Biblioteka
Mësimi 41: Marku 10


Mësimi 41

Marku 10

Hyrje

Pranë fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari iu shërbeu atyre që ishin në Perea. Ndërsa qe atje, Ai dha mësim doktrinën e martesës dhe i ftoi fëmijët e vegjël të vinin tek Ai. Shpëtimtari gjithashtu e këshilloi një të ri pasanik që t’i shiste të gjitha zotërimet e tij dhe ta ndiqte Atë. Kur Shpëtimtari u largua nga Perea dhe udhëtoi për në Jeruzalem për herë të fundit në vdekshmëri, Ai parashikoi vdekjen dhe Ringjalljen e Tij dhe i këshilloi Apostujt e Tij që t’u shërbenin të tjerëve. Ai gjithashtu shëroi një burrë të verbër në Jeriko.

Sugjerime për Mësimdhënien

Marku 10:1–16

Jezusi jep mësim doktrinën e martesës dhe i fton fëmijët e vegjël të vijnë tek Ai

Tregojuni studentëve disa fotografi të fëmijëve të vegjël.

  • Çfarë cilësish ose karakteristikash admironi nga vëllezërit apo motrat tuaja më të vogla ose nga fëmijë të tjerë të vegjël që ju njihni? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë Markun 10:1–16, të kërkojnë një të vërtetë që na mëson përse ne duhet të bëhemi si fëmijë të vegjël.

Shpjegoni se pranë fundit të shërbesës së Tij, Shpëtimtari u largua nga Galilea dhe shkoi në një zonë të quajtur Perea. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të gjejnë vendndodhjen e Pereas në fletushkën “Një Vështrim i Shpejtë i Jetës në Vdekshmëri të Jezu Krishtit” [shih mësimin 5] ose në hartat e Biblës, nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohën e Dhiatës së Re” [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta].) Përmblidheni Markun 10:1–12, duke shpjeguar që ndërsa ishte në Perea, Shpëtimtari u mësoi njerëzve për rëndësinë e martesës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:13–14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që ndodhi ndërkohë që Shpëtimtari ishte në Perea.

  • Si reaguan dishepujt kur njerëzit i sollën fëmijët e vegjël te Shpëtimtari? (Shpjegoni se fjala qortojvargun 13, tregon që dishepujt u thanë njerëzve se bënë gabim që i sollën fëmijët e tyre te Shpëtimtari.)

  • Si reagoi Shpëtimtari ndaj dishepujve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:15–16, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij kur fëmijët e vegjël erdhën tek Ai. Shpjegoni se fraza “e pranon mbretërinë e Perëndisë” te vargu 15, i referohet pranimit të ungjillit.

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta pranosh ungjillin “si një fëmijë i vogël”? (vargu 15). (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë dhe krahasojini ato me cilësitë e renditura tashmë në tabelë.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që do të ndodhë kur ne e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por sigurohuni që të jetë e qartë se, kur e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël, ne do të jemi të përgatitur të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.)

  • Në çfarë mënyrash pranimi i ungjillit si fëmijë të vegjël na përgatit të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni t’i drejtoni ata te Mosia 3:19.)

Marku 10:17–34

Shpëtimtari e këshillon të riun pasanik që t’i shesë të gjitha zotërimet e tij dhe ta ndjekë Atë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:17–20, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që ndodhi pasi Shpëtimtari i bekoi fëmijët e vegjël.

  • Si do ta përshkruanit burrin që erdhi te Jezusi? Përse?

  • Çfarë i kërkoi burri Shpëtimtarit? Si iu përgjigj Jezusi?

Shpjegoni se edhe Mateu 19 e përmban rrëfimin e këtij burri që erdhi te Shpëtimtari. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mateun 19:20, dhe kërkojini klasës të mbajë vesh për mënyrën se si reagoi burri pasi Shpëtimtari renditi disa prej urdhërimeve.

  • Pasi e pranoi se ai i mbante të gjitha urdhërimet, çfarë pyetje i bëri i riu Shpëtimtarit? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë pyetjen e të riut.)

Shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Çfarë më mungon tjetër?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 10:21, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari të riut.

  • Çfarë i tha Shpëtimtari të riut se ende i mungonte?

Vini në dukje frazën “Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të” në vargun 21. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë që Jezusi e donte këtë të ri përpara se Ai t’i thoshte atë që i mungonte?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga ky rrëfim? (Studentët mund të përcaktojnë disa parime, duke përfshirë sa vijon: Për shkak se Ai na do, Zoti do të na ndihmojë të dimë atë që na mungon në përpjekjet tona për ta ndjekur Atë. Nëse e pyesim Zotin, Ai do të na mësojë atë që kemi nevojë të bëjmë për të trashëguar jetën e përjetshme.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Markun 10:22, duke kërkuar mënyrën se si reagoi i riu kur Shpëtimtari e këshilloi të shiste gjithçka që ai kishte.

  • Si reagoi i riu?

  • Sipas vargut 22, përse ai reagoi në atë mënyrë?

Vini në dukje se ndërsa neve mund të mos na kërkohet të japim pasuri të mëdha për ta ndjekur Zotin, Ai na ka kërkuar të bëjmë sakrifica të tjera për t’i shërbyer Atij dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.

  • Cilat janë disa sakrifica që Zoti ka kërkuar prej nesh, që mund të jenë të vështira për t’u bërë?

  • Çfarë bekimesh mund të mos arrijmë të marrim nëse zgjedhim të mos e ndjekim Zotin në të gjitha gjërat?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:23–27. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Markut 10:26: “Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ‘Për njerëzit që i mirëbesojnë pasurive, kjo është e pamundur, por jo e pamundur për njerëzit që i mirëbesojnë Perëndisë dhe lënë gjithçka për hirin tim, sepse për njerëz të tillë të gjitha këto gjëra janë të mundura”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dha mësim Jezusi rreth të lënit të gjithçkaje për hir të Tij.

  • Si mendoni ju, përse është kaq e vështirë për ata që mirëbesojnë te pasuritë apo gjërat e tjera të botës, që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që të gjitha gjërat janë të mundura për ata që i mirëbesojnë Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Markun 10:28–31. Kërkojini një studenti të lexojë më zë të lartë Përkthimin prej Joseph Smith-it të Markut 10:31: “Por ka shumë që e vënë veten të parët, që do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët. Këtë ai e tha duke e qortuar Pjetrin …”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që tha Pjetri pasi Shpëtimtari dha mësim se ne duhet të jemi të gatshëm të japim çdo gjë që Ai kërkon prej nesh.

  • Sipas vargut 28, çfarë tha Pjetri?

  • Çfarë u premton Shpëtimtari atyre që janë të gatshëm të japin gjithçka për ta ndjekur Atë?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit rreth asaj që ne duhet të bëjmë për të marrë jetë të përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të dallojnë parimin vijues: Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të jemi të gatshëm të japim çfarëdo gjëje që Zoti kërkon prej nesh. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Përse për jetën e përjetshme ia vlen çdo sakrificë që na kërkohet të bëjmë në tokë? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se jeta e përjetshme përfshin të jetuarit përherë në prani të Perëndisë me pjesëtarët e drejtë të familjes sonë.)

Përmblidheni Markun 10:32–34, duke shpjeguar se Zoti u tha dishepujve të Tij që pasi të arrinin në Jeruzalem, Ai do të tallej, fshikullohej, pështyhej e vritej dhe se Ai do të ngrihej sërish ditën e tretë.

  • Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i përkryer i të qenit i gatshëm për të dhënë çfarëdo gjëje që Perëndia kërkon?

Dëshmoni për të vërtetat që janë shpjeguar në këtë mësim. Nxitini studentët që të përsiatin plot lutje pyetjen “Çfarë më mungon tjetër?” dhe t’i binden çdo mbrese që mund të marrin lidhur me sakrificat që Zoti do të donte që ata të bënin.

Marku 10:35–52

Shpëtimtari parashikon vdekjen dhe Ringjalljen e Tij, dhe i këshillon Apostujt e Tij që t’u shërbejnë të tjerëve

Ndajini studentët në grupe të vogla. Jepini secilit grup një kopje të fletushkës vijuese dhe ftojini ata që ta plotësojnë atë:

Pamja
fletushkë, Kush Është më i Madhi

Kush Është më i Madhi?

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 41

Plotësojeni këtë fletushkë si një grup dhe diskutoni përgjigjet tuaja për pyetjet.

Renditni disa veprimtari që ju i pëlqeni:

  • Përmendni disa individë që janë me të vërtetë të mëdhenj në kryerjen e veprimtarive që ju renditët më lart. Çfarë i bën ata të mëdhenj?

Ndërsa ju vazhdoni të studioni fjalët e Shpëtimtarit te Marku 10, kërkoni atë që Ai dha mësim rreth asaj që e bën një person me të vërtetë të madh.

Lexoni Markun 10:35–37, duke kërkuar atë që Jakobi dhe Gjoni i kërkuan Shpëtimtarit ndërsa udhëtonin drejt Jeruzalemit.

Kërkesa e Jakobit dhe e Gjonit për t’u ulur në të djathtë e në të majtë të Shpëtimtarit, nënkuptonte se ata donin të merrnin më shumë lavdi dhe nder në mbretërinë e Perëndisë sesa do të merrnin Apostujt e tjerë. Marku 10:38–40 shënon që Shpëtimtari i shpjegoi Jakobit dhe Gjonit se ky bekim do t’u jepej atyre që ishin të përgatitur për ta marrë atë.

Lexoni Markun 10:41, për të parë mënyrën se si reaguan dishepujt e tjerë ndaj kërkesës së Jakobit dhe Gjonit.

  • Si mendoni ju, përse dishepujt e tjerë ishin të pakënaqur me Jakobin dhe Gjonin?

Lexoni Markun 10:42–45, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij rreth madhështisë.

Plotësojeni thënien vijuese bazuar në atë që Shpëtimtari dha mësim rreth madhështisë së vërtetë:

Për të qenë me të vërtetë të mëdhenj, ne duhet

Te vargu 45, fjala shërbej do të thotë të japësh përkujdesje, ngushëllim, ndihmë dhe mbështetje për të tjerët.

  • Përse dikush që i shërben dhe i ndihmon të tjerët (ashtu si Shpëtimtari) do të konsiderohej me të vërtetë i madh?

  • A ka ndonjë rast kur dikush ju ka shërbyer dhe është përkujdesur për ju ose familjen tuaj? Përse mund ta konsideroni atë person me të vërtetë të madh?

Pasi studentët ta kenë plotësuar fletushkën, ftojini disa studentë që të raportojnë se si e plotësuan thënien e bazuar te Marku 10:42–45. Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Për të qenë me të vërtetë të mëdhenj, ne duhet të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve.

Përmblidheni Markun 10:46–52, duke shpjeguar se ndërsa Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij po largoheshin nga Jeriko për të shkuar në Jeruzalem, një i verbër i quajtur Bartimeus i thirri Shpëtimtarit që ta shëronte atë. Turma i tha Bartimeut të heshtte, por ai bërtiste edhe më fortë. Shpëtimtari e dëgjoi thirrjen e tij, pati dhembshuri për të dhe e shëroi atë. (Shënim: Rrëfimi i shërimit të Bartimeut do të diskutohet më me hollësi në mësimin mbi Llukën 18.)

  • Në ç’mënyrë është Shpëtimtari një shembull i përkryer i parimit që Ai dha mësim për shërbimin ndaj të tjerëve?

Tregoni dëshminë tuaj se si Shpëtimtari është me të vërtetë i madh për shkak të mënyrës se si Ai u shërben fëmijëve të Atit Qiellor. Ftojini studentët të mendojnë se çfarë mund të bëjnë, që t’u shërbejnë dhe të përkujdesen për ata rreth e rrotull tyre. Nxitini ata të vendosin një synim që do t’i ndihmojë për t’u dhënë ndihmë të tjerëve dhe për t’u shërbyer atyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Marku 10:17–22. I riu pasanik

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se me qëllim që të jemi dishepuj të guximshëm të Shpëtimtarit, ne duhet të bëjmë mirë në mënyrë vepruese, në vend që thjesht t’i shmangemi mëkatit:

“Shumë shpesh janë mëkatet e mosbërjes që na pengojnë nga plotësia shpirtërore për shkak se neve ende na mungojnë disa gjëra. Mbani mend të riun pasanik të drejtë, i cili erdhi te Jezusi duke e pyetur: ‘Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?’ …

Një urdhërim i përshtatur erdhi pra për atë njeri [shih Mateu 19:21–22]. Ajo që e pengonte atë nga të qenit i plotë ishte diçka që ai duhej të bënte, jo diçka që ai duhej të ndalonte së bëri” (“The Pathway of Discipleship” [mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 janar 1998], f. 4, speeches.byu.edu).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se i riu pasanik humbi bekime të privilegjuara për shkak se nuk qe i gatshëm ta ndiqte Zotin në të gjitha gjërat:

“Ne fare mirë mund të pyesim: ‘A nuk është e mjaftueshme mbajtja e urdhërimeve? Çfarë tjetër pritet prej nesh përveç të qenit të vërtetë dhe besnikë në çdo mirëbesim? A ka më shumë se ligji i bindjes?’

Në rastin e mikut tonë të ri e të pasur kishte më shumë. Prej tij pritej që të jetonte ligjin e përkushtimit, të sakrifikonte zotërimet e tij tokësore. …

Siç e dini, i riu u largua i trishtuar. … Dhe neve na lihet të pyesim veten se çfarë familjariteti [afërsie] mund të kishte përjetuar ai me Birin e Perëndisë, çfarë shoqërie mund të kishte gëzuar ai me apostujt, çfarë zbulesash dhe vegimesh mund të kishte marrë ai, nëse do të kishte qenë i aftë ta jetonte ligjin e një mbretërie çelestiale” (“Obedience, Consecration, and Sacrifice”, Ensign, maj 1975, f. 51).

Marku 10:25. “Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre”

“Disa kanë hamendësuar se vrima e gjilpërës ishte një derë e vogël në murin e qytetit të Jeruzalemit, e cila kërkonte që një deveje t’i hiqej ngarkesa me qëllim që të hynte. Nuk ka prova se një derë e tillë ka ekzistuar ndonjëherë. Të tjerë kanë propozuar se ndryshimi i një germe në tekstin grek do ta ndryshonte shkrimin e shenjtë, duke nënkuptuar që një litar, jo një deve, do të duhej të kalonte përmes vrimës së gjilpërës. Sidoqoftë, kur Jezu Krishti iu referua devesë që kalon nëpër vrimën e një gjilpëre, ka gjasa të ishte një shembull i hiperbolës, një ekzagjerim i qëllimshëm për të dhënë mësim ‘se një njeri i pasur me vështirësi [zor se] do të hyjë në mbretërinë e qiejve’ (Mateu 19:23). Përkthimi prej Joseph Smith-it shton: ‘Për njerëzit që i mirëbesojnë pasurive, kjo është e pamundur; por jo e pamundur për njerëzit që i mirëbesojnë Perëndisë dhe lënë gjithçka për hirin tim, sepse për njerëz të tillë të gjitha këto gjëra janë të mundura’ (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Marku 10:26 )” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 63).

Marku 10:38–39. “A mund të pini ju kupën që unë do të pi?”

“Plaku Brus R. Mek-Konki shpjegoi se fraza ‘pini … kupën’ ishte ‘një shprehje metaforike që do të thoshte: “Të bëj gjërat që fati im në jetë kërkon prej meje”’. Ai shpjegoi se fraza ‘të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar’ do të thotë ‘të ndjekësh drejtimin tim, të vuash përndjekje, të mos pranohesh nga njerëzit dhe në fund të vritesh për hir të së vërtetës’ (Doctrinal New Testament Commentary, 1:566). Duke bërë pyetjen, ‘A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?’ (Marku 10:38), Shpëtimtari e riktheu vëmendjen e Jakobit dhe të Gjonit te zbatimi i vullnetit të Atit, se sa te marrja e lavdisë dhe e nderit” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 126).

Marku 10:45. “Biri i njeriut … erdhi … t[ë] shërbej[ë]”

Presidenti Ezra Taft Benson dëshmoi se Jezu Krishti është modeli i përkryer i madhështisë:

“Është më i madhërishëm dhe më i bekuar e plot gëzim, ai burrë [ose ajo grua], jeta e të cilit i afrohet më shumë modelit të Krishtit. Kjo s’ka të bëjë aspak me pasurinë, pushtetin ose prestigjin tokësor. E vetmja provë e vërtetë e madhështisë, bekueshmërisë, gëzueshmërisë është se sa mund të arrijë një jetë [njerëzore] që të jetë si ajo e Mësuesit, Jezu Krishtit” (“Jesus Christ: Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 2).

Shtyp në Letër