Biblioteka
Mësimi 155: Zbulesa 6–11, Pjesa 2


Mësimi 155

Zbulesa 6–11, Pjesa 2

Hyrje

Gjoni pa hapjen e vulës së shtatë dhe mësoi për misionin e tij se do të marrë pjesë në mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa 8–9

Gjoni sheh hapjen e vulës së shtatë

Ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni studentëve t’ua shpjegojnë partnerëve të tyre atë që mësuan në studimin e tyre të Zbulesës 6–7 që mund t’i ndihmojë ata të qëndrojnë të gëzueshëm dhe pozitivë në mes të pasigurisë dhe trazirës.

Shkruajeni në tabelë parimin vijues të përcaktuar në mësimin e mëparshëm: Nëse e durojmë me besnikëri mundimin dhe bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne do të gëzojmë lavdinë çelestiale me Perëndinë. Nxitini studentët të kërkojnë për mënyrën se si ky parim lidhet me ngjarjet për të cilat do të mësojnë në mësimin e sotëm.

Përgatiteni tabelën vijuese në fletushka ose vizatojeni atë në dërrasë:

Pamja
Vegimi i Gjonit për shtatë vulat
  • Sipas kësaj tabele, sa vargje në librin e Zbulesës kanë të bëjnë me gjashtë vulat e para? (25.)

  • Sa vargje kanë të bëjnë me ngjarjet e vulës së shtatë? (211 + 15 = 226.)

Nxirrni në pah se Gjoni shkroi më shumë për ngjarjet që i përkasin periudhës së shtatë mijëvjeçare sesa shkroi për ngjarjet që i përkasin ndonjërës prej atyre të tjerave. Ai shkroi veçanërisht për ngjarjet që do të ndodhnin nga koha e hapjes së vulës së shtatë deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

  • Përse mendoni se Gjoni i përqendroi shkrimet e tij mbi ngjarjet e vulës së shtatë?

Përmblidheni Zbulesën 8:1–6 duke shpjeguar se këto vargje përshkruajnë Shpëtimtarin që hap vulën e shtatë. Gjoni pa shtatë engjëj, të cilëve iu dhanë shtatë bori. Në kohët e lashta, boritë përdoreshin për t’i “rënë një alarmi, për të sinjalizuar [një ushtri] për betejë ose për të shpallur ardhjen e familjes mbretërore” (Gerald N. Lund, “Seeing the Book of Revelation as a Book of Revelation”, Ensign, dhjetor 1987, f. 50). Në këtë rast, rënia e borive do të tregonte fillimin e plagëve të ndryshme dhe shkatërrimin në përgatitje për mbretërimin mijëvjeçar të Jezu Krishtit.

Ftojini studentët të shkruajnë “Vula e Shtatë” në krye të një flete letre, ose në fletoren e tyre të klasës, apo në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta dhe të vizatojnë shtatë bori në fund të faqes.

Shkruajini në tabelë referencat vijuese, por mos i shkruani pyetjet e çdo reference. Ftojini studentët t’i shkruajnë referencat pranë borive në letrat e tyre:

E para – Zbulesa 8:7. Çfarë ndodhi si rrjedhojë e “breshër[it] e zjarr[it]” që ra në tokë kur engjëlli i parë i ra borisë?

E dyta – Zbulesa 8:8–9. Cilat ishin tri gjërat që u prekën kur ra boria e dytë?

E treta – Zbulesa 8:10–11. Çfarë emri kishte ylli që ra? (Shpjegoni se pelini është një bimë e hidhur që përdoret për të treguar “fatkeqësi ose pikëllim të hidhur” [Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Wormwood” (“Pelin”)].) Çfarë ndodhi kur ai ra?

E katërta – Zbulesa 8:12. Duke vijuar me tingullin e borisë së katërt, cilat ishin tri gjërat që u errësuan pjesërisht?

E pesta – Zbulesa 9:1–3. Çfarë doli nga pusi i humnerës kur engjëlli i pestë e hapi atë?

E gjashta – Zbulesa 9:13–16, 18. Sa ushtarë u përfshinë në betejën e madhe që pa Gjoni, pasi kishte rënë boria e gjashtë? Cilën pjesë të njerëzimit pa të vrarë ai në këtë betejë?

E shtata – Zbulesa 11:15.

Ndajeni klasën në gjashtë grupe dhe caktojini secilit grup një nga gjashtë referencat e para të shkrimeve të shenjta të renditura në tabelë (nëse klasa juaj është e vogël, juve mund t’ju duhet që disa grupeve t’i caktoni më shumë referenca). Kërkojuni grupeve t’i lexojnë me zë të lartë së bashku fragmentet e shkrimit të shenjtë të caktuara atyre, duke kërkuar se çfarë ndodhi pas rënies së borive. Ftojini ata të shkruajnë atë që gjejnë, pranë borive përkatëse në letrat e tyre.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një student nga secili grup të raportojë atë që gjen. Ftojini studentët të shkruajnë gjetjet e secilit grup pranë borive përkatëse në letrat e tyre. Teksa studentët raportojnë, nëse është e nevojshme bëjuani pyetjen/t që shoqëron/jnë referencat e shkrimeve të shenjta që iu caktuan grupit të tyre.

  • Në ç’mënyrë parimi që ne përcaktuam në mësimin e mëparshëm, mund t’i ndihmojë ata që po jetojnë gjatë ngjarjeve të vulës së shtatë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 9:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si do të reagojnë të ligjtë që u mbijetojnë këtyre plagëve. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë na mëson ne kjo rreth ligësisë së këtyre njerëzve?

Zbulesa 10

Një engjëll e udhëzon Gjonin për misionin e tij në ditët e mëvonshme

Shpjegoni se Zbulesa 10 përmban një ndërprerje të tregimit për shtatë boritë që bien dhe plagët e tyre shoqëruese. Në këtë kapitull ne lexojmë se Gjoni u udhëzua nga një engjëll tjetër.

Shkruajini në tabelë fjalët E ëmbël dhe E hidhur.

  • Cilat janë disa përvoja në jetë që mund të konsiderohen si të ëmbla ashtu edhe të hidhura?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 10:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që po mbante engjëlli.

  • Çfarë po mbante engjëlli?

Ftojini dy studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Zbulesa 10:8–11. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Gjonit iu tha të bënte me librin.

  • Çfarë iu tha Gjonit të bënte me librin? Çfarë shije kishte?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrina e Besëlidhjet 77:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë përfaqësonte ngrënia e librit nga ana e Gjonit.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë përfaqëson ngrënia e librit nga ana e Gjonit? (Pranimin e Gjonit të misionit të tij për të ndihmuar që të “mbledh[ë] fiset e Izraelit” dhe të “rivendosë gjithçka” në ditët e mëvonshme.

Nxirrni në pah se Gjoni ishte bekuar që ai nuk do të vdiste, në mënyrë që të mund të sillte individë te Shpëtimtari (shih DeB 7:1–4).

  • Çfarë mund të përjetonte Gjoni nga përmbushja e misionit të tij që do të ishte e ëmbël? Çfarë mund të ishte e hidhur?

Zbulesa 11

Gjoni sheh dy profetë të vriteshin në Jerusalem si edhe tingullin e borisë së shtatë

Shpjegoni se Zbulesa 11 fillon me përshkrimin e Gjonit për ngjarjet që do t’i paraprijnë rënies së borisë së shtatë dhe Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Gjatë kësaj kohe, të ligjtë do të kenë më shumë fuqi dhe kontroll mbi tokën dhe një ushtri do të përpiqet ta pushtojë Jerusalemin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 11:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të bëjnë dy dëshmitarët në Jerusalem gjatë kësaj kohe.

  • Çfarë do të bëjnë dy dëshmitarët?

  • Çfarë kuptimi mund të ketë që “nga goja e tyre [do të dalë] zjarr”? (vargu 5.) (Kjo mund të jetë simbol i fuqisë së dëshmive që do të japin ata [shih Jeremia 5:14; 20:9].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 77:15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush do të jenë këta dy dëshmitarë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 11:7–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë do t’u ndodhë këtyre dy profetëve pasi ta kenë përfunduar shërbesën e tyre midis judenjve.

  • Si do të reagojnë të ligjtë kur dy dëshmitarët të jenë vrarë?

  • Çfarë do t’u ndodhë dy dëshmitarëve pasi të kenë qenë të vdekur për tri ditë e gjysmë?

  • Si do të reagojnë njerëzit kur dy dëshmitarët të ngrihen nga të vdekurit dhe të merren në qiell?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Zbulesën 11:13–15. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që do të ndodhë përpara se të bjerë boria e shtatë dhe kur ajo të bjerë. Ftojini studentët ta shkruajnë atë që gjejnë në fletët e tyre pranë borisë së shtatë.

  • Pasi boria e shtatë të bjerë, kush do të mbretërojë mbi “mbretëritë e botës”? (vargu 15.)

Përmblidheni Zbulesën 11:16–19 duke shpjeguar se 24 pleqtë i dhanë falënderime dhe përlëvdime Perëndisë për shpërblimin e të drejtëve dhe ndëshkimin e të ligjve. Gjoni pa në vegim edhe tempullin qiellor të Perëndisë dhe arkën e besëlidhjes, e cila përfaqëson praninë e Perëndisë.

Mbylleni mësimin e sotëm duke treguar ndjenjat tuaja të falënderimit dhe përlëvdimit ndaj Perëndisë për mirësinë dhe drejtësinë e Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulesa 8–11. Komente shtesë

Për informacion shtesë mbi përmbajtjet e Zbulesës 8–11, shih komentet për këta kapituj që gjenden te New Testament Student Manual (Church Educational System manual, 2014) në faqet 545–549.

Zbulesa 10:1–3, 8–11. Libërthi që iu dha Gjonit për ta ngrënë

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Veprimi i Gjonit i ngrënies së një libri që përmban fjalën e Perëndisë për të, ishte në përputhje me zakonet dhe traditat e Izraelit të lashtë. Veprimi tregon se ai po hante bukën e jetës, se ai po merrte nga fjala e mirë e Perëndisë, që ai po ushqehej me fjalën e Krishtit – e cila ‘ishte në gojën [e tij e] … ëmbël si mjaltë’. Por ajo i ‘hidhëro[i] të brëndëshmet’ e tij; këto janë gjykimet dhe plagët e premtuara atyre, të cilëve iu dërgua fjala e Zotit, çka shkaktoi që ai të dëshpërohej dhe të kishte pikëllim në shpirt” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:507).

“Libri që ishte ‘i ëmbël si mjaltë’ në gojën e Gjonit por i ‘hidh[ur]’ në barkun e tij (Zbulesa 10:10) mund të sugjerojë që misioni i tij do të përfshinte shumë përvoja të ëmbla dhe të gëzueshme por gjithashtu refuzim dhe përvoja të dhimbshme (shih edhe Psalmeve 119:103)” (New Testament Student Manual [Church Educational System manual, 2014], f. 548).

Shtyp në Letër