Biblioteka
Hyrje te Letra e Palit drejtuar Titit


Hyrje te Letra e Palit drejtuar Titit

Përse të studiohet ky libër?

Letra e Palit drejtuar Titit, sikurse letrat e tij drejtuar Timoteut, përmban këshilla të përhershme nga Apostulli Pal drejtuar një udhëheqësi vendor të Kishës. Pali shkroi se “shpres[a] e jetës së përjetshme” fillimisht u premtua nga Perëndia në jetën paratokësore “para të gjitha kohërave” (Titit 1:2). Ai dha mësim se shenjtorët duhet të presin me padurim për “shpresën e lume” të ekzaltimit dhe të Ardhjes së Dytë (Titit 2:13). Pali i shkroi Titit edhe për “larje[n e] rilindjes” dhe për “ripërtëritj[en e] Frymës së Shenjtë”, duke nënkuptuar ordinancën e pagëzimit dhe ndikimin pastrues të marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, të cilat të dyja janë parapërgatitore për të na “bë[rë] trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:5, 7). Duke i studiuar këshillat e frymëzuara të Palit ndaj Titit, studentët mund ta rritin besimin e tyre që doktrinat dhe ordinancat e ungjillit sjellin shpresë për jetën e përjetshme.

Kush e shkroi këtë libër?

Libri i Titit u shkrua nga Pali (shih Titit 1:1).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Ka të ngjarë që Pali ta ketë shkruar Letrën drejtuar Titit midis [kohës] kur shkroi 1 dhe 2 Timoteut rreth viteve 64–65 ps.K. (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101, scriptures.lds.org). Pali e shkroi Letrën drejtuar Titit pas burgimit të tij të parë në Romë. Pali nuk e tregoi vendndodhjen e tij kur e shkroi Letrën drejtuar Titit.

Për kë u shkrua ai dhe përse?

Kjo letër u shkrua nga Pali drejtuar Titit, të cilit Pali iu referua si “biri [i] vërtetë në besimin e përbashkët” (Titit 1:4). Titi ishte grek (Galatasve 2:3) dhe ishte kthyer në besim në ungjill nga vetë Pali (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Tit(i)”, f. 189). Pas kthimit të tij në besim, Titi bëri punë misionare me Palin për ta përhapur ungjillin dhe për ta organizuar Kishën (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Tit(i)”, f. 189). Ai ndihmoi në mbledhjen e ndihmave për të varfrit në Jerusalem (shih 2 Korintasve 8:6, 16–23) dhe gjithashtu e shoqëroi Palin në këshillin e Jerusalemit (shih Galatasve 2:1). Pali i mirëbesoi Titit që ta çonte në Korint letrën e tij të parë drejtuar shenjtorëve që jetonin atje (shih 2 Korintasve 7:5–15). Pali i shkroi Titit për ta forcuar atë në detyrën e tij për ta udhëhequr dhe për t’u kujdesur për degën e Kishës në Kretë pavarësisht nga kundërshtimet (shih Titit 1:5, 10–11; 2:15; 3:10).

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Kjo letër është një nga letrat apostolike (drejtuar një pastori, ose udhëheqësi, në Kishë), bashkë me 1 dhe 2 Timoteut (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 101). Letra e Titit na jep provën më të hershme se Kisha ishte themeluar në ishullin grek të Kretës, në detin Mesdhe (shih Titit 1:5). Titi kishte përgjegjësi për thirrjen e peshkopëve të rinj në ishull. Pali renditi disa nga cilësimet shpirtërore për peshkopët (shih Titit 1:6–9). Përveç kësaj, Pali u dha këshillë shtesë burrave, grave dhe shërbëtorëve mbi sjelljen e përshtatshme për shenjtorët (shih Titit 2:2–10).

Përmbledhje

Titit 1 Pali e udhëzon Titin t’i shugurojë udhëheqësit e Kishës dhe më pas të renditë disa cilësime për peshkopët. Ai e udhëzon Titin t’i korrigjojë herezitë dhe t’i qortojë mësuesit e rremë, të cilët “poho[nin] se [njihnin] Perëndinë, po me vepra e moho[onin]” (Titit 1:16).

Titit 2 Pali e nxit Titin t’i udhëzojë anëtarët e moshuar të Kishës të vendosnin shembuj për shenjtorët më të rinj. Ai gjithashtu i kërkon Titit t’u mësojë shërbëtorëve që t’u nënshtrohen zotërinjve të tyre. Pali shpjegon mënyrën sipas së cilës duhet të jetojnë dishepujt, ndërkohë që përgatiten për kthimin e Zotit. Ai përshkruan shpagimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit.

Titit 3 Pali jep mësim se anëtarët e Kishës duhet të jenë qytetarë të mirë dhe pasues të drejtë të Jezu Krishtit. Nëpërmjet pagëzimit, ne mund të marrim jetën e përjetshme nëpërmjet hirit të Zotit.

Shtyp në Letër