Biblioteka
Mësimi 7: Mateu 3


Mësimi 7

Mateu 3

Hyrje

Gjon Pagëzori predikoi dhe pagëzoi në Jude. Jezu Krishti udhëtoi nga Galilea për në lumin Jordan, ku Ai u pagëzua nga Gjoni. Perëndia Ati dëshmoi se Jezusi është Biri i Tij i Dashur.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mateu 3:1–12

Gjon Pagëzori predikon në Jude

Kërkojini klasës të përfytyrojë se si do të ndiheshin nëse njëri prej studentëve në klasë do të ngrihej dhe do të fillonte të merrte sendet vetjake që i përkisnin studentëve të tjerë. Më pas kërkojuni të përfytyrojnë se pas marrjes së çdo sendi, studenti fajtor kërkon falje, por vazhdon të marrë sende nga nxënës të tjerë. Pyesni:

  • Çfarë do të mendonit për shfajësimet e këtij studenti?

  • Si mund të jenë veprimet e këtij studenti të ngjashme me përpjekjen për t’u penduar në mënyrë jo të sinqertë?

Ftojini studentët që teksa studiojnë Mateun 3 të kërkojnë të vërteta që na ndihmojnë të kuptojmë atë që duhet të bëjmë që të pendohemi me të vërtetë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 3:1–4. Vëreni klasën të kërkojë atë që ndodhi që do të ndihmonte në përgatitjen e njerëzve për shërbesën e Shpëtimtarit.

  • Kush ishte Gjon Pagëzori? (Ai ishte djali i Zakarias dhe i Elisabetës, që ishte e afërme e Maries. Ai mbante çelësat e Priftërisë Aarone [shih DeB 13; 84:27–28]).

  • Çfarë po bënte Gjoni?

  • Çfarë i nxiti Gjoni dëgjuesit e tij që të bënin?

Shpjegoni se misioni i Gjonit ishte parathënë nga Isaia (Esaiasi) dhe profetë të tjerë (shih Isaia 40:3; Malakia 3:1; 1 Nefi 10:7–10). Gjoni duhej të bënte gati udhën për Mesian (Jezu Krishtin) duke shpallur pendim dhe pagëzim me ujë.

  • Si mendoni se ndihmoi në përgatitjen e udhës së Zotit shpallja e pendimit dhe e pagëzimit me ujë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 3:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si njerëzit iu përgjigjën mesazhit të Gjonit.

  • Si iu përgjigjën njerëzit mesazhit të Gjonit? (Ata rrëfyen mëkatet e tyre dhe u pagëzuan. Shpjegoni se të qenit të gatshëm për t’ia rrëfyer mëkatet vetjake Atit Qiellor dhe, kur del e nevojshme, udhëheqësve të caktuar të priftërisë është thelbësore për pendimin [shih Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (2005), f. 117–118].)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Mateun 3:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kujt i foli Gjoni.

  • Sipas këtyre vargjeve, kujt i foli Gjoni?

Shpjegoni se farisenjtë ishin një grup fetar i judenjve, emri i të cilëve sugjeron të qenit të ndarë ose të veçuar. Ata mburreshin për bindjen rigoroze ndaj ligjit të Moisiut dhe besonin se shtesat e bëra ligjit nga njeriu, të njohura si ligji i folur, ishin po aq të rëndësishme sa vetë ligji i Moisiut (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Farisenj”, [f. 47]). Saducenjtë ishin një grup i vogël, por politikisht i fuqishëm i judenjve që besonin në bindjen fjalë për fjalë ndaj ligjit të Moisiut. Ata nuk besonin në doktrinën e ringjalljes apo të jetës së përjetshme (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Saducenj”, [f. 164]).

  • Si i quajti Gjoni farisenjtë dhe saducenjtë?

Pamja
Nepërkë palestineze

Nepërkë palestineze

© taviphoto/Shutterstock.com

Nëse është e mundur, shfaqni një vizatim të një nepërke palestineze dhe shpjegoni që është gjarpri më i zakonshëm helmues në Izrael. Nepërkat janë aktive gjatë natës dhe në mënyrë tipike gjuajnë duke u fshehur dhe më pas duke iu afruar tinëzisht presë së tyre. Kur ndihen të kërcënuara, nepërkat e mbështjellin trupin e tyre rrotull, fishkëllejnë dhe i godasin kundërshtarët e tyre.

  • Përse mendoni që Gjoni i quajti farisenjtë dhe saducenjtë nepërka? (Ju mund të doni të vini në dukje që farisenjtë dhe saducenjtë ndiheshin të kërcënuar nga Gjoni, duke qenë se ai tërhoqi shumë njerëz larg ndikimit të tyre të lig dhe mësimeve të tyre të rreme.)

Shpjegoni se Përkthimi prej Joseph Smith-it përmban fjalë të tjera që Gjoni u tha farisenjve dhe saducenjve. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it, Mateu 3:34–36: “Përse nuk e pranoni predikimin e atij që ka dërguar Perëndia? Nëse nuk e pranoni atë në zemrat tuaja, ju nuk më pranoni mua; dhe nëse nuk më pranoni mua, ju nuk pranoni atë për të cilin jam dërguar të jap dëshmi; dhe nuk keni mbrojtje për mëkatet tuaja. Pendohuni, pra, dhe sillni fryte të denja të pendesës; dhe mos mendoni të thoni brenda jush: ‘Ne jemi fëmijë të Abrahamit dhe ne kemi fuqi vetëm që të sjellim farë për atin tonë, Abrahamin; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve’.”

  • Sipas Gjonit, nëse farisenjtë dhe saducenjtë nuk e pranonin predikimin e tij, kë nuk do të pranonin ata gjithashtu?

  • Si do ta përmblidhnit mesazhin e Gjonit për ta?

Shkruajeni frazën Jepni fryte të denja të pendesës në tabelë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë frazë, vini në dukje që në shkrimet e shenjta njerëzit ndonjëherë simbolizohen me pemët që prodhojnë ose fruta të mira ose fruta të këqija. Paraqitni ose vizatoni një pjesë fruti dhe shpjegoni se ai përfaqëson dëshirat dhe veprimet tona. Ju mund të doni të shpjegoni që fraza “të denja të” do të thotë “që e meritojnë”.

Kujtojini klasës skenarin që u kërkuat atyre ta përfytyronin në fillim të mësimit (një student që merrte sende vetjake nga studentë të tjerë dhe me pas vazhdonte të vepronte kështu edhe pasi kërkonte falje).

  • A e shfaqi studenti/ja në mënyrë të përshtatshme parimin e pendimit nëpërmjet dëshirave dhe veprimeve të tij apo të saj? Përse jo? (Studenti/ja vazhdonte të merrte sende nga studentë të tjerë edhe pasi kërkonte falje.)

  • Si do ta përmblidhnit atë se çfarë do të thotë të “[japësh] … fryte të denja të pendesës”? (Mateu 3:8). (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne i tregojmë pendim të vërtetë Zotit, kur i ndryshojmë dëshirat dhe veprimet tona për të ndjekur mësimet e Tij.)

  • Çfarë dëshirash dhe veprimesh tregojnë se ne jemi penduar me të vërtetë për mëkatet tona?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, renditini shembujt vijues në tabelë: mashtrimi në shkollë, sjellja keq ndaj motrave/vëllezërve, të qenit të pasjellshëm ose keqtrajtimi i studentëve të tjerë, përdorimi i një të foluri të keq dhe shikimi i pornografisë. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë mënyrën se si mund të mendojë e të veprojë dikush që është penduar për këto mëkate.

Lexojeni me zë të lartë Mateun 3:10. Ftojini studentët t’ju ndjekin, duke kërkuar pasojën e të penduarit jo me të vërtetë. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë. Shpjegoni se “do të pritet dhe do të hidhet në zjarr” nënkupton që individët e papenduar e humbasin ndikimin e Shpirtit të Zotit dhe përfundimisht nuk cilësohen më për bekimet e mbretërisë çelestiale.

Ftojini studentët të përsiatin për ndonjë dëshirë apo veprim që mund t’u duhet ta ndryshojnë që të pendohen me të vërtetë. Nxitini ata të tregojnë pendim të vërtetë duke ndryshuar çdo dëshirë e veprim që nuk është në përputhje me mësimet e Perëndisë.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Mateun 3:11, duke kërkuar atë që tha Gjoni se do të bënte Shpëtimtari.

  • Sipas vargut 11, çfarë do të bënte Jezusi që Gjoni nuk mund ta bënte dot? (Jezusi do të pagëzonte “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin”. Shpjegoni se Gjoni po i referohej marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, gjysma e dytë e besëlidhjes dhe ordinancës së pagëzimit. Fryma e Shenjtë i shenjtëron dhe i pastron shpirtrat tanë njësoj si të ishte nga zjarri [shih 2 Nefi 31:13–14, 17].)

Përmblidheni vargun 12 duke shpjeguar që simbolikisht ai shpjegon atë që do t’u ndodhë të drejtëve që e pranojnë Jezu Krishtin (grurit) dhe të ligjve që e mohojnë Atë (bykut).

Mateu 3:1–17

Jezu Krishti pagëzohet dhe Ati e quan Atë Birin e Tij të Dashur

Kërkojuni studentëve të cilët janë pagëzuar që të reflektojnë për vetë pagëzimin e tyre. Ftojini disa prej tyre të tregojnë atë që mbajnë mend.

Shpjegoni se Mateu 3:13–17 rrëfen pagëzimin e Shpëtimtarit. Ftojini studentët të kërkojnë ngjashmëritë midis pagëzimit të tyre dhe të Shpëtimtarit teksa i studiojnë këto vargje.

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë:

Nga kush?

Në ç’mënyrë?

Përse?

Ndajini studentët në dyshe. Vëreni secilën dyshe që të lexojë me radhë me zë të lartë nga Mateu 3:13–17, duke kërkuar përgjigjet e këtyre tri pyetjeve. Pas një kohe të mjaftueshme, pyesni:

  • Kush e pagëzoi Jezusin? (Shkruani Gjon Pagëzori në tabelë pranë pyetjes Nga kush?)

  • Përse udhëtoi Jezusi nga Galilea drejt lumit Jordan për t’u pagëzuar nga Gjon Pagëzori? (Kujtojuni studentëve se Gjoni mbante çelësat e Priftërisë Aarone dhe ishte i vetmi burrë në atë kohë që kishte autoritetin për ta kryer ordinancën e pagëzimit. Shkruani Autoriteti i duhur në tabelë pranë Gjon Pagëzorit.)

  • Cila frazë në vargun 16 tregon mënyrën se si u pagëzua Jezusi? (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë që dalja menjëherë “jashtë ujit” e Jezusit tregon se Ai u pagëzua me zhytje – që do të thotë se Ai ishte i mbuluar komplet nga uji. Shkruani Me zhytje në tabelë pranë pyetjes Në ç’mënyrë?)

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur ishin te lumi Jordan kur Jezusi erdhi për t’u pagëzuar.

  • Përse Gjoni në fillim ngurroi ta pagëzonte Shpëtimtarin? (Ai e dinte se pozita dhe autoriteti i Jezusit ishin më të mëdha se të tijat.)

  • Sipas vargut 15, përse tha Jezusi se kishte nevojë të pagëzohej? (Që të “përmbush[te] çdo drejtësi”. Shkruajeni këtë frazë në tabelë pranë pyetjes Përse?)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë kjo frazë?

Shpjegoni se të “përmbush[im] çdo drejtësi” do të thotë të bëjmë gjithçka që Ati Qiellor kërkon prej nesh në mënyrë që të mund të jetojmë me Të përsëri. Kjo përfshin marrjen e ordinancave të shpëtimit, të cilat Perëndia i kërkon nga të gjithë fëmijët e Tij, përfshirë Jezusin. Duke u pagëzuar, Jezusi dha shembullin e përsosur për ne që ta ndjekim, shfaqi përulësi, iu bind urdhërimeve të Atit të Tij dhe mori një ordinancë të nevojshme për të arritur jetën e përjetshme (shih 2 Nefi 31:4–11).

Kërkojuni studentëve t’i përdorin përgjigjet ndaj tri pyetjeve në tabelë për të përcaktuar doktrinën që mund të mësojmë nga Mateu 3:3–17. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Pagëzimi me zhytje nga një person që mban autoritetin është thelbësor për shpëtimin.

  • Si krahasohet pagëzimi juaj me shembullin që dha Shpëtimtari për ne?

Shpjegoni se Mateu 3:16–17 na ndihmon gjithashtu të mësojmë doktrinë për Kreun-Perëndi. Ftojini studentët t’i rilexojnë këto vargje në heshtje, duke kërkuar atë që na mësojnë rreth Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë.

  • Ku ishte secili anëtar i Kreut-Perëndi gjatë pagëzimit të Shpëtimtarit? (Jezu Krishti ishte në lumin Jordan, Fryma e Shenjtë zbriti mbi Të në formën e një pëllumbi dhe Ati Qiellor foli nga qielli. Ju duhet të shpjegoni se Fryma e Shenjtë nuk u shndërrua vërtet në një pëllumb. Përkundrazi, pëllumbi ishte shenjë ose simbol i asaj që Fryma e Shenjtë kishte zbritur mbi Jezusin.)

  • Çfarë doktrine na mësojnë këto vargje për Kreun-Perëndi? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tri qenie të dallueshme dhe të veçanta.)

Vini në dukje që shumë njerëz nuk kanë njohuri të saktë ose të plotë për Kreun-Perëndi. Sa më shumë e kuptojmë natyrën e vërtetë të Kreut-Perëndi, aq më e madhe dashuria që mund të ndiejmë për Ta dhe aq më mirë do të jemi të përgatitur për t’u dhënë mësim dhe për t’u dëshmuar të tjerëve për Ata.

Për t’i ndihmuar studentët të fitojnë një kuptim më të mirë për identitetin e secilit anëtar të Kreut-Perëndi, ndajini ata në grupe prej tre vetash dhe kërkojuni që të shohin “Perëndi, Kokë e Perëndisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [f. 145–146]. Për çdo grup, caktojini secilit prej tre studentëve një anëtar të Kreut-Perëndi. Ftojini studentët ta lexojnë temën, duke kërkuar të dhëna për anëtarin që u është caktuar atyre. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve t’ia mësojnë grupit të tyre atë që kanë mësuar dhe të shpjegojnë arsyen përse ato të vërteta janë të rëndësishme për ne që t’i dimë.

Për ta mbyllur mësimin, merrni parasysh t’i ftoni studentët të ndajnë me klasën dëshmitë e tyre për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mateu 3:11. “Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin”

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, diskutoi për atë që do të thotë të jesh i pagëzuar me zjarrin:

“Ne urdhërohemi dhe udhëzohemi të jetojmë në një mënyrë të tillë që natyra jonë e rënë të ndryshojë me anë të fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë. Presidenti Marion G. Romni dha mësim se pagëzimi nga zjarri me anë të Frymës së Shenjtë ‘[na] kthen nga natyra mishtore në atë shpirtërore. Ai e pastron, e shëron dhe e dëlir shpirtin. … Besimi tek Zoti Jezu Krisht, pendimi dhe pagëzimi me ujë janë së bashku hapa paraprakë dhe parakushte për të, por [pagëzimi me zjarr] është përfundimi i kërkuar. Të marrësh [këtë pagëzim nga zjarri], do të thotë të të pastrohen rrobat në gjakun shlyes të Jezu Krishtit’ (Learning for the Eternities, përpiloi George J. Romney [1977], fq. 133; shih edhe 3 Nefi 27:19–20).

Prandaj, kur lindim rishtas dhe përpiqemi të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne, Fryma e Shenjtë e shenjtëron dhe e pastron shpirtin tonë si me zjarr (shih 2 Nefi 31:13–14, 17). Si përfundim, ne duhet të gjendemi të panjollë para Perëndisë” (“Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 81).

Mateu 3:12. “Ai mban në dorë terploten”

“‘Terplot[a]’ e përmendur te Mateu 3:12 është një enë shoshitëse prej kashte që përdorej për ta hedhur grurin në ajër. Kjo lejonte që gruri të ndahej nga byku. Kokrrat e grurit do të binin sërish në tokë, kurse era e largonte tej bykun më të lehtë. Gruri, pastaj, mblidhej në hambar ose depo dhe byku digjej me zjarr. Gjon Pagëzori dha mësim se Shpëtimtari, që do të vinte pas tij, do t’i ndante besimtarët nga jobesimtarët në të njëjtën mënyrë si gruri ndahej nga byku” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 17).

Mateu 3:16. Shenja e pëllumbit

Profeti Jozef Smith shpjegoi se Fryma e Shenjtë nuk u shfaq si pëllumb pas pagëzimit të Jezu Krishtit. Përkundrazi, pëllumbi që zbriti tregoi që Fryma e Shenjtë qe e pranishme në atë rast. Jozef Smithi dha mësim:

“Shenja e pëllumbit u krijua para krijimit të botës, një dëshmi për Frymën e Shenjtë dhe djalli nuk mund të vijë në shenjën e një pëllumbi. Fryma e Shenjtë është një personazh dhe është në formën e një personi. Ai nuk e kufizon veten në formën e pëllumbit, por simbolizohet në shenjën e pëllumbit. Fryma e Shenjtë nuk mund të shndërrohet në pëllumb; por shenja e pëllumbit iu dha Gjonit për të treguar të vërtetën e veprimit, meqenëse pëllumbi është një emblemë ose shenjë e së vërtetës dhe pafajësisë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 85).

Mateu 3:13–17. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tri qenie të dallueshme dhe të veçanta

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si anëtarët e Kreut-Perëndi janë një, por janë gjithashtu qenie të veçanta:

“Ne besojmë se këta tre persona hyjnorë që përbëjnë Kreun-Perëndi të vetëm, janë të bashkuar në qëllim, në sjellje, në dëshmi, në mision. … Unë mendoj se është e saktë të thuash se ne besojmë që Ata janë një në çdo aspekt të rëndësishëm dhe të përjetshëm që mund të përfytyrohet, përjashtuar besimin që Ata të jenë tre persona të kombinuar në një substancë, një nocion i Trinisë që nuk është paraqitur kurrë në shkrimet e shenjta, ngaqë ai nuk është i vërtetë” (“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40).

Plaku Holland më tej shpjegoi se një prej arsyeve të pështjellimit rreth natyrës së Kreut-Perëndi është se gjatë Braktisjes së Madhe “priftërinj[të], filozofë[t] dhe hierarkë[t] [e] shquar kishtarë” debatuan për natyrën e Kreut-Perëndi dhe përfundimisht vendosën se Perëndia ishte i panjohshëm dhe i pakapshëm (shih “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, f. 40–41).

Shtyp në Letër