Biblioteka
Mësimi 48: Lluka 7:18–50


Mësimi 48

Lluka 7:18–50

Hyrje

Jezusi e lëvdon Gjon Pagëzorin dhe dëshmoi se Gjoni përgatiti udhën për shërbesën e Tij. Ndërsa Jezusi po hante me Simon fariseun, një grua e penduar tregoi besimin e saj te Shpëtimtari dhe dashurinë e saj për Të.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 7:18–35

Jezusi e lëvdon Gjon Pagëzorin dhe dëshmon për misionin e Gjonit

Ftojini studentët të punojnë në dyshe dhe jepini secilës dyshe një fletë letre. Kërkojuni dysheve të shkruajnë sa më shumë fakte që të munden për një minutë, nga ajo që sjellin ndërmend rreth Gjon Pagëzorit. Pas një minute, kërkojuni studentëve të numërojnë numrin e fakteve në fletët e tyre.

  • Sa fakte ishit në gjendje të rendisnit për Gjon Pagëzorin?

Ftojini studentët që t’i tregojnë klasës për disa nga faktet që renditën.

Nëse është e mundur, paraqitni një kallam të gjatë dhe një copë rrobë të butë. Shpjegoni që Jezusi i përdori këto sende për t’u mësuar njerëzve rreth karakterit të Gjon Pagëzorit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 7:24–26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Jezusi rreth Gjon Pagëzorit, ndërsa i referohej një kallami dhe një rrobe të butë.

  • Si ishte i ndryshëm Gjon Pagëzori nga një kallam ose fije bari? (Ndryshe nga një kallam, që tundet ose e shkund era, Gjon Pagëzori ishte i vendosur dhe i palëkundur në dëshminë e tij dhe në kryerjen e misionit të tij.)

Pamja
Gjon Pagëzori duke dhënë mësim

Gjon Pagëzori duke predikuar

Paraqitni figurën shoqëruese të Gjon Pagëzorit dhe pyesni:

  • Si ishte i ndryshëm Gjon Pagëzori nga ata që “veshin rroba të shkëlqyera” dhe jetojnë në bollëk “në pallatet e mbretërve” (vargu 25)? (Gjon Pagëzori jetonte në shkretëtirë dhe vishte rroba të bëra prej lesh deveje, të cilat ishin shumë të ashpra. Në vend që të kërkonte rehati tokësore, Gjon Pagëzori kërkoi të bënte vetëm vullnetin e Perëndisë.)

  • Çfarë tha Jezusi rreth Gjon Pagëzorit në vargun 26?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rolin e veçantë të Gjon Pagëzorit, shpjegoni se Jezusi citoi një profeci të shkruar qindra vite përpara, që fliste për një “lajmëtar” i cili do të “përgati[ste] rrugën para [Mesias]” (Malakia 3:1). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 7:27–28 dhe vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar arsyen përse Gjon Pagëzori ishte i veçantë mes profetëve.

  • Cili ishte roli i veçantë dhe i rëndësishëm që Gjon Pagëzori qe parashuguruar të kryente? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Gjon Pagëzori ishte profeti i parashuguruar që të përgatiste rrugën për Birin e Perëndisë dhe ta pagëzonte Atë.)

  • Si e përgatiti rrugën Gjon Pagëzori për ardhjen e Jezu Krishtit?

Shpjegoni se Profeti Jozef Smith tha sa më poshtë lidhur me Llukën 7:28:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Jezusin e konsideronin sikur të kishte pretendimin më të vogël për mbretërinë e Perëndisë dhe, [me sa duket], kishte të drejtën më të vogël për t’u besuar prej tyre si profet; sikur të kishte thënë – ‘Ai që konsiderohet më i vogli midis jush, është më i madh se Gjoni – domethënë, vetë Unë’” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 86).

Përmblidheni Llukën 7:29–35, duke shpjeguar që shumë njerëz i besuan mësimet e Jezusit, por farisenjtë dhe doktorët e ligjit që ishin të pranishëm nuk i pranuan mësimet e Tij. Jezusi shpjegoi se ata nuk e pranonin të vërtetën, pavarësisht nëse e jepte mësim Ai apo Gjon Pagëzori.

Lluka 7:36–50

Ndërsa Jezusi po hante darkë me Simon fariseun, një grua i lan këmbët e Jezusit me lotët e saj

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: A mund të falem?

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim raste kur ata mund ta kenë pyetur veten nëse mund të faleshin. Ftojini ata të kërkojnë të vërtetat që i përgjigjen kësaj pyetjeje ndërsa vazhdojnë të studiojnë Llukën 7.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Llukës 7:36–50, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen dhe shpjegimin vijues:

Një farise, i quajtur Simon, e ftoi Jezusin në një gosti në shtëpinë e tij. Në gosti të atilla, miqtë do të mbështeteshin në jastëkë rreth e rrotull një tavoline të ulët dhe i shtrinin këmbët e tyre larg nga tavolina. Zakonet shoqërore të kohës i lejonin njerëzit në nevojë që të mblidhnin ushqimin e mbetur nga banketet. Pra, nuk ishte e pazakontë për njerëzit e paftuar që të hynin në shtëpi gjatë një gostie (shih James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 261).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej përmbajtjen e Llukës 7:36–50, merrni parasysh të shfaqni videon “Come unto Me” [“Ejani tek Unë”] (11:34), që gjendet në LDS.org. Ju mund të shfaqni disa segmente të videos që e portretizojnë Jezusin duke darkuar me Simon fariseun (duke filluar nga kodi kohor 4:17). Vëreni klasën t’ju ndjekë në shkrimet e tyre të shenjta, duke kërkuar atë që ndodhi kur një person i paftuar hyri në shtëpinë e Simonit gjatë gostisë. Ndalojeni videon pasi Jezusi të thotë: “Gjykove drejt” (Lluka 7:43) (kodi kohor 7:24).

  • Si e përshkroi Lluka gruan e portretizuar te Lluka 7:37?

  • Si e tregoi gruaja dashurinë e saj për Shpëtimtarin? (Ju mund të doni të shpjegoni se një “enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm” ishte një shishe e mbushur me vaj aromatik të kushtueshëm.)

  • Çfarë mendoi Simoni kur pa atë që gruaja po bënte?

Për ta rishikuar shëmbëlltyrën që dha mësim Jezusi, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 7:40–43. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jezusi i mësoi Simonit.

Kopjojeni tabelën e mëposhtme në dërrasë.

Huadhënësi =

Huamarrësi që ka borxh 50 denarë =

Huamarrësi që ka borxh 500 denarë =

Shpjegoni se një huadhënës është dikush që jep para borxh; një person që merr para borxh është një huamarrës. Huamarrësi bie dakord që ta shlyejë huadhënësin ose të shkojë në burg. Kërkojini një studenti/je që ta përmbledhë shëmbëlltyrën me fjalët e tij apo të saj.

  • Kë përfaqëson huadhënësi? (Shkruani Jezu Krishti në tabelë, pranë fjalës “Huadhënës”.)

  • Cili nga huamarrësit mund të përfaqësojë gruan dhe cili mund të përfaqësojë Simon fariseun? Përse? (Shkruani Simon Fariseu nën “Huamarrësi që ka borxh 50 denarë” dhe Gruaja nën “Huamarrësi që ka borxh 500 denarë”.)

Shpjegoni se në kohën e Jezusit ishte zakon që mikpritësi t’i nderonte të ftuarit e tij të veçantë duke bërë vepra mirësie të tilla si t’i puthte gjatë përshëndetjes, t’i jepte ujë që të lanin këmbët e tyre dhe ta vajoste kokën e tyre me vaj (shih James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 261).

Rifillojeni videon në kodin kohor 7:25 dhe ndalojeni pasi Jezusi thotë: “Shko në paqe” (Lluka 7:50) (kodi kohor 8:52). Ose, ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 7:44–47. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si e trajtoi Simoni Jezusin në krahasim me mënyrën se si e trajtoi gruaja Atë, dhe si mund të jetë ndier secili prej tyre për Jezusin.

  • Sipas vargjeve 44–47, cilat ishin disa nga ndryshimet midis mënyrës se si e trajtoi Simoni Jezusin dhe mënyrës se si e trajtoi gruaja Atë, dhe si mund të jetë ndier secili prej tyre për Jezusin? (Shkruajini përgjigjet e studentëve te tabela në dërrasë.)

Kur studentët të kenë mbaruar së raportuari për atë që gjetën, tabela duhet të duket e ngjashme me sa vijon:

Huadhënësi = Jezu Krishti

Huamarrësi që ka borxh 50 denarëSimon, fariseu

Nuk i dha ujë Jezusit për të larë këmbët e Tij

Nuk i dha Atij një puthje

Nuk e vajosi Atë me vaj

E deshi Atë pak

Huamarrësi që ka borxh 500 denarëGruaja

I lau këmbët e Tij me lot dhe ia fshiu me flokët e saj

I puthi këmbët e Tij

I vajosi këmbët e Tij me vaj erëkëndshëm

E deshi Atë shumë

  • Çfarë bekimi mori gruaja nga Shpëtimtari?

Vini në dukje se duke e krahasuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë Simonin me humamarrësin që ka borxh 50 denarë, Shpëtimtari po sugjeronte që edhe Simoni kishte nevojë të falej për mëkatet e tij.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Llukën 7:47–50 dhe vërini të kërkojnë se çfarë e bëri të mundur që kjo grua të merrte falje.

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky rrëfim? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani parimet vijuese në tabelë: Kur e ushtrojmë besimin tonë duke e treguar dashurinë tonë për Zotin dhe përkushtimin tonë ndaj Tij, ne mund ta përjetojmë faljen e Tij. Kur ne e marrim faljen e Zotit, ne mbushemi me dëshirën për ta dashur dhe për t’i shërbyer Atij edhe më shumë.)

  • Përse ne mund të dëshirojmë ta duam dhe t’i shërbejmë Shpëtimtarit edhe më shumë kur e përjetojmë faljen e Tij?

Ftoni tre studentë ku secili prej tyre të lexojë me zë të lartë një paragraf nga thënia vijuese e Plakut Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Ka shumë shkallë të denjësisë dhe drejtësisë vetjake. Prapëseprapë, pendimi është një bekim për të gjithë ne. Secili prej nesh ka nevojë të ndiejë krahët e mëshirës së Shpëtimtarit nëpërmjet faljes për mëkatet tona.

Vite më parë, m’u kërkua që të takoja një burrë, i cili, kohë përpara vizitës sonë, kishte patur një periudhë jetese të shfrenuar. Si pasojë e zgjedhjeve të tij të këqija, ai e humbi anëtarësinë në Kishë. Tashmë prej kohësh Ai ishte rikthyer në Kishë dhe po i zbatonte me besnikëri urdhërimet, por veprimet e mëparshme i faniteshin atij. Kur u takova me të, unë ndieva turpin dhe keqardhjen e tij të thellë që i kishte lënë mënjanë besëlidhjet e tij. Në vijim të intervistës sonë, unë i vendosa duart mbi kokën e tij për t’i dhënë një bekim priftërie. Ende pa thënë një fjalë, unë pata një ndjesi gjithëpushtuese të dashurisë dhe të faljes së Shpëtimtarit për të. Mbas bekimit, ne u përqafuam dhe ai burrë qau haptas.

Unë mahnitem nga krahët qarkues të mëshirës dhe dashurisë së Shpëtimtarit për të penduarin, pavarësisht se sa egoist është mëkati i braktisur. Unë dëshmoj që Shpëtimtari është në gjendje dhe pret me padurim t’i falë mëkatet tona. Me përjashtim të mëkateve të atyre pak që zgjedhin humbjen mbasi e kanë njohur plotësinë, nuk ka mëkat që nuk mund të falet. Sa privilegj i mrekullueshëm për çdonjërin nga ne, që të largohemi nga mëkatet tona e të vijmë te Krishti. Falja hyjnore është një nga frytet më të ëmbla të ungjillit, që na heq fajin e dhembjen nga zemra dhe i zëvendëson ato me gëzim e me paqe në ndërgjegje” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 40–41).

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur ata e përjetuan faljen e Zotit. Kërkojuni atyre të përsiatin atë që menduan dhe mënyrën se si u ndien për Shpëtimtarin.

Drejtojuni pyetjes në tabelë. Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si do të përgjigjeshin nëse dikush do t’i pyeste: “A mund të falem?”

Përfundojeni mësimin duke dëshmuar se Jezu Krishti ka fuqinë për të na falur nëse ushtrojmë besim tek Ai dhe pendohemi për mëkatet tona.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Për t’i ndihmuar studentët të rishikojnë pesë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që ata kanë studiuar deri tani gjatë këtij kursi, ju mund të doni t’u bëni atyre një test të shkurtër. Jepni fjalët kyçe nga libërshenjuesi i seminarit dhe u kërkoni studentëve të shkruajnë referencat përputhëse të shkrimeve të shenjta. Shihni shtojcën e këtij manuali për më shumë ide.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 7:18–20. A e vuri në dyshim Gjoni Pagëzori se Jezusi ishte Mesia?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një përgjigje të qartë për këtë pyetje:

“Çdo përfundim se Pagëzori ishte i pasigurt ose plot dyshim në vetë mendjen e tij, lidhur me identitetin dhe misionin e Mësuesit, është plotësisht i pajustifikueshëm. Në të vërtetë, Eliasi i burgosur dhe pararendësi i Zotit tonë, po e përdorte këtë mënyrë për t’i bindur dishepujt e tij që ta braktisnin atë dhe të ndiqnin Jezusin.

Gjoni e dinte se kush ishte Jezusi; Pagëzori nuk po lëkundej si një kallam nga era. … Ky veprim i dërgimit të dishepujve të tij te Jezusi, ishte në fakt një dëshmi e fundit e madhe nga ana e Gjonit se Jezusi ishte Qengji i Perëndisë, sepse Pagëzori e dinte që dishepujt e tij, duke e parë personalisht Mësuesin dhe duke i dëgjuar mësimet e Tij, nuk mund të bënin gjë tjetër veçse të ndiqnin dritën më të madhe” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–73], 1:261–262).

Gjon Pagëzori kuptoi një të vërtetë të rëndësishme që Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë e ritheksoi:

“Secili prej nesh duhet të marrë dëshminë e tij vetjake në lidhje me Jezusin si Krishti. Ne nuk mund ta marrim tërthorazi nga dikush tjetër” (“A Testimony of Christ”, Ensign ose Liahona, mars 2005, f. 3).

Lluka 7:20–22. Përse Zoti kryen mrekulli?

Presidenti Brigam Jang përshkroi rolin që luajnë mrekullitë në punën e Zotit:

“Mrekullitë … janë për t’i ngushëlluar shenjtorët dhe për ta forcuar e vërtetuar besimin e atyre që e duan, e kanë frikë dhe i shërbejnë Perëndisë” (Discourses of Brigham Young, përz. John A. Widtsoe [1954], f. 341).

Lluka 7:24–28. “Nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori”

Profeti Jozef Smith shpjegoi se përse Jezusi e konsideronte Gjon Pagëzorin si profetin më të madh:

“Së pari. Atij iu besua një mision hyjnor për të përgatitur rrugën përpara fytyrës së Zotit. Kujt tjetër i ishte besuar një gjë e tillë përpara ose deri më sot? Askujt.

Së dyti. Atij iu besua misioni i rëndësishëm dhe iu kërkua që nga dora e tij të pagëzohej Biri i Njeriut. Kush tjetër e kishte nderin për ta bërë këtë? Kush tjetër ka pasur një privilegj apo lavdi kaq të madhe? Kush tjetër e çoi Birin e Perëndisë në ujërat e pagëzimit dhe pati privilegjin për të parë Frymën e Shenjtë të zbriste në formën e një pëllumbi, ose më mirë në shenjën e një pëllumbi, si dëshmi e atij riti? …

Së treti. Gjoni, në atë kohë, ishte i vetmi administrues i ligjshëm në çështjet e mbretërisë që ishte asokohe mbi tokë dhe i cili mbante çelësat e fuqisë. Judenjtë duhet t’u bindeshin udhëzimeve të tij ose të mallkoheshin, sipas vetë ligjit të tyre; dhe Vetë Krishti e përmbushi çdo drejtësi duke iu bindur ligjit të cilin Ai ia kishte dhënë Moisiut në mal dhe si rrjedhim e lartësoi atë, dhe e nderoi atë në vend që ta shkatërronte. Biri i Zakarias mezi i mori çelësat, mbretërinë, fuqinë, lavdinë nga judenjtë, me vajosje të shenjtëruar dhe vendim të qiellit, dhe këto tre arsye e bëjnë atë profetin më të madh të lindur prej gruas” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 85).

Lluka 7:37–50. Çfarë dimë ne rreth gruas?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi se gruaja që i referohet te Lluka 2:37–50 erdhi te Shpëtimtari duke u penduar tashmë dhe duke dëshiruar që ta tregonte dashurinë e saj. Duke iu referuar dhembshurisë që ajo tregoi, ai tha: “E gjitha kjo ishte vepra dhe adhurimi i një gruaje të përkushtuar dhe besnike, e cila kishte qenë një mëkatare, por që tani ishte e pastruar; e cila tani ishte e lirë nga barra dërrmuese e shumë shkeljeve; e cila tani ecte në risinë e jetës për shkak të atij, këmbët e të cilit ajo tani i puthte dhe mbi të cilat ajo tani derdhi gjithë dashurinë nderuese dhe tejmase frymëzuese, që i gjithë shpirti i saj kishte fuqinë të zotëronte” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 2:200).

Lluka 7:47–50. “Mëkatet e saj të shumta i janë falur”

Plaku Shejn M. Bouen, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, bëri dhe iu përgjigj pyetjes nëse dikush që e dëshiron faljen do ta ketë ndonjëherë të mundur që ta marrë atë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit:

“A është e mundur të përtërish një jetë, e cila për shkak të braktisjes moskokëçarëse është mbuluar me kaq shumë plehra saqë duket sikur personi është i pafalshëm? Ose, çfarë ndodh me atë njeri që po bën një përpjekje të sinqertë, por ka rënë në mëkat kaq shumë herë, saqë ndihet sikur nuk ka një mënyrë të mundshme për ta thyer zakonin, në dukje të pambarimtë? Ose, çfarë ndodh me personin që e ka ndryshuar jetën e tij, por nuk mund ta falë vetveten? …

Shlyerja e Jezu Krishtit është në dispozicion për secilin prej nesh. Shlyerja e Tij është e pafundme. Ajo zbatohet për çdokënd, edhe për ju. Ajo mund t’ju pastrojë, përtërijë e shenjtërojë, madje edhe ju. Kjo është çfarë do të thotë e pafundme – tërësisht, plotësisht, e gjitha, përgjithmonë” (“Shlyerja Mund të Pastrojë, Përtërijë dhe Shenjtërojë Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 33–34; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 47).

Shtyp në Letër