Mësimi 71
Gjoni 11
Hyrje
Maria dhe Marta i dërguan fjalë Jezusit se vëllai i tyre, Llazari, ishte i sëmurë. Jezusi e vonoi udhëtimin e Tij dhe mbërriti katër ditë pasi Llazari kishte vdekur. Me dashuri e dhembshuri, Jezusi e ngriti Llazarin prej së vdekuri. Kjo paraqitje dramatike e fuqisë hyjnore theksoi se Jezusi ishte Mesia i zgjedhur dhe kishte fuqi mbi vdekjen. Pasi mësuan për këtë mrekulli, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë komplotuan për t’i vrarë Jezusin dhe Llazarin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Gjoni 11:1–46
Jezusi ngre Llazarin prej së vdekuri
Jepini secilit student një copë të vogël letre. Ftojini studentët të shkruajnë në fletën prej letre një sprovë që e kanë përjetuar ata ose dikush që njohin. Ndërsa studentët shkruajnë, njoftojini se ajo që shkruajnë, do t’i tregohet në mënyrë anonime klasës, kështu që nuk duhet t’i shkruajnë emrat e tyre në fletët. Mblidhini fletët dhe lexojini me zë të lartë disa nga sprovat. (Për ta shmangur mundësinë që studentët të përcaktohen nga sprova të caktuara, nëse keni vetëm pak studentë, kërkojuni atyre të renditin disa sprova që i kanë parë të tjerët t’i përjetojnë.)
-
Cilat janë disa mënyra se si besimi i njerëzve në Jezu Krishtin mund të ndikohet ndërkohë që ata përjetojnë sprova?
Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta, teksa studiojnë Gjonin 11, që mund të na ndihmojnë për ta rritur besimin tonë në Jezu Krishtin ndërkohë që përjetojmë sprova.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 11:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një sprovë që e përjetuan disa miq të Jezusit.
-
Sipas vargut 1, çfarë sprove përjetoi Llazari? Si mund të kishte qenë kjo një sprovë edhe për Marinë dhe Martën?
-
Çfarë bënë Maria dhe Marta për shkak të sëmundjes së Llazarit? Çfarë tregon kjo përgjigje rreth tyre?
Vini në dukje se Jezusi ishte në Betabara të Peresë (shih Gjoni 1:28; 10:40), që ishte përafërsisht një udhëtim njëditor nga Betania. Si rrjedhim, do të ishte dashur të paktën një ditë për një njeri që t’ia sillte këtë mesazh Jezusit dhe një ditë tjetër për Jezusin që të udhëtonte për në Betani.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 11:4–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Jezusi u përgjigj pasi dëgjoi për sëmundjen e Llazarit.
-
Duke e ditur që Jezusi i donte Martën, Marinë dhe Llazarin, çfarë mund të kishin pritur dishepujt që Jezusi të bënte sapo të dëgjonte për sëmundjen e Llazarit? (Menjëherë të udhëtonte drejt Betanisë dhe ta shëronte Llazarin; ose ndoshta të fliste dhe ta shëronte atë nga një largësi, sikurse Jezusi kishte bërë për djalin e nëpunësit të mbretit [shih Gjoni 4:46–53].)
-
Çfarë bëri Jezusi në vend të kësaj?
-
Sipas vargut 4, çfarë tha Jezusi se do të përmbushej nëpërmjet sëmundjes së Llazarit?
Kujtojini studentët që Betania ishte në tokën e Judesë më pak se 3 kilometra larg nga Jerusalemi (shih Gjoni 11:18). Përmblidheni Gjonin 11:8–10 duke shpjeguar se disa prej dishepujve e këshilluan Jezusin të mos kthehej në Jude, sepse udhëheqësit judeas në atë krahinë kërkonin ta vrisnin Atë (shih Gjoni 10:31–39 dhe Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it] të Gjonit 11:16 [në Biblën në anglisht Gjoni 11:16, shënimi a në fund të faqes]). Jezusi u përgjigj duke vënë të dukje se Ai do ta përdorte kohën e mbetur në jetën e Tij për të bërë punën e Tij pa ngurruar.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 11:11–15. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Jezusi rreth gjendjes së Llazarit.
-
Çfarë besuan në mënyrë të gabuar dishepujt se tha Jezusi rreth gjendjes së Llazarit?
-
Sipas vargut 15, përse ishte Jezusi i gëzuar që Ai nuk ishte atje për ta shëruar Llazarin prej sëmundjes së tij? (Ftojini studentët të marrin parasysh shenjimin e thënies “që të besoni” në shkrimet e tyre të shenjta.)
Vini në dukje që Shpëtimtari tregoi se ajo që Ai do të bënte në Betani, do t’i ndihmonte dishepujt e Tij për ta shtuar besimin e tyre tek Ai.
Përmblidheni Gjonin 11:16 duke shpjeguar që Apostulli Thoma i nxiti shokët e tij dishepuj që të bashkoheshin me të për të shkuar me Jezusin për në Jude, edhe nëse kjo do të thoshte të vdisnin me Të.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 11:17, duke kërkuar për sa kohë Llazari kishte qenë i vdekur në kohën kur Jezusi erdhi në Betani. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: Kërkojini klasës të dëgjojë përse ishte e rëndësishme që Llazari të kishte qenë i vdekur për katër ditë.
“Kalbja kishte filluar; vdekja ishte përcaktuar prej kohe si një siguri absolute. … Për judenjtë termi i katër ditëve kishte rëndësi të veçantë; ishte bindja e shumënjohur mes tyre se në ditën e katërt shpirti ishte larguar më së fundi dhe në mënyrë të pakthyeshme nga mjedisi pranë trupit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:533).
-
Për judenjtë, cila ishte rëndësia e një njeriu që të ishte i vdekur për katër ditë?
-
Nëse do të ishit Marta ose Maria, çfarë mund të kishit menduar ose ndier kur Jezusi nuk mbërriti deri pasi Llazari kishte qenë i vdekur për katër ditë?
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 11:18–27. Vëreni klasën të kërkojë atë që Marta i tha Jezusit lidhur me këtë sprovë.
-
Cilat thënie në vargjet 21–27 tregojnë se Marta zgjodhi të ushtronte besim në Jezu Krishtin gjatë kësaj sprove? (Nëse e shfaqët videon, ju mund të doni t’u jepni studentëve një minutë për t’i shqyrtuar këto vargje.)
-
Cila nga thëniet e Martës ju bëri më shumë përshtypje? Përse?
-
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Martës rreth asaj që mund të bëjmë gjatë sprovave që ne i përjetojmë? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të tillë si ai që vijon: Ne mund të zgjedhim të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin gjatë sprovave tona.)
Drejtojeni vëmendjen e studentëve te Gjoni 11:25–26. Shpjegoni se fraza “nuk … vdes kurrë” (Gjoni 11:26) i drejtohet vdekjes së dytë ose shpirtërore, apo ndarjes nga prania dhe mbretëria e Perëndisë.
-
Çfarë të vërtetash mësojmë nga deklarimi i Shpëtimtarit bërë Martës? (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të tilla si vijueset: Jezu Krishti është Ringjallja dhe Jeta. Nëse besojmë në Jezu Krishtin, ne mund të fitojmë jetë të përjetshme.)
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 11:28–36. Vëreni klasën të kërkojë atë që Maria i tha Jezusit dhe mënyrën se si Ai u përgjigj. Ju mund të keni nevojë ta shpjegoni se “pëshpërit” në këto vargje do të thotë të hidhërohesh apo të shqetësohesh.
-
Si e pasqyron deklarimi i Marisë në vargun 32 besimin e saj në Shpëtimtarin?
-
Si u përgjigj Jezusi kur Ai pa vajtimin e Marisë dhe të njerëzve të tjerë me të?
-
Si mendoni, përse qau Jezusi?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Gjonin 11:37, duke kërkuar çfarë po e pyesnin veten disa njerëz lidhur me atë që Jezusi mund të kishte bërë për Llazarin. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Gjoni 11:38–46. Vëreni klasën të kërkojë atë që bëri më pas Shpëtimtari.
-
Në vargun 40, çfarë i kujtoi Jezusi Martës pasi ajo e vuri në dyshim heqjen e gurit që mbulonte varrin e Llazarit?
-
Si u përmbush ky premtim? (Mund të nevojitet të shpjegoni se Llazari nuk u ringjall prej së vdekuri dhe nuk ishte i pavdekshëm; trupi i tij shpirtëror u soll sërish te trupi i tij fizik, por trupi i tij fizik ishte ende i vdekshëm.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki. Kërkojini klasës të dëgjojë për një qëllim të rëndësishëm që Shpëtimtari e plotësoi nëpërmjet ngritjes së Llazarit prej së vdekuri.
“Ai po krijonte skenën, që në këtë mënyrë të dramatizonte për gjithë kohën, njërin nga mësimet e tij më të madhërishme: Që Ai ishte ringjallja dhe jeta, që pavdekësia dhe jeta e përjetshme erdhën nëpërmjet Tij dhe se ata që i besonin dhe u bindeshin fjalëve të Tij, nuk do të vdisnin kurrë shpirtërisht” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:531).
-
Në çfarë mënyre e paralajmëroi kjo mrekulli Ringjalljen e Shpëtimtarit?
-
Si e shfaqi kjo mrekulli fuqinë e Tij për të siguruar pavdekësi dhe jetë të përjetshme?
-
Si mund të bekohemi nga të kuptuarit e fuqisë së Shpëtimtarit për të siguruar pavdekësi dhe jetë të përjetshme?
Kujtojeni klasën që fillimisht Marta dhe Maria treguan besim në Jezu Krishtin duke dërguar njerëz tek Ai kur Llazari u sëmur dhe vazhduan të besonin e të mirëbesonin tek Ai edhe pas vdekjes së Llazarit. Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse zgjedhim të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin gjatë sprovave tona, atëherë …
-
Si mund ta plotësoni këtë parim bazuar tek ajo që keni mësuar nga Gjoni 11? (Ndërsa studentët përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë që të lexohet si vijon: Nëse zgjedhim të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin gjatë sprovave tona, atëherë besimi ynë tek Ai do të vërtetohet dhe thellohet.)
Kujtojini studentët se disa njerëz pyesnin veten nëse Jezusi mund ta kishte parandaluar Llazarin prej vdekjes (shih vargu 37), prapëseprapë Jezusi priti që të mbërrinte në Betani vetëm pasi Llazari të kishte qenë i vdekur për katër ditë (shih vargun 17).
-
Si mund ta kishte vërtetuar dhe thelluar besimin e dishepujve të Jezusit dhe të Martës e Marisë në Shpëtimtarin sjellja përsëri në jetë e Llazarit pasi ai kishte qenë i vdekur për katër ditë? (Me ngritjen e Llazarit prej së vdekuri pas katër ditësh, Jezusi tregoi se Ai ka fuqi mbi vdekjen në një mënyrë që judenjtë nuk mund ta mohonin ose keqinterpretonin.)
-
Kur keni zgjedhur të ushtroni besim në Jezu Krishtin gjatë një sprove dhe e patët besimin tuaj tek Ai të vërtetohet ose thellohet si rrjedhim i kësaj?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të bëjnë për t’i ndihmuar ata të zgjedhin që ta ushtrojnë besimin në Jezu Krishtin gjatë sprovave që po përjetojnë ose që mund të përjetojnë.
Gjoni 11:47–57
Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë këshillohen së bashku për ta vrarë Jezusin
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 11:47–48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si krerët e priftërinjve dhe farisenjtë iu përgjigjën raporteve për Jezusin duke e ngritur Llazarin prej së vdekuri. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Përmblidheni Gjonin 11:49–57 duke shpjeguar që Kajafa, kryeprifti, rekomandoi që Jezusi duhej të vritej për të parandaluar shkatërrimin e kombit të tyre nga romakët. Ai gjithashtu profetizoi gabimisht për efektet që vdekja e Jezusit do të kishte mbi fëmijët e Perëndisë. Udhëheqësit judeas vendosën ta vrisnin Jezusin dhe urdhëruan se ata që e dinin vendndodhjen e Tij, duhej t’i njoftonin ata me qëllim që Ai të mund të kapej.
Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.