëritë me radhë nga një fjalë. Për shembull, studenti i parë do të thotë “por”, studenti i dytë do të thotë “fryti” studenti i tretë do të thotë “i” dhe kështu me radhë derisa të përfundojnë të dyja vargjet. Mateni kohën në klasë dhe jepuni plot raste që të arrijnë kohën e synuar. Ndërsa e përsëritni këtë veprimtari, merrni parasysh të ndërroni renditjen e studentëve në mënyrë që ata të thonë fjalë të ndryshme. Ju mund të sugjeroni gjithashtu që studentët të praktikohen në fillim të orës mësimore për disa ditë me radhë, që të mund ta përmirësojnë kohën e tyre. Pasi studentët ta kenë dëgjuar shkrimin e shenjtë të përsëritet disa herë, ftojini ata të përpiqen t’ia thonë atë përmendsh dikujt që është ulur pranë tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Galatasve 5:24. “Kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë”

Mësimet e Palit se “ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë”, nuk do të thotë se ata që e ndjekin Krishtin do të reshtin së përjetuari tundime. Përkundrazi, do të thotë se ata do të mësojnë se si t’i mposhtin tundimet e tyre.

Shtyp në Letër