Biblioteka
Mësimi 160: Zbulesa 21–22


Mësimi 160

Zbulesa 21–22

Hyrje

Gjoni pa një qiell të ri dhe një tokë të re, dhe Jerusalemin e Ri që zbritën nga qielli. Ai pa gjithashtu se Perëndia do të banojë me njerëzit e Tij dhe do t’i ngushëllojë ata, dhe se qyteti çelestial i Perëndisë do të vendoset në tokë. Gjoni pa se ata, emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës, do të hyjnë në qytet dhe do të jetojnë me Perëndinë në lavdi. Gjoni e mbylli vegimin e tij me një lutje që Zoti të kthehej në tokë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 21

Gjoni sheh një qiell të ri dhe një tokë të re, dhe qytetin çelestial të Perëndisë

Ftojini studentët të mendojnë për raste në jetën e tyre kur kanë përjetuar pikëllim ose vuajtje të madhe.

  • Cilat janë disa gjëra në jetë që mund të na shkaktojnë pikëllim ose vuajtje të madhe? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Ftojini studentët të kërkojnë një të vërtetë ndërsa studiojnë Zbulesën 21, që mund t’u sjellë atyre ngushëllim gjatë kohëve të vështira.

Shpjegojuni studentëve se Zbulesa 21–22 është një vazhdimësi e vegimit të Gjonit të ngjarjeve që do të ndodhin pas Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë pa Gjoni se do të ndodhë.

  • Çfarë pa Gjoni se do të ndodhë?

Ftojini dy studentë të lexojnë me zë të lartë thëniet vijuese:

Thënia 1

Kur Jezu Krishti të vijë sërish dhe kur Mijëvjeçari të fillojë, toka do të ndryshohet në gjendjen që ishte përpara Rënies së Adamit dhe Evës. Përpara Rënies, toka ekzistoi në një gjendje terrestriale ose parajsore (një gjendje e parajsës). Pas Mijëvjeçarit, toka do të ndryshojë sërish në një gjendje çelestiale, e përgatitur për praninë e Perëndisë. Këto ndryshime mund të kenë qenë ato që Gjoni vërejti se do të ndodhin kur “pa një qiell të ri dhe një dhe të ri” (Zbulesa 21:1).

Thënia 2

Jerusalemi i Ri që Gjoni pa të zbriste nga qielli, është qyteti çelestial i Perëndisë. Ky qytet me gjasë do të përfshijë qytetin e Enokut, i cili u shndërrua dhe u mor në qiell. Ky “qytet [i] shenjtë” do të zbresë dhe do të bashkohet me Jerusalemin e Ri ose Sionin që shenjtorët do të kenë ndërtuar në tokë (shih Moisiu 7:62–64).

  • Si mendoni se mund të jetë ndier Gjoni kur i pa këto gjëra ndërsa ishte dëbuar për bindjen e tij ndaj Jezu Krishtit?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Perëndia do të bëjë për njerëzit e Tij.

  • Çfarë do të bëjë Perëndia për njerëzit e Tij? (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të tilla si vijojnë: Perëndia do të banojë me njerëzit e Tij dhe do t’i ngushëllojë ata, dhe ata nuk do ta provojnë më kurrë vdekjen, brengën ose mundimin. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Referojuni listës në tabelë të gjërave që mund të na sjellin pikëllim ose vuajtje.

  • Në ç’mënyrë njohuria se Perëndia do t’i ngushëllojë njerëzit e Tij dhe se Ai do t’i heqë pikëllimet dhe vuajtjet e tyre, na ndihmon kur përjetojmë sfida në ditët e sotme?

Ju mund të doni të ndani dëshminë tuaj për aftësinë që ka Perëndia për të na ngushëlluar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë u premton Zoti atyre që fitojnë me besnikëri.

  • Çfarë u premton Zoti atyre që fitojnë?

  • Bazuar tek ajo që keni mësuar rreth sfidave që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë përpara Ardhjes së Dytë, çfarë lloj gjërash do të kenë mposhtur këta njerëz?

Ftojeni të njëjtin student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 21:8. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se një magjistar është dikush që merr pjesë në veprimtari me qëllim që të ftojë ndikimin e frymërave të liga dhe një kurvërues është një person që kryen marrëdhënie seksuale ose shkelje kurore.

  • Çfarë do të përjetojnë ata që përshkruhen në vargun 8? (Vdekjen e dytë.)

Shpjegoni se vdekja e dytë është një vdekje shpirtërore ose ndarje nga Perëndia, që do ta përjetojnë ata të cilët rebelohen me dëshirë kundër dritës dhe së vërtetës pas Gjyqit Përfundimtar (shih Helamani 14:16–19).

Përmblidheni Zbulesën 21:9–21 duke shpjeguar se Gjoni e përshkroi qytetin çelestial të Perëndisë. Ai pa se qyteti kishte një mur të madh që kishte 12 porta që ruheshin nga 12 engjëj.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 21:22–27. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që mësoi Gjoni për këtë qytet çelestial.

  • Çfarë mësoi Gjoni për këtë qytet?

  • Sipas vargut 27, kush do të lejohet të hyjë? (Vetëm ata, emrat e të cilëve janë shkruar në librin e jetës të Qengjit.)

Zbulesa 22

Gjoni e mbyll vegimin e tij

Ftojini studentët që teksa studiojnë Zbulesën 22, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë mënyrën se si ta kenë emrin e tyre të shkruar në librin e jetës të Qengjit dhe të lejohen që të hyjnë në këtë qytet çelestial.

Pamja
vizatim, fron

Merrni parasysh të tregoni një figurë të një froni ose vizatojeni një në tabelë.

Kërkojini një studenti të vijë në tabelë dhe të vizatojë se çfarë tjetër pa Gjoni përveç një froni teksa studenti tjetër lexon me zë të lartë Zbulesën 22:1–2.

  • Çfarë tjetër pa Gjoni në qytetin çelestial të Perëndisë?

Ftojeni studentin/en që të kthehet në vendin e tij apo të saj.

  • Sipas vargut 2, si e përshkroi Gjoni drurin e jetës? (Pema prodhoi fruta me bollëk në të gjitha stinët dhe gjethet e tij mund të shëronin kombet.)

Kujtojuni studentëve se Libri i Mormonit shënon që si Lehi ashtu edhe Nefi panë një vegim të pemës së jetës. Nefi mësoi se si pema ashtu edhe burimi i ujërave të gjalla përfaqësojnë dashurinë e Perëndisë (shih 1 Nefi 11:25). Shkruani Dashuria e Perëndisë pranë pemës dhe lumit te vizatimet e studentit/es.

  • Cili është manifestimi më i madh i dashurisë së Perëndisë? (Shlyerja e Jezu Krishtit [shih Gjoni 3:16; 1 Gjon 4:9]. Fruti i pemës mund të përfaqësojë edhe bekimet e Shlyerjes.)

Përmblidheni Zbulesën 22:3–10 duke shpjeguar se, përveçse e pa qytetin çelestial, Gjoni mori edhe një dëshmi nga engjëlli, i cili i foli atij se gjërat që i ishin zbuluar, qenë të vërteta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:11–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti do të bëjë kur Ai të vijë sërish.

  • Çfarë do të bëjë Zoti kur Ai të vijë sërish?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për t’u lejuar që të hyjmë në mbretërinë çelestiale.

  • Çfarë duhet të bëjmë që të hyjmë në mbretërinë çelestiale?

Shpjegoni se që të “ke[sh] të drejtën për drurin e jetës” do të thotë të jesh i denjë për të marrë të gjitha bekimet e Shlyerjes, përfshirë edhe jetën e përjetshme.

  • Çfarë parimi mund të përcaktojmë nga vargu 14? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse i zbatojmë urdhërimet e Zotit, atëherë ne mund të marrim të gjitha bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të hyjmë në mbretërinë çelestiale. Shpjegoni se zbatimi i urdhërimeve të Tij përfshin marrjen e të gjitha ordinancave të nevojshme për të hyrë në mbretërinë çelestiale.)

Shpjegoni se ndonëse disa bekime të Shlyerjes – të tilla si dhurata e ringjalljes – u janë dhënë lirisht të gjithë fëmijëve të Perëndisë, bekime të tjera – të tilla si jeta e përjetshme – janë në dispozicion vetëm për ata që kërkojnë me zell të ushtrojnë besim në Jezu Krisht, të pendohen dhe të ndjekin urdhërimet e Tij.

Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë:

Çfarë urdhërimesh dhe mësimesh keni mësuar në studimin tuaj të Dhiatës së Re dhe jeni përpjekur që t’i zbatoni në jetën tuaj?

Në ç’mënyrë përpjekjet tuaja për t’i zbatuar këto urdhërime ju ndihmuan që të merrnit bekimet e Zotit dhe ju përgatitën të ktheheni në praninë e Atit tuaj në Qiell?

Ftojini studentët të marrin parasysh se si do t’u përgjigjeshin këtyre dy pyetjeve duke shqyrtuar atë që ata kanë shkruar në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, ato që kanë shënuar ose shenjuar në shkrimet e tyre të shenjta, dhe vargjet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që kanë studiuar këtë vit. Kërkojuni atyre t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për këto dy pyetje në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia tregojnë klasës atë që shkruan. (Kujtojuni studentëve që të mos tregojnë ndonjë gjë që është tepër private ose vetjake.)

Përmblidheni Zbulesën 22:15–19 duke shpjeguar se ata që nuk i zbatojnë urdhërimet e Zotit, nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në qytetin çelestial. Jezu Krishti dëshmoi se Ai ia dha këtë zbulesë Gjonit dhe Gjoni i ftoi të gjithë njerëzit që të vijnë tek ujërat e jetës për të pirë lirisht. Gjoni i paralajmëroi lexuesit e tij që të mos e ndryshonin mesazhin e librit që ai kishte shkruar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 22:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar lutjen e Gjonit.

  • Cila ishte lutja e Gjonit?

  • Bazuar tek ajo që keni mësuar në librin e Zbulesës, përse mendoni se Gjoni mezi priste që Zoti të vinte?

Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët zbuluan te Zbulesa 21–22.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 21:4. “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre”

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se, në kohën e vetë Zotit, pikëllimet e besnikëve do të zëvendësohen me gëzim:

“Zoti i dëmshpërblen besnikët për çdo humbje. Ajo që u merret atyre që e duan Zotin, do t’iu shtohet atyre sipas mënyrës së Tij. Edhe pse mund të mos vijnë në kohën që e dëshirojmë, besnikët do ta dinë se çdo lot i sotëm, do të rikthehet më së fundi njëqindfish me lot gëzimi dhe mirënjohjeje” (“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 27, 28).

Zbulesa 22:18. “Nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave”

Disa njerëz e refuzojnë Librin e Mormonit dhe shkrime të tjera të shenjta ngaqë besojnë se Zoti ka reshtur së zbuluari shkrime të shenjta fëmijëve të Tij. Shumë e përdorin gabimisht Zbulesën 22:18 për të shpallur se Zoti nuk do të japë kurrë ndonjë shkrim tjetër të shenjtë përveç Biblës dhe se çdo njeri që pretendon se ka marrë më shumë shkrime të shenjta, do të vuajë plagët që paralajmëroi Gjoni. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e trajtoi këtë keqinterpretim:

“Tani ka një konsensus tronditës praktikisht mes të gjithë studiuesve të Biblës se ky varg zbatohet vetëm për librin e Zbulesës, jo për të gjithë Biblën. Këta studiues të kohës sonë njohin një numër ‘librash’ të Dhiatës së Re që thuajse sigurisht u shkruan pasi u mor zbulesa e Gjonit në ishullin e Patmosit. Përfshirë në këtë kategori janë të paktën librat e Judës, tre Letrat e Gjonit dhe ndoshta edhe i gjithë Ungjilli i vetë Gjonit. Ndoshta ka edhe më tepër se këta.

Por ka një përgjigje më të thjeshtë se përse ajo pjesë në librin e fundit të Dhiatës së Re të sotme nuk mund të zbatohet për të gjithë Biblën. Kjo sepse e gjithë Bibla, siç e njohim – një koleksion tekstesh lidhur me një vëllim të vetëm – nuk ekzistonte kur u shkrua ai varg. Për shekuj me radhë pasi Gjoni bëri shkrimin e tij, librat e veçantë të Dhiatës së Re qarkullonin të vetëm ose ndoshta të bashkuar me pak tekste të tjera, por pothuajse asnjëherë si koleksion i plotë. Nga e gjithë përmbledhja prej 5366 dorëshkrimesh greke të Dhiatës së Re që njihen, vetëm 35 përmbajnë të gjithë Dhiatën e Re siç e njohim ne dhe 34 prej tyre u përpiluan pas vitit 1000 ps.K.” (“Fjalët e Mia … Kurrë s’Pushojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 91–92).

Shtyp në Letër