Mësimi 85
Veprat e Apostujve 4–5
Hyrje
Pasi shëruan një burrë të çalë në tempull (shih Veprat e Apostujve 3), Pjetri dhe Gjoni u arrestuan. Sinedri i urdhëroi që ta ndalonin mësimdhënien në emër të Jezusit. Megjithatë, Apostujt vazhduan të predikonin dhe shëronin në emër të Jezusit. Ata u arrestuan sërish dhe u rrahën ngaqë nuk pranuan të pajtoheshin me urdhrat e udhëheqësve judeas. Anëtarët e Kishës e jetuan ligjin e përkushtimit, por dy prej tyre vdiqën ngaqë e gënjyen Pjetrin dhe Perëndinë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 4:1–31
Anëtarët e sinedrit i urdhërojnë Pjetrin dhe Gjonin që ta ndalojnë mësimdhënien në emër të Jezusit
Kërkojuni studentëve të përsiatin se çfarë do të bënin në situatat vijuese:
-
Një shok ose shoqe vendos diçka jo të vërtetë rreth Kishës në mediat shoqërore.
-
Një trajner organizon një turne sportiv i cili kërkon që skuadra juaj të luajë të dielën.
-
Shokët ose shoqet tuaja kërkojnë mendimin tuaj rreth një çështjeje shoqërore e cila është e njohur dhe e përkrahur përgjithësisht, por që është në kundërshtim me mësimet e Kishës.
Pas një kohe të mjaftueshme, pyetini:
-
Cilat janë disa rrethana të tjera në të cilat mund të na nevojitet ta ndajmë ose mbrojmë besimin tonë?
-
Çfarë mund të jetë sfiduese lidhur me ndarjen ose mbrojtjen e besimit tonë?
Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Veprat e Apostujve 4–5, të kërkojnë të vërteta të cilat mund t’i udhëzojnë në këto lloj situatash.
Ftojini studentët të përmbledhin atë që ju kujtohet rreth ngjarjeve dhe mësimeve të shënuara te Veprat e Apostujve 3. Nëse nevojitet, kujtojini ata që pasi e shëruan burrin e çalë, Pjetri dhe Gjoni i dhanë mësim një grupi njerëzish që ishin mbledhur përreth tyre në tempull.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë i ndodhi Pjetrit dhe Gjonit teksa u jepnin mësim njerëzve në tempull.
-
Çfarë i ndodhi Pjetrit dhe Gjonit?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 4:5–6 duke shpjeguar se Pjetri dhe Gjoni u arrestuan dhe u çuan para këshillit qeverisës të judenjve, të quajtur sinedër (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sinedër”, f.168–169). Kujtojuni studentëve se shumë anëtarë të sinedrit ishin përfshirë në shkaktimin e arrestimit dhe të Kryqëzimit të Shpëtimtarit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar pyetjen që udhëheqësit judeas i bënë Pjetrit dhe Gjonit.
-
Çfarë i pyetën Pjetrin dhe Gjonin udhëheqësit judeas?
-
Çfarë mund t’i ndodhte Pjetrit dhe Gjonit nëse tregonin që ishin pasues të Jezu Krishtit?
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 4:8–21. Ftojini studentët të kërkojnë atë që Pjetri i shpalli këshillit.
-
Sipas Veprave të Apostujve 4:10–12, çfarë të vërtetash i dha Pjetri mësim këshillit? (Studentët mund të përcaktojnë disa të vërteta, por sigurohuni që të theksojnë se emri i Jezu Krishtit është i vetmi emër nëpërmjet të cilit ne mund të marrim shpëtim.)
-
Sipas vargut 13, përse u habit këshilli me Pjetrin dhe Gjonin?
Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Veprat e Apostujve 4:8, duke kërkuar atë që ndikoi te Pjetri dhe e ndihmoi atë t’i fliste me guxim këshillit.
-
Si mendoni ju, në çfarë mënyre të qenit të mbushur me Frymën e Shenjtë ndikoi tek aftësia e Pjetrit për ta dhënë mësim ungjillin me guxim?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Pjetrit siç shënohet te vargjet 8 dhe 13? (Studentët mund të përdorin vetë fjalët e tyre, por sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Ndërsa mbushemi me Frymën e Shenjtë, ne mund ta ndajmë ungjillin me guxim.)
Ftojini studentët të kërkojnë ilustrime shtesë të këtij parimi teksa vazhdojnë të studiojnë Veprat e Apostujve 4–5.
-
Sipas vargut 18, çfarë urdhri i dha këshilli Pjetrit dhe Gjonit?
-
Sipas vargjeve 19–20, si iu përgjigjën Pjetri dhe Gjoni urdhrit të këshillit?
Përmblidhni Veprat e Apostujve 4:23–28 duke shpjeguar se pasi Pjetri dhe Gjoni u liruan, ata u mblodhën me besimtarët e tjerë dhe u lutën me ta.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:29–30 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që besimtarët i kërkuan Perëndisë.
-
Çfarë i kërkuan besimtarët Perëndisë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:31 dhe vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që ndodhi pas lutjes së tyre.
-
Çfarë ndodhi pasi njerëzit u lutën?
-
Nisur nga këto vargje, çfarë mund të bëjmë për ta ftuar Frymën e Shenjtë që të na ndihmojë t’i flasim fjalët e Perëndisë me guxim?
Drejtojuni disa prej situatave të përmendura në fillim të mësimit.
-
Në çfarë mënyrash mund të jemi të guximshëm në ndarjen e ungjillin në situata si këto?
-
Si mund ta ndajmë dhe mbrojmë me guxim ungjillin me të tjerët, ndërkohë që ende tregojmë respekt dhe qytetari?
-
Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë ta flisni fjalën e Perëndisë me guxim?
Veprat e Apostujve 4:32–5:11
Anëtarët e Kishës e jetojnë ligjin e përkushtimit, por Anania dhe Safira e gënjejnë Pjetrin
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh situatat vijuese:
-
Një grup rinie po planifikon të bëjë pagëzime për të vdekurit në tempull. Një anëtare e grupit e di që ajo ka nevojë të takohet me peshkopin për një rekomandim, por gjithashtu e di se ajo ka kryer disa mëkate që nuk janë rrëfyer.
-
Një i ri po përgatitet për mision. Ai e di se peshkopi do të bëjë pyetje rreth denjësisë së tij për të shërbyer në një mision. Ai po përpiqet të gjejë mënyra për t’iu përgjigjur atyre pyetjeve pa iu dashur t’i tregojë peshkopit rreth disa prej gabimeve që ka bërë.
Ftojini studentët që teksa studiojnë Veprat e Apostujve 4:32–5:11 të kërkojnë një parim që mund t’i ndihmojë ta kuptojnë rëndësinë e të qenit të ndershëm me shërbëtorët e Perëndisë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 4:32–35. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që anëtarët e Kishës bënë me zotërimet e tyre.
-
Çfarë bënë anëtarët e Kishës me zotërimet e tyre?
-
Sipas vargjeve 34–35, cili ishte procesi i tyre për ndarjen e zotërimeve të tyre materiale?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 5:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që bëri një çift i martuar, të quajtur Anania dhe Safira, me paratë që i morën nga shitja e tokës.
-
Çfarë bënë Anania dhe Safira që ishte kaq e rëndë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 5:3–4 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që i tha Pjetri Ananias.
-
Sipas vargut 4, cilin kishte gënjyer Anania në fund të fundit?
-
Nga përgjigjja e Pjetrit, çfarë parimi mund të mësojmë rreth të gënjyerit të shërbëtorëve të Zotit? (Studentët mund të përdorin vetë fjalët e tyre për të përcaktuar parimin vijues: Nëse i gënjejmë shërbëtorët e Perëndisë, është njësoj sikur ta gënjejmë Atë.)
-
Si mendoni ju, përse të gënjyerit e shërbëtorëve të Perëndisë, është njësoj sikur ta gënjenim Atë?
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 5:5–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që i ndodhi Ananias dhe Safirës si pasojë e shkeljes së besëlidhjes dhe të gënjyerit të Pjetrit.
-
Çfarë u ndodhi Ananias dhe Safirës?
-
Edhe pse ne ose ata që i njohim mund të mos përjetojmë pasoja kaq të rënda apo të menjëhershme nga të gënjyerit, cilat janë disa pasoja që mund t’i përjetojmë, në qoftë se e gënjejmë Zotin ose i shkelim besëlidhjet tona?
Ftojeni një student të lexojë zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për disa nga pasojat e pandershmërisë:
“Në kohën tonë, ata që gjenden në pandershmëri nuk vdesin siç vdiqën Anania dhe Safira, por diçka brenda tyre vdes. Ndërgjegjja mbytet, karakteri vyshket, respekti për veten venitet, integriteti moral vdes” (“We Believe in Being Honest”, Ensign, tetor 1990, f. 4).
-
Sipas Presidentit Hinkli, cilat janë disa pasoja të të gënjyerit? Drejtojuni situatave në fillim të kësaj pjese të mësimit.
-
Çfarë kanë nevojë të dinë individët në këto situata rreth asaj që na ndodh, në qoftë se e gënjejmë një udhëheqës të priftërisë?
-
Çfarë bekimesh vijnë nga të qenit të ndershëm me shërbëtorët e Zotit?
Veprat e Apostujve 5:12–42
Apostujt futen në burg ngaqë shëronin në emrin e Jezu Krishtit
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se po jetojnë në kohën e Pjetrit dhe të Gjonit dhe janë gazetarë për një gazetë. Shpjegoni se ata do të ftohen të studiojnë pjesë të Veprave të Apostujve 5:12–32 dhe më pas të shkruajnë një titull artikulli gazete që përmbledh atë që ndodhi. (Për të siguruar kontekst për këto fragmente, kujtojuni studentëve që sinedri i kishte urdhëruar Pjetrin dhe Gjonin që të mos flisnin më në emrin e Jezu Krishtit.) Ndiqni udhëzimet e dhëna me secilin grup vargjesh.
-
Veprat e Apostujve 5:12–16 (Lexojeni këtë fragment si klasë dhe shkruani një titull artikulli së bashku.)
-
Veprat e Apostujve 5:17–23 (Kërkojuni studentëve ta lexojnë këtë fragment me një partner dhe të shkruajnë një titull artikulli. Ftojini disa dyshe t’ua tregojnë titujt e tyre klasës.)
-
Veprat e Apostujve 5:24–32 (Kërkojuni studentëve të lexojnë në mënyrë individuale dhe të shkruajnë një titull artikulli. Ftojini disa studentë t’ua tregojnë titujt e tyre klasës.)
Pasi studentët t’i thonë titujt e tyre, pyetini:
-
Sipas vargut 29, përse Pjetri dhe Apostujt e tjerë thanë që ata kishin vazhduar të predikonin në emrin e Jezusit pavarësisht nga urdhri i dhënë nga këshilli?
Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse zgjedhim që t’i bindemi Perëndisë në vend të njerëzve, atëherë …
-
Nga ajo që keni lexuar te Veprat e Apostujve 4–5, cilat janë disa mënyra se si mund ta plotësojmë këtë thënie? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, plotësoni thënien në tabelë si vijon: Nëse zgjedhim që t’i bindemi Perëndisë në vend të njerëzve, atëherë Ai do të jetë me ne.)
-
Në çfarë mënyrash ishte Perëndia me Pjetrin dhe Apostujt e tjerë kur ata iu bindën Atij, në vend që t’i bindeshin këshillit? (Perëndia i mbushi me Frymën e Shenjtë [shih Veprat e Apostujve 4:8, 31], i bëri të aftë të kryenin mrekulli [shih Veprat e Apostujve 5:12–16] dhe dërgoi engjëllin e Tij për t’i çliruar nga burgu [shih Veprat e Apostujve 5:17–20].)
-
Kur keni zgjedhur ju apo dikush që e njihni t’i bindeni Perëndisë, në vend që t’u bindeni njerëzve? Si e tregoi Perëndia që Ai ishte me ju ose me këtë njeri?
Kërkojuni disa studentëve të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Veprat e Apostujve 5:33–42. Ftojeni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar shembuj shtesë të mënyrës se si Zoti ishte me Pjetrin dhe Apostujt e tjerë.
Vini në dukje se ne lexojmë te Veprat e Apostujve 5:33 që këshilli kërkoi t’i vriste Pjetrin dhe Gjonin.
-
Sipas vargjeve 41–42, si mbetën Apostujt besnikë ndaj Zotit përballë këtij kërcënimi? Si ishte Zoti me ta në këtë rast?
-
Si mund të na ndihmojnë të vërtetat që i kemi përcaktuar në këtë mësim, ndërkohë që e jetojmë ungjillin dhe e ndajmë atë me njerëzit që janë përreth nesh?
Jepni dëshminë tuaj për të vërtetat e dhëna mësim sot.