Mësimi i Studimit në Shtëpi
2 Pjetër – Judë (Njësia 30)
Hyrje
Apostulli Pjetër i nxiti shenjtorët të rriteshin në njohurinë e tyre për Jezu Krishtin duke synuar që të bëheshin si Ai. Ai i siguroi ata se kjo rritje shpirtërore mund t’i ndihmonte ata ta përforconin “thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10).
Sugjerime për Mësimdhënien
2 Pjetër 1:1–11
Pjetri jep mësim se si të bëjmë pjesë në natyrën hyjnore të Jezu Krishtit
Shënim: Gjatë diskutimit të parimeve dhe fragmenteve të shkrimit të shenjtë vijues, kini kujdes që të mos diskutoni tema të lidhura me ordinancat dhe doktrinat e tempullit.
Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajeni thënien vijuese në tabelë (nga “The Will Within”, Ensign, maj 1987, f. 68):
Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të lexojnë thënien në tabelë dhe të diskutojnë pyetjet në vijim me partnerët e tyre:
Si mendoni ju, çfarë nënkuptoi Presidenti Monson [kur tha] që të bëhemi “vetja jonë më e mirë”?
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të bëhemi vetja jonë më e mirë?
Çfarë mund të na pengojë që të mos bëhemi vetja jonë më e mirë?
Ftojini studentët që, ndërsa studiojnë 2 Pjetrin 1, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i ndihmojë të dinë se si mund të bëhen vetja e tyre më e mirë.
Përmblidheni 2 Pjetrin 1:1–2 duke shpjeguar se Pjetri u shkroi anëtarëve të Kishës, të cilët kishin fituar besim në Jezu Krisht por që mund të kenë qenë tunduar për t’iu kthyer sjelljeve mëkatare të botës.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pjetri dha mësim për t’i ndihmuar shenjtorët të qëndronin të vërtetë ndaj dëshmive të tyre për Shpëtimtarin.
Sipas këtyre vargjeve, çfarë u mësoi Pjetri shenjtorëve?
Ç’do të thotë të “bëhe[mi] pjestarë të natyrës hyjnore”? (2 Pjetër 1:4).
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Pjetrin 1:5–7, duke kërkuar cilësitë e Jezu Krishtit që Pjetri i ftoi shenjtorët të zhvillonin. Më pas, kërkojuni studentëve të renditin në tabelë cilësitë që gjejnë. Merrni parasysh t’i ftoni studentët që të gjejnë në fjalor përkufizimet e ndonjërës prej këtyre cilësive që do të donin ta kuptonin më mirë.
Ftojini studentët të mendojnë rreth shembujve se në ç’rast e tregoi Shpëtimtari njërën prej këtyre cilësive hyjnore. Kërkojuni disa studentëve t’ia raportojnë mendimet e tyre klasës.
Shkruajeni në tabelë parimin e paplotë vijues: Kur ne zhvillojmë cilësi hyjnore brenda vetes, ne mund të …
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një bekim që mund ta marrim kur zhvillojmë cilësitë hyjnore të Shpëtimtarit.
Çfarë bekimi mund të marrin kur zhvillojmë cilësi hyjnore? (Pasi studentët të përgjigjen, plotësojeni thënien në tabelë që të jetë si vijon: Kur ne zhvillojmë cilësi hyjnore brenda vetes, ne mund të arrijmë ta njohim Jezu Krishtin.)
Si mendoni ju, përse zhvillimi i cilësive hyjnore na ndihmon të arrijmë ta njohim Jezu Krishtin?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Pjetrin 1:10–11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një bekim tjetër që mund t’u vijë atyre që janë të zellshëm në zhvillimin e cilësive hyjnore.
Çfarë bekimi mund t’u vijë atyre që janë të zellshëm në zhvillimin e cilësive hyjnore të Jezu Krishtit? (Shpjegoni se fraza “ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj” [vargu 10] do të thotë të marrësh në këtë jetë sigurinë e Perëndisë se ju do të fitoni jetën e përjetshme. Pjetri iu referua kësaj me frazën “më të vërtetuar fjalën profetike” [2 Pjetër 1:19]. Shih edhe DeB 131:5.)
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth arsyes përse duhet të jemi të zellshëm në zhvillimin e potencialit tonë hyjnor? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata ta përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi të zellshëm në zhvillimin e potencialit tonë hyjnor ndërkohë që jemi në këtë jetë, ne mund të marrim sigurinë e Perëndisë për jetën e përjetshme. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Ftojini studentët të mendojnë për njerëzit që njohin, të cilët janë përpjekur me zell të zhvillojnë cilësi si të Krishtit.
Cilat cilësi si të Krishtit kanë zhvilluar njerëzit për të cilët menduat?
Në çfarë mënyrash i kanë ndihmuar përpjekjet dhe cilësitë e tyre ata dhe të tjerët përreth tyre?
Ju mund të doni të ndani dëshminë tuaj se zhvillimi i cilësive hyjnore na ndihmon ta njohim Jezu Krishtin dhe na përgatit për të marrë jetën e përjetshme.
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoren e tyre të klasës apo ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta, njërën nga cilësitë hyjnore që do të duan ta zhvillojnë më shumë. Ftojini ata të shkruajnë një veprim specifik që mund ta ndërmarrin për ta zhvilluar atë cilësi.
Njësia Tjetër (Zbulesa 1–11)
Pyetini studentët nëse kanë dëgjuar ndonjëherë për Apokalipsin. Shpjegoni se libri i Zbulesës shpesh është referuar si Apokalipsi, që në greqisht do të thotë “heqje e velit”. Në librin e Zbulesës, Apostulli Gjon përshkroi një vegim që pati, i cili përfshin shumë profeci për ditët tona dhe ngjarje të ardhshme, përfshirë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe fundin e tokës. Shumica e vegimit të Gjonit përfshin simbole. Ftojini studentët të vërejnë për simbolet që tregojnë fitoren përfundimtare të së mirës që mund të ligën, ndërsa studiojnë librin e Zbulesës.