Mësimi 82
Veprat e Apostujve 1:9–26
Hyrje
Pasi i udhëzoi dishepujt e Tij për 40 ditë, Jezu Krishti u ngrit në qiell. Apostujt dhe njerëz të tjerë u bashkuan në lutje dhe përgjërim. Me anë të frymëzimit, Matia u thirr për të zënë vendin e lënë bosh në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nga tradhtia dhe vdekja e Judë Iskariotit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Veprat e Apostujve 1:9–12
Shpëtimtari ngrihet në qiell
Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: E Vërtetë apo E Rreme?
Lexoni me zë të lartë thëniet vijuese rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Ftojini studentët të tregojnë nëse thëniet janë të vërteta apo të rreme. (Shënim: Në këtë pikë të mësimit, studentët nuk kanë nevojë ta dinë përgjigjen e secilës pyetje apo të harxhojnë shumë kohë duke i diskutuar përgjigjet e tyre.)
Jezu Krishti do të kthehet në tokë në ditët e mëvonshme.
Në Ardhjen e Tij të Dytë, Jezu Krishti do t’iu shfaqet vetëm njerëzve të drejtë.
Ngaqë Jezu Krishti do të jetë i maskuar kur të vijë përsëri, shumica e njerëzve nuk do ta kuptojnë se Ardhja e Dytë ka ndodhur.
Ju mund të doni të shqyrtoni shkurtimisht përgjigjen për secilën thënie: 1) E vërtetë (shih Moisiu 7:60); 2) E rreme (shih Joseph Smith – Mateu 1:26; DeB 101:23); 3) E rreme (shih DeB 49:22–23).
Shpjegoni se gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti profetizoi se në ditët e fundit disa njerëz do të nxitin mësime të rreme rreth Ardhjes së Tij të Dytë (shih Joseph Smith – Mateu 1:22–25).
Si mund ta dimë nëse një mësim i veçantë rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit është i vërtetë apo i rremë? (Nëse ua vëmë veshin fjalëve të Shpëtimtarit dhe fjalëve të profetëve të Tij, ne mund ta shmangim të qenit të mashtruar [shih Joseph Smith – Mateu 1:37].)
Ftojini studentët teksa vazhdojnë të studiojnë Veprat e Apostujve 1 të kërkojnë një të vërtetë të rëndësishme lidhur me Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
Kujtojuni studentëve që Shpëtimtari i udhëzoi dishepujt e Tij për 40 ditë pas Ringjalljes së Tij (shih Veprat e Apostujve 1:3). Paraqitni figurën Ngritja në Qiell (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 62; shih edhe LDS.org).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Veprat e Apostujve 1:9–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi pasi Shpëtimtari e mbaroi udhëzimin e Apostujve të Tij.
Çfarë ndodhi pasi Shpëtimtari mbaroi së udhëzuari Apostujt e Tij?
Nëse do ta kishit parë Shpëtimtarin të ngrihej në qiell, çfarë mendimesh dhe ndjenjash mendoni se mund të kishit pasur?
Shpjegoni se në Izraelin e lashtë nganjëherë një re shërbente si një paraqitje e dukshme e pranisë dhe lavdisë së Perëndisë (shih Eksodi 40:34). Reja e përmendur te Veprat e Apostujve 1:9 ishte një re lavdie (shih Bible Dictionary, “Cloud” [“Re”]) dhe dy burrat e përmendur në vargun 10 ishin engjëj.
Çfarë u thanë engjëjt Apostujve?
Çfarë mendoni se do të thotë që Jezusi do të vijë përsëri “në të njëjtën mënyrë” (Veprat e Apostujve 1:11) sikurse Ai u ngrit në qiell? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Në Ardhjen e Tij të Dytë, Shpëtimtari do të zbresë nga qielli me lavdi.)
Vini në dukje që Ngritja e Shpëtimtarit në Qiell ndodhi në Malin e Ullinjve (shih vargu 12). Shpjegoni se kur Shpëtimtari të vijë përsëri, një prej shfaqjeve të Tij do të jetë kur Ai do të zbresë dhe me të vërtetë do të qëndrojë në Malin e Ullinjve (shih Zakaria 14:4; DeB 45:47–53; DeB 133:19–20). Kjo do të jetë përpara shfaqjes së Tij të madhe dhe të madhërishme për botën (shih Isaia 40:5).
Si mund të na ndihmojë njohja e mënyrës në të cilën Shpëtimtari do të kthehet që ta shmangim qenien të mashtruar teksa presim Ardhjen e Tij të Dytë?
Veprat e Apostujve 1:13–26
Matia zgjidhet për të zënë vendin e lënë bosh në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve
Shpjegoni se pasi Apostujt u kthyen në Jerusalem, ata u mblodhën me disa burra e gra besnike, përfshirë Marinë, nënën e Jezusit, për t’u lutur dhe për të adhuruar. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Veprat e Apostujve 1:13 dhe numërojini Apostujt e renditur. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Përse kishte vetëm 11 Apostuj në atë kohë? (Judë Iskarioti e kishte tradhtuar Jezu Krishtin dhe më pas i dha fund jetës së tij [shih Mateu 27:3–5].)
Përmblidhni Veprat e Apostujve 1:15–20 duke shpjeguar se Pjetri qëndroi përpara 120 dishepujve dhe kujtoi vdekjen e Judë Iskariotit. Ngaqë Juda kishte qenë njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve, dishepujt u mblodhën që të zgjidhnin një Apostull të ri.
Ftojini studentët të përshkruajnë mënyrat e ndryshme në të cilat zgjidhen disa prej udhëheqësve vijues: një kapiten skuadre, një udhëheqës vendor i qeverisë, një mbret apo mbretëreshë dhe një president i një kompanie.
Cilat mund të jenë disa nga kualifikimet për këto pozita udhëheqëse?
Tregojuni studentëve një fotografi ose disa fotografi të tanishme të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe dëshmoni që secili nga këta burra është një Apostull i Jezu Krishtit. Kërkojuni studentëve të marrin parasysh mënyrën se si zgjidhet një Apostull i Jezu Krishtit dhe çfarë e kualifikon dikë që të shërbejë si Apostull.
Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të lexojnë me zë të lartë Veprat e Apostujve 1:21–26 me partnerët e tyre dhe të kërkojnë mënyrën se si një Apostull i ri u zgjodh pas vdekjes së Judë Iskariotit.
Çfarë do të thotë që ata “hodhën short”? (vargu 26.)
Mund të nevojitet të shpjegoni se në lashtësi hedhja e shortit ishte një mënyrë besnike e marrjes së një vendimi që tregonte mirëbesim në Perëndinë që po e drejtonte përfundimin (shih Veprat e Apostujve 1:26; shih edhe Fjalët e Urta 16:33). “Nëse hidhnin short, ishte një rast në të cilin Zoti e zgjidhte rezultatin. Megjithatë, ka më shumë mundësi, ‘ata i dhanë votat e tyre’, duke nënkuptuar ‘votat mbështetëse’ për ta mbrojtur atë të cilin Perëndia e kishte zgjedhur të shërbente në apostullimin e shenjtë” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:32).
Sipas vargjeve 21–22, çfarë kualifikimesh tha Pjetri se duhet të ketë Apostulli i ri? (Ai duhet të jetë një pasues i Jezu Krishtit i cili ishte gjithashtu një dëshmitar i shërbesës dhe Ringjalljes së Tij.)
Çfarë ju bie në sy rreth lutjes së Apostujve, të shënuar te vargjet 24–25?
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 24 rreth mënyrës se si thirret një Apostull i Jezu Krishtit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të theksoni se Apostujt e Jezu Krishtit thirren nga Perëndia nëpërmjet zbulesës. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë dhe ftojini studentët të marrin parasysh ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargut 24.)
Përse mendoni se është e rëndësishme që një Apostull të thirret nga Perëndia nëpërmjet zbulesës, në vend që të përzgjidhet në një mënyrë të ngjashme me udhëheqës të tjerë në botë?
Për të ilustruar se si një Apostull bashkëkohor thirret nga Perëndia nëpërmjet zbulesës, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë tregimin vijues nga jeta e Presidentit Hiber J. Grant:
“Presidenti [Hiber J.] Grant mori zbulesa si Presidenti i Kishës për ta udhëhequr Kishën si një të tërë. Një zbulesë e tillë erdhi pikërisht pasi ai u veçua si President i Kishës, kur kërkoi vullnetin e Zotit në caktimin e një anëtari të ri të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Teksa e përsiati këtë përgjegjësi, mendimet e tij u kthyen në mënyrë të përsëritur drejt mikut të tij për të gjithë jetën, Riçard W. Jangut, një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme dhe një udhëheqësi të provuar. Presidenti Grant e diskutoi këtë mundësi me këshilltarët e tij, të cilët e përkrahën vendimin e tij. Kur më së fundi ai u ndie vetëbesues me këtë rrjedhë të veprimit, e shkroi emrin e mikut të tij në një fletë letre dhe e mori letrën me vete në mbledhjen javore në tempull me Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Megjithatë, kur ishte gati ta paraqiste emrin për miratim nga Vëllezërit e tij, ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë. Në vend që të paraqiste emrin e Riçard W. Jangut, ai paraqiti emrin e Melvin J. Ballardit, një burri të cilin e njihte fare pak. Presidenti Grant më pas tregoi ndikimin që pati kjo përvojë tek ai:
‘E kam ndier frymëzimin e Perëndisë së gjallë duke më drejtuar në punët e mia. Që nga dita kur zgjodha një burrë pothuajse të panjohur që të ishte njëri nga Apostujt, në vend të mikut tim të njohur gjatë gjithë jetës dhe mikut tim më të dashur që jetonte, unë e kam ditur, sikurse e di që jetoj, se më është dhënë drita, frymëzimi dhe udhërrëfimi i Perëndisë në drejtimin e veprës së Tij këtu në këtë tokë’” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 181–182).
Si ilustrohet e vërteta e dhënë mësim te Veprat e Apostujve 1:24 në këtë rrëfim duke përshkruar thirrjen e një Apostulli të ditëve bashkëkohore?
Si tregon thirrja e një Apostulli që Shpëtimtari vazhdon ta drejtojë Kishën e Tij? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve të vërtetën e dhënë mësim te Veprat e Apostujve 1:2 – se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij duke ua zbuluar vullnetin e Tij Apostujve të Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)
Drejtojuni fotografisë ose fotografive që i paraqitët më parë të Apostujve të gjallë. Ju mund të doni të përdorni një çast për t’i ndihmuar studentët të mësojnë ose përsëritin emrat e tyre.
Shkruajini në tabelë pyetjet vijuese:
Ftojini studentët të shkruajnë një përgjigje për njërën prej pyetjeve në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Ftojini disa studentë që t’ua tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Mbylleni duke dëshmuar për të vërtetat që studentët i përcaktuan te Veprat e Apostujve 1:9–26.
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë
Për t’i ndihmuar studentët të shqyrtojnë 10 fragmentet e para të zotërimit të shkrimit të shenjtë, shkruani në tabelë referencat vijuese dhe fjalët kyçe që u përgjigjen atyre (nëse parapëlqeni, ju mund t’iu siguroni studentëve kopje të figurës):
Ashtu le të shndritë drita juaj. | Një trup i ringjallur ka mish dhe eshtra. | ||
Ejani tek unë. | I lindur nga uji dhe nga Fryma. | ||
Çelësat e mbretërisë. | Udha, e vërteta dhe jeta. | ||
Duaje Zotin; duaje të afërmin tënd. | Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. | ||
Jepuni mësim të gjitha kombeve dhe pagëzojini ato. | Jeta e përjetshme është të njohim Perëndinë dhe Jezu Krishtin. |
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë me partnerët e tyre fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë të shkruara në tabelë. Ju mund të sugjeroni që një partner të lexojë me zë të lartë fjalët kyçe nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë dhe partneri tjetër të emërtojë referencën që u përgjigjet atyre. Ftojini studentët të këmbejnë rolet derisa t’i kenë shqyrtuar që të 10 fragmentet.
Nëse koha e lejon, merrni parasysh t’u jepni studentëve një test me alternativa. Jepuni studentëve fletë letre që përfshijnë fjalë kyçe për secilin fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë të pasuara nga një vijë bosh. Ftojini studentët të shkruajnë në vijën bosh referencën që u përgjigjet fjalëve. Pas një kohe të mjaftueshme, rishikojeni testin me alternativa.