Biblioteka
Mësimi 115: 2 Korintasve 6–7


Mësimi 115

2 Korintasve 6–7

Hyrje

Pali vazhdoi të mbronte para shenjtorëve korintas sjelljen e tij si një shërbëtor i Perëndisë. Ai i këshilloi shenjtorët që ta veçonin veten e tyre nga të gjitha padrejtësitë. Ai e pohoi përkushtimin e tij ndaj shenjtorëve dhe u gëzua që ata kishin përjetuar trishtimin sipas Perëndisë dhe ishin penduar për mëkatet e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Korintasve 6:1–13

Pali përshkruan karakteristikat e shërbëtorëve të Perëndisë

Ftojini studentët të marrin parasysh skenarin vijues:

  • Ndërkohë që ju dhe disa anëtarë të tjerë nga lagjja ose dega juaj po bëni një projekt shërbimi, disa njerëz kalojnë pranë dhe bëjnë komente të pahijshme rreth Kishës. Çfarë mund të ndodhë nëse ju ose të tjerët në grupin tuaj reagoni në mënyrë të pahijshme?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për rastet kur ata mund të kenë përjetuar kundërshti ose tallje ndërkohë që po i shërbenin Zotit. Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 6:1–13, të kërkojnë një të vërtetë që mund t’i udhëheqë gjatë rasteve të tilla.

Përmblidheni 2 Korintasve 6:1–2, duke shpjeguar se Pali iu referua vetes së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij si “bashkëpunëtorë të tij” (vargu 1) duke nënkuptuar “bashkëpunëtorë me Krishtin” sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it të 2 Korintasve 6:1. Pali i citoi fjalët e profetit Isaia (shih Isaia 49:8) për të theksuar se kishte ardhur koha që shenjtorët të mendonin për shpëtimin e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 6:3–7. Vëreni gjysmën e klasës që të kërkojë fjalë ose fraza që përshkruajnë kundërshtimin që përjetuan Pali dhe bashkëshërbestarët e tij. Vëreni gjysmën tjetër të klasës që të kërkojë fjalë ose fraza që përshkruajnë mënyrën se si reaguan Pali dhe bashkëshërbestarët e tij ndaj kundërshtimit.

  • Çfarë lloj kundërshtimesh përjetuan Pali dhe bashkëshërbestarët e tij?

  • Cilat fjalë ose fraza përshkruajnë mënyrën se si reaguan ata ndaj kundërshtimit?

Rishikojeni vargun 3 dhe shpjegoni se fjala shërbesë i referohet punës në Kishë.

  • Si mund të ndikojnë veprimet e anëtarëve të Kishës sot në mendimet e të tjerëve për Kishën?

  • Si do t’i përmblidhnit në një parim mësimet e Palit te vargjet 3–7? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Kur ne reagojmë me dashuri, mirësi dhe drejtësi ndaj kundërshtimit, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta shohin Kishën në një mënyrë pozitive.)

Kujtojuni studentëve skenarin e paraqitur në fillim të orës së mësimit. Ftojini ata të shpjegojnë se si mund të reagojë një person në atë situatë në mënyrë të drejtë dhe çfarë pasojash mund të ketë si rrjedhim.

2 Korintasve 6:14–18

Pali i këshillon shenjtorët që të dalin nga mesi i të ligjve

Ndajini studentët në dyshe dhe jepini secilit student një kopje të fletushkës shoqëruese.

Pamja
fletushkë

2 Korintasve 6:14–18

Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Re – Mësimi 115

Këshilla për Shenjtorët

Premtime nga Zoti

Ftojini studentët të lexojnë në dyshe 2 Korintasve 6:14–18. Vëreni një student në secilën dyshe që të kërkojë këshillat e Palit për shenjtorët. Vëreni studentin tjetër që të kërkojë premtimet e Zotit, të cilat do të përmbusheshin nëse shenjtorët do t’ia vinin veshin këshillave të Palit. Ftojini ata të përdorin atë që gjejnë për ta plotësuar tabelën së bashku. Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fjala harmoni do të thotë përputhje, belial i referohet ligësisë (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Belial” [“Belial”]) dhe jobesimtar i referohet një njeriu të pafe apo dikujt që beson në perëndi të tjera sesa tek Ati Qiellor. Përveç kësaj, Pali i kishte krahasuar më parë shenjtorët korintas me tempullin e Perëndisë; pra, fjala tempull i referohet atyre si popull.

Jepuni dysheve kohë të mjaftueshme për t’i raportuar njëri-tjetrit gjetjet e tyre dhe për të plotësuar tabelën.

Shpjegoni se Pali po i paralajmëronte veçanërisht shenjtorët që ta veçonin veten e tyre nga “[gjërat e] ndyr[a]” (vargu 17) – përfshirë idhujtarinë dhe ata që e praktikonin atë – me qëllim që ta mbronin veten e tyre nga mëkati. Idhujtari do të thotë ta duash ose ta adhurosh çfarëdo krijimi të bërë nga njeriu më shumë sesa Perëndinë.

Ftojini studentët që në fletushkat e tyre të shkruajnë Nëse mbi titullin “Këshilla drejtuar Shenjtorëve” dhe Atëherë mbi titullin “Premtime nga Zoti”.

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë prej 2 Korintasve 6:14–18? (Studentët mund të përcaktojnë disa parime, por sigurohuni që të theksojnë se kur ne e veçojmë veten tonë nga praktikat e rreme dhe gjërat e ndyra, Zoti do të na pranojë.)

  • Cilët mund të jenë disa shembuj të praktikave të rreme ose gjërave të ndyra në kohën tonë?

  • Si mund ta veçojmë veten tonë nga këto gjëra dhe nga ata njerëz që i nxitin ato?

Shpjegoni që ky parim nuk do të thotë se ne duhet t’i trajtojmë me vrazhdësi ata që kanë bindje të ndryshme apo të mos pranojmë të shoqërohemi me ta, por që ne t’i ripohojmë bindjet tona me respekt dhe ta shmangim pjesëmarrjen në çfarëdo veprimtarie që do të na çonte në mëkat.

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Zoti do të na “pranoj[ë]” (2 Korintasve 6:17)?

Ftojini studentët që të përsiatin për një rast kur ata ndien se Zoti qe me ta ndërsa e veçuan veten e tyre nga praktikat e rreme që mund t’i kishin larguar nga Zoti. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë përvojat e tyre.

Ftojini studentët të përsiatin për atë që mund t’u duhet të bëjnë me qëllim që ta veçojnë veten e tyre nga praktikat e rreme dhe gjërat e ndyra, në mënyrë që të mund të marrin bekimet e Zotit.

2 Korintasve 7

Pali gëzohet me pendimin e vërtetë të shenjtorëve

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë skenarin vijues:

Në një intervistë për një rekomandim tempulli për martesë, një e re i rrëfen peshkopit të saj disa mëkate të së kaluarës. Pas një diskutimi të mëtejshëm, peshkopi arrin të kuptojë se e reja nuk është penduar me të vërtetë për mëkatet e saj dhe se mëkatet e saj janë mjaft të rënda, duke e bërë të padenjë për një rekomandim tempulli. Peshkopi shpjegon se e reja do të duhet të presë për ta marrë rekomandimin derisa ajo të pendohet plotësisht. Atë e zë paniku, duke pretenduar se është penduar ngaqë nuk i ka përsëritur asnjë nga ato mëkate për një kohë të gjatë. Peshkopi shpjegon se thjesht ndalimi i të bërit mëkat nuk është një pendim i plotë dhe ai e fton atë që ta fillojë sinqerisht procesin e pendimit të vërtetë.

  • Si mendoni ju se mund të ndihet e reja në këtë pikë të intervistës?

Ftojeni studentin që të vazhdojë ta lexojë skenarin me zë të lartë:

E reja i shpjegon peshkopit të saj se ajo është shumë e mërzitur ngaqë ftesat për martesën dhe pritjen tashmë janë dërguar. Ajo thotë se nuk mund të përballet me të gjitha pyetjet dhe ndjenjën e turpit për shtyrjen e planeve të saj për martesën. Ajo pyet nëse ka ndonjë mënyrë tjetër që ajo të vuloset në tempull sipas planit dhe të kalojë përmes procesit të pendimit më vonë.

  • Bazuar në përgjigjen e së resë ndaj peshkopit, për çfarë duket se është më shumë e shqetësuar ajo?

Ftojini studentët që ndërsa studiojnë 2 Korintasve 7, të kërkojnë një të vërtetë që e reja në skenar duhet ta kuptojë përpara se të mund të pendohet me të vërtetë për mëkatet e saj.

Përmblidheni 2 Korintasve 7:1–7, duke shpjeguar se Pali vazhdoi ta mbronte veten e tij ndaj atyre që kërkonin ta turpëronin atë dhe i siguroi shenjtorët korintas se ai nuk i kishte bërë keq askujt.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Korintasve 7:8–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për mënyrën se si kishte ndikuar te shenjtorët korintas një nga letrat e mëparshme të Palit.

  • Si kishte ndikuar letra te shenjtorët?

  • Përse Pali u gëzua në trishtimin e tyre?

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje 2 Korintasve 7:10–11. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shenjojnë dy llojet e trishtimit që përmendi Pali dhe se ku të çon secili prej tyre.

  • Cilat janë dy llojet e trishtimit që përmendi Pali?

Shkruani në tabelë titujt Trishtimi sipas Perëndisë dhe Trishtimi i Botës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson, i cili shpjegoi kuptimin e termit “trishtimi i botës”:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Nuk është e pazakontë të gjesh burra dhe gra në botë që ndiejnë brejtje të ndërgjegjes për gjërat që i bëjnë gabim. Ndonjëherë kjo ndodh sepse veprimet e tyre u shkaktojnë një trishtim e dhembje të madhe vetes ose njerëzve që duan. Ndonjëherë trishtimi u shkaktohet ngaqë kapen dhe dënohen për veprimet e tyre. Të tilla ndjenja prej bote nuk përbëjnë ‘trishtim sipas Perëndisë’” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 88).

  • Si do ta përmblidhnit se çfarë është trishtimi i botës?

  • Sipas vargut 10, drejt kujt mund të na çojë trishtimi i botës? (Shpjegoni se fjala vdekjevargun 10 i referohet vdekjes shpirtërore, duke nënkuptuar veçimin nga Perëndia. Nën titullin “Trishtimi i Botës” në tabelë, shkruani të vërtetën vijuese: Trishtimi i botës mund të na çojë në vdekje shpirtërore, ose veçim nga Perëndia.)

  • Në çfarë mënyrash trishtimi i botës mund ta çojë një njeri drejt vdekjes shpirtërore? (Ai mund ta pengojë një njeri që të pendohet me të vërtetë dhe të marrë faljen e Atit Qiellor.)

  • Bazuar në vargun 10, drejt kujt mund të na çojë trishtimi sipas Perëndisë? (Nën titullin “Trishtimi sipas Perëndisë” në tabelë, shkruani të vërtetën vijuese: Trishtimi sipas Perëndisë na çon drejt pendimit për mëkatet tona dhe marrjes së shpëtimit.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më mirë përse trishtimi sipas Perëndisë mund të na çojë drejt pendimit, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Trishtimi sipas Perëndisë është dhuratë e Shpirtit. Ai është një vetëdije e thellë se veprimet tona e kanë fyer Atin tonë dhe Perëndinë tonë. Është dijenia e mprehtë dhe therëse se sjellja jonë e bëri Shpëtimtarin, Atë që nuk njohu mëkat, madje më të madhin e të gjithëve, të duronte agoni dhe vuajtje. Mëkatet tona e bënë Atë t’i derdhej gjak nga çdo por. Pikërisht ky ankth i vërtetë mendor e shpirtëror është ajo që shkrimet e shenjta i thonë të kesh ‘një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar’. … Një shpirt i tillë është parakushti absolut për pendim të vërtetë” (Mësimet: Ezra Taft Benson, f. 89).

  • Si mendoni ju, përse trishtimi sipas Perëndisë na çon drejt pendimit të vërtetë për mëkatet tona?

Ftojini studentët të mendojnë mbi skenarin lidhur me të renë që kërkonte një rekomandim tempulli.

  • Gjatë intervistës së të resë me peshkopin, cila është ajo gjë që tregon se ajo nuk e kishte përjetuar trishtimin sipas Perëndisë?

  • Çfarë mund të bëjmë ne për ta zëvendësuar trishtimin e botës me trishtimin sipas Perëndisë?

Nëse është e nevojshme, ndihmojini studentët të kuptojnë se ndjenjat e trishtimit sipas Perëndisë që ne përjetojmë kur pendohemi, mund të ndryshojnë në varësi të asaj se sa i rëndë është mëkati.

Dëshmoni se kur ne ndiejmë trishtimin sipas Perëndisë në vend të trishtimit të botës për mëkatet tona, ne do të mund të pendohemi me të vërtetë, do të pastrohemi nga mëkatet tona dhe përfundimisht do të marrim shpëtimin. Ftojini studentët të kërkojnë trishtimin sipas Perëndisë në përpjekjet e tyre për t’u penduar.

Përmblidheni 2 Korintasve 7:12–16, duke shpjeguar se Pali shprehu shqetësimin e tij për shenjtorët dhe besimin e tij ndaj tyre.

Rishikojini shkurtimisht të vërtetat që studentët përcaktuan në studimin e tyre të 2 Korintasve 6–7, dhe nxitini ata që të ndjekin çfarëdo mbrese që mund të kenë ndier për t’i vënë në zbatim këto të vërteta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Korintasve 6:17. “Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre”

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi nevojën për ta veçuar veten tonë nga padrejtësia dhe bekimin që vjen kur e bëjmë këtë:

“Fjala shenjtor në greqisht do të thotë ‘i veçuar, të ndash [dhe] i shenjtë’ [në Daniel H. Ludlow, bot., Encyclopedia of Mormonism, 5 vëll. (1992), 3:1249]. Nëse duam që të jemi shenjtorë në kohën tonë, ne duhet ta veçojmë veten nga sjelljet e këqija dhe zbavitjet shkatërrimtare që mbizotërojnë në botë.

Ne po bombardohemi me imazhe pamore të dhunës dhe imoralitetit. Muzika e papërshtatshme dhe pornografia po tolerohen gjithnjë e më shumë. Përdorimi i drogave dhe alkoolit është i shfrenuar. I kushtohet më pak vëmendje ndershmërisë dhe karakterit. Kërkohen të drejta vetjake, por detyrat, përgjegjësitë dhe detyrimet shpërfillen. Ka pasur një ashpërsim të dialogut dhe ekspozim në rritje ndaj asaj që është e pavlerë dhe e rëndomtë. Kundërshtari ka qenë i pamëshirshëm në përpjekjet e tij për ta minuar planin e lumturisë. Nëse e veçojmë veten tonë nga kjo sjellje si e botës, ne do të kemi Shpirtin në jetën tonë dhe do të përjetojmë gëzimin e të qenit një shenjtor i denjë i ditëve të mëvonshme” (“Are You a Saint?” Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 95).

2 Korintasve 7:8–11. “Trishtimi i botës shkakton vdekje”

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, shpjegoi ndryshimin midis trishtimit të botës dhe trishtimit sipas Perëndisë:

“Ka një ndryshim të rëndësishëm mes trishtimit për mëkatin që çon drejt pendimit dhe trishtimit që çon drejt dëshpërimit.

Apostulli Pal na mësoi se ‘trishtimi sipas Perëndisë … sjell pendim për shpëtim … por trishtimi i botës shkakton vdekje’ [2 Korintasve 7:10; theksimi i shtuar]. Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Trishtimi i botës na tërheq poshtë, na e shuan shpresën dhe na bind që t’i dorëzohemi tundimit të mëtejshëm.

Trishtimi sipas Perëndisë çon në kthim në besim [shih Veprat e Apostujve 3:19] dhe ndryshim të zemrës [shih Ezekiel 36:26; 2 Korintasve 5:17; Mosia 3:19]. Ai bën që ne ta urrejmë mëkatin dhe ta duam mirësinë [shih Mosia 5:2]. Na nxit që të ngrihemi në këmbë dhe të ecim në dritën e dashurisë së Krishtit. Pendimi i vërtetë ka të bëjë me shndërrimin, jo me torturimin apo mundimin. Po, keqardhja e ndier dhe brejtja e vërtetë e ndërgjegjes për mosbindjen, shpesh, janë hapa të dhembshëm e shumë të rëndësishëm në procesin e shenjtë të pendimit. Por kur faji na çon në neveritje të vetes ose na pengon që të ngrihemi sërish, ai bëhet pengesë në vend që të na japë shtysë për pendimin tonë” (“Ti Mund t’ia Dalësh Tani!” Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 56).

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vuri në dukje:

“Krenaria parapëlqen pendim me çmim të ulët, të paguar me një trishtim sipërfaqësor. Jo çuditërisht, ata që rendin pas pendimit me çmim të ulët kërkojnë falje sipërfaqësore në vend të pajtimit të vërtetë. Pra, pendimi i vërtetë shkon përtej thjesht të thënurit, ‘Më fal’” (“Repentance”, Ensign, nëntor 1991, f. 31).

Shtyp në Letër