Biblioteka
Mësimi 117: 2 Korintasve 10–13


Mësimi 117

2 Korintasve 10–13

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim rreth luftës shpirtërore ku fëmijët e Perëndisë janë të përfshirë. Ai e mbrojti veten e tij ndaj atyre që e kundërshtonin atë. Ai ritregoi se si u rrëmbye në të tretin qiell dhe përshkroi se si dobësia e tij doli që ishte një bekim. Përpara se ta përfundonte letrën e tij, Pali i këshilloi shenjtorët në Korint që ta shqyrtonin veten e tyre dhe ta provonin besnikërinë e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Korintasve 10–11

Pali shkruan rreth luftës shpirtërore, mashtrimeve të Satanit dhe vetë mundimeve të tij

Shkruajeni fjalën luftë në tabelë.

  • Në çfarë mënyrash jemi të përfshirë në luftë kundër Satanit?

  • Cilat janë disa nga betejat më të vështira që ne hasim në këtë luftë shpirtërore?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 10:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Pali se duhet të bëjmë për të qenë të suksesshëm në këtë luftë kundër Satanit.

  • Çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi të suksesshëm në këtë luftë kundër Satanit?

  • Çfarë mendoni se do të thotë “t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit”? (vargu 5).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 5 rreth mënyrës se si të jemi të suksesshëm në luftën kundër Satanit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Kur ne t’i kontrollojmë mendimet tona për t’iu bindur Jezu Krishtit, ne do të jemi më të suksesshëm në luftën kundër Satanit.)

  • Çfarë mund të bëjmë ne për t’i kontrolluar mendimet tona? (Midis gjërave të tjera, ne mund të lutemi, t’i mësojmë përmendsh shkrimet e shenjta dhe t’i këndojmë apo mësojmë përmendsh himnet.)

Ju mund të doni të tregoni një përvojë që ilustron mënyrën se si kontrollimi i mendimeve tuaja për t’iu bindur Shpëtimtarit ju ka ndihmuar që ta mposhtni ndikimin e Satanit. Merreni parasysh që t’i ftoni edhe studentët për të treguar përvojat e tyre. Ftojini studentët të vendosin një synim që t’i kontrollojnë më mirë mendimet e tyre për t’iu bindur Shpëtimtarit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese:

Te 2 Korintasve 10:7–18 ne mësojmë se Pali u lëvdua në Zotin dhe dha mësim se vetë dobësitë e tij nuk duhej të përdoreshin për të shfajësuar faktin që të mos ia vinin veshin atij. Te 2 Korintasve 11 ne lexojmë që Pali përmendi mënyra të tjera se si Satani kërkon t’i prishë mendimet tona dhe të na largojë nga Jezu Krishti, duke përfshirë përdorimin e Krishtërve të rremë dhe të apostujve të rremë. Pali ritregoi vuajtjen që kishte duruar si një Apostull i vërtetë i Shpëtimtarit.

2 Korintasve 12

Pali rrëfen se u rrëmbye në qiell dhe jep mësim se si pranimi i dobësive tona mund të jetë i dobishëm për ne

Sillni një gjemb në klasë ose vizatoni një figurë të tillë në tabelë, të ngjashme me atë që tregohet. Ftojini studentët të marrin në shqyrtim raste kur ata janë shpuar nga gjembat.

Pamja
degë me gjemba
  • Në çfarë mënyrash gjembat mund ta bëjnë jetën të vështirë?

Shpjegoni se Pali përdori konceptin e një gjembi për të simbolizuar një sprovë ose dobësi që ai po përjetonte.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë dhe të marrë në shqyrtim llojet e sprovave apo të dobësive që ata ose njerëzit e tyre të dashur kanë përjetuar:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Disa kanë humbur një njeri të dashur prej vdekjes ose kujdesen për dikë që është i paaftë. Disa janë lënduar nga divorci. … Të tjerë kanë gjymtime fizike ose çrregullime mendore. Disa sfidohen prej tërheqjes nga e njëjta gjini. Disa kanë ndjenja të tmerrshme depresioni ose mospërshtatjeje. Në një mënyrë ose tjetër, shumë njerëz janë të rënduar” (“Ai e Shëron të Rënduarin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 6; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 6).

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 12, të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë ata teksa përjetojnë sprova dhe dobësi.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 12:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar vegimin që pati Pali. (Shpjegoni se këto vargje i referohen Palit në vetën e tretë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Pali “u rrëmbye gjer në të tretin qiell”? (vargu 2). (Ai pati një vegim të mbretërisë çelestiale.)

Shpjegoni se fraza “a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di” (vargu 2) do të thotë se Pali nuk e dinte nëse ai ishte çuar në mbretërinë çelestiale apo kishte parë një vegim të saj.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 12:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Pali ndaj këtij vegimi.

  • Si reagoi Pali ndaj këtij vegimi?

  • Për çfarë shqetësohej Pali se mund të ndodhte nëse ai krenohej për veten e tij? (Pali shqetësohej se të tjerët mund të kishin një mendim shumë të mirë për të kur ai ende kishte vështirësi tokësore për të mposhtur.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 12:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e ndihmoi Palin që të qëndronte i përulur. Ju mund të doni të shpjegoni se “që të … më rritet mendja” (vargu 7) do të thotë të jesh krenar.

  • Si e ndihmoi Zoti Palin që të qëndronte i përulur?

  • Sa herë u lut Pali që t’i hiqej “gjëmb[i] në mish”?

Vini në dukje se pavarësisht nga lutjet e Palit, me sa duket Zoti zgjodhi të mos ia hiqte Palit “gjemb[in] në mish”.

  • Çfarë mund të mësojmë nga Pali rreth arsyes përse Zoti mund të na lejojë të përjetojmë dobësi dhe sprova? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti mund të na lejojë që të përjetojmë dobësi dhe sprova, në mënyrë që ne të mund të mësojmë të jemi të përulur. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Korintasve 12:9–10 dhe të kërkojnë të vërtetat që mësoi Pali, të cilat e ndihmuan për t’i duruar dobësitë e tij. Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta të vërtetat që ata përcaktojnë.

  • Çfarë të vërtetash mësoi Pali që e ndihmuan t’i duronte dobësitë e tij? (Studentët mund të përcaktojnë disa të vërteta, të tilla si më poshtë: Hiri i Jezu Krishtit është i mjaftueshëm për të na forcuar në dobësitë tona. Zoti nuk i largon gjithmonë sfidat tona, por Ai do të na forcojë ndërsa i durojmë ato besnikërisht.)

Kujtojuni studentëve se hir është “një ndihmë ose forcë e tillë hyjnore” e bërë e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”).

  • Çfarë do të thotë që hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të na forcuar në dobësitë tona? (Nëpërmjet forcës që marrim nga Shpëtimtari, ne mund të bëjmë gjithçka që Ai na kërkon të bëjmë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Fuqia shëruese e Zotit Jezu Krisht – qoftë kur na i heq barrët ose kur na forcon që t’i durojmë ato dhe të jetojmë me to sikurse Apostulli Pal – është në dispozicion për çdo vuajtje në vdekshmëri” ( “Ai e Shëron të Rënduarin”, f. 8).

  • Si mund të na ndihmojnë të vërtetat e përcaktuara te vargjet 9–10 ndërsa përjetojmë dobësi dhe sprova?

  • Kur jeni forcuar nga Shpëtimtari ju apo dikush që ju njihni? (Kujtojuni studentëve që të mos tregojnë diçka që është tepër personale apo vetjake). Si ka qenë ajo përvojë një bekim për ju ose ata?

2 Korintasve 13

Pali i këshillon shenjtorët që ta analizojnë vetveten dhe ta provojnë besnikërinë e tyre

Kujtojuni studentëve se midis shenjtorëve korintas kishte mësues të rremë, të cilët e sfiduan Palin dhe autoritetin e tij si Apostull.

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si njerëzit sot mund t’i sfidojnë ata që thirren në pozicione udhëheqëse në Kishë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 13:3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë prove po kërkonin disa anëtarë të Kishës në Korint.

  • Çfarë prove po kërkonin disa anëtarë të Kishës në Korint?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 13:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi shenjtorët korintas të bënin në vend që të vinin në pikëpyetje nëse Zoti fliste përmes tij si një Apostull. Shpjegoni që i përjashtuar është një person i degjeneruar ose i pamoralshëm.

  • Sipas vargut 5, çfarë i këshilloi Pali shenjtorët korintas të bënin? (Ju mund të doni t’i nxitni studentët që t’i shenjojnë foljet analizoj, provoj, dhe njoh në këtë varg.)

  • Çfarë tha Pali se këta shenjtorë kishin nevojë të analizonin tek vetja e tyre? (Shpjegoni se që të “je[sh] në besim” [vargu 5] do të thotë të jesh besnik ndaj Kishës së Zotit.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që duhet të bëjmë në vend që t’i kritikojmë udhëheqësit e Kishës? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Në vend që t’i kritikojmë udhëheqësit e Kishës, anëtarët e Kishës duhet të analizojnë vetë besnikërinë e tyre.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“[Nëse një] njeri ngrihet për të dënuar të tjerët, … gjen të meta tek Kisha, duke thënë se ata po ndjekin rrugë të gabuar, ndërsa ai vetë është i drejtë, atëherë ta dini me siguri, se ai njeri po ecën me shpejtësi në rrugën drejt braktisjes; dhe nëse nuk pendohet, do të bjerë në braktisje, ashtu si Perëndia jeton” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 339).

  • Çfarë do të ndodhë nëse i kritikojmë udhëheqësit tanë në vend që të analizojmë vetë besnikërinë tonë?

Për t’i ndihmuar studentët të analizojnë besnikërinë e tyre dhe qëndrimin e vet ndaj udhëheqësve të tyre të Kishës, jepuni atyre kopje të pyetjeve vijuese. Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme për të lexuar e për t’iu përgjigjur pyetjeve në heshtje.

Pamja
fletushkë

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 117

  1. Në një shkallë nga 1 deri në 10 (10-ta është shkëlqyeshëm), sa shumë e ndiqni këshillën e udhëheqësve të Kishës?

  2. Cili është një standard që është dhënë mësim nga profetët dhe apostujt, që ju mund ta ndiqni më besnikërisht?

  3. Në një shkallë nga 1 deri në 10 (10-ta është çdo mundësi që keni), sa shpesh shprehni mirënjohje për udhëheqësit tuaj të Kishës, ose personalisht ose në lutje?

  4. Çfarë mund të bëni për të treguar më shumë vlerësim për sakrificën dhe përpjekjet që bëjnë udhëheqësit tuaj në emrin tuaj?

Pas një kohe të mjaftueshme, bëni pyetjen:

  • Çfarë bekimesh mund të vijnë kur bëjmë rregullisht një vetëanalizë shpirtërore të tillë si kjo?

Përmblidheni 2 Korintasve 13:7–14, duke shpjeguar se Pali i këshilloi shenjtorët që ta shmangnin të keqen dhe të përpiqeshin për përsosurinë.

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar në këtë mësim. Ftojini studentët që të shkruajnë një synim të veçantë për mënyrën se si do ta zbatojnë njërën prej këtyre të vërtetave në jetën e tyre.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Të kuptuarit e studentëve për fragmentet e shkrimit të shenjtë do të rritet kur të krijojnë vetë pyetjet e tyre për ato fragmente. Ndajeni klasën në dy (ose më shumë) grupe. Ftojini grupet të shkruajnë të dhëna që çojnë te fragmente të caktuara të zotërimit të shkrimit të shenjtë. (Ju mund të dëshironi të përzgjidhni një grup fragmentesh, të cilat ju do të doni që studentët t’i mësojnë ose t’i përsëritin.) Nxitini studentët që të mos i japin të dhënat shumë sfiduese. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini grupet që t’i lexojnë me radhë, me zë të lartë të dhënat e tyre për të parë nëse grupi tjetër mund ta gjejë fragmentin e saktë.

Shënim: Nëse nuk keni kohë për ta përdorur këtë veprimtari si pjesë të këtij mësimi, ju mund ta përdorni një ditë tjetër. (Mësimi vijues është thuajse i shkurtër. Ju mund të keni kohë ta përdorni atëherë këtë veprimtari.) Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Korintasve 12:4. “Që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri”

Ashtu si Pali, i cili “dëgjoi ‘fjalë të patregueshme’ që nuk ishin të ‘lejuar[a] të thuhe[shin] nga njeri’ kur ai u rrëmbye në të tretin qiell (2 Korintasve 12:2, 4), edhe ne mund të kemi përvoja shpirtërore që duhet t’i tregojmë vetëm kur udhëhiqemi nga Shpirti për ta bërë këtë. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

“Kam arritur në pikën ku besoj … se nuk është gjë e urtë të flasësh vazhdimisht për përvoja shpirtërore të pazakonta. Ato duhet të ruhen me kujdes dhe të tregohen vetëm kur vetë Shpirti ju nxit t’i përdorni ato për të bekuar të tjerët” [‘The Candle of the Lord’, Ensign, janar 1983, f. 53]” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 407).

2 Korintasve 12:7. Çfarë ishte “gjemb[i]” që e shqetësonte Apostullin Pal?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi se gjembi i Palit mund të ketë qenë “ndonjë sëmundje fizike e papërmendur, me sa duket një sëmundje e rëndë nga e cila Apostulli Pal vuante vazhdimisht ose sistematikisht” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:448).

2 Korintasve 12:9. “Forca ime përsoset në dobësi”

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përdori përvojën e tij vetjake me sfidat fizike për të shpjeguar mënyrën se si hiri i Shpëtimtarit mund të na bëjë të fortë në dobësi:

“Gjatë dy viteve të kaluara, kam pritur nga Zoti mësime për vdekshmërinë që m’u dhanë nëpërmjet periudhave të dhembjes fizike, ankthit mendor dhe përsiatjes. Mësova se dhembja e vazhdueshme, e madhe është një pastrues i shkëlqyer shenjtërues që na përul dhe na afron më pranë Shpirtit të Perëndisë. Nëse ia vëmë veshin dhe bindemi, ne do të udhëhiqemi nga Shpirti i Tij dhe do të bëjmë vullnetin e Tij në përpjekjet tona të përditshme.

Ka pasur raste kur kam bërë disa pyetje të drejtpërdrejta në lutjet e mia, të tilla si, ‘Çfarë mësimesh do Ti që unë të mësoj nga këto përvoja?’

Ndërsa studioja shkrimet e shenjta gjatë kësaj periudhe kritike në jetën time, veli qe i hollë dhe përgjigjet m’u dhanë siç u shënuan në jetën e të tjerëve që kishin kaluar madje sprova edhe më të vështira. …

Në disa raste, i thashë Zotit se sigurisht që i kisha mësuar mësimet që duhet të merrja dhe nuk do të ishte e nevojshme të duroja dhembje të mëtejshme. Përgjërime të tilla dukeshin pa efekt, sepse m’u bë e qartë se ky proces pastrimi duhet të durohej sipas kohës së Zotit dhe në vetë mënyrën e Zotit. Është një gjë të mësosh, ‘U bëftë vullneti yt’ (Mateu 26:42). Por është tjetër gjë ta jetosh atë. Unë gjithashtu mësova se nuk do të mbetesha vetëm për t’i përballuar këto sprova dhe fatkeqësi, por se engjëjt mbrojtës do të kujdeseshin për mua. …

Përvojat e dy viteve të fundit më kanë bërë më të fortë në shpirt dhe më kanë dhënë kurajën për t’i dëshmuar botës më me guxim ndjenjat e thella të zemrës sime” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 6).

Shtyp në Letër