Biblioteka
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Romakëve 8–1 Korintasve 6 (Njësia 21)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Romakëve 81 Korintasve 6 (Njësia 21)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve të cilat studentët i mësuan ndërsa studiuan Romakëve 8–16 dhe 1 Korintasve 1–6 (njësia 21), nuk synohet të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Romakëve 8–11)

Nga mësimet e Palit drejtuar shenjtorëve romakë rreth të qenit të kontrolluar nga Fryma ose mishi, studentët mësuan që nëse e ndjekim ndikimin e Shpirtit, ne mund ta mposhtim prirjen e njeriut natyror për të mëkatuar. Ata gjithashtu studiuan të vërtetat vijuese: Nëse jemi fëmijë besnikë besëlidhës të Perëndisë, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin për gjithçka që ka Ati Qiellor. Nëse e duam Perëndinë, të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë. Nëpërmjet Jezu Krishtit ne mund t’i mposhtim të gjitha sfidat dhe mundimet e vdekshmërisë. Nëse e pranojmë dhe i bindemi Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, ne mund t’i marrim bekimet e besëlidhjeve të Perëndisë dhe të shpëtohemi.

Dita 2 (Romakëve 12–16)

Te Romakëve 12–13, studentët zbuluan se Perëndia pret nga ne që t’ia përkushtojmë jetën tonë Atij dhe t’i shmangemi përshtatjes me botën, dhe nëse e bëjmë këtë, ne mund të bëhemi më shumë si Jezu Krishti. Te Romakëve 14–15, studentët mësuan se për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta, ne duhet t’i shmangemi gjykimit të zgjedhjeve të të tjerëve dhe të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si zgjedhjet tona ndikojnë tek të tjerët. Studentët gjithashtu mësuan se shkrimet e shenjta u shkruan për të na mësuar dhe për të na dhënë shpresë.

Dita 3 (1 Korintasve 1–2)

Në një letër drejtuar shenjtorëve korintas, Pali trajtoi disa shqetësime dhe pyetje. Nga shkrimet e tij, studentët mësuan se Zoti pret nga ne si shenjtorë që të jemi të bashkuar dhe t’i zhdukim përçarjet e grindjet, dhe se ne mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij.

Dita 4 (1 Korintasve 3–6)

Në këtë mësim, studentët vazhduan të studionin letrën e Palit drejtuar shenjtorëve korintas. Nga fjalët e Palit, studentët mësuan të vërtetat vijuese: Ndërkohë që ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë rreth ungjillit të Jezu Krishtit, është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që njerëzit kthehen në besim. Zoti do të na gjykojë me drejtësi për shkak se Ai i di të gjitha gjërat, përfshirë mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë. Nëse zgjedhim të shoqërohemi me ata që e përqafojnë mëkatin, ne mund të ndikohemi nga ligësia e tyre.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si ta shmangin mëkatin kur ai është kudo përreth tyre. Përveç kësaj, ata do të mësojnë përse është e rëndësishme që ta mbajnë trupin e tyre të pastër.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Korintasve 6

Pali i mëson shenjtorët rreth unitetit dhe ligjit të dëlirësisë

Vizatoni një figurë të një tasi me fruta të kalbura dhe një frutë të freskët në të. Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë nëse e kanë pyetur ndonjëherë veten se si ta shmangin mëkatin kur ai është kudo përreth tyre.

Pamja
vizatim, tas me fruta

Ndërsa studentët studiojnë 1 Korintasve 6, ftojini ata të kërkojnë të vërtetat që Apostulli Pal dha mësim, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të jetojnë me drejtësi pavarësisht se janë të rrethuar nga ndikime të liga.

Përmblidheni 1 Korintasve 6:1–8, duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët korintas që t’i zgjidhnin me drejtësi grindjet midis tyre në vend që të drejtoheshin menjëherë te gjykatat civile.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:9–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar praktikat mëkatare në Korint që Pali u mësoi anëtarëve të Kishës të shmangnin.

  • Çfarë lloj sjelljesh mëkatare u mësoi Pali anëtarëve të Kishës të shmangnin?

  • Sipas 1 Korintasve 6:11, çfarë u kujtoi Pali këtyre shenjtorëve rreth vetes së tyre? (Shumë të kthyer në besim nga Korinti kishin marrë pjesë në këto sjellje mëkatare përpara se të bashkoheshin me Kishën, por ata ishin penduar dhe pastruar nga mëkatet e tyre.)

Shpjegoni se Korinti i lashtë ishte me nam për imoralitet dhe shumë korintas nxitnin idenë se trupi ynë qe bërë për kënaqësi. Përmblidheni Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it] të 1 Korintasve 6:12 [në variantin shdm të Biblës në anglisht] duke shpjeguar që Pali dha mësim kundër filozofisë se nuk kishte të drejtë ose të gabuar.

  • Si ishin idetë dhe praktikat në Korint të ngjashme me prirjet që ne shohim sot në botë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth qëllimit të trupit tonë. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala gjellë do të thotë ushqim.)

  • Çfarë dha mësim Pali rreth trupit tonë? (Ndërkohë që shumë korintas me sa duket besonin se trupi ishte bërë thjesht për kënaqësi fizike, Pali e korrigjoi atë pikëpamje duke dhënë mësim se trupi ynë ishte krijuar për të përmbushur qëllimet e Zotit.)

Përmblidheni 1 Korintasve 6:14–17, duke shpjeguar se ata që bashkohen me Kishën bëhen një me Krishtin si “gjymtyrë” shpirtërore të trupit të Tij. Pali shpjegoi gjithashtu se imoraliteti seksual nuk është në përputhje me një marrëdhënie shpirtërore me Jezu Krishtin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve korintas të bënin. (Ju mund të doni të vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith-it i 1 Korintasve 6:18 [në variantin shdm të Biblës në anglisht] e ndryshon frazën “jashtë trupit” në “kundër trupit të Krishtit”.)

  • Çfarë u mësoi Pali shenjtorëve korintas të bënin?

  • Çfarë dha mësim Pali rreth atyre që kryejnë kurvëri? (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët te vargu 18 që japin mësim të vërtetën vijuese: Ata që kryejnë kurvëri mëkatojnë kundër vetë trupit të tyre.)

Shpjegoni se më pas Pali dha mësim përse kurvëria ose imoraliteti seksual është një mëkat “kundër trupit të vet[ë personit]”.

Kujtojuni studentëve se 1 Korintasve 6:19–20 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë me të cilën Pali e krahasoi trupin tonë.

  • Me çfarë e krahasoi Pali trupin tonë?

Tregoni figurën e një tempulli.

  • Cili është ndryshimi midis një tempulli dhe një ndërtese tjetër çfarëdo?

  • Si do ta përmblidhnit të vërtetën që Pali dha mësim në vargun 19? (Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Trupi ynë është një tempull i Perëndisë, në të cilin mund të banojë Shpirti.)

  • Si duhet të ndikojë të kuptuarit se trupi ynë është një tempull në mënyrën se si ne e trajtojmë trupin tonë dhe trupin e të tjerëve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për ide rreth mënyrës se si të kuptuarit se trupi ynë është një tempull i Perëndisë duhet të ndikojë në mënyrën se si e trajtojmë atë.

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Duke i njohur këto të vërteta [nga 1 Korintasve 6:19–20] … ne me siguri nuk do ta prishim trupin tonë, si me tatuazhe; apo ta dobësojmë, si me drogë; apo ta ndotim, si me kurvëri, tradhti bashkëshortore, ose paturpësi. … Duke qenë se trupi ynë është një instrument i shpirtit, është jetike që ne të kujdesemi për të sa më mirë që mundemi. Ne duhet t’ia përkushtojmë forcat e tij për t’i shërbyer dhe për ta çuar përpara punën e Krishtit” (“Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 17).

  • Çfarë mendoni se nënkuptoi Pali me frazën “nuk i përkitni vetvetes” te 1 Korintasve 6:19?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Korintasve 6:20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse trupi ynë nuk na përket neve.

  • Cila frazë tregon se përse trupi ynë nuk na përket neve? (Shpjegoni se “u bletë me një çmim” do të thotë të shëlbehesh ose të blihesh sërish nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

  • Si do ta përmblidhnit një të vërtetë nga vargjet 19–20? (Pasi studentët të përgjigjen, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Për shkak se jemi blerë me një çmim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, trupi ynë nuk na përket neve.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ju lutem, kurrë mos thoni: ‘E kush do të lëndohet? Përse të mos kem pak liri? Mund ta bëj shkeljen tani dhe të pendohem më vonë.’ Ju lutem, mos u bëni kaq të marrë dhe kaq mizorë. Ju nuk mund ta ‘kryqëzo[ni] përsëri [Krishtin]’ pa u ndëshkuar [shih Hebrenjve 6:6]. ‘Largohuni nga kurvëria’, thërret Pali [1 Korintasve 6:18], dhe largohuni ‘nga diçka [e] ngjashme’ [DeB 59:6, theksimi i shtuar] shton Doktrina e Besëlidhje. Përse? Epo, për një arsye, për shkak të vuajtjes së pallogaritshme që u durua nga Shpëtimtari i botës si në trup edhe në shpirt, në mënyrë që ne të mund të largohemi [shih veçanërisht DeB 19:15–20]. Ne i detyrohemi Atij diçka për atë. Në të vërtetë, ne i detyrohemi Atij gjithçka për atë” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).

  • Si duhet të ndikojë të kujtuarit se trupi ynë nuk na përket neve në zgjedhjet që bëjmë lidhur me trupin tonë?

Drejtojini studentët te figura në tabelë e frutit të freskët të rrethuar nga frutat e kalbura.

  • Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e këtyre të vërtetave për trupin tonë të qëndrojmë të pastër kur rrethohemi nga ligësia?

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar. Ftojini studentët të përsiatin mbi nxitjet ose mbresat që mund të kenë marrë gjatë mësimit dhe të veprojnë sipas atyre mbresave.

Njësia Tjetër (1 Korintasve 7–14)

Shpjegojuni studentëve që secilit prej tyre i është dhënë të paktën një dhunti frymërore nga Ati Qiellor. Ftojini ata të studiojnë njësinë tjetër duke kërkuar se cilat janë disa dhunti frymërore që Ati Qiellor u jep fëmijëve të Tij. U thoni atyre se Apostulli Pal dha mësim që edhe sikur të jepte gjithë pasurinë e tij për të ushqyer të varfrit dhe gjithashtu të jepte trupin e tij të digjej, nëse ai nuk do të kishte një dhunti të veçantë frymërore, ai nuk do të ishte asgjë. Ftojini studentët të mendojnë se çfarë dhuntish u janë dhënë atyre.

Shtyp në Letër