Biblioteka
Mësimi 44: Lluka 2


Mësimi 44

Lluka 2

Hyrje

Jozefi dhe Maria udhëtuan për në Bethlehem, atje ku u lind Jezusi. Barinjtë iu bindën udhëzimit të engjëllit për ta kërkuar Jezusin e sapolindur dhe më pas u shpallën të tjerëve lindjen e Jezusit. Simeoni e bekoi Jezusin në tempull dhe Ana ndau dëshminë e saj se Shëlbuesi kishte lindur. Jezusi u rrit “në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).

Sugjerime për Mësimdhënien

Lluka 2:1–20

Jezusi lindi në Bethlehem

Merrni parasysh që ta vini klasën të këndojë himnin “Botës Gëzim” (Himne, nr. 120) apo një himn tjetër për Krishtlindje si pjesë e kohës shpirtërore.

Pamja
Jozefi dhe Maria Udhëtojnë për në Bethlehem

Paraqitni figurën Jozefi dhe Maria Udhëtojnë për në Bethlehem (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 29; shih edhe LDS.org). Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim se sa shumë dinë rreth ngjarjeve që e rrethojnë lindjen e Shpëtimtarit.

Për t’i përgatitur studentët të studiojnë Llukën 2:1–20, ftojini ata që të bëjnë testin vijues e vërtetë ose e rreme. (Përpara orës mësimore, përgatitni një kopje të testit për çdo student.)

Pamja
fletushkë, test me alternativa e vërtetë-e rreme

Test E vërtetë–E rreme (Lluka 2:1–20)

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 44

  • ____ 1. Maria dhe Jozefi shkuan në Bethlehem për të paguar taksat.

  • ____ 2. Maries dhe Jozefit iu desh të udhëtonin 44 kilometra nga Nazareti për në Bethlehem.

  • ____ 3. Maria e vendosi Jezusin foshnje në një grazhd për shkak se hani ishte plot.

  • ____ 4. Barinjtë ndoqën yllin për te grazhdi ku rrinte Jezusi.

  • ____ 5. Përveç Maries dhe Jozefit, njerëzit e parë sipas analit që e panë Jezusin ishin barinjtë.

  • ____ 6. Engjëlli u tha barinjve të mos i thoshin njeriu për atë që kishin parë.

Ftojini studentët që të kërkojnë përgjigjet e testit ndërsa studiojnë Llukën 2.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Jozefi and Maria udhëtuan për në Bethlehem.

  • Përse Jozefi dhe Maria udhëtuan për në Bethlehem? (Vini në dukje se Lluka 2:1, poshtëshënimi b [në variantin shdm të Biblës në anglisht], sqaron se Cezari donte ta regjistronte ose ta numëronte popullin. Kjo bëhej për qëllime taksash.)

Ftojini studentët të shkojnë te Hartat e Biblës, nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhiatës së Re”, që gjenden tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Kërkojuni studentëve që të gjejnë Nazaretin dhe Bethlehemin në hartë dhe, duke përdorur çelësin, të përllogarisin afërsisht se sa larg udhëtuan Jozefi dhe Maria. Pasi studentët të përgjigjen, shpjegoni se largësia prej 137–145 kilometrash midis Nazaretit dhe Bethlehemit do të ketë dashur të paktën katër deri në pesë ditë ecje në këmbë, ndoshta edhe më gjatë për Jozefin dhe Marien, duke marrë parasysh gjendjen e Maries.

Kërkojuni studentëve të përsiatin mbi atë që mendojnë se cilat do të ishin rrethanat e përshtatshme për lindjen e Krijuesit dhe Shpëtimtarit të botës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar rrethanat e lindjes së Jezusit.

  • Përveç statusit të veçantë të rëndësishëm të Jezusit si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë në mish, cilat qenë rrethanat e lindjes së Tij?

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 2:8–14. Vëreni klasën t’i ndjekë, për të parë se si u lajmërua lindja e Shpëtimtarit. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë. Paraqitni figurën Engjëlli u Shfaqet Barinjve (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 31; shih edhe LDS.org).

Pamja
Engjëlli u Shfaqet Barinjve
  • Sipas vargut 10, çfarë mund të përjetojmë për shkak se Shpëtimtari u lind? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Për shkak se Shpëtimtari u lind në tokë, ne mund të përjetojmë gëzim të madh.)

Ndërsa studentët vazhdojnë të studiojnë Llukën 2, ftojini ata të kërkojnë shembuj të mënyrës se si njohuria e lindjes së Shpëtimtarit u solli gëzim të tjerëve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:15–20. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan barinjtë ndaj mesazhit të engjëllit.

  • Cilat fraza tregojnë mënyrën se si reaguan barinjtë ndaj mesazhit të engjëllit? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat “le të shkojmë” në vargun 15 dhe “shkuan, pra, me nxitim” në vargun 16.)

  • Çfarë dëshmie apo pohimi morën barinjtë, ngaqë ia vunë veshin këtij mesazhi?

  • Çfarë bënë barinjtë pasi e morën dëshminë e tyre për Jezu Krishtin?

  • Si mendoni ju, përse barinjtë u treguan të tjerëve atë që kishin përjetuar?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth asaj që ndodh kur ne e marrim dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin? (Duke përdorur vetë fjalët e tyre, studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne e marrim dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin, ne dëshirojmë që ta ndajmë dëshminë tonë me të tjerë.)

Ftojini studentët të mendojnë rreth një rasti kur ata ndien dëshirën që të ndanin me të tjerët dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Nxitini ata të përsiatin se çfarë e shtyu atë dëshirë. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës përvojat e tyre.

Lluka 2:21–39

Simeoni dhe Ana e shpallin Jezusin si Shpëtimtarin e botës

Përmblidheni Llukën 2:21–24, duke shpjeguar se pas lindjes së Jezusit, Maria dhe Jozefi e paraqitën Atë në tempull në përputhje me ligjin judeas (shih Eksodi 13:2). Dy individë që ishin në tempull atë ditë, e njohën Jezusin foshnjë si Mesian. Ftojini të rinjtë në klasë që të lexojnë në heshtje rrëfimin e Simeonit te Lluka 2:25–32. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “priste ngushëllimin e Izraelit” në vargun 25, i referohet pritjes që të vinte Mesia.) Ftojini të rejat që të lexojnë në heshtje rrëfimin e Anës te Lluka 2:36–38 (dhe nëse është e nevojshme, shpjegoni që “tetëdhjetë” në vargun 37, do të thotë 80). Ndërsa studentët lexojnë vargjet e caktuara atyre, ftojini ata që të kërkojnë përgjigjet për pyetjet vijuese:

  • Në ç’mënyrë njohuria e lindjes së Shpëtimtarit i solli gëzim këtij personi?

  • Në ç’mënyrë dëshmoi ai ose ajo për Jezu Krishtin?

Pamja
Simeoni Nderon Krishtin Foshnjë

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një të ri që të ngrihet në këmbë, të përmbledhë rrëfimin që ai lexoi dhe të japë përgjigjet e tij për pyetjet e mëparshme. Paraqitni figurën Simeoni Nderon Krishtin Foshnjë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 32; shih edhe LDS.org).

Përmblidheni Llukën 2:33–35, duke shpjeguar që Simeoni bekoi edhe Marien e Jozefin.

Ftojeni një të re që të ngrihet në këmbë, të përmbledhë rrëfimin që ajo lexoi dhe të japë përgjigjet e saj për pyetjet e mëparshme.

Ftojini studentët të shpjegojnë se si mund të na sjellë gëzim njohuria se Shpëtimtari u lind. Ftojini ata që ndihen mirë për ta bërë këtë, që t’i tregojnë klasës dëshminë e tyre për Jezu Krishtin.

Përmblidheni Llukën 2:39, duke shpjeguar se pas këtyre ngjarjeve, Maria, Jozefi dhe Jezusi u kthyen në Nazaret.

Lluka 2:40–52

Jezusi fëmijë jep mësim në tempull

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një aspekt që ata do të donin ta përmirësonin. Ftojini disa studentë që ndihen mirë për ta bërë këtë, që t’i tregojnë klasës atë që shkruan. (Kujtojuni studentëve të mos tregojnë asgjë që është tepër personale apo vetjake).

  • Në ç’mënyrë njohuria se si ishte Jezusi në rininë e tij, mund t’ju ndihmojë si një i ri?

Shpjegoni se ne kemi pak hollësi rreth rinisë së Jezusit, por ato që janë shënuar mund të jenë një bekim dhe udhëheqje e madhe për ne teksa kërkojmë ta përmirësojmë veten tonë. Ndërsa studentët studiojnë pjesën e mbetur të Llukës 2, ftojini ata të kërkojnë të vërteta që mund të na ndihmojnë të dimë se në cilat aspekte ne duhet të përqendrohemi ndërsa përpiqemi ta përmirësojmë veten tonë.

Pamja
Jezusi Lutet së bashku me Nënën e Tij

Paraqitni figurën Jezusi Lutet së bashku me Nënën e Tij (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 33; shih edhe LDS.org). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:40. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si e përshkroi Lluka fëmijërinë e Jezusit. Shpjegoni se u forcua do të thotë u rrit ose u zhvillua. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Lluka 2:41–47. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që bëri Jezusi kur Ai ishte 12 vjeç.

  • Përse Jezusi qëndroi prapa në tempull? (Ftojini studentët të lexojnë pjesën nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 2:46 që gjendet tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, duke kërkuar mënyrën se si Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron atë që Jezusi po bënte në tempull dhe mënyrën se si ky sqarim përputhet më mirë me përshkrimin e ngjarjes te Lluka 2:47.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:48–50. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Jezusi i tha Maries dhe Jozefit kur ata e gjetën Atë.

Në vend që t’i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Llukën 2:48–50, ju mund të doni të shfaqni [videon] “Young Jesus Teaches in the Temple” [“Jezusi Fëmijë Jep Mësim në Tempull”] (02:30) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit], e cila gjendet në LDS.org.

  • Çfarë i tha Jezusi Maries dhe Jozefit kur ata e gjetën Atë?

  • Çfarë na zbulon ky rrëfim rreth njohurisë që Jezusi kishte për identitetin e Tij të vërtetë dhe rreth karakterit të Tij në rininë e Tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Llukën 2:51–52. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrat në të cilat u rrit Jezusi.

  • Çfarë do të thotë të “rrite[sh] në dituri”? (Të zhvillohesh në dituri.) Të rritesh në “shtat”? (Të zhvillohesh fizikisht.) Të rritesh në “hir përpara Perëndisë”? (Të zhvillohesh shpirtërisht.) Të rritesh në “hir përpara … njerëzve”? (Të zhvillohesh nga ana shoqërore.)

  • Bazuar te vargu 52, si do ta shprehnit një parim që mund të na udhëheqë për të ndjekur shembullin e Jezusit? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezusit duke fituar dituri dhe duke u rritur fizikisht, shpirtërisht dhe nga ana shoqërore.)

  • Përse është e rëndësishme që ne të zhvillohemi në secilën nga këto katër aspekte? (Në mënyrë që ne të bëhemi njerëz të ekuilibruar.)

  • Si jeni bekuar juve ndërsa jeni përpjekur të ndiqni shembullin e Jezusit duke e zhvilluar veten tuaj në këto aspekte?

Shkruani në tabelë titujt vijues dhe ftojini studentët që t’i kopjojnë ato në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta: Intelektualisht, Fizikisht, Shpirtërisht dhe Nga Ana Shoqërore. Kërkojuni studentëve që nën secilën prej këtyre kategorive të shkruajnë një synim për zhvillimin e tyre vetjak. Nxitini studentët të veprojnë sipas këtyre synimeve. Përfundoni duke treguar dëshminë tuaj për parimet e përcaktuara në mësimin e sotëm.

(Përgjigjet e testit janë si më poshtë: 1. E vërtetë; 2. E rreme; 3. E vërtetë; 4. E rreme; 5. E vërtetë; 6. E rreme.)

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Përsëritja i ndihmon studentët të kujtojnë vendndodhjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Përdorni kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë ose vërini studentët që t’i krijojnë vetë kartat e tyre, duke i shkruar fjalët apo kuptimet kyçe në anën bosh të kartave ose të fletëve të letrës, dhe referencat në anën tjetër. Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre që ta testojnë njëri-tjetrin duke përdorur kartat. Ftojini studentët t’i përdorin shpesh këto karta për të pyetur veten dhe njëri-tjetrin. Ju mund t’i përdorni të dhënat në karta për të bërë veprimtarinë e kërkimit të shkrimit të shenjtë me klasën (shih “kërkimi i shkrimit të shenjtë” në shtojcën e këtij manuali).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Lluka 2:7. “Ajo lindi djalin e saj të parëlindur”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa më poshtë për rrethanat e lindjes së Shpëtimtarit:

“Është mahnitëse për ne që vetë Biri i Perëndisë, Jehovai i madh i lashtësisë, duhej të lindte në këtë botë të vdekshme në rrethanat më të përulura. Një han do të kishte qenë tepër i thjeshtë, por nuk ishte as edhe një han. Përkundrazi, ishte një stallë dhe foshnja u vendos mbi kashtën e një grazhdi ku zakonisht ushqeheshin kafshët. Megjithatë, denjimi më i madh është se Jezusi duhej t’i nënshtrohej vdekshmërisë në të gjitha gjërat, edhe sikur Ai të kishte lindur në rrethanat më të mira dhe më të hijshme. Me Palin, ne mrekullohemi që ‘Perëndia … dërg[oi] birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar’ [Romakëve 8:3] – që Ai duhej të bëhej foshnjë; që Ai duhej të bëhej fëmijë, dhe më pas burrë që të vuante ‘tundime dhe dhembje të trupit, uri, etje dhe lodhje’ [Mosia 3:7], dhe madje vdekjen.

Si është e mundur që Ai, i cili sundonte lart në qiej, vetë Krijuesi i tokës, duhej të pranonte për t’u lindur ‘sipas mënyrës së mishit’ (1 Nefi 11:18) dhe të ecte mbi stolin ku Ai mbështet këmbët (shih 1 Nefi 17:39), në varfëri, i përçmuar e i dhunuar, dhe në fund, të kryqëzohej?” (“Denjimi i Perëndisë dhe i Njeriut” [takim shpirtëror për Krishtlindje i Presidencës së Parë, 7 Dhjetor, 2014], lds.org/broadcasts).

Lluka 2:19. “Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj”

Ndërsa është jetike që ne ta ndajmë dëshminë tonë me të tjerë, Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se ne duhet t’i tregojmë përvojat tona të shenjta vetëm kur nxitemi ta bëjmë këtë:

“Nuk është e mençur të flasësh vazhdimisht për përvoja të pazakonta shpirtërore. Ato duhet të ruhen me kujdes dhe të tregohen vetëm kur vetë Shpirti ju nxit që t’i përdorni ato për bekimin e të tjerëve. …

E dëgjova një herë Presidentin Marion G. Romni t’i këshillonte presidentët e misioneve dhe gratë e tyre …, ‘Zbulova se nëse flisja me pakujdesi për gjërat e shenjta, më pas Zoti nuk do të më besonte’.

Unë besoj se ne duhet t’i ruajmë këto gjëra dhe t’i përsiatim ato në zemrën tonë, ashtu si Lluka tha se bëri Maria për ngjarjet e shenjta që rrethuan lindjen e Jezusit” (“The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 53).

Lluka 2:47. “Të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarsia e tij dhe nga përgjigjet e tij”

Profeti Jozef Smith dha mësim sa vijon rreth rinisë së Jezu Krishtit:

“Kur ishte ende një fëmijë, Ai kishte të gjithë inteligjencën e nevojshme që t’i jepte mundësi Atij të sundonte e ta qeveriste mbretërinë e judenjve dhe të mund të arsyetonte me mësuesit më të mençur e më të përgatitur të ligjit dhe teologjisë, e që t’i bënte teoritë dhe praktikën e tyre të dukeshin si marrëzira, krahasuar me mençurinë që Ai zotëronte; por Ai qe vetëm një fëmijë dhe i mungonte forca fizike, madje edhe për të mbrojtur vetë personin e Tij; dhe prekej nga i ftohti, uria e vdekja” (History of the Church, 6:608.)

Shtyp në Letër