Mësimi i Studimit në Shtëpi
Gjoni 11–15 (Njësia 15)
Hyrje
Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë që të kthehen tek Ati Qiellor. Përveç kësaj, teksa studentët shqyrtojnë këshillën e Zotit, siç shënohet te Gjoni 14, ata mund të marrin parasysh se si mund ta ndjekin më mirë udhën e Shpëtimtarit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 14:1–14
Shpëtimtari u mëson Apostujve të Tij se si të kthehen tek Ati Qiellor
Nëse është e mundur, paraqitni një hartë të qytetit tuaj dhe ftojini studentët të përcaktojnë vendndodhjen e tyre të tanishme në të. Në hartë, përcaktoni një vend tjetër me të cilin studentët janë të njohur. Kërkojuni të shkruajnë në një copë letre se si të shkojnë nga vendndodhja e tyre e tanishme tek ai vend. Ftojini një ose dy studentë të raportojnë atë që shkruan.
Shkruani në tabelë Mbretëria Çelestiale. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh udhëzimet që do t’i jepnin dikujt, i cili dëshiron të dijë se si të arrijë mbretërinë çelestiale.
Kujtojini studentët se, teksa studionin Gjonin 14 në mësimin e tyre të përditshëm, ata mësuan një të vërtetë që mund t’i ndihmonte të dinin se si të ktheheshin tek Ati Qiellor dhe të hynin në mbretërinë çelestiale. Shpjegoni se në këtë mësim ata do të mësojnë më shumë rreth kësaj të vërtete.
Që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë kontekstin e Gjonit 14, kujtojini ata se Shpëtimtari e mbajti Pashkën me Apostujt e Tij në një dhomë të sipërme në Jerusalem. Pas vaktit të Pashkës, Jezusi u tha dishepujve të Tij se shpejt Ai do të largohej prej tyre (shih Gjoni 13:33).
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 14:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi u dha mësim Apostujve të Tij për t’i ndihmuar ata që të ngushëlloheshin.
Shpjegoni se Përkthimi prej Jozef Smith-it i Gjonit 14:3 thotë: “Dhe kur të shkoj, unë do të përgatit një vend për ju dhe do të vij sërish e do t’ju marr pranë meje; që aty ku jam unë, të mund të jini edhe ju”.
Çfarë u mësoi Jezusi Apostujve që t’i ndihmonte për t’i ngushëlluar ata?
Çfarë mendoni se do të thotë fraza “në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa” (Gjoni 14:2)?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith. Vëreni klasën të dëgjojë atë që tha ai se ishte kuptimi i frazës.
“[Thënia] ‘në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa’ … duhet të jetë – ‘në mbretërinë e Atit tim ka shumë mbretëri’, me qëllim që ju të mund të jeni trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me mua. … Ka banesa për ata që i binden një ligji çelestial dhe ka banesa të tjera për ata që nuk i binden ligjit, çdo njeri sipas rendit të vet” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smithi [2007], f. 230).
Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shkruajnë fjalët mbretërinë dhe mbretëri në shkrimet e tyre të shenjta mbi fjalët shtëpinë dhe banesa te Gjoni 14:2.
Cilat mësime te Gjoni 14:1–4 mund të kenë qenë ngushëlluese për Apostujt?
Sipas vargut 5, si iu përgjigj Thomai mësimit të dhënë nga Shpëtimtari se Apostujt e Tij e njihnin udhën për te mbretëria e Atit Qiellor?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 14:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Jezusit për pyetjen e Thomait. Kujtojini ata se ky është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë.
Si iu përgjigj Jezusi pyetjes së Thomait?
Vizatoni një shteg në tabelë. Në njërin fund të shtegut shkruani Ne dhe në fundin tjetër shkruani Mbretëria e Atit Qiellor. Shkruani Udha nën shtegun dhe vini në dukje se kjo frazë i drejtohet shtegut që çon nga një vend te tjetri.
Si është Shpëtimtari Udha? (Studentët mund të përgjigjen se Shpëtimtari na tregon se si të jetojmë me qëllim që të bëhemi si Perëndia dhe se si të jemi të denjë që të banojmë në praninë e Atit Qiellor.)
Shkruani E Vërteta dhe Jeta në tabelë nën fjalën “Udha”.
Në çfarë mënyrash Jezu Krishti është e Vërteta? (Ai është burimi i gjithë së vërtetës dhe e jetoi gjithë të vërtetën përsosmërisht.)
Në çfarë mënyrash Jezu Krishti është Jeta? (Ai bën të mundur për ne që ta mposhtim vdekjen fizike dhe të ringjallemi me trupa të pavdekshëm fizikë dhe ta mposhtim vdekjen shpirtërore që të fitojmë jetë të përjetshme. Ai është “drit[a] e cila është në gjithçka, që i jep jetë gjithçkaje” [DeB 88:13].)
Nën vizatimin e shtegut në tabelë, shkruani Jezu Krishti është pranë fjalës “Udha”.
Bazuar në atë që kemi diskutuar dhe atë që mësuat në mësimin tuaj të përditshëm, si do ta përmblidhnit kuptimin e thënies së Shpëtimtarit që “askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”? (Gjoni 14:6). (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të ndjekjes së udhës së Tij ne mund të hyjmë në mbretërinë e Atit Qiellor.)
Çfarë do të ndodhë nëse përpiqemi të ndjekim një udhë që nuk është udha e Shpëtimtarit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Lorens E. Korbrixh, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës që të dëgjojë për çfarë do të ndodhë nëse përpiqemi të ndjekim një udhë që nuk është udha e Shpëtimtarit.
“Jezu Krishti është Udha. Ai është Drita e Jeta, Buka e Uji, Fillimi e Fundi, Ringjallja e Jeta, Shpëtimtari i botës, e Vërteta dhe Udha.
Ka vetëm një udhë drejt lumturisë dhe përmbushjes. Ai është Udha. Çdo udhë tjetër, ndonjë udhë tjetër, çfarëdo udhe tjetër është marrëzi. …
Udha e Zotit nuk është e vështirë. Jeta është e vështirë, por jo ungjilli. ‘K[a] një kundërshtim në të gjitha gjërat’ [2 Nefi 2:11], kudo, për këdo. Jeta është e vështirë për ne të gjithë, por jeta është gjithashtu e thjeshtë. Kemi vetëm dy zgjedhje. Ne ose mund të ndjekim Zotin dhe të dhurohemi me fuqinë e Tij e të kemi paqe, dritë, forcë, dituri, vetëbesim, dashuri e gëzim, ose ne mund të shkojmë në njëfarë udhe tjetër, në ndonjë udhë tjetër, në çfarëdo udhe tjetër dhe të shkojmë të vetëm – pa mbështetjen e Tij, pa fuqinë e Tij, pa udhërrëfim, në errësirë, trazirë, dyshim, brengosje dhe dëshpërim. Dhe unë pyes, cila udhë është më e lehtë? …
Ka vetëm një udhë drejt lumturisë dhe përmbushjes. Jezu Krishti është Udha” (“The Way”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 34, 36).
Sipas Plakut Korbrixh, çfarë do të ndodhë nëse nuk e ndjekim udhën e Shpëtimtarit?
Çfarë do të ndodhë nëse e ndjekim udhën e Shpëtimtarit?
Cila është udha e Shpëtimtarit? (Nëse nevojitet, kujtojini studentët se mënyra e Shpëtimtarit përfshin zhvillimin e besimit tek Ai dhe Ati Qiellor; pendimin; marrjen e ordinancave të shpëtimit, të tilla si pagëzimi dhe ordinancat e tempullit; dhe durimin deri në fund me besim e bindje.)
Kërkojuni studentëve të përsiatin përvoja që i kanë pasur, në të cilat ata u bekuan nëpërmjet ndjekjes së udhës së Shpëtimtarit. Ftojini disa prej tyre të tregojnë për përvojat e tyre.
Ftojini studentët të marrin parasysh se sa mirë po e ndjekin udhën e Shpëtimtarit. Kërkojuni të mendojnë për një mënyrë sipas së cilës ata mund ta ndjekin më mirë Shpëtimtarin dhe të caktojnë një synim për përmbushjen e atij veprimi.
Përmblidheni Gjonin 14:7–14 duke shpjeguar që Shpëtimtari u mësoi Apostujve të Tij se një nga qëllimet e Tij për ardhjen në tokë ishte që të zbulonte nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve të Tij natyrën e vërtetë të Atit Qiellor. Ai gjithashtu u premtoi Apostujve të Tij që ata do të kishin fuqi për të bërë vepra të madhërishme.
Njësia Tjetër (Gjoni 16–21)
Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje për pyetjet vijuese, ndërsa e përfundojnë studimin e tyre të Ungjillit sipas Gjonit: Çfarë i tha Jezusi nënës së Tij ndërkohë që ishte i varur në kryq? Kush ishte njeriu i parë të cilit iu shfaq Jezu Krishti pasi u ringjall? Kush nuk pranoi t’i besonte dëshmitë e të tjerëve se Jezusi ishte ringjallur? Ftojini studentët të përfytyrojnë se çfarë Shpëtimtari do t’iu thoshte dishepujve të Tij që kishin qenë dëshmitarë për Të dhe për Ringjalljen e Tij, por të cilët vendosën më pas të ktheheshin te punët e tyre të dikurshme në vend që të predikonin ungjillin. Vërini ata të kërkojnë në njësinë e ardhshme për atë që Shpëtimtari u tha atyre dishepujve.